E DIELA E TRETË KRESHMËVE (B)

Mar 6 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Dal 20,1-17)

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

 

Atëherë Zoti i tha të gjitha këto fjalë:

“Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.

Mos ki tjetër Zot, përveç meje.

Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë,  por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia.

Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.

Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë:  gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua;  kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti.  Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.

Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt.

Mos vra!

Mos bëj kurorëthyerje!

Mos vidh!

Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!

Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd.

Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit, asnjë gjëje që i përket atij.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi; 19(18)

 

Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur

——————————————————–

I përsosur është Ligji I Zotit,

shpirtin përtërinë:

për t’ u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

—————————————————–

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë, dritë u jep syve.

—————————————————–

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njënjë të drejta,

me të çmueshme se ari, se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë

 

Leximi dytë (1 Kor 1,22-25)

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianve

Vëllezër, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti,  ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit.  Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

Hyji aq forte e deshi botën

sa që e dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të ta ketë jetën e pasosur.

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli (Gjn 2,13-25)

 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Gjonit

 

Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem.  Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty. Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat.  Shitësve të pëllumbave u tha:

“Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!”

Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë:

“Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”

Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën:

“Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?”

Jezusi iu përgjigj:

“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!”

 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli ‑ iu përgjigjën judenjtë ‑ e ti do ta ndërtosh për tri ditë?”

Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet.  Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.

Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në Emrin e tij, kur panë shenjat që bëri.  Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë.  Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda.

 

Fjala e Zotit

 

Porosia

 

Leximi parë, sot, na paraqet dhjetë urdhërimet e Hyjit, të cilat janë normë e të qenurit besimtar i mirë.

Këto dhjet urdhërime përfshijnë krejt jetën e njeriut besimtar dhe bashkëpunues i Hyjit.

Në Izrael, kishte shumë rregullore dhe ndalesa, por, Hyji ndër to zgjedh këto dhjetë që kanë të bëjnë tri të parat në marrëdhënie me Hyjin dhe shtatë të tjerat në marrëdhënie në mes njerëzve.

Njeriu që iu përmbahet këtyre rregullave ka qëndrueshmëri dhe vizion për të ardhmen, është ai që jeton dhe vepron sipas vullnetit të Hyjit, në krahasim me atë që nuk u përmbahet dhe bënë vetëvrasje shpirtërore.

Pali në letrën e vet e ngritë personalitetin e Krishtit, të cilit i shërben me shumë përkushti duke e anashkaluar pretendimet e romakëve dhe grekëve që jetojnë në zdërhallje cirkuse, ushqime dhe pije dhe grekëve të cilët janë farkëtar të mençurisë, por që anashkalojnë fuqinë nga qielli, Hyjin, i cili mori natyrën njerëzore, duke dashur që ne të na bëj pjesëtar të qiellit, të jetës së amshuar.

Ungjilli i sotshëm, na flet për tempullin që nuk është ai i Jerusalemit, por është tempulli trupi i shenjtë i Jezusit, i cili do të rrënohet nga të pafetë por pas tri ditëve do të ngjallet. Pretkest i bisedës rreth Tempullit është  Tempulli i Jerusalemit që ishte bërë vend tregtie.

Jezusi në Tempull i hidhëruar merr një qëndrim ndëshkimi, duke frushkulluar e duke rrëzuar tavolinat atyre që e kishin bërë tempullin e Zotit  “shtëpi tregtie”.

Dhe pastaj tregon dhe profetizon për mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e vet në kohën e caktuar.

Tempulli është vend ku nderohet Hyji, vend ku takohemi me Hyjin, vend lutje, vend bashkimi..

Në tempull ne takojmë Jezusin, në Fjalën që dëgjojmë dhe sakramentin e kungimit shenjtë.

Për këtë, pra, si besimtar, duhet të dimë ta nderojmë vendin e shenjtë. Duhet të dimë që të shenjtërohemi nga vendi në të cilin gjendemi.

Dhe kur dalim duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi të bashkuar me Krishtin dhe jetojmë me Krishtin.

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, t’ ia paraqesim Zotit lutjet tona që të na pëcjell me hire të veta duke ju përmbajtë ligjeve të tua, të lutemi së bashku:

Dëgjoje o Zot, lutjen tonë.

–         Kisha jote e themeluar nga Bariu i Mirë Jezu Krishti dhe e udhëhequr nga Papa Françesku, bëj që të përparoj në përhapje dhe dëshmi të mësimeve tua, që si shenjë e pranisë sate të botë  të jetë Nënë dhe Mësuese për bijt dhe bijat e veta, të lutemi:

 

–         O Hyj, Ti na i dhe urdhërimet tua që të ecim rrugës sate, na ndihmo që të të mundemi t’ u përmbahemi ligjeve tua dhe të shelbojmë shpirtin tonë, të lutemi:

 

–         Bëj që në Tempullin tënde të shenjtë të ripërtëritemi në fuqi të reja dhe të jetojmë denjësisht dhe drejtësisht duke e dëgjuar Fjalën tënde dhe duke jetuar në jeten  sakramentale, të lutemi:

 

–         Për të gjithë ata që kanë nevojë më shumë për mëshiren tënde, le të gjëjn tek Ti o Zot ngushëllimin, forcen dhe mëshiren që të bashkuar në Tempullin tënd të të lavderojnë dhe madhërojnë Ty, Zot dhe Njeri, të lutemi:

 

–         Të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë, pranoj o Zot në Mbretërinë tënde që të gëzojnë jeten e pasosur, të lutemi:

 

O Zot, dëgjoj lujet e bashkësisë sate e cila kërkon ndihmën tënde, afëtsoje në Ligjin e dashurisë ndaj Teje dhe ndaj të afërmit, kështu që duke jetuar në dashurinë tënde të mund të gëzoj një ditë jetën e pasosur, Ti që jeton e mbretëronë në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti për “Dritën”: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »