E DIELA E VI GJATË VITIT

Feb 13 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Lev 13,1-2.45-46)

 

Lexim prej Librit të Levitikut

 

Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:

“Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemët që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose te cilido prift prej bijve të tij.

“I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbartë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrën e mbuluar e të bërtasë: “I ndyri! I ndyri!”. Gjatë gjithë kohës sa gërbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë të babishtës”.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 32(31)

 

Ref. Shëlbimi yt, o Zot, na mbush me gëzim.

———————————————–

Lum ai që iu fal mëkati,

që iu mbulua faji!

Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë,

në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.

————————————————-

Atëherë ta dëftova mëkatin tim,

fajin tim më nuk e fsheha.

Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim”,

e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.

—————————————————-

Atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.

Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë,

brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.

———————————————

 

 

Leximi dytë (1 Kor 10,31-33. 11.1)

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

 

Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit.  Mos jini, veç, rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit,  sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen.

Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve,

por të sëmurëve, thotë Zoti;

unë erdha të ftoj mëkatarët!

Aleluja!

 

+ Ungjilli (Mk 1, 40-45)

 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë Jezusit ju paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut:

“Nëse do, mund të më pastrosh!”

Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:

“Dua! Qofsh pastruar!”

Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësishtë:

 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

 

Fjala e Zotit

 

 

Porosia

 

Sa vështir është të mos jesh i pranuar, aq me keq kur je i përjashtuar. Sot, në botë ka shumë njerëz që përjetojnë mospranimin dhe përjashtimin nga rrethi, shokët, familja. Rastet mund të jenë të ndryshme kulturore, racore, fisnore, gjinore, fetare…..

Mendoj që kjo është një gjë e tmerrshme.

Kështu ishte në Besëlidhjen e vjetër, kur njerëzit, nga sëmundjet e ndryshme, përjashtoheshin dhe lokalizoheshin. Ishin në vetmi, në pikëllim në mëshirë të fatit pas asnjë përkujdesje.

Zoti, na mbush gjithmonë me gëzim, sepse Ai, na i fal mëkatet dhe kur jemi të pastër në shpirt jemi edhe të lumtur, jemi të gëzuar thotë psalmisti.

Shën Pali kërkon nga bashkësitë e themeluara e në këtë rast dëgjojmë edhe në letrën e tij, të punojnë dhe veprojnë në nderë e lavd Zotit. Kjo është gjëja më e mira për të dhënë shembull të mirë para tjerëve. Shën Pali duke jetuar e vepruar si duhet, ishte një dëshmi e gjallë e Krishtit dhe pa hezituar thotë: më përngjani mua.

Ungjilli ka një lidhshmëri me leximin e parë. Por duhet kuptuar një gjë, ndryshon të kuptuarit dhe të vepruarit. Në Besëlidhjen e vjetër, të gërbulurit përjashtoheshin nga rrethi familja, ndërsa në Besëlidhjen e re, Jezusi për përkujdeset për ta, i prekë, i shëron, nuk ka frikë, por dashuri, mëshirë, dhembshuri. Kështu kuptojmë që Jezusi nuk erdhi për shlyer Ligjin por për të përkryer. Jezusi tejkalon çdo normë me dashuri që tregon.

E kjo është e bukur çka dëgjojmë në Ungjill:  Jezusi nuk e përjashton të gërbulurin, nuk e shëron me një fjalë që do të mund ta bënte, por e prekë, ata që ishin të përjashtuar, tani janë afër Jezusit.

Duhet të pyesim edhe ne veten?

Çfarë jemi në jetën e përditshme?

Asgjë nuk është sëmundja e trupit në krahasim me sëmundjen e shpirtit, në trup të sëmurë dhe dhimbje mund të lavdërohet Hyji dhe mund ta kushtojmë dhembjen, pikëllimin, në nderë e lavd Zptit për të mirën tonë.

Ndërsa nëse jemi të sëmurë në shpirt, atëherë ne e kemi përjashtuar veten nga bashkësia, nga kisha, na familja, sepse kemi prishë raportet me Zotin Hyj, jemi ndarë nga Ai, nuk jetojmë në praninë e Tij, nuk jemi në hirin e Zotit.

Por të gabosh është njerëzore, ndërsa të qëndrosh në gabim është djallëzore. Të gjejmë forcë nëse kemi nevojë të lirohemi nga mëkati dhe të jemi të pastruar që të mundemi të jemi bijë e bija të vërtetë të Hyjit dhe anëtarë të devotshëm të bashkësisë.

 

 

Lutjet e besimtarëve

 

Vëllezër dhe motra, sot dëgjojmë në Ungjill se si Jezusi shëron të gërbulurin. Edhe ne kemi nevojë të shërohemi nga gabimet, lëshimet, mëkatet, fajet tona, që të pastër në shpirt të mund të jetojmë në hirin e tij, të lutemi së bashku:

 

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

 

–         Kishën tënde, udhëtare në botë ruaje të pastër dhe të papërlyer nga mëkatet që si bashkësi në krye me Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët  e rregulltaret të jetë dëshmi e gjallë e pranisë sate në veprimtari të përditshme, të lutemi:

 

–         Njeriu i sotshëm është në trysni të ndryshme materiale, shpirtërore, racore apo fetare, ndihmojë o Zot që të lirë dhe me shpirt të pastër, të shijojnë bukurinë e jetës, të lutemi:

 

–         Për ne këtu të pranishëm që të mund të kuptojmë që më tepër e pëlqen shpirtin e penduar dhe të thermuar, na prano dhe ndihmo që të jemi të pastër në zemër dhe në shpirt, të lutemi:

 

–         Ti o Jezu pate dhembshuri për të gjithë ata që kishin nevojë, po të lutemi dëftohu tek të gjithë ata që janë në ngushtica të jetës për shkaqe të ndryshme dhe lehtësoje jetën e tyre me pranin, mëshirën dhe dashurinë tënde, të lutemi:

 

–         Shpirtrat e burgatorëve që kanë nevojë për mëshirën tënde, hapjua derën e parajsës që të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

 

O Zot Ti je i mirë dhe i mëshirshëm je mjeku ynë hyjnorë, na liro nga i keqi dhe e keqja dhe me zemra të pastra të mund të të shërbejmë me krejt jetën tonë. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Don Marjan Demaj

Bishtazhin

Shpërndaje

Comments are closed.

« »