E DIELA E PARË E KRESHMEVE (B)

Feb 20 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Zan 9,8-15)

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

 

Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij:

“Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj, pas jush  e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju ‑ me mbarë, gjallesat e tokës. Unë po lidh besëlidhjen time me ju: nuk do të shfaroset më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton tokën”.

Dhe Hyji tha:“Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po e bëj ndërmjet meje e juve

dhe me çdo gjallesë që është me ju për të gjitha breznitë e ardhshme; Ylberin tim do ta vë në re dhe do të jetë shenja e besëlidhjes ndërmjet meje dhe tokës.

Kur me re ta mbuloj qiellin, në re do të duket ylberi im, do të më kujtohet besëlidhja ime me ju e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë, ujë përmbytjeje më s’do të ketë për të zhdukur mbarë frymorët.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 25(26)

Ref. Udhët e Zotit janë e vërteta dhe mëshira

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,

——————————————————–

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvuajtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

—————————————————–

Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate

për hir të mirësisë sate, o Zot.

 

Leximi dytë (2 Kor 5,20-21: 6, 1-2)

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate tona, i Drejti për të padrejtët që t’iu shpinte te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit – Në të edhe shkoi t’u predikojë shpirtrave në burg,  që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë – vetëm tetë frymë – shpëtuan me ujë.

Ky ujë – shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por lutje e drejtuar Hyjit – për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.

 

 Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli (Mk 1, 12-15)

 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Mateut

Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi të shkojë në shkretëtirë. Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.

Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

 

Fjala e Zotit

 

Porosia

Në leximin e parë të dielës së parë të kreshmëve na paraqitet Noehi, një njeri i drejtë para Zotit. Nga Bibla lexojmë, se, në një kohë të caktuar, kishte ndodhë një përmbytje e botës, për shkak të mëkateve të shumta që ishin bërë. Kjo kishte ndodhë në Irakun e sotshëm që më parë quhej Mesopotami. Noa ishte njeri i drejtë dhe  Hyji i kishte kursyer për shkak të drejtësisë dhe jetës që kishte në bashkëpunim me Zotin.

Nga kjo duhet kuptuar që Hyji shpërblen shoqërinë dhe besnikërinë me besëlidhje. T’i qëndrosh besnik Hyjit shpaguhet, sepse Hyji askujt nuk i mbetet borxh, çdo vepër  të mirë Hyji e shpërblen.

Shën Pjetri krahason  përmbytjen e cila ndodhi në kohën e Noehit me gjendjen morale të njeriut. Njeriu shpesh herë është i zhytur dhe i përmbytur në mëkate dhe të këqija, të cilat lundrojnë në oqeanet e mjerimit. Atë, askush nuk mund ta shpëtoj, përveç Hyjit, i cili na ofron shpëtimin. Edhe atë jo do si do, por me vuajtje, me mundime, me vdekje në kryq, e mbi të gjitha me ngjallje. Hyji pra na përkrah dhe ndihmon e ne duhet të kërkojmë ndihmën e Tij.

Ungjilli që na paraqet shën Marku është shumë i shkurt, por ka domethënie të madhe.

Na paraqet në pika të shkurtra që Jezusi para se të fillonte veprimtarinë e vet, shkoi për dyzetë ditë në shkretëtirë në lutje, takim me Hyjin, Atin e vet.

Shkretëtira është simbol i rezistences, por edhe simbol i tundimit, simbol i soditjes së jetës, simbol vuajtje dhe simbol dashurie.

Të gjitha mund të gjenden në shkretëtirë. Edhe etërit e Kishës dhe murgj të ndryshëm shenjtër shpesh herë tërhiqeshin në shkretëtirë për reflektim jete, për energji shpirtërore, për jetë me Hyjin.

Për ne që po fillojmë kohen  e kreshmëve, po ashtu, kjo kohë duhet të jetë një kohë shkretëtire, kur në përmbajtje të ushqimeve, në lutje, në pendesë dhe përvujtëri bashkohemi me Krishtin që vuan.

Papa Françesku në porosinë e vet për kreshme na thotë të mos jemi indiferent ndaj atyre që vuajnë por t’ u dalim në ndihmë.

Të bashkohemi në solidaritet shpirtërorë që të kthehemi kah Hyji në pendesë, lutje, vepra të mira. Nga krejt kjo të ndihmojmë e të vizitojmë ata që janë në vuajtje, sëmundje dhe të jemi dorëzgjatur për të gjithë.
Kështu nga kjo sakrificë e vogël e jona bashkë me Krishtin të shkojmë rrugës së kreshmëve kah Pashkët që na dëshmon se mbi vdekjen, mëkatin të keqen mbizotëron Krishti Zot që është Jeta jonë, i cili jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, duke filluar kreshmët, fillojmë ecjen tonë shpirtërore në lutje, pendesë, agjërim dhe vepra të mira kah Pashkët e Krishtit dhe Pashket tona, prandaj duke ia paraqitë Zotit lutjet tona të themi së bashku:

Na jep shpirtin e pendesës dhe kthimit, o Zot!

–      Kisha në krye me papën, ipeshkvijtë dhe meshtar, e cila po përgatitet në këtë kohë të shenjtë pendese, bëj që të ngadhënjej mbi të gjitha sulmet e tunduesit dhe kështu në qëndrueshmëri dhe fe të të shërbej Ty, të lutemi:

–      Para së fillove veprimtarinë tënde o Jezu, ti u tërhoqe në shkretëtirë në lutje dhe takim me Hyjin, na ndihmo që edhe ne në këtë kohë të shenjtë të kreshmëve në lutje të takohemi me Ty dhe të jetojmë si që na mëson Ti, të lutemi:

–      Na ndihmo o Zot që në këtë ecje kreshmore të jemi të qëndrueshëm në ideale dhe qellim të mira të cilat na nxisin që të kthehemi prej mëkateve dhe kështu të lirë në shpirt të bashkohemi në rrugën e kryqit me Ty, të lutemi:

–      O Zot, ndihmojë të gjithë ata që përballen me probleme të shumta që ju sjell jeta, bëj që të kemi ndjenja për ta që duke u ndihmuar t’ ua lehtësojmë vuajtjen në të cilën gjenden, të lutemi:

–      Përgjegjësve të shteteve jepu dijen dhe forcën që të kujdesen për paqe dhe drejtësi, kështu që popujt të jetojnë në dinjitet dhe në liri të plotë, të lutemi:

O Hyj je i mëshirshëm ndaj Kishës sate, e cila po të lutet që ta përkrahesh në rrugën e saj të kthimit kah Ti, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti për revistën “Drita”: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »