E DIELA E DYTË E KRESHMEVE (B)

Feb 27 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Zan 22,1-2.9.10-13.15-18)

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

 

 Pas këtyre ngjarjeve Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham”! Ai iu përgjigj: “Tek jam”!  I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”.  Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. E shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.  Dhe ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”! Ky iu përgjigj: “Urdhëro”!  Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkakun tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”.

Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. 

Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: “Pasha mua ‑ është fjala e Zotit ‑ pasi e bëre këtë gjë dhe nuk t’u dhimbs djali yt i dëshirit,

unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën”.

 

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 116(115)

Ref. Do të eci para Zotit në tokën e të gjallëve

Besoj edhe atëhere kur me duhet të them:

“jam i pafat për së tepërmi!”.

E çmueshme është para Zotit

vdekja e shenjtërve të tij.

——————————————————–

O Zot, unë jam shërbëtori yt,

shërbetori yt dhe biri i shërbëtores sate.

Ti i këpute hekurat e mi: ty dote ta kushtoj flinë e lavdit,

me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

—————————————————–

Do t‘ i kryej kushtet e mia bërë Zotit

në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit,

midis teje, o Jerusalem!

 

Leximi dytë (Rom 8,31-34)

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, çka, pra, të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh?  Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! Kush do të dënojë? Krishti Jezus vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit, ‑ Ai ndërmjetëson për ne! 

 

 Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:

“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli (Mk 9,2-10)

 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Mateut

 

Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu.  Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.

Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:

“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!”  Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.

Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri.  Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?” 

 

Fjala e Zotit

 

Porosia

 

Hyji e vë në sprovë Abrahamin. Nuk kishte sprovë më të madhe se sa kjo e Abrahamit, një fëmijë që e kishte të zemrës, dhe të dashur Hyji kërkon që ta flijojë. Ky ishte vetëm një moment sprove e Hyjit që i bëri atij. Kështu, në këtë sprovë, Abrahami përgjigje me shumë gatishmëri dhe fe, nuk heziton të bëj një gjë të tillë të flijoj birin e vetëm nëse Zoti kërkon.
Nga kjo Hyji sheh se Abrhami është besnik dhe është ai që do të jetë i përkrahur dhe i ndihmuar.

Për ne Abrahami mbetet shembull se si në jetë duhet të pranojmë vullnetin e Hyjit, sepse tek e fundit Hyji as Birin e vet nuk e kurseu por e flijoj për të gjithë ne, që të na liroj nga mëkati dhe të na bëj bij në shpirt. Bij të së vërtetës, thotë shën Pali në letrën e vet drejtuar romakëve. Kështu Hyji shfajëson, Hyji mëshiron, Hyji përkujdeset në mënyrën më të mirë për ne që një ditë edhe ne të gjendemi në të djathtën e Tij, të shëlbohemi, por jo pa pjesëmarrjen tonë. Ne pra duhet të bashkëpunojmë me Hyjin, duhet të veprojmë sipas mësimeve të Tij.

Takimi me Krishtin gjithmonë është i bukur dhe plot shpresë dhe jetë. Takimi me të na bën që të ndërrojmë stilin e jetës, të jemi më të mirë dhe të jemi të pastër në zemër. Ai gjithmonë na fal dhe dëshiron të na shndërroj një njerëz të rinj me plot virtyte, me plot vlera.

Ungjilli i sotshëm, na paraqet një pjesë të lumturisë qiellore që përjetuan apostujt në Taborr kur Jezusi u shndërrua para tyre. Ishte kjo një kënaqësi që përjetuan apostujt dhe kërkuan që të qëndrojnë aty, mos të kthehen më poshtë në vuajtje, në kryqe, në pësime.

Por jo Krishti zbret dhe i pari Ai përjeton kryqin dhe vuajtjen, përjeton vdekjen e tmerrshme duke dashur të na mësoj që vetëm nëpërmes vuajtjes arrihet deri tek lumturia.

Duhet të kuptojmë që nuk ka krishterim pa flijime, pa sakrifica të shumta, pa përjetuar mundime dhe vuajtje. Nëse ka vuajtur Biri i Hyjit ato na presin edhe neve por që janë garancion i jetës me Zotin në amshim.

Nga reja u dëgjua zëri: “Ky është Biri im, djali i dëshirit! Atë dëgjojeni”.

Ta dëgjojmë Jezusin, i cili na flet dhe na thërret në shenjtëri dhe përsosmëri. Me Krishtin shndërrohemi në jetë më të mirë në tokë për ta vazhduar pastaj në amshim. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

Jezusi duke u shndërruar në malin Tabor na e shpalli lavdinë e vet, të nxitur nga lavdia, dashuria, mirësia dhe mëshira e Tij që ka për ne, të lutemi së bashku:

Na shndrit me dritën tënde o Jezu!

–         O Jezu, shndrite Kishën tënde në krye me Papen, ipeshkvijtë dhe klerin mbarë me dritën tënde që në botë plot terr të ndriçoj dhe të jetë pishtar duke u prirë të gjithë besimtarëve kah Pashkët e amshuara, të lutemi:

 

–         Ne shpesh herë jetojmë në errësirën e gabimit dhe mëkatit, kështu bëhemi rob të së keqes, na ndihmo o Jezu që në këtë kohë të shenjtë të kreshmëve të ripërtërihemi në fuqi të reja që me shpirt dhe zemër të jemi të bashkuar me Ty, të lutemi:

 

–         Të gjithë ata që janë larg Teje dhe mësimeve tua, le t’ i pushtoj dashuria dhe mëshira jote, që të kthehen dhe të përjetojnë gëzimin që vetëm Ti mund tua japësh, të lutemi:

 

–         Le të jetë kjo kohë e shenjtë e kreshmëve kohë hiri dhe pendese, kohë agjërimi dhe lutje kështu që të dimë të solidarizohemi me ata që kanë nevojë për ne, të lutemi:

Të lutemi, o Jezu mos u largo nga ne për shkak të mëkateve tona, por na vetëdijeso në dashuri që ke për ne dhe në këtë dashuri, të përgjigjemi me dashuri, ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti për “Dritën”: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »