PALOK KURTI – KLASIKU I PARË QË HODHI DRITË MBI MUZIKËN POPULLORE SHQIPTARE (II)

Mar 6 • Kulturë

Palok Kurti, hodhi dritë mbi muzikën popullore shqiptare. Pasuria dhe larmia e veprës së tij zë, padyshim, një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare

 

SHKRUAN:  Prof. dr. sci. Akil Mark KOCI

Përveç veprës “Bashkimi i Shqipnisë”, kompozuar më 1881, Palok Kurti hodhi dritë mbi ligjshmëritë e procesit krijues të veprave muzikore, dhe zhvilloi edhe “Aktivitetin e gjithanshëm, sidomos duke organizuar koncerte me vepra të reja”. Palok Kurti do të kompozojë edhe  “dy potpuri me këngë shkodrane, të parën “Argëtime muzikore të stërgjyshërve tanë” (1890-1900), dhe të dytën e bëri në F-maxhor”.

Jeta e tij private, ka qenë mjaft dinamike.  Ai qysh në moshë të re “martohet me të bijën e A. Papanikut, nga Parga e Çamërisë. Idromeno i pati bërë një portret më 1925 dhe ky portret ruhet në galerinë e arteve. Me këtë martesë do të ketë katër djem: Lecin, Zefin, Salvatorin dhe Ndocin. Për veprat e tij kompozitori u mbështet kryesisht në këngën qytetare shkodrane, e veçanërisht në atë instrumentale”.

Në shkrimet që i hasim në Wikipedia nga autorë të panjohur, vërejmë edhe këtë tekst:“Duke i seleksionuar, aranzhuar dhe përpunuar për orkestër frymore dhe, më pas, duke i ekzekutuar, Palok Kurti synoi të përhapte e të propagandonte këngën popullore shqiptare në popull, por edhe ta spastronte atë vetë nga elementet e tepërta. Ky ishte rezultat i ndikimit të drejtpërdrejtë të formave dhe toneve orientale, të cilat ndiheshin dukshëm në ahengun shkodran. Në këto potpuri, trajtimi i këngës popullore shkodrane i është nënshtruar një përpunimi të vërtetë me pretendime artistike. Sidomos në potpurinë nr. 1, shihen edhe tendenca krijuese nga ana e autorit”.

Aktiviteti i madh në këtë lëmë, e popullarizoi atë si krijues, të cilin, e njihte e tërë Shkodra, sepse ishte i pari kompozitor  dhe “i pari muzikant, i cili, duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota, e ekzekutoi, duke i vënë kështu bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Aktivitetin si drejtues i bandave frymore, ai e zhvilloi nëpër formacione të ndryshme muzikore shkodrane, me bandën e Patër Tomës, me bandën e popullit dhe atë të institutit tregtar, që kishte një trup prej pesëdhjetë orkestrantësh”.Palok Kurti e kuptonte artin jo vetëm si argëtim, por edhe si vepër artistike dhe nuk paraqiste vepër abstrakte që studionte si veçoritë e veçanta, por si pjesë të edukatës së përgjithshme duke përcaktuar përmasat e një tipi të ri të artit, që sa po lindte. Palok Kurti i vetëdijshëm që nuk mund t’ua impononte veprat e klasikëve të mëdhenj, krijoi 17 këngë ” dhe si drejtues dhe krijues i formacioneve korale, do të përmendim atë të Kishës Françeskane, të Meshës së Madhe, të Kishës Ortodokse Shkodrane, formacioni koral i së cilës pati jehonë në kohën e vet. Do ta linim të mangët figurën e Palok Kurtit, sikur të mos flisnim për krijimtarinë e tij si kompozitor”.Me kompozimet e tij, ai krijoi një imazh të ri të ahengut shkodran dhe “punoi në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në atë të mëvonshme, të pavarësisë”.

Roli i Palok Kurtit, në lëmin e popullarizimit të krijimtarisë, është i madh, sepse “me cilësinë e rapsodit, të poetit dhe të këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishërojë në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: në marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881, kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgjodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Te due, moj, të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare”.

Ai ka qenë i vetëdijshëm se arti është një prodhim shpirtëror dhe ka bërë çmos që arti muzikor të jetë sa më afër popullit dhe gjithnjë ka thënë se “ajo çka është e përhershme në art, i takon popullit”.Ka studiuar mjaft dhe gjithnjë ka qenë “I ndikuar nga format e reja të muzikës europiane. Palok Kurti shkroi vepra të tilla si:  kuadrilja “Saksi im”, polka për klarinete “Dallëndyshja”, marshin “Turqit në Maqedoni” etj. Në muzikën liturgjike krijimet e tij më të njohura janë:  “Mesha për nder të Shna’ Ndout”, “Litani” etj.Gjithashtu, Palok Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj”.Muzikologët për veprat e tij mendojnë se janë koherente, sepse “raporti i vazhdueshëm i Palok Kurtit me historinë e kohës në të cilën jetoi, shpjegon se vepra e tij mundi t’i rezistonte kohës dhe të vinte deri në dita tona. Krijimet më të rëndësishme të këtij kompozitori, padyshim, dhanë sinjalin e nisjes së një periudhe të artë për historinë e muzikës shqiptare. Gjithashtu, me veprimtarinë e tij, Palok Kurti ua hapi rrugën bashkëkohësve dhe pasardhësve të tij. Pasuria dhe larmia e veprës se tij zë, padyshim, një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare. U dëbua për dy vjet, me shumë mundësi, për shkaqe politike. Pasi u kthye në Shkodër më 1890 angazhimi i tij më i madh ishte kompozimi. Krijoi Bandën e Katedrales me ndihmën e Imzot Jak Serreqit, që e drejtoi Frano Ndoja. U dëbua dhe dy herë të tjera, herën e fundit në Korfuz më 1919. I rraskapitur vdes më 1920. Në varrim morën pjesë shumë bashkëqytetarë të tij”.

Pra, Palok Kurti, jo vetëm se mban titullin si kompozitori i parë shqiptar, por është edhe indikator i një zhvillimi të madh të muzikës klasike dhe hulumtuesi, pionieri dhe krijuesi i parë shqiptar, i cili, me idetë e tij, bëri hapin e parë në zhvillimin e këtij arti, kurse teza e re e tij në lidhje me këtë zhanër të muzikës, është e lidhur me faktin se në krijimtarinë e tij hasim jo vetëm normat e reja muzikore, që ishin aktuale në Europën e asaj kohe, por edhe me faktin se ai në veprat e veta kërkonte dhe zbulonte të bukurën artistike. Me anë të një veprimtarie modeste, Palok Kurti hapi shtigje të reja në jetën muzikore, dhe dëshmoi se krijimtaria e muzikës duhet të bëhet me kujdes të madh dhe të analizohen ato pak vepra që kanë ngelur për të kërkuar elementet estetike me aspektet e saj të ndryshme. Ndaj brezit të ri të studiuesve të këtij lëmi, iu mbeti si detyrë që të gjurmojnë dhe të analizojnë edhe elementet e tjera të krijimtarisë së kompozitorit të parë shqiptar, Palok Kurti. Në përvjetorin e tij të 105-të të lindjes, le të besojmë se do të përkujtohet me ndonjë simpozium nga muzikologët tanë apo me ndonjë koncert me veprat e tij. 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »