E MËRKURA E PËRHIME

Feb 16 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Lev 13,1-2.45-46)

 

Lexim prej Librit të Joelit profet

 

“Që tani ‑ është fjala e Zotit ‑kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e dënesje! Shqyeni zemrat e jo petkat, kthehuni kah Zoti Hyji i juaj,

sepse është i butë e edhe i mëshirshëm, i durueshëm e shumë i dhimbshëm,

ndien keqardhje për fatkeqësi.”

Kush e di? Ndoshta kthehet edhe fal e lë pas vetes, ndoshta, bekimin!

Kushte, njomje Zotit Hyjit tuaj! Bini borisë në Sion! Shenjtërohuni me agjërim,

shpalleni një mbledhje të shenjtë!

Bashkojeni popullin, shenjtërojeni mbledhjen, mblidhni pleqtë, mblidhni të vegjlit e foshnjat e gjirit, le të dalë dhëndri nga dhoma e vet, le të dalë nusja nga oda e vet!

Ndërmjet tremes dhe lterit le të qajnë priftërinjtë shërbëtorët e Zotit e le të thonë: “Fale, o Zot, popullin tënd, mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët!”

Përse të thuhet ndër paganë: “Ku është tani Hyji i tyre?”

Iu dhimbs Zotit toka e vet,e fali popullin e vet. Mbarimi i frushkullit dhe çlirimi

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 51(50)

 

Ref. Na, fal o Zot, sepse kemi mëkatuar.

————————————————————————————-

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,

pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim

e më pastro prej fajit tim!

 

——————————————————–

Sepse e pranoj paudhësinë time:

mëkatin tim përherë e kam para sysh.

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj

dhe kam bërë ç’është keq para teje.

—————————————————–

 

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,

përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

Mos më flak larg fytyrës sate,

mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

—————————————————-

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,

dhe më forco me shpirt të gatshëm.

Zhdërvilloj, o Zot, buzët e mia,

dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

————————–

 

Leximi dytë (2 Kor 5,20-21: 6, 1-2)

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

 

 Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin! 21 Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.

Pasi jemi bashkëpunëtorë me Të, ne ju nxisim: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit!  Ai thotë:

‘Në kohë të volitshme të vështrova,

në ditë të shpëtimit të ndihmova.’

Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli (Mk 1, 40-45)

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Mateut

“Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.  Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim!  Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”

 “Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim!  Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!

Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

“Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përuroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”

 

Fjala e Zotit

 

Porosia

Sot fillojmë kohen e kreshmëve, me të mërkurën  e perhime. Përhihemi që të shprehim një lloj përvujtërie para Zotit, duke menduar mbi kalimin e botës, dhe që nga hiri u nxorëm dhe në hi do të kthehemi. Përhihemi, duke dëgjuar fjalët e meshtarëve që na thonë: Kthehu dhe besoj Ungjillit. Kthimi kah Zoti dhe besimi në Ungjill do të thotë besimi në fjalën e Tij, do të thotë ta pranojmë lajmin e gëzueshëm: Hyji është Dashuri. Për këtë Ai e dërgon Birin e vet në botë që nëpërmes kryqit,- mundimit dhe vdekjes t’ ia sjell botës shëlbimin.

Fillojmë këtë ecje shpirtërore, e cila, zgjatë dyzetë ditë, pa i numëruar të dielat.

Kjo kohë është kohë lutje, pendese dhe agjërimi, kohë bamirësie dhe kohë e hirit të veçantë që jep Zoti për të gjithë ata që bashkohen në këto ndjete dhe në këtë formë që na fton Kisha.

Lutja duhet të jetë e sinqertë para Zotit, prandaj lutjes duhet të burojë prej zemrës dhe njeriu duhet të lutet në përvujtëri.

Pendesa: duhet të na vij keq për mëkatet e bëra, të kthehemi dhe të pajtohemi me Hyjin nëpër mes pendesave të ndryshme që bëjmë e nder to është edhe agjërimi, i cili duke u përmbajte nga ushqimet dhe pijet ne bëjmë një sakrificë dhe mendojmë për sakrificën e madhe që bëri Jezusi për ne duke u munduar dhe duke vdekur në kryq.

Nga kjo pendesë dhe agjërim, ne kursimin nuk duhet të ndalim për vete, por duhet të mendojmë për nevojtar, për skamnorë, për ata që janë në vështirësi ekonomike, sociale, shëndetësore, që i ndihmojmë në forma të ndryshme.

Kështu kjo ecje shpirtërore do të na bëj më të fortë shpirtërisht që të përjetojmë Pashkët e Krishtit si ringjallje e jona shpirtërore.

 

Lutjet e besimtarëve

Duke filluar këtë kohë të kreshmëve t’ ia drejtojmë Hyjit Atit tonë lutjet tona që të na mbeshtesë për të pasur një kohë hiri dhe përvujtërie, kohë e cila na bënë të zhvishemi nga mëkati dhe të jetojmë në hirin e tij, të themi së bashku:

 

Na ndihmo o Zot!

 

–         O Zot, ndihmoje Kishën tënde në krye me papën, ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret që gjatë kësaj ecje kreshmore të përgatitet sa më mirë për misterin e Pashkëve të lutemi:

 

–         Për ne këtu të pranishëm që të përvujtë në lutje, agjërim dhe pendesë, të forcohemi në fe, shpresë dhe dashuri, të lutemi:

 

–         Për të krishterët që janë të persekutuar po të lutemi o Zot që  në kryqin e jetës t’ u dalësh në ndihmë dhe të forcuar nga Ti të lirohen nga vuajtjet dhe rreziqet që u kanosen, të lutemi:

 

–         Për të gjithë ata që janë në vuajtje bëj që kryqet me të cilat ballafaqohen të kuptojnë si mjet shëlbimi dhe shpëtimi, të lutemi:

 

–         Na jep shpirtin e bamirësisë që në këtë kohë të shenjtë t’ u dalim në ndihmë atyre që kanë nevojë të lutemi:

 

 

Bëj o Hyj që këto ditë të shenjta të kreshmëve të jenë bekim për ne dhe familjet tona, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti për Dritën: Don Marjan DEMAJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »