IDENTITETI RUHET ME DASHNI, NDËRGJEGJE DHE URTËSI

Mar 9 • INTERVISTË

Intervistë me priftin dhe studiuesin arbëresh protopapasin Emanuele Giordan

Identiteti ynë ruhet me hapjen, me zgjerimin e mentalitetit ndaj popujvet të gjithë, po mësemë tue mbajtur lart dashurinë ndaj studimit të gjuhës dhe të historisë sonë shqiptare dhe të të parëvet tanë Ilirë. Mëmëdheu nderohet me krenarì, me urtësì. Pa ndërgjegje, s’ka dashurì. Pa dashurì s’ka t’ardhme për Shqiptarët në Botë. E rizbulimi i rrënjavet të krishtera do t’i qasënj Shqiptarët sa më shumë Perëndimit.

 

 1. Na thoni diçka për fëmijërinë dhe rininë tuaj? 

U linda te viti 1920, Frasnitë – katund arbëresh i provincës së Kosencës, në krahinën e Kalabrisë – në një familje bujqish, e përbërë nga 9 veta. Kishim dhera, vreshta e një kopé dhensh. Kur kisha pesë vjet, më dërguan te shkolla fillore, po prindërit e të tjerëve djem reklamuan e pat’ e lëja shkollën; pra u prora kur kisha tetë vjet. Gjatë vitevet shkollorë veja në shkollë, mbë qishë e me…dhen. Në moshë trembëdhjetëvjeçare prindërit e mi bënë kërkesë për mua, pranë Peshkopit bizantin arbëresh të Ungrës, të hyja në Seminar. Por isha i madh! Megjithatë, për fat të bardhë, më morën. Rininë e shkova në Seminarin Benedetto XV të Grotaferratës (Romë) dhe në Kollegjin Grek të Romës. Studjoja e lutja. Zoti dish se kish t’bëhsha barí njërëzish e jo kafshash!

 

2. Kur, dhe si, jeni caktuar për jetën dhe shërbimin mesharak?

    Fillova caktimin për jetën dhe shërbimin priftëror qysh në fëmijëri, se prindërit më kujtojin si thoj një lalë imi (Binard Bilota), prift, famullitar i Frasnitës, për veprat e tija: “Këta dorëshkrime arbëreshë ka t’i marrë një ndë familje, çë i kupton e i vlerëson”. Pra kisha atin tim që, nga të diel, këndonej mbë kishë e unë i veja pas atij. Edhe prifti i atij moti, famullitari i katundit, më drejtoi për zgjedhjen e udhës priftërore, që mua më pëlqenej.

 

3. Ku keni shërbyer gjer tani?

    Punova me gëzim, gjatë tërë jetës sime, si famullitar i Ejaninës (Fracionë e Frasnitës), që kur dolla prift nga Kollegji Grek i Romës, në muajin e shënmartirit / nëndorit 1945, deri në vitin 2009. Shërbeva Perëndinë e popullin besimtar, si apostull i ulët i  Krishtit Perëndi. Desha t’i mësoja popullit besimin e dashurinë ndaj Perëndisë e ndaj t’afërmit tonë.

 

4. Përpos punës baritore, ju keni punuar shumë edhe për tekstet liturgjike për Arbëreshët, si dhe për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës dhe kulturës?

     Me ndihmën e Perëndisë që më dha shëndet, punova edhe për ruajtjen e gjuhës arbëreshe me botimin e të parit Fjalor Arbëresh (1963). Drejtova pra për 11 vjet revistën Zëri i Arbëreshëvet (1972-1082). Por edhe punova shumë, në fushën liturgjike, me përkthime në gjuhë arbëreshe.

 

5. Veprat kryesore që i keni botuar?

      Studiova e i mësova popullit gjuhën arbëreshe. Botova një Gramatikë Arbëreshe e Kënka Popullore në muzikë perëndimore; Himne Liturgjike në muzikë bixantine. Përktheva (bashkë me të tjerë), nga greqishtja në arbërishten: Liturgjinë hyjnore të Shën Joan Hrisostomit, Liturgjinë e të Parashëjtëruaravet, Vangjelin, Vangjelljarin, Epistollarin, Javën e Madhe, etj…

 

6. Çka është e rëndësishme sot për Arbëreshët, për Shqiptarët në trojet tona, si edhe ata në diasporë?

     Një farë jemi, një gjuhë jemi. Edhe të ndajtur mbetemi Shqiptarë. ‘Gjaku jonë i shprishur’, kudo jeton, jep shembuj nderi, trimërije. Na duhet të mbetemi në trojet tona, të punomi te dheu ku u lemë, të mirësomi katundet e qytetet tona. Të jemi krenarë si Skënderbeu. Të ndihemi vëllezër. E Shqipëria kish të ndihmonij sa më shumë Diasporat e saj me vepra, jo me fjalë.

 

7. Si të ruhet identiteti ynë dhe mos të mbesim të “getizuar” apo të mbyllur?

     Identiteti ynë ruhet me hapjen, me zgjerimin e mentalitetit ndaj popujvet të gjithë, po mësemë tue mbajtur lart dashurinë ndaj studimit të gjuhës dhe të historisë sonë shqiptare dhe të të parëvet tanë Ilirë. Mëmëdheu nderohet me krenarì, me urtësì. Pa ndërgjegje, s’ka dashurì. Pa dashurì s’ka t’ardhme për Shqiptarët në Botë. E rizbulimi i rrënjavet të krishtera do t’i qasënj Shqiptarët sa më shumë Perëndimit.

 

8. Çfarë perspektive kanë Arbëreshët në Itali në gjendjen aktuale?

      Arbëreshëvet të Italisë i mjafton të ruajën e të studjojën gjuhën Arbëreshe e gjithë zakonet e bukura që kanë pasur në trashëgim nga etërit e tyre. Fëmijëria dhe rinia jonë Arbëreshe, nëse është e mësuar (paremëparë nga prindët e nga shkolla) te gjuha e te zakonet, e ndjek me gëzim lëvizjen tonë arbëreshe. Kjo është një fazë historike shumë kritike: o shpëtohemi o italianizohemi krejt. Ka perspektiva të mira, po duhet rreptësì, guxim dhe një zëmër e madhe.

 

9. A e keni njohur personalisht Patrikun Ekumenik Atenagora I dhe si e vlerësoni veprimtarinë e tij ekumenike? 

        Personalisht nuk e kam njohur Patrikun Atenagor, edhe Ai me prejardhje shqiptare, por më kanë folur për ‘të ata çë e kanë vizituar (dy priftërinj të Frasnitës, papas Ferrari e papas Bellizzi). Ai qe shumë i kënaqur të takohej me ata priftra bizantinë arbëreshë, kish dashurì për ekumenizmin, e dëshironij me tërë zëmren bashkimin e kishavet Orthodokse me kishën Katholike. Po jo të gjithë dëshirojnë këtë bashkim. Prandaj bësonj se vetëm Perëndia mund t’bënjë këtë mërakull.

 

10. Arbëreshët dhe ekumenizmi mes Kishës Katolike dhe Ortodhokse?

      Edhe na Arbëreshë dëshirojmë fort bashkimin e Kishavet të Krishterë, e kemi shpresë se lutjet tona ndaj Perëndisë do t’e vërtetojën shpejt këtë ëndërr.

 

11. Si e vlerësoni të Lumën Nënën Tereze për ne, për Kishën dhe botën e sotme?

        Nëna Tereze është e njohur në tërë botën për jetën e saj të thjeshtë dhe të shëjtë; e jemi të gëzuar për lumtërimin e saj dhe presim sa më parë shëjtërimin e saj. Na Arbëreshë jemi krenarë për ‘të dhe për origjinën e saj shqiptare. Kërkojmë të ndjekim shembullin e saj.

 

12. Porosia e juaj për lexuesit tanë?

      Këshillojmë lexuesvet tuaj të kenë dashuri për gjuhën e për traditat shqiptare, të jenë të mirë me t’afërmit e tyre, të mbajnë besimin e krishterë si thesarin më të shtrëjtë çë kemi në këtë jetë. E të na duan mirë edhe neve Arbëreshë, e t’mos të na harrojën.

 

Intervistoi: Don Lush Gjergji


I ndjeri zot Emanuele Giordano (qershor 1920 – shkurt 2015) këtë intervistë e kish përfunduar së shkruari vitin e kaluar, dhe i nipi prof. Agustini, si e gjeti, pati kujdesin të m’e dërgoj, për botim në revistën tonë fetaro-kulturore “Drita”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »