KOMPLEKSI MUZEOR “NDRE MJEDA”

Mar 2 • Letërsi

SHKRUAN: Don Nikë UKGJINI

Dom Ndre Mjeda qe njëri prej personazheve më të rëndësishëm të kulturës, shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, njëri prej protagonistëve më të zëshëm të saj, kontribues i spikatur i ruajtjes dhe shpërfaqjes së identitetit tonë kombëtar. Rreth tridhjetë vite të jetës së vet kreative ai i kaloi në Kukël dhe kjo ka qenë një shtysë e arsyeshme për ta kthyer këtë vend në një pikë nderimi e pelegrinazhi për Mjedën dhe veprën e tij në dobi të kombit.

Kukli i njohur si Cucculi qysh në Mesjetë, është një fshat i vogël diku ndërmjet Lezhës e Shkodrës, i cili shtrihet në fushën e Zadrimës deri në shpatin e këndejmë të malit të Kakarriqit. Kísha e ngjitur pak në shpat, prej ku “lahet” me shikim krejt fusha, është ndërtuar para 100 e ca vjetësh; në vitin 1906 është projektuar dhe ka nisur ndërtimi i saj dhe ka përfunduar në vitin 1913 prej famullitarit të atëherëshëm të katundit, Dom Ndre Mjeda. Po në këtë kohë është ndërtuar dhe shtëpia e banimit, (qela) sot shtëpi muze. Aty në Kukël ai shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij-perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra” shkroi librat e gjuhës shqipe për nxënësit; aty ka vijuar të këmbejë korrespondencën me Gustav Majerin e albanologë e gjuhëtarë të tjerë miq të tij europianë. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve1921-1924 kur qe deputet i parlamentit të parë shqiptar …

Pas peripecive të shumta dhe kalvarit që kaluan besimet fetare, e posaçërisht kisha në Shqipërinë komuniste, në shekullin e ri Kukli po e rigjen veten në tërë përmasën e tij shpirtërore, historike e kulturore. Në sajë të punës këmbëngulëse të famullitarit Dom Nikë Ukgjini, të mbështetjes nga Arqipeshkvia e Shkodrës dhe komuna e Bushatit si dhe nga një numër përherë e më i madh dashamirësish e dhuruesish, me kompleksin muzeor “Ndre Mjeda”, Kukli po përjeton një periudhë përtëritjeje të vërtetë. Kisha e vjetër dhe qela e Ndre Mjedës, krahas plotësimit të shërbesave dhe funksioneve të meshtarisë, janë shndërruar tashmë në një kompleks arkitekturor e muzeor, sa tërheqës për nga forma, aq edhe të pasur për nga përmbajtja.

Në qendër të këtij kompleksi, me shikimin e çliruar mbi hapësirën e gjerë të fushës së Zadrimës, ngrihet skulptura monumentale e Ndre Mjedës, në formën e një kambane që duket se mbledh gjithë tingujt e fushës e ua kthen njerëzve, si dikur Poeti tingëllimat e tij harmonike. Vepër e skulptorit shkodran Sadik Spahija, statuja e Mjedës është zemra e këtij kompleksi, i cili tashmë është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm festash, kremtimesh e veprimtarish kulturore. Çdo 1 gusht, aktorë të shumtë kulturorë nga Shkodra, Lezha, Tirana, Kosova e të tjera troje shqiptare, mblidhen në këtë vend për të kremtuar “Ditët e Mjedës”. Nuk mungojnë emigrantët e shumtë që kthehen në vendlindje për të mos e humbur rastin e një takimi të përvitshëm me miqtë dhe me gjërat më të shtrenjta të vendlindjes. Kukli po kthehet kështu dita-ditës në një vend pelegrinazhi kulturor, kryefjala e të cilit mbetet Ndre Mjeda, ajo figurë që në vetëdijen kolektive përfaqëson njëherit meshtarin, atdhetarin dhe poetin. 

1661342_865302610158212_5622392442326408935_n 10408824_865303026824837_3479143648002029522_n 10849847_865304380158035_5994485718213082306_n 10857829_865303120158161_3048516963893998943_n 10153635_868369673184839_2494037071223705767_n 10262173_868367919851681_7406305798848757614_n 10415571_868368206518319_1004850384469889871_n 10419054_868368663184940_2279251035920043926_n 10450972_868367826518357_3572914659297651090_n 10841916_871364766218663_6218689552210433804_o 10847875_870872686267871_1762413413733070334_n 10858005_868369773184829_7038576596447881934_n 10881696_870872832934523_856781720957222736_n 10882290_869504946404645_4275249563102035792_n 10891654_870872909601182_4947170726669033014_n

Shpërndaje

Comments are closed.

« »