TUJ E NDIGJUE AT ANTON HARAPIN…

Feb 11 • Opinion

Shkruan: Zef AHMETI, St. Gallen shkurt 2015.

Ai po mbante një ligjëratë para intelektualëve të Korçës. Kureshtja e dëgjuesve ishte e madhe dhe mezi pritej të dëgjonin se çfarë kishte për të thëne ai lidhur me temën qe kishte zgjedhur për “idealin e krishterë” në kontekstin kombëtar shqiptar. Bëhet fjalë për vitet ’30, ndërsa ai që po pritej të fliste ishte At Antoni, shtatëshkurtër. Ajo që kishte shpjeguar ai në atë kohë, lidhet edhe me të sotmen. Mendimet e tij janë një këshillë e patejkalueshme për ata që thirren sot në orientimin politik demokristian.

Si pikë të parë të këtij ideali ai e rendiste të vërtetën: “…vete ideali kombëtar nuk i mjafton vetvetes, por duhet nisë e burojë prej një botëkuptimi më të gjerë dhe më të lartë se vet atdheu… ideali i krishterë (është) ngadhënjimi i se vërtetës” duke kërkuar që e vërteta dhe vetëm e vërteta të hyjnohet, ose e shprehur me fjalët e tij: “të vërtetën e hyjnuar ta shfaqim në botë” duke i shtuar kësaj kërkesën që “…Të njihet e vërteta – Veritati servio; dhe t`i jepet plotësisht vendi i merituar: Charitati laboro: te ngadhënjejë dashuria e vërtetë”.

Këto që i thoshte i lidhte edhe me qëndrimin e tij që kishte për komunizmin. Ai thoshte më tutje: ”…dhe ashtu si nuk mund të rrojë bota pa dritë e së vërtetës, pa ngrohtësinë e dashurisë, ashtu nuk mund të rrojë edhe pa Zot”.

Ajo kohë kur po fliste, ai e gjykonte se një ditë në histori do të cilësohej si periudha e krizave. Duke u tronditur parimet e jetës, u trondit edhe jeta dhe se në mungesë të parimeve të qëndrueshme të jetës, jeta moderne u bë një anije pa timon dhe pa kapiten në mes të dallgëve- e ky ishte vlerësimi i At Antonit. Duke e kritikuar bolshevizmin ai shprehej: “…pa Zot nuk do t`ia dal në krye punës, ashtu siç nuk ia dolën Enciklopedistët e Francës. Bolshevizmi, ashtu siç la njeriun pa Perëndi, do t`i lerë edhe pasuritë pa pronarë: mirëpo krejt si gjeja pa zot që vetë më kot, ashtu edhe njeriu pa Perëndi humbet në errësirë dhe në kotësi… E dini shume mirë, zotërinj, se sot spekulimet morale janë bërë modë, qëllim i jetës u bë interesi e jo ideali. Marrëdhëniet njerëzorë nuk po kanë qëndresë: njeriu modern nuk po e do as besën as dashurinë: thotë se do ta vendosë jetën vetëm në drejtësi, po çfarë drejtësie është ajo që, veç mos mundtë, se s`le gjë pa berë.”

Ai vlerësonte se duhet ruajtur harmonia mes vete, dhe kërkonte që të veprohej për të ngadhënjyer harmonia në botë. E vërteta dhe dashuria ishin për At Antonin ligje dhe parime të harmonisë njerëzore.

At Antonit “zbërtheu” një temë me anë të së cilës shpreh edhe orientimin dhe qëndrimin se si e perceptonte “Atdhetarizmin e krishtere”. Ai shpreh disa dimensione dhe probleme që lidheshin jo vetëm me diskutimet e ndryshme të kohës, por në kontekstin më të gjërë ai shpreh edhe qëndrimet dhe të kuptuarit e tij se si duhet kuptuar dhe si kuptohej atdhedashuria nga ai.

Në mënyre indirekte polemizonte me kritikën e shumicës së intelektualëve të kohës që u bëhej klerikëve se “…Atdhetarizmi është profan për njerëzit e shpirtit dhe besimit, sikurse besimi për njerëzit civile dhe të kulturuar!!!”. Duke u thënë se ata gabojnë, shpjegon: “Zotërinj! Secili nga ju ka një profesion të veçantë; por nuk pushoni së qeni njerëz dhe së qeni shqiptarë… e kur arti, dituria dhe idealet tjera nuk na pengojnë të jemi atdhetarë, pse ai që ndjek idealin e besimit nuk do te mund të jetë shqiptar?

Ai si fetar e donte dhe e çmonte natyrën njerëzore dhe thoshte:”…por kam tagre dhe detyrë shoqërore: jam fetar, e nuk rroj as në erë, e as në re, por në këtë toke që quhet Shqipëri, midis këtyre njerëzve që janë shqiptarët; jam fetar, e dua të mbaj marrëdhënie të ngushta me zotin, por gjaku shqiptar që më vlon ndër dej, shpirti shqiptarë që më frymëzon mendimin dhe fjalën, rrethi shqiptar dhe tradita shqiptare që, duke ma përshkruar anembanë jetën mendore dhe morale, shpërthejnë ndër hove të shpirtit, ndër ndjenja dhe zakone, mund të zhduken prej meje me sa mund të zhduket natyra; jam fetar, e ky fakt, sikurse nuk më ndalon aspak që të jem një njeri  përkryer, te kem dituri dhe kulture, ashtu nuk më pengon të jem atdhetar. Kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen me fe e atdhe, ai ka një kuptim të gabuar për atdhetarizmin.”

E thënë shkurt ai e shihte veten jo vetëm si klerik, por edhe si një pjesë përbërëse e shoqërisë shqiptare qe kishte edhe përgjegjësi për rolin e tij në atë shoqëri dhe se ai nuk shihte një kundërshtim me rolin e tij si shërbyes i fesë se krishterë. Këtë e shpreh kur thotë: “…Edhe Atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit… Nuk jemi të krishterë të mirë, pa qene njerëz të mirë, po të jemi nënshtetas dhe atdhetarë të dobët. Atdhetarizmi në kuptimin e krishtere është një virtyt i shenjte si drejtësia dhe dashuria.”

Këtu shprehet qartë perceptimi i tij si person publik, si klerik katolik me detyrën e tij në raport me të qenit fetar dhe kombëtar, se ai nuk e ndante besimin e tij nga dashuria për atdheun. Pra të vërtetës, dashurisë i shton edhe atdhetarizmin. Interpretimi që bën ai na fut në botën e tij ku nuk lë zbrazëtirë për të dyshuar në dashurinë e tij ndaj popullit të cilit i shërbente. Sipas qasjes se tij çdo teori a mësim, institut a besim që kundërshton idenë kombëtare, është antinjerëzore, antishoqërore dhe, duke qenë kundër natyrës, është edhe kundër arsyes, prandaj edhe i padrejtë, imoral.

Feja dhe atdheu jo vetëm që janë të natyrshme, porse edhe pajtohen fare mirë në mënyrë të natyrshme dhe se ata që mendojnë se,  “…jeta moderne e shikon besimin si një cenim të atdhetarizmit”, gabojnë, thoshte ai. Për të argumentuar këtë qëndrim të tij, shpjegon: “Atdhetarizëm do te thotë dashuri për njerëz, dashuri e sinqerte, dashuri vepruese, dashuri ideale… Atdhetarizëm nuk do me thënë ideal në tym, fjale të mëdha kumbuese, ide te larta tërheqëse, hyjnizim teorik i shqiptarit dhe i kombësisë. Jo. Faktorët e idesë “atdhetarizëm” janë cilësitë e shpirtit tonë për therori, për detyrë, për vepra dhe bashkëpunim kundrejt atij vendi, kundrejt atij grupi njerëzish që quhen Shqipëri dhe shqiptarë, kundrejt atyre nevojave dhe dobive që na janë të përbashkëta… Atdhetarizëm nuk do me thënë interes dhe egoizëm, por do te thotë altruizëm, madhështi shpirtërore, fisnikëri ndjenjash, kontribut nderi, morali, kulture, diturie, arti, qytetërimi, duke filluar nga vetja dhe duke e shtënë edhe përhapur ne jete dhe ne mendësi te gjithë atyreve me te cilët e kemi të njëjtë thesarin e gjuhës e te shpirtit dhe lumturinë e jetës.”

Këto parime atë nuk mund ta kishin bërë as fashist, e as nacionalsocialist, e aq më pak tradhtar. Ai mendonte se Shqipërinë nuk e bëjnë sendet, porse njerëzit si dhe dinamoja e atdheut janë virtyti dhe zotësia, dhe jo motorët dhe makinat, janë njerëzit qe e bëjnë atdheun qe i ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare. “Dëgjoni ç’na thotë neve feja (katolike): Shqiptarë, ti ke detyrë kundrejt atdheut, sikurse ke detyrë kundrejt prindërve dhe familjes sate, mosplotësimi i detyrave kundrejt atdheut është njësoj si mosplotësimi i detyrave kundrejt nënës dhe babës, si e shkelura e një detyrë të domosdoshme… Ne emër te fesë së krishterë, po të them edhe vdekjen duhet ta bësh po qe nevoja për idealin e atdheut.”  Një qëndrim ky që përputhet me një vlerësim të njetë që na jep Gjon Pali i II-të mbi gjysmë shekulli më vonë.

Një kontekst tjetër, që lidhet po ashtu me të sotmen, mbase e nevojshme për ta kuptuar si duhet, ai e kishte shpjeguar që në atë kohë. Si duket edhe për arsye të nevojës së “rrëmujës” së asaj kohe. Dhe ajo që na shpjegon e kemi edhe sot. Lidhet me fenë.

Besimi-vegël jo vetëm se është utopi, por marrëzi kontradikte dhe poshtërsi, mendonte At Antoni. Të qenit i krishterë nuk bie ndesh me të qenit atdhetar dhe se këto dy kënde nuk janë te kundërta dhe nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, mbase përkundrazi ato janë të ekuilibruara si dy magnete të rregulluara nëpër të cilat njeriu  lartësohet drejt idealeve të pavdekshme. Ky ishte qëndrimi i tij. Këto mendime ishin edhe si qëndrim polemizues kundër atyre që e mbanin veten ateistë. Atyre që mendonin se shqiptarët nuk kane nevojë për Zot.

Ne trajtimin e situatës në të cilën po kalonte Shqipëria, ai me dhimbje shprehej se vendi dhe shqiptarët nuk kanë unitetin dhe vëllazërimin e dëshiruar. Kërkonte që të ngadhënjejë harmonia me të vërtetë vëllazërore dhe se “..kjo është detyra dhe misioni i brezit të sotëm! Sepse duhet ta dimë mirë, një popull i përçarë është një popull i humbur.” Nëse e duam Shqipërinë, atëherë le të punojmë sa të jetq e mundur më tepër për të futur dashurinë në mes të vëllezërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal. “Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar.”

Dhe për t’a realizuar vërtetë paqen e vëllazërimin duhet vetëm një gjë e vetme: flijimi. Pra kërkonte gatishmërinë për t`u flijuar për ketë ideal, duhet flijohen pikëpamjet tona, fama jonë edhe vetvetja për te mirën e përbashkët. Ai thoshte të krishterëve se nuk duhet bërë fli të tjerët, por të prijmë duke e flijuar vetën. Sepse, sipas tij, besimi i krishtere është burim flijimesh sepse është besim dashurie. Dhe mu në këto kërkesa ne mund të nxjerrim edhe idealin e tij, atë që e përshkonte filozofinë e tij ndaj fesë e atdheut, ndaj njeriut e ndaj mëmëdheut. Këto ideale atë me vonë a do ta bëjnë vërtetë viktimë? Ai a do te flijojë edhe vetveten, a do të bëhet vërtetë shembull i flijimit për këto ideale?

At Antoni nuk mbetet indiferent as ndaj një realiteti tjetër shqiptar; çështjes së elementëve fetare në Shqipëri (korrik 1944). Ai shprehej: “…unë do ta thom mendimin tem haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, sa per inat e për parti… Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund te rrojmë ne qetësi tre elementat fetare nder ne? Ateistat me gjithë skeptiket, indiferentat, natyralistat, aventurieret e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, per pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!” At Antoni kishte tezën e vet në ketë temë. Ai thoshte se Shqipëria nuk është vend pa Zot. Ai mbante qëndrim se jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e sikur t`ishim edhe me një besim, do të kishim qenë edhe më të bashkuar, më homogjenë e që kjo do të kishte kursyer mund e punë për të kuptuar shumë gjëra. Por ja që fakt është se ne jemi pra myslimanë, ortodoks e katolikë e si të tillë duam të jetojmë me një harmoni vëllazërore. Dhe se për ta arritur këtë qëllim nuk ka nevojë të shuhen besimet. Sipas tezës së At Antonit sikur shqiptarët të jenë vërtetë të qytetëruar e nacionalistë të sinqertq, besimtarë të përnjemendtë në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos jetojnë vëllazërisht, përkundrazi përderisa mos ta kenë kulturën njerëzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombëtare, e derisa u mungon kultura fetare, ata do te jenë te ndarë e të përcarë, jo për shkakun e ekzistencës së tre besimeve ndër shqiptarë, por për shkak të mungesës së bazës së jetës shoqërore, kombëtare e fetare. Dhe si pengesë këtu e shihte fanatizmin si turp për personin, turp për besimin të cilit i përket si dhe turp edhe për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për fanatizëm nuk është besim i arsyeshëm e as faktor jete, ai nuk lartëson porse poshtron, e më shumë rrënon se sa trajton.

Ai këkonte të dallohet njeriu fanatik nga njeriu me karakter. Të dy ngulin këmbë për bindje të veten, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me një dallim: përderisa njeriu me karakter ngul këmbë për një parim të arsyeshëm, ai fanatik i mbetet qëndrimit të vet me apo pa arsye, njeriu me karakter tregon nje zotësi morale, përderisa ai fanatiku dëshmon një dobësi personale sepse edhe po ta shihte të pa arsyeshme atë të vetën nuk është i aftë ta tejkalojë pasionin e egoizmit, karakteri moral ka qëllimet e arsyes, fanatizmi nuk ka qëllim, ai vetëm verbon që të shtynë deri në vesin e egërsirës. Fanatizmi është anti njerzor, prandaj edhe antifetar dhe antshoqëror. Keshtu që për të jetuar vëllazërisht, nuk është e nevojshme të hiqet besimi, por heqja, largimi  fanatizmës në besim.

At Antoni kërkonte që shqiptari në këtë aspekt nuk duhet të jetë vetëm formal por edhe faktik e përmbajtësor. Ai gjykonte se shqiptari mund të “zbutet” duke marrë kulturën e vërtetë njerëzore, kulturën e shpirtit dhe se nuk mjafton të ketë sjellje të mirë, paraqitje njerëzore, forma të përshtatshme (formalja), e ne shpirt të mbetet i egër, por kërkon që përnjëmend te jetë në vete edhe ashtu si mbahet e duket përjashta (përmbajtësor) dhe vetëm atëherë do të bëhet i aftë të jetojë në harmoni me vëllezërit e vet shqiptarë të çdo shtrese e çdo besimi.

Për mbatjen e qetësisë mes besimeve ai shtronte këto propozime: 1) Një bazë e vërtetë kundrejtë parimeve, pra secili në parimet e besimit të vet apo siç e quante ai intolerancë teorike dogmatike; 2) Dashuri të sinqertë mes njerzëve, shqiptarëve një tolerancë fetare e naltuar deri në fisnikëri, që e quante edhe si tolerancë qytetare-shoqërore; drejtësi e reflektuar me ndërgjegje në ligje dhe këto edhe ndër zyrtarë që e quante tolerancë shtetërore-politike e që e shpjegon asnjanësinë e shtetit përballë besimeve, si qëndrim antifetar, as ateist e as indiferent, por sipas motos shteti Shqiptar e njeh Zotin por nuk anon për asnjë besim, dhe se gjitha veprimet e shtetit duhet të shkojnë në atë drejtim që të forcohet sa më mirë qetësia fetare në Shqipëri. Të gjitha këto rekomandime vinin duke u nisur nga fakti se ai mendonte se jetesa e përbashkët duhej të shihej jo si “përdhuni, por me vetëdashje; këtë punë do të na thotë mendja, do ta duejë vullndesa, do ndiejë shpirti, mendjes do t`flasë e vërteta…

Nëse e duam një Shqipëri me të gjithë shqiptarët, atëherë duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po- thotë At Antoni, mjerisht muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobtë, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vlefshëm e të mëdhenjë, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do ta kujtoj vetën të nëpërkëmbur. Sot në këtë krizë (flet për korrikun e vitit 1944) të tmerrshme ndër besimtarë te të tre besimeve na përket, për hatër të Zotit e të Shqipërisë, të largojmë çdo ndryshk nga zemra, t`a shtrijmë dorën njëri tjetrit e tëvëllazërohemi në atë Zot që i besojmë e në atë Shqipëri që e duam me gjithë Zemër. Dhe se këtu nevojitet bashkimi i të tre klereve që në këtë drejtim janë veprimi dhe leva më e fuqishme për të siguruar bashkimin e shpëtimin. “Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena as tjetra pa Shqipni.”

E thënë shkurtë: Duke bërë përjashtimet e ndërsjellta, përjashtohet vetvetja.

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »