RINI – KINI GUXIM TË JENI TË LUMTUR!

Mar 5 • Bota e të rinjve

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN XXX BOTËRORE TË RINISË 2015

Me temën «Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.” (Mt 5, 8)

 

Të dashur të rinj e të reja,

Vazhdojmë shtegtimin tonë shpirtëror drejt Krakovit, ku, në korrik të vitit 2016, do të zhvillohet takimi ndërkombëtar i Ditës Botërore të Rinisë. Si udhëheqëse të ecjes tonë kemi zgjedhur Lumturitë ungjillore. Vitin e kaluar, kemi medituar mbi Lumturinë e të varfërve në shpirt, të futur në kontekstin më të gjerë të “predikimit mbi mal”. Kemi zbuluar, së bashku, kuptimin revolucionar të Lumturive dhe thirrjen e fortë të Jezusit për t’u hedhur me guxim në aventurën e kërkimit të lumturisë. Këtë vit, do të meditojmë mbi Lumturinë e gjashtë: “Lum të varfrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5, 8).

1.Dëshira për lumturi

Fjala lum, apo të lumtur, paraqitet nëntë herë në këtë që është predikimi i parë i madh i Jezusit (Khs. Mt 5,1-12). Është si një refren që na kujton thirrjen e Zotit për ta përshkuar, së bashku me Të, një rrugë që, pavarësisht të gjitha sfidave, është rruga për lumturinë e vërtetë.

Po, të dashur të rinj e të reja, kërkimi i lumturisë është i përbashkët për të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave dhe të të gjitha moshave. Hyji e ka vënë në zemrën e çdo burri dhe çdo gruaje një dëshirë të papërmbajtshme për lumturi, për plotësi. A nuk e vini re se zemrat tuaja janë të paqeta dhe në kërkim të vazhdueshëm të një të mire që mund ta ngijë etjen e tyre për të pafundmen?

Kapitujt e parë të Librit të Zanafillës na paraqesin lumturinë e shkëlqyeshme në të cilën jemi thirrur dhe që është në bashkim të përsosur me Hyjin, me të tjerët, me natyrën, me veten tonë. Qasja e lirë ndaj Hyjit, ndaj intimitetit dhe vizionit të tij, ishte e pranishme në projektin e Hyjit për njerëzimin qysh në origjinën e vet dhe mundësonte që drita hyjnore t’i depërtonte me vërtetësi dhe transparencë të gjitha marrëdhëniet njerëzore. Në këtë gjendje pastërtie origjinale, nuk ekzistonin “maska”, dredhi, arsye për t’u fshehur njëri nga tjetri. Gjithçka ishte e pastër dhe e qartë.

Kur burri dhe gruaja ranë në tundim dhe e prishën marrëdhënien e bashkimit plot besim me Hyjin, mëkati hyri në historinë njerëzore (Khs. Zan 3). Pasojat u dalluan shpejt edhe në marrëdhëniet e tyre me vetveten, me njëri-tjetrin dhe me natyrën. Dhe janë dramatike! Pastërtia e dhuruar në origjinë është si e ndotur. Që nga ai çast e në vazhdim, qasja e drejtpërdrejtë ndaj pranisë së Hyjit nuk është më e mundur. Vendin e ka marrë prirja për t’u fshehur; burri dhe gruaja duhet ta mbulojnë lakuriqësinë e tyre. Të privuar nga drita që jen nga pamja e Zotit, ata e shohin realitetin që i rrethon në mënyrë të shtrembëruar, miope. “Busulla” e brendshme, që i udhëhiqte në kërkimin e lumturisë, e humb pikën e vet të referimit dhe thirrjet për pushtet, për zotërim dhe dëshira për kënaqësi me çdo kusht, i shpien në humnerën e trishtimit dhe të ankthit.

Te Psalmet gjejmë klithmën që njerëzimi ia drejton Hyjit prej thellësisë së shpirtit: «Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë? Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!» (Ps  4,7). Ati, në mirësinë e tij të pafundme, i përgjigjet këtij përgjërimi duke e dërguar Birin e vet. Në Jezusin, Hyji merr një fytyrë njerëzore. Me mishërimin, jetën, vdekjen dhe ngjalljen e tij, Ai na shëlbon nga mëkati dhe na hap horizonte të reja, deri tani të pamendueshme.

Dhe kështu, në Krishtin, të dashur të rinj e të reja, gjendet përmbushja e plotë e ëndrrave tuaja të mirësisë dhe lumturisë. Vetëm Ai mund t’i kënaqë pritshmëritë tuaja që shumë herë kanë mbetur të papërmbushura nga premtimet e rrejshme të botës. Siç thotë Shën Gjon Pali II: “është Ai bukuria që kaq shumë ju tërheq; është Ai që ju provokon me atë etjen për zgjedhje rrënjësore, që nuk ju lejon t’i përshtateni kompromisit; është Ai që ju shtyn që t’i hiqni maskat, që e bëjnë të rrejshme jetën; është Ai që jua lexon në zemër vendimet më të vërteta, që të tjerët do të donin t’jua mbysnin. Është Jezusi që ngjall në ju dëshirën për ta bërë jetën tuaj diçka të madhe” (Vigjilja e lutjes në Tor Vergata, 19 gusht 2000: Mësimet XXIII/2, [2000], 212).

2.Lum të pastrit në zemër…

Tani të kërkojmë të thellohemi në atë se si kjo lumturi kalon përmes pastërtisë së zemrës. Para së gjithash, duhet të kuptojmë kuptimin biblik të fjalës zemër. Për kulturën hebreje, zemra është qendra e ndjenjave, e mendimeve dhe e synimeve të personit njerëzor. Nëse Bibla na mëson se Hyji nuk sheh dukjen, por zemrën (Khs. 1 Sam 16, 7), mund të themi edhe se, vetëm duke u nisur nga zemra jonë, ne mund ta shohim Hyjin. Kjo ndodh sepse zemra përmbledh qenien njerëzore në tërësinë dhe bashkimin e vet si trup dhe shpirt, në aftësinë e vet për të dashur dhe për të qenë i dashur.

Përkundrazi, për sa i përket përcaktimit të fjalës “i pastër”, fjala greke e përdorur nga Mateu ungjilltar është katharos dhe do të thotë thellësisht i pastër, i kthjellët, pa substanca ndotëse. Në Ungjill, shohim Jezusin që shkul një lloj koncepti të pastërtisë rituale, që lidhej me anën e jashtme, i cili e ndalonte çdo kontakt me sendet dhe personat (mes tyre të gërbulurit dhe të huajt) që konsideroheshin të papastër. Farisenjve që, si shumë judenj të asaj kohe, nuk hanin pa i pasur kryer larjet rituale dhe që mbanin tradita të shumta lidhur me larjen e sendeve, Jezusi iu thotë në mënyrë kategorike: “S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër. Prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia” (Mk  7, 15.21-22).

Në çfarë qëndron, pra, lumturia që buron nga një zemër e pastër? Duke u nisur nga radhitja e të këqijave që e bëjnë të papastër njeriun, të numëruara nga Jezusi, shohim se kjo çështje prek, sidomos, fushën e marrëdhënieve  tona. Secili prej nesh duhet të mësojë të shqyrtojë atë që mund ta “ndotë” zemrën e tij, të formojë një ndërgjegje të drejtë dhe të ndjeshme, që është e aftë «që ta dallojë vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur» (Rom 12, 2). Nëse është e nevojshme një vëmendje e shëndetshme për ruajtjen e krijimit, për pastërtinë e ajrit, të ujit e të ushqimit, aq më shumë duhet ta ruajmë pastërtinë e saj, që e kemi më të çmueshme: zemrat tona dhe marrëdhëniet tona. Kjo “ekologji njerëzore” do të na ndihmojë që të thithim ajër të pastër që vjen nga gjërat e bukura, nga dashuria e vërtetë e nga shenjtëria.

Njëherë ju kam bërë pyetjen: Ku është thesari juaj? Në çfarë thesari pushon zemra juaj? (Khs. Intervista me disa të rinj të Belgjikës, 31 mars 2014). Po, zemrat tona mund të lidhen pas thesareve të vërteta ose të rrejshme, mund të gjejnë pushimin e vërtetë ose të përgjumen, duke u bërë dembele dhe të mpira. E mira më e çmuar që mund ta kemi në jetë është marrëdhënia jonë me Hyjin. A jeni të bindur për këtë? A jeni të vetëdijshëm për vlerën e paçmueshme që keni në sytë e Hyjit? A e dini se jeni të dashur dhe të pranuar nga Ai në mënyrë të pakushtëzuar, kështu siç jeni? Kur ky perceptim ulet, qenia njerëzore bëhet një enigmë e pakuptueshme, sepse pikërisht të diturit se jemi të dashur prej Hyjit në mënyrë të pakushtëzuar i jep kuptim jetës tonë. A e kujtoni bisedën e Jezusit me djaloshin pasanik (Khs. Mk 10, 17-22)? Marku ungjilltar vëren se Zotëria ia nguli shikimin ëmbël dhe e deshi (Khs. rr. 21), duke e ftuar më pas që ta ndiqte për ta gjetur thesarin e vërtetë. Uroj, të dashur të rinj e të reja, që ky shikim i Krishtit, plot me dashuri, t’ju shoqërojë për të gjithë jetën tuaj.

Periudha e rinisë është ajo në të cilën lulëzon pasuria e madhe afektive e pranishme në zemrat tuaja, dëshira e thellë për një dashuri të vërtetë, të bukur dhe të madhe. Sa forcë ka në këtë aftësi për të dashur dhe për të qenë të dashur! Mos lejoni që kjo vlerë e çmueshme të tjetërsohet, shkatërrohet ose shtrembërohet. Kjo ndodh kur në marrëdhëniet tuaja zë vend përdorimi si vegël i të afërmit për qëllimet personale egoiste, nganjëherë edhe si objekt i pastër kënaqësie. Zemra mbetet e plagosur dhe e trishtuar pas këtyre përvojave negative. Ju lutem: mos kini frikë për një dashuri të vërtetë, atë që na e mëson Jezusi dhe që Shën Pali e thekson kështu: «Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë» (1 Kor 13,4-8).

Në ftesën që jua bëj për të zbuluar bukurinë e thirrjes njerëzore për dashuri, ju nxis që edhe të rebeloheni kundër prirjes së përhapur të banalizimit të dashurisë, sidomos kur kërkojnë që ta ulin atë vetëm në aspektin seksual, duke e shkëputur kështu nga karakteristikat e veta thelbësore të bukurisë, bashkimit, besnikërisë dhe përgjegjësisë. Të dashur të rinj e të reja, «në kulturën e të përkohshmes, të relatives, shumë predikojnë se e rëndësishme është “të gëzosh” momentin, se nuk ia vlen mundimi të angazhohesh për gjithë jetën, të bësh zgjedhje përfundimtare, “përgjithmonë”, për shkak se nuk i dihet se çfarë sjell e nesërmja. Unë, përkundrazi, ju kërkoj që të jeni revolucionarë, ju kërkoj që të shkoni kundër rrymës; po, në këtë ju kërkoj që të rebeloheni ndaj kësaj kulture të të përkohshmes, që, në thelb, beson se ju nuk jeni në gjendje që të merrni përmbi vete përgjegjësi, beson se ju nuk jeni të aftë për të dashur me të vërtetë. Unë kam besim te ju, të rinj e të reja, dhe lutem për ju. Kini guxim të shkoni kundër rrymës. Dhe kijeni guximin edhe që të jeni të lumtur» (Takimi me vullnetarët e DBR-së në Rio de Zhaneiro, 28 korrik 2013).

Ju, të rinj e të reja, jeni eksplorues të zotë! Nëse hidheni në zbulimin e mësimit të pasur të Kishës në këtë fushë, do të zbuloni se krishterimi nuk përbëhet nga një sërë ndalesash që i mbysin dëshirat tona për lumturi, por nga një projekt jete që është në gjendje t’i mrekullojë zemrat tona!

3. …sepse do ta shohin Hyjin

Në zemrën e çdo burri dhe çdo gruaje, tingëllon vazhdimisht ftesa e Zotit: «Kërkojeni fytyrën time!» (Ps 27, 8). Në të njëjtën kohë, duhet gjithmonë të përballemi me gjendjen tonë të mjerë prej mëkatari. Është ajo që lexojmë, për shembull, te Libri i Psalmeve: «Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër» (Ps 24, 3-4). Mirëpo, nuk duhet të kemi frikë, as të shkurajohemi: në Bibël dhe në historinë e secilit prej nesh shohim se është gjithmonë Hyji që e bën hapin e parë. Është Ai që na pastron derisa të mund të pranohemi në praninë e tij.

Isaia profet, kur mori thirrjen e Zotit për të folur në emrin e tij, u tmerrua dhe tha: «I mjeri unë, tani sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra» (Is  6, 5). E Zoti e pastroi, duke i dërguar një engjëll që ia preku buzët e i tha: «Mëkati yt u shlye, faji yt u fal!» (rr. 7). Në Besëlidhjen e Re, kur Jezusi i thirri nxënësit e tij të parë dhe kreu mrekullinë e peshkimit në Liqenin e Gjenezaretit, Simon Pjetri ra te këmbët e tij duke i thënë: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar» (Lk 5, 8). Përgjigjja nuk vonoi: «Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz» (rr. 10). E kur njëri prej nxënësve të Jezusit i kërkoi: «Zotëri, na e trego Atin dhe na mjafton», Mësuesi u përgjigj: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin» (Gjn 14, 8-9).

Prandaj, ftesa e Zotërisë për ta takuar atë i drejtohet secilit prej jush, në çdo vend e situatë që të ndodheni. Mjafton «të merrni vendimin që të lejoni të takoheni prej Tij, për ta kërkuar çdo ditë pa pushim. Nuk ka arsye për të cilën ndokush do të mund të mendojë se kjo ftesë nuk është për të» (Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 3). Jemi të gjithë mëkatarë, kemi nevojë të pastrohemi nga Zotëria. Mirëpo, mjafton të bësh një hap të vogël drejt Jezusit për të zbuluar se Ai na pret gjithmonë me krahët hapur, veçanërisht në Sakramentin e Pajtimit, rast i privilegjuar takimi me mëshirën hyjnore që i pastron dhe i rikrijon zemrat tona.

Po, të dashur të rinj e të reja, Zotëria dëshiron të na takojë, të lejojë të “takohet” nga ne. “E si?” – mund të më pyesni. Edhe Shën Tereza e Avilës, e lindur në Spanjë pikërisht 500 vjet më parë, që e vogël iu thoshte prindërve të vet: «Dua ta shoh Hyjin». Pastaj zbuloi rrugën e lutjes si «një marrëdhënie të shkëlqyer miqësie me Atë nga i cili ndihemi të dashur» (Libri i jetës, 8, 5). Prandaj, ju pyes: a luteni ju? A e dini se mund të flisni me Jezusin, me Atin, me Shpirtin Shenjt, siç flitet me një mik? E jo një mik dosido, por miku juaj më i mirë e më i besuar! Provoni ta bëni, me thjeshtësi. Do të zbuloni atë që një fshatar i Arsit i thoshte Famullitarit të shenjtë të vendit të tij: kur jam në lutje para Tabernakullit, «unë e shoh e Ai më sheh» (Katekizmi i Kishës Katolike, 27 15).

Edhe njëherë, ju ftoj që ta takoni Zotërinë duke e lexuar shpesh Shkrimin e shenjtë. Nëse nuk e keni bërë ende zakon, filloni nga Ungjijtë. Lexoni çdo ditë një pjesë. Lejoni që Fjala e Hyjit t’i flasë zemrave tuaja, t’i ndriçojë hapat tuaj (Khs. Ps 119, 105). Do të zbuloni se mund të “shihet” Hyji edhe në fytyrën e vëllezërve, sidomos në ata më të harruarit: të varfrit, të uriturit, të eturit, të huajt, të sëmurët e të burgosurit (Khs. Mt  25,31-46). A e keni bërë ndonjëherë këtë përvojë? Të dashur të rinj e të reja, për të hyrë në logjikën e Mbretërisë së Hyjit, duhet të bëhemi të varfër me të varfrit. Një zemër e pastër është domosdoshmërisht edhe një zemër e zhveshur, që di të ulet dhe ta bashkëndajë jetën e vet me më nevojtarët.

Takimi me Hyjin në lutje, përmes leximit të Biblës dhe në jetën vëllazërore, do t’ju ndihmojë që ta njihni më mirë Zotërinë dhe vetveten. Ashtu siç iu ndodhi nxënësve të Emausit (Khs.Lk 24, 13-35), zëri i Jezusit do t’i ndezë zjarr zemrat tuaja dhe do të hapen sytë tuaj për ta njohur praninë e tij në historinë tuaj, duke e zbuluar kështu projektin e dashurisë që Ai e ka për jetën tuaj.

Disa prej jush e ndjejnë ose do ta ndjejnë thirrjen e Zotërisë për martesë, për të krijuar një familje. Shumë sot mendojnë se kjo thirrje është “jashtë mode”, por nuk është e vërtetë! Pikërisht për këtë arsye, e tërë Bashkësia kishtare po jeton një kohë të veçantë reflektimi mbi thirrjen dhe misionin e familjes në Kishë dhe në botën e sotme. Gjithashtu, ju ftoj që ta merrni parasysh edhe thirrjen për jetën e kushtuar ose për meshtari. Sa e bukur është të shohësh të rinj e të reja që e përqafojnë thirrjen e dhurimit të plotë Krishtit dhe në shërbim të Kishës së tij! Pyeteni veten me shpirt të pastër dhe mos kini frikë për atë që Hyji ju kërkon! Duke u nisur nga “po”-ja juaj ndaj thirrjes së Zotit, do të bëheni farë e re shprese në Kishë dhe në shoqëri. Mos harroni: vullneti i Hyjit është lumturia juaj!

4.Në ecje drejt Krakovit

«Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin» (Mt 5, 8). Të dashur të rinj e të reja, siç e shihni, kjo Lumturi e prek prej së afërmi ekzistencën tuaj dhe është një garanci për lumturinë tuaj. Prandaj, ju përsëris edhe një herë: kini guxim të jeni të lumtur!

Dita Botërore e Rinisë e këtij viti na çon në fazën e fundit të ecjes përgatitore drejt takimit tjetër të madh botëror të rinisë në Krakov, në vitin 2016. Pikërisht, tridhjetë vjet më parë, Shën Gjon Pali IIthemeloi në Kishë Ditët Botërore të Rinisë. Ky shtegtim rinor nëpër kontinente nën udhëheqjen e Pasardhësit të Pjetrit ka qenë vërtet një nismë provanore dhe profetike. E falënderojmë së bashku Zotin për frytet e çmueshme që ai ka sjellë në jetën e shumë të rinjve e të rejave në të gjithë planetin! Sa zbulime interesante, sidomos ai i Krishtit Udha, e Vërteta dhe Jeta, dhe i Kishës si një familje e madhe dhe pranuese! Sa ndryshime jete, sa zgjedhje thirrjesh kanë buruar nga këto takime! Papa i shenjtë Gjon Pali II, Pajtori i DBR-së, ndërmjetësoftë për shtegtimin tonë drejt Krakovit të tij. Dhe shikimi amnor i së Lumes Mari Virgjër, hirplote, e gjitha e bukur dhe e gjitha e pastër, na shoqëroftë në këtë ecje.

Nga Vatikani, më 31 janar 2015
Përkujtimi i Shën Gjon Boskos

FRANÇESKU

Burimi: http://w2.vatican.va/content/francesco/sq/messages/youth/documents/papa-francesco_20150131_messaggio-giovani_2015.html

Shpërndaje

Comments are closed.

« »