FAMILJA SHQIPTARE DIKUR DHE SOT

Feb 16 • Familja

Shkruan: Don Lush GJERGJI 

Familja patriarkale dhe nukleare 

Familja shqiptare historikisht kryesisht ishte patriarkale /mashkullore/ dhe mbëshetej në këto tri parime themelore traditore dhe kanunore:

–          anëtarët e saj jetonin nën një kulm dhe kishin  zotin dhe zonjën e shtëpisë;

–          si qëllim jete kishin shtimin e antarëve të shtëpisë dhe të familjes nëpërmjet martesës, lindjes së fëmijëve;

–          zhvillimi i tyre trupor dhe mendimor ishte pika e tretë e këtij synimi.

Familja patriarkale është bashkësi e gjerë njerëzish, e jo si ajo nuklearja apo bërthamorja, me marrëdhënie ndërpersonale burrë-grua-fëmijë, një lloj “kolektivizmi” burimor, ku personi “shkrihet” në logjikën e familjes, pa pasur mundësi për krijimin e personalitetit bazor dhe të identitetit personal.

Kështu doemos krijohet mentaliteti turmor, grumbullor, masiv, dhe si parim bazë ka traditën: si të tjerët, si të parët e mi, si të gjithë!

Rreziku i dytë është individualizmi i tepruar ose “bajraktarizmi”, që shprehet nëpërmjet nevojës dhe dëshirës për të sunduar me të tjerët me parime: vetëm si  të them unë, sepse tjetri nënçmohet, nështrohet, objektivizohet, vegëlsohet dhe keqtrajtohet, tek ne sidomos bota femrore dhe fëmijtë.

Me mentalitetin turmor njeriu shkrihet në masë anonime, ndërsa me individualizmin e tepruar njeriu shndërrohet në sundimtar, është në rrezik të bëhet gati edhe diktator.

Faza kalimtare mes familjes patriarkale dhe asaj nukleare është mjaft e vështirë dhe me plotë sfida dhe rreziqe, sidomos kur shthurja apo rrënimi i sistemit politik, ekonomik, kulturor dhe shoqëror ndodhë edhe me luftë, si ishte fatkeqësisht rasti ynë.

Këtë e ka pësuar dhe ende e pëson familja shqiptare, sepse ajo e vjetra, tradicionalja, tashmë është dëmtuar dukshëm, gati edhe është shkatërruar në tërësi, kurse e reja, bërthamorja, ende nuk është formuar.

     Çka i mungon sot familjes shqiptare?

  1. Së pari i mungon formimi i personalitetit bazor dhe identitetit personal, uni, ego-ja, si parakusht për marrëdhënie të suksesshme ndërpersonale. Populli thotë mirë: Pa njeri s’ka as familje as shoqëri!Kush ka personalitet dhe identitet e di fare mirë  gjithnjë e gjithkund këtë:  kush  është,  çka do dhe si dëshiron të arrijë atë çka don dhe kërkon.
  2. Mungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi, për vlera dhe virtyte, me orjentime dhe përcaktime të qarta, sepse pa këtë njeriu është “lojë rasti” apo rrethanash, një lloj “malli” në duart e fatit dhe të tjerëve. Liria pa përgjegjësi është anarki, me shumë rreziqe, si p. sh.

-materializmi, vetëm çka më pasuron;

-populizmi, çka bëjnë të tjerët, të gjithë;

-hedonizmi, çka më pëlqen, çka më duket mua mirë.

3.Edukimi për komunikim, për takime, afrime, bashkime, bisedime, dialog, gjithnjë në kërkim dhe në zbatim të të mirës së përbashkët. Unë,  para se gjithash duhet të jem vetvetja,  si parakusht që të pranoj tjetrin, ty, që të jesh  edhe ti vetvetja, sepse përndryshe s’kemi asgjë as unë as ti. Këto dy momente, unë dhe ti, mundësojnë  krijimin e ndjenjës së përbashkët, NE, që njeriu të jetë i hapur dhe të mbështetet në të vërtetën dhe në dashuri.

    Rreziqet dhe shthurjet e familjes shqiptare

Kriza e cila e  ka kapluar  familjen shqiptare tradicionale është mjaft e thellë dhe me shumë rreziqe. Unë do t’i përmendi vetëm disa,  ato kryesoret:

1.Privatizimi i lidhjeve afektive, seksit dhe moralit,  martesës dhe familjes me

këto parime: punë për mua, di unë çka bëj, mos u përzij ti, askush në jetën time private, nuk jam më fëmijë, mendoj si dua dhe si më pëlqen…

Sot martesa është vetëm një fillim, një proces në vazhdimësi, ku çiftat martesorë shpesh janë të vetmuar, dhe edhe vështirësitë më të vogla mund t’i godisin dhe destabilizojnë, sepse pothuaj askush më nuk kujdeset për ata, as në fazën e përgatitjes për martesë, edhe më pak më vonë.

2.Familja gjithnjë e më tepër ngushtohet, sepse pjesa dërmuese e jetës kalohet jashtë familjes, shtëpisë, në punë, në udhëtime, në lidhje dhe marrëdhënie me të tjerët, aq sa shtëpia gati është bërë “bujtore”.

3.Pluralizmi i mendimeve, qëndrimeve, botëkuptimeve, sepse sot “bota është në rrota”, në lëvizje, me dyndjet moderne të popujve, gjuhësve, kulturave, feve.

  Cilat janë anët pozitive të kësaj krize?

1). Femrat shqiptare janë vetëdijësuar  nëpërmjet shkollimit dhe punësimit se janë pikësëpari qenie njerëzore, pastaj femra, qenie familjare dhe shoqërore, dhe si të tilla janë pjesë aktive e familjes dhe e shoqërisë. Ato më nuk pranojnë në mënyrë pasive “rolet” e caktuara si dikur dhe nga dikush, por kërkojnë lirinë e përcaktimeve dhe përgjegjësinë e jetës dhe të veprimeve.

2). Martesa më nuk është qëllim jete, por më tepër mundësi bashkëshortësie me marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërgjinore, me komunikim të gjithanshëm dhe të vazhdueshëm, me formimin e familjes si bashkësi jete dhe burim edukimi.

3). Bashkëshortësia është mundësi për integrimin e individit, personit në familje dhe në shoqëri, duke tejkaluar individualizmin e tepruar dhe kolektivizmin anonim dhe turmor, me procesin e kohezionit në dashuri.

4). Pa pasur identitet dhe peronalitet s’mund të jetë askush burrë apo grua, sepse dy fazat e mëhershme jetësore, individualizimi dhe socializimi, janë partakusht bazë për partnerizëm, bashkëshortësi dhe integrim ndërpersonal.

5). Vlerat e mirëfillta traditore duhet të ruhen dhe të kultivohen, sidomos nderimi dhe pranimi i jetës në çdo fazë, sepse fjala popullore thotë bukur: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”. Mirëpo këto vlera duhet të begatohen edhe me me vlera bashkëkohore, si edukimi pesonal dhe ndërpersonal, bashkëpunimi, bashkëjetesa, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike, kultura e punës, përgjegjësisë, komunikimit…

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »