PALOK KURTI – KLASIKU I PARË I ARTIT MUZIKOR SHQIPTAR (I)

Mar 3 • Kulturë

Kurti ishte kompozitori i parë shqiptar dhe “muzikanti i parë që dha sinjalin e arit të ri të kultivuar.”
 
Shkruan: Prof.  dr. sci. Akil Mark KOCI 

Kur flasim për figurat e para muzikore shqiptare dhe për historikun dhe rrugën e formimit të krijimtarisë muzikore te ne, dhe duke gjurmuar krijimtarinë artistike të kompozitorëve tanë, gjithnjë duhet të kemi parasysh se ata krijues, pos që nuk kanë pasur shkollimin e duhur për ta paraqitur mjeshtërinë artistike dhe për ta njohur folklorin tonë të begatshëm, përmes melodisë, ritmit, formës, figuracionit dhe një vargu elementesh të tjera,  kanë pasur edhe pengesa të tjera, sepse muzika klasike ndër ne ka qenë  e panjohur, përpos ca këngëve që janë kënduar në kishën katolike, me rastin e meshave që mbahen çdo të diel. Në një situatë të tillë, duhet të çmohen dhe të vështrohen përpjekjet  e para të krijuesve tanë përmes krijimtarisë së tyre, pra, përmes partiturave të tyre vokale instrumentale, ku vërejmë dëshmitë e tyre për fillimet e nismës së tyre që të krijojnë veprat e para të krijimtarisë sonë të gjithmbarshme në këtë lëmi.

Njëri ndër ta, ka qenë kompozitori i parë shqiptar, Palok Kurti (1860–1920). Ky pionier  ishte kompozitori dhe, si thonë në Shqipëri, “muzikanti i parë që dha sinjalin е lindjes së artit të ri të kultivuar”.
 Lindi në Shkodër më 1860, dhe një ndër kompozimet e tij të para ishte kënga “Bashkimi i Shqipnís”, më 1881, atëherë kur Shqipëria ishte ende nën sundimit osman, edhe pse ishte nga fundi i dominimit pesëshekullor. Nëse e analizojmë mirë kohën e atëhershme nën sundimin e një shteti gjakatar, i cili, kishte vrarë e prerë, duke ndërruar kombin dhe fenë e shumicës sw bashkëkombësve tanë, atëherë nuk është çudi pse këngët tona popullore përmbajnë në vete elemente të muzikës orientale, sepse nuk kemi pasur njerëz-krijues që do të mund të ndikonin që sa më pak të ndihet ajo frymë orientale në muzikën autoktone. Pra, si thamë edhe më sipër, Palok Kurti paraqet figurën e parë krijuese në këtë lëmë. Jeta e tij që nga fëmijëria, ka qenë tragjike dhe duke kërkuar e hulumtuar elementet mbi jetën e tij,  mësojmë se ai më 1863, kur ishte tri vjeç, i vritet i ati, Kola, në Ulqin, nga serbët. Historianët thonë se është vrarë pa qëllim, kurse  e vërteta është se është ekzekutuar me qëllim, për shkak të aktivitetit të tij kulturor dhe patriotik. 
Fal interesimit të familjes dhe të afërmve të tij, e sidomos të nënës, herët ishte regjistruar dhe qe shkolluar në kolegjin Saverian. Në atë kolegj, pos lëndëve të zakonshme, mësohej edhe muzika, ku Paloka dëshmoi talent të jashtëzakonshëm, duke i kushtuar kujdes kësaj lënde më shumë se lëndëve të tjera. Duke çmuar prirjen dhe talentin e tij të madh, shkolla ia caktoi si mësues muzike Atë Tommaso Merkos, i njohur në Shkodër si Patër Toma, françeskan dhe pedagog i shkëlqyer i muzikës, i cili njihte për mrekulli ahengun shkodran.
 Pra, te ky pedagog Palok Kurti i mori mësimet e para të muzikës dhe vazhdoi shkollimin jashtë vendlindjes. Që në fillim, Patër Toma, vërejti jo vetëm talentin, por edhe aftësitë dhe veçantitë e tij krijuese. Ai, mu te ky pedagog, mësoi mënyrën dhe teknikën e të kompozuarit. Patër Toma pas ca viteve, i propozoi që ai të ishte drejtues i bandës muzikore të qytetit të Shkodrës dhe duke u garantuar atyre se me punën e këtij talenti, banda, si quhej atëherë orkestra frymore, do të kishte përparim të madh.

Mirëpo, Patër Toma nuk u kënaq me kaq, por ftoi në ndihmë mjeshtrin e madh të muzikës, kompozitorin italian, Giovanni Canale, i cili, solli me vete edhe shumë vegla muzikore, të cilat në atë kohë nuk ekzistonin në Shqipëri. Ky kompozitor iu përvesh punës me seriozitet duke parë talentet në rininë shkodrane. Ai veçmas u angazhua që ta mësonte Palok Kurtin duke i dhënë mësime nga pianoja dhe instrumentet frymore. Ky kompozitor, Giovanni Canale, pos aktiviteteve të shumta, formoi në vitin 1878 orkestrën frymore të qytetit të Shkodrës si orkestrën e parë në Shqipërinë e atëhershme – në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Palok Kurti nën mbikëqyrjen e këtij profesionisti, u bë një muziktar i mirë. Ai, ishte edhe anëtar i kësaj orkestre. Palok Kurti edhe pse 18-vjeçar, u mor aktivisht edhe me krijimin e kompozimin e gjinive të ndryshme, siç janë: “përpunimi dhе aranzhimi i këngëve popullore, kryesisht qytetare, dhe kështu ai vuri gurin e parë në themelimin е revolucionit të formave të vjetra dhe të reja të muzikës së kultivuar shqiptare. Madhështia e figurës se Palok Kurtit konsiston në gjerësinë e interesimeve të tij artistike, pa i ndarë në asnjë çast nga ndjenja e patriotizmit, ndjenjë kjo që përshkon si një lajtmotiv gjithë veprimtarinë e tij”.
Gjatë karrierës së tij, kompozitori Palok Kurti, u orientua në tri drejtime muzikore, që kishin rëndësi të madhe në edukimin, zhvillimin dhe afirmimin e muzikës klasike ndër shkodranët, sepse pos këngëve popullore, publiku pati rast të dëgjonte edhe veprat e klasikëve botërorë. Këto tri  drejtime më të rëndësishme të veprimtarisë së tij artistike, ishin: dirigjent i orkestrave frymore, përpunues i këngëve popullore dhe kompozitor.
Formimi tjetër që la gjurmë të madhe në historinë e muzikës së këtij qyteti, ishte edhe formimi i Bandës së Katedrales më 1898, kur si udhëheqës u emërua trombonisti dhe kompozitori Palok Kurti. Si drejtues dhe organizator, kohë pas kohe, organizoi edhe koncertet e para. Palok Kurti jepte koncerte në vende të hapura para publikut, në fillim një herë në muaj e më pas me konsolidimin e orkestrës, jepte koncerte çdo javë. Kështu, dalja e kësaj orkestre frymore çdo të diel në lulishten e qytetit, ishte për kohën një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore. Fillimisht, repertori ishte i kufizuar, kështu që Palok Kurti punoi për krijimin e një repertori të posaçëm për orkestrën e tij”.



Përveç veprës Bashkimi i Shqipnisë, kompozuar më 1881, ku ai hodhi dritë mbi ligjshmëritë e procesit krijues të veprave muzikore, ai zhvilloi edhe “Aktivitetin e gjithanshëm, sidomos duke organizuar koncerte me vepra të reja. Palok Kurti do të kompozojë edhe  “dy potpuri me këngë shkodrane, të parën “Argëtime muzikore të stërgjyshërve tanë” (1890-1900), dhe të dytën e bëri në F-maxhor”.
Jeta e tij private ka qenë mjaft dinamike.  Ai qysh në moshë të re “martohet me të bijën e A. Papanikut, nga Parga e Çamërisë. Idromeno i pati bërë një portret më 1925 dhe ky portret ruhet në galerinë e arteve. Me këtë martesë do të ketë katër djem: Lecin, Zefin, Salvatorin dhe , Ndocin. Për veprat e tij kompozitori u mbështet kryesisht në këngën qytetare shkodrane, e veçanërisht në atë instrumentale”.
Në shkrimet që i hasim në Wikipedia nga autorë të panjohur, vërejmë edhe këtë tekst:
” Duke i seleksionuar, aranzhuar dhe përpunuar për orkestër frymore dhe me pas, duke i ekzekutuar, Palok Kurti synoi të përhapte e të propagandonte këngën popullore shqiptare në popull, por edhe ta spastronte atë vetë nga elementet e tepërta. Ky ishte rezultat i ndikimit të drejtpërdrejtë të formave dhe toneve orientale, të cilat ndiheshin dukshëm në ahengun shkodran. Në këto potpuri, trajtimi i këngës popullore shkodrane i është nënshtruar një përpunimi të vërtetë me pretendime artistike. Sidomos në potpurinë nr. 1, shihen dhe tendenca krijuese nga ana e autorit”.
Aktiviteti i madh në këtë lëmë e popullarizoi atë si krijues, të cilin e njihte e tërë Shkodra, sepse ishte i pari kompozitor  dhe “i pari muzikant, i cili duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota, e ekzekutoi, duke i vënë kështu bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Aktivitetin si drejtues i bandave frymore, ai e zhvilloi nëpër formacione të ndryshme muzikore shkodrane, me bandën e Patër Tomës, me bandën e popullit dhe atë të institutit tregtar, që kishte një trup prej pesëdhjetë orkestrantësh”.
Palok Kurti e kuptonte artin jo vetëm si argëtim, por edhe si vepër artistike dhe nuk paraqiste vepër abstrakte që studionte si veçoritë e veçanta, por si pjesë të edukatës së përgjithshme duke përcaktuar përmasat e një tipi të ri të artit, që sa po lindte. Palok Kurti i vetëdijshëm që nuk mund t’ua impononte veprat e klasikëve të mëdhenj, krijoi 17 këngë ” dhe si drejtues dhe krijues i formacioneve korale, do të përmendim atë të Kishës Françeskane, të Meshës së Madhe, të Kishës Ortodokse Shkodrane, formacioni koral i së cilës pati jehonë në kohën e vet. Do ta linim të mangët figurën e Palok Kurtit, sikur të mos flisnim për krijimtarinë e tij si kompozitor”.
Me kompozimet e tij, ai krijoi një imazh të ri të ahengut shkodran dhe “punoi në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në atë të mëvonshme, të pavarësisë”.
Roli i Palok Kurtit në lëmin e popullarizimit të krijimtarisë është i madh, sepse “me cilësinë e rapsodit, poetit dhe të këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishërojë në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881, kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Te due, moj te due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare”.

Ai ka qenë i vetëdijshëm se arti është një prodhim shpirtëror dhe ka bërë çmos që arti muzikor të jetë sa më afër popullit dhe gjithnjë ka thënë se “ajo çka është e përhershme në art, i takon popullit”.
Ka studiuar mjaft dhe gjithnjë ka qenë “I ndikuar nga format e reja të muzikës europiane. Palok Kurti shkroi vepra të tilla si : kuadrilja “Saksi im”, polka për klarinete “Dallëndyshja”, marshin “Turqit në Maqedoni” etj. Në muzikën liturgjike krijimet e tij më të njohura janë:  “Mesha për nder të Shna’Ndout”, “Litani” etj.
Gjithashtu, Palok Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj”.
Muzikologët për veprat e tij mendojnë se janë koherente, sepse “raporti i vazhdueshëm i Palok Kurtit me historinë e kohës në të cilën jetoi, shpjegon se vepra e tij mundi t’i rezistonte kohës dhe të vinte deri në dita tona. Krijimet më të rëndësishme të këtij kompozitori, padyshim, dhanë sinjalin e nisjes së një periudhe të artë për historinë e muzikës shqiptare. Gjithashtu, me veprimtarinë e tij, Palok Kurti ua hapi rrugën bashkëkohësve dhe pasardhësve të tij. Pasuria dhe larmia e veprës se tij zë, padyshim, një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare.[3] U dëbua për dy vjet, me shumë mundësi, për shkaqe politike. Pasi u kthye në Shkodër më 1890 angazhimi i tij më i madh ishte kompozimi. Krijoi Bandën e Katedrales me ndihmën e Imzot Jak Serreqit, që e drejtoi Frano Ndoja. U dëbua dhe dy herë të tjera, herën e fundit në Korfuz më 1919. I rraskapitur vdes më 1920. Në varrim morën pjesë shumë bashkëqytetarë të tij”.
Pra, Palok Kurti, jo vetëm se mban titullin si kompozitori i parë shqiptar, por është edhe indikator i një zhvillimi të madh të muzikës klasike dhe hulumtuesi, pionieri dhe krijuesi i parë shqiptar i cili me idetë e tij, bëri hapin e parë në zhvillimin e këtij arti, kurse teza e re e tij në lidhje me këtë zhanër të muzikës, është e lidhur me faktin se në krijimtarinë e tij hasim jo vetëm normat e reja muzikore, që ishin aktuale në Europën e asaj kohe, por edhe me faktin se ai në veprat e veta kërkonte dhe zbulonte të bukurën artistike. Me anë të një veprimtarie modeste, Palok Kurti hapi shtigje të reja jo vetëm në jetën muzikore, por edhe në krijimtarinë e së cilës duhet kushtuar kujdes të madh dhe të analizohen ato pak vepra që kanë ngelur për të kërkuar elementet estetike me aspektet e saj të ndryshme, por edhe të gjurmohen edhe elementet e tjera të krijimtarisë së kompozitorit të parë shqiptar, Palok Kurti. Në përvjetorin e tij të 105-të të lindjes, le të besojmë se do të përkujtohet me ndonjë simpozium nga muzikologët tanë apo me ndonjë koncert me veprat e tij.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »