TË KOMUNIKOJMË DO TË THOTË TË HYJMË NË MARRËDHËNIE ME TJETRIN

Mar 12 • Opinion

SHKRUAN: m.Franciska(Suzana) LEKAJ

 

Çfarë është komunikimi?

Fjala “komunikim” vjen nga latinishtja CUMUNIRE (cum=me dhe munire= lidh, ndërtoj).

Komunikim do të thotë  hyj në lidhje me tjetrin, shkëmbej mendime, gjej një gjuhë të përbashkët me tjetrin. Pra është një prej aspekteve kryesore të ekzistencës njerëzore, sepse njeriu është një qenie shoqërore dhe komunikuese.

”Komunikimi është procesi me anën e të cilit shkëmbehen dhe kuptohen informacionet midis dy a më shumë njerëzve, me qëllim që të motivohen ose të influencohen në sjelljet apo në qëndrimet e tyre”.

Gjithashtu kumunikimi nuk është vetëm mundësi, por nevojë e mirëfilltë e qenies njerëzore, është shkronja A e alfabetit për krijimin dhe zhvillimin e shëndoshë të çdo shoqërie, shteti, vendi etj.

Me anë të tij, do të thotë të komunikimit, njeriu  arrin të shprehë: vetëdijen, dëshirën, nevojën, interesat etj. Po ashtu  arrin të përcjellë mesazhe si: mesazhe urimi, gëzimi, falenderimi etj. Por  komunikimi jo i mirë mund të krijojë konflikte, mosmarrëveshje, debate të panevojshme, thashetheme dhe lëndime, e kështu  arrin të krijojë plagë të ndryshme tek tjetri. E gjithë kjo ndodh për shkak të komunikimit jo të mirë mes njëri-tjetrit dhe nga përceptimet e ndryshme që ka çdo individ.

Komunikimi kërkon që të kuptojmë njëri-tjetrin.  E  të kuptojmë njëri- tjetrin nuk ka të bëjë me atë se kush ka të drejtë apo kush e ka gabim edhe pse kjo është një filozofi e komunikimit. Gjithashtu   nuk është një garë se kush po flet më shumë ose më parë. Por ajo që kërkohet të jetë është të kuptojmë njëri- tjetrin.  

 Pra  komunikimi është  njëri prej aspekteve kryesore të ekzistencës njerëzore, sepse njeriu është një qenie komunikuese,  një qenie që mendon,  ndjen dhe shoqërohet. Të komunikosh në mënyrë efektive është një nga problemet më të vështira  me të cilin një individ duhet të përballet gjatë jetës së tij.

Komunikimi nuk duhet të shihet thjesht si një mjet dhe një vegël, por si një dimension psikologjik që e përbën njeriun, i cili nuk zgjedh të jetë apo jo komunikues, por zgjedh në ç’mënyrë dhe çfarë të komunikojë (Westley e Mac Lean, 1957).

 Për njeriun, komunikimi s’është vetëm një mundësi, por edhe një nevojë e mirëfilltë.

 

Kush është tjetri?

            Në pjesën e parë se çfarë është komunikimi disa herë është përmendur  fjala njëri- tjetri.  Sa herë që dëgjojmë TJETRI mund të na lindë  pyetja: Kush është tjetri? Në të shumtën e rasteve është e vështirë të gjejmë përgjigje. Por që ta kuptojmë se kush është tjetri, një përgjigje shumë të qartë dhe që na ndihmon për ta kuptuar është Shkrimi Shenjt si dhe shumë shkrime të tjera të shenjtërve.

Tjetri është ai që takon në udhën tënde, është ai që takon një herë e jo më, është i afërmi yt, është dikush që jeton me ty, është ai për të cilin thua më ka ardhur në majë të hundës ose nuk mund ta duroj, është ai që e pëlqen, është ai me të cilin bashkëpunon, është ai që punon, gëzon, apo qan pranë teje.

Tjetri është ai me të cilin bashkëpunon për të plotësuar krijimin e botës, tjetri është ai që të pasuron me përvojën e vet. Mos të harrojmë  se tjetri është secili njeri që kemi afër deri tek ai më i largëti. (Familja është më e afërta dhe vendi ku fëmija rritet, edukohet dhe mëson mënyrën e komunikimit që këtë ta transmetojë  edhe tek personat më të largët).  

Komunikimi i mirë, i shëndoshë, i edukuar fillon që në FAMILJE.

Tjetri është pasqyrë ku ne shihemi”

 Tregimi që na bën të kuptojmë më mirë këtë frazë është ky:

Një ditë një njeri i urtë doli për shëtitje. Ndërsa po shëtiste e ndaloi dikush në rrugë dhe nuk la  fjalë të keqe pa i thënë: “Ti je i poshtër, mashtrues, hor, na ke përçarë, idiot, i padrejtë….”Por i urti  po e dëgjonte  pa e ndërprerë dhe kur e pa që mbaroi, i tha vetëm këtë: “Ke të drejtë!” Dhe u largua.

Pak më tej, ndërsa po shëtiste,  e ndaloi një person tjetër dhe ky e ngriti në qiell me lëvdata: Je i drejtë, i thjeshtë, pajtues, i qetë…. I urti e dëgjoi edhe këtë. Kur përfundoi i tha edhe këtij:”Ke të drejtë!” Dhe vazhdoi rrugën. Personi që po e shoqëronte, mbeti pa fjalë nga reagimi i tij. Duke mos e përmbajtur dot veten, i tha: “I pari të shau dhe i the se kishte të drejtë! I dyti të lavdëroi dhe i the se kishte edhe ai të drejtë! Më dëgjo  zotëri, por unë nuk po kuptoj asgjë këtu.

Cili prej tyre kishte të drejtë?

I mençuri buzëqeshi dhe i tha:”Zoti i ka bërë njerëzit pasqyrë për njëri-tjetrin. I pari, ishte vetë i lig dhe ligësinë e tij e konstatoi tek unë. Prandaj i thashë se kishte të drejtë. I dyti, e kishte mirësinë brenda vetes dhe e konstatoi tek unë, prandaj i thashë se ka të drejtë.”

 

Çfarë kuptojmë me marrëdhënie?

Nga vetë termi “marrëdhënie” kuptohet se këtu kemi të bëjmë me dy a më shumë persona, që do të thotë marr dhe jap, është një dialog e jo një monolog. Në marrëdhënie gjithmonë është i pranishëm tjetri, siç u tha më lart  tjetri është pasqyrë.

 Të krijosh marrëdhënie, më parë është e nevojshme të ushtrohesh për të shikuar. E për të shikuar, është e nevojshme të  ecet  ngadalë për t’i njohur më mirë njerëzit, jetën e tyre, atë profesionale,  familjare, dëshirat e tyre, shijet e tyre, aspiratat e tyre, vështirësitë e tyre, betejat e tyre…etj. Nevojitet që të kesh etje për të njohur, që të arrish t’i kuptosh e t’i duash. Por për të arritur këtë është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie të mira më parë me veten, të njohim veten, të njohim vlerat që kemi e gjithashtu edhe dobësitë. Të njohim anët pozitive dhe negative. Duke e njohur veten jemi në gjendje të pranojmë tjetrin ashtu si është.

Vlera e thellë e një njeriu matet, përveç të tjerash edhe nga fuqia e kontakteve, nga mënyra e marrëdhënieve që ndërtohen me tjetrin. Të hysh në marrëdhënie me tjetrin do të thotë: të dish ta pranosh tjetrin, të dish ta dëgjosh, të dish ta shikosh, të dish t’i kushtosh kohë. Të pyesim veten: A e pranoj tjetrin ashtu si është? A e dëgjoj tjetrin derisa flet? A e shikoj? Apo shikimi im është diku tjetër? A i kushtoj kohë? Apo gjithmonë jam e zënë\i zënë?! Mjerisht pak njerëz dinë të dëgjojnë, të shikojnë, pak janë ata që i kushtojnë kohë tjetrit. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse pak jemi të zbrazur nga vetvetja, nga UNI, i cili bën shumë zhurmë.(P.sh. Nganjëherë jemi si një avion që bën zhurmë e qëndron në vend).

Nuk ka marrëdhënie të vërtetë, nëse nuk zbrazemi nga vetvetja nga UNI, nëse nuk vendosim në vetvete një heshtje, që të mund  të dëgjohet tjetri, sepse vetëm në heshtje mund të dëgjohet tjetri, kërkohet të vendosim një qetësi të shenjtë për të mikpritur tjetrin sepse në tjetrin dhe me anë të tjetrit Hyji vjen drejt nesh.

Marrëdhënia me tjetrin nuk është diçka e fituar një herë e përgjithmonë, por është një rritje, një ushtrim i vazhdueshëm. Kërkohet që çdo ditë të mundohemi të përmirësojmë marrëdhënien me tjetrin të mësojmë ta dëgjojmë, ta shikojmë e të gjejmë kohë.

 

Të dëgjosh

            Lind pyetja pse është i rëndësishëm dëgjimi?

Dëgjimi është i rëndësishëm sepse për të njohur dikë është e nevojshme ta dëgjosh se çfarë thotë për veten, tjetrin, për situatat e ndryshme e duke e marrë gjithë këtë informacion arrin ta njohësh më mirë dhe ta kuptosh më mirë e më lehtë. Sepse në komunikim vlera të kuptosh të tjerët është primare. Rëndësia e dëgjimit paraqitet edhe në Bibël në Besëlidhjen e Vjetër, ku Zoti fton: “Dëgjo Izrael” edhe kjo pjesë na bën të kuptojmë se dëgjimi është një pikë kyçe për krijimin e marrëdhënieve me tjetrin.

Shumë herë mendohet se është e lehtë të dëgjosh, por është gabim nëse mendohet kështu.  Të dëgjosh do të thotë të mos pargjykosh e të mos gjykosh. E në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta sepse derisa tjetri flet ende pa e përfunduar fjalinë  arrijmë të nxjerrim konkluzione ose përfundime, se çfarë është duke dashur të thotë, e kështu nuk arrijmë të dëgjojmë.

Të dish të dëgjosh do të thotë ta kuptosh dhe ta pranosh tjetrin. Kur njerëzit e kuptojnë se ti i dëgjon, ata ndjehen shumë më mirë. E shumë prej tyre do të na zgjedhin për të na folur për jetën e tyre, për situatat e ndryshme, për përvojat që kanë përjetuar e përjetojnë.( Edhe në Shkrimin  Shenjt e kemi modelin e rëndësisë së dëgjimit. Jezusi dëgjon nxënësit në rrugën për Emaus edhepse e dinte gjithë historinë).

Dëgjimi i mirë është kur me duresë e dëgjon tjetrin e nuk e ndërpret derisa flet,  nuk ndërhyn për t’ia plotësuar fjalitë. Të jesh dëgjues i mirë jo vetëm të bën person më të durushëm por u shton edhe shumë cilësi të mira marrëdhënieve me personat e tjerë. Do të të bëjë person më të respektueshëm përballë të  tjerëve. Gjithsecili prej nesh dëshiron të flasë  me dikë, i cili e dëgjon me të vërtetë atë, për çfarë ka për të thënë. Të dëgjosh është art, që nuk e kanë të gjithë. “Dëgjo dy herë dhe fol një herë”

Që ta kuptojmë më mirë rëndësinë e dëgjimit na ndihmon tregimi:

Dy miq

Shumë vite më parë në Kinë, jetonin dy miq. Njëri ishte shumë i aftë t’i binte harpës. Tjetri ishte shumë i aftë në artin e rrallë të  dish të dëgjosh. Kur i pari luante apo këndonte për një mal, i dyti thoshte: “E shoh malin sikur ta kisha përballë”. Kur i pari luante në lidhje me një përrua, ai që dëgjonte thoshte: “Dëgjoj të burojë uji mes gurësh”. Por një ditë të bukur ai që dëgjonte u sëmur dhe vdiq. Miku i parë preu telat e harpës së tij dhe nuk luajti më kurrë. ( Ekzistojmë me të vërtetë nëse dikush na dëgjon. Dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë një personi është ta dëgjojmë “ me të vërtetë”).

 Tre mënyra dëgjimi të cilat i praktikojmë e që nuk sjellin efekte pozitive

± Dëgjimi i pamjaftueshëm– është largimi i vëmendjes. Mjaftojnë gjëra shumë të vogla që të na tërheqin vëmendjen nga tjetri. Shkaqet e largimit të vëmendjes nga tjetri mund të jenë të jashtme dhe fizike, por mund të jenë të brendshme dhe psikologjike. Derisa tjetri flet, fillojmë të mendojmë se çfarë duhet t’i themi, shqetësohemi për nevojat tona personale, krahasojmë veten me tjetrin  e gjithashtu bëjmë përpjekje të marrim vesh se çfarë ka ndërmend personi që po flet, etj. Sjelljet e tilla bëjnë që ne të dëgjojmë në mënyrë të pamjaftushme. Mund të thuhet se është një dëgjim mashtrues ndaj vetes dhe ndaj tjetrit.

± Dëgjimi vlerësues– kuptimi i këtij lloj dëgjimi është se gjatë kumunikimit me tjetrin bëjmë vazhdimisht vlerësime dhe gjykime. Merremi me gjërat e thëna: a janë të mira a të këqija, të pranueshme a të papranushme, të dobishme a të dëmshme, të tolerueshme a të patolerueshme, të rëndësishme a të parëndësishme. Duke u dhënë rëndësi këtyre nuk arrihet të bëhet një dëgjim i mirë e të kuptohet tjetri. Ky dëgjim e dëmton cilësinë e dëgjimit dhe për pasojë edhe të kuptuarit e tjetrit.

± Dëgjimi me filtrim-është i ngjashëm me procesin e vlerësimit. Në këtë rast dëgjuesi realizon dy procese një vlerësim dhe një seleksionim të asaj që është dëgjuar. Të dyja këto formojnë filtrimin. Ky dëgjim përmban një rrezik të madh, mosdëgjimin e njërës pjesë që thotë tjetri e në këtë mënyrë nuk dëgjohet e gjitha. Dëgjohet vetëm ajo pjesë që na pëlqen apo që kemi interes, e kështu nuk arrihet të kuptohet tjetri. Ndodh që nga një fjalë që dëgjojmë të ndërtojmë historira të ndryshme për tjetrin e shumë herë edhe të dhimbshme.

Këto tri lloj dëgjimi përbëjnë një pengesë në kuptimin dhe pranimin  e tjetrit.

Të shikosh

Një pikë tjetër mjaft e rëndësishme është të shikuarit.  Është kulturë, respekt që derisa flasim me tjetrin ta shikojmë në sy. Kjo tjetrit i jep më shumë siguri dhe jo vetëm kjo, por edhe dëgjuesi merr shumë mesazhe nga folësi me anë të shikimit.

Kontakti me sy tregon interesin që kemi për tjetrin, rëndësinë që i kushtojmë tjetrit. Nuk është  thënë kot: “Sytë janë dritarja e shpirtit” . Nga kontakti me sy arrijmë të kuptojmë shumë e të marrim shumë mesazhe nga tjetri. Nga kontakti me sy mund të marrim informacion edhe për gjendjen fizike dhe shpirtërore të personit edhe sikur të mos thuhet asnjë fjalë.

Për rëndësinë e shikimit na flet edhe Jezusi. Në Shkrimin Shenjt disa herë përmendet: “Jezusi i pa…” ose një pjesë tjetër ku thotë Jezusi “ia ngulu sytë”.  Kjo na bën të kuptojmë që të krijosh një kontakt me tjetrin, një komunikim është e nevojshme ta shikojmë tjetrin. Jo më me një shikim dyshues, por me një shikim miqësor, dashamirës dhe  përkushtues.

Të gjesh kohë

            Për ta kuptuar këtë pikë është mirë të ndalemi e të sodisim figurën e Jezusit dhe të së lumes Nënë Tereza gjithashtu edhe të shenjtërve të tjerë, të cilët kanë gjetur kohë për secilin  njeri: për të rinj e të moshuar, të varfër e të pasur, për të sëmurë e të shëndoshë.

Kërkohet ta pyesim veten: Sa kohë gjej për tjetrin? Përgjigja mund të jetë:

 Nuk gjejmë kohë për vete e aq më pak  gjejmë kohë për të tjerët.

Ndodh kështu sepse jemi të prirur më shumë të bëjmë e jo të jemi.

Ndodh  kështu sepse nuk ndalemi  të reflektojmë mbi jetën tonë, por gjithçka tentohet të bëhet me shpejtësi e pa e pytur veten se ku jam duke shkuar e çfarë jam duke bërë.

Kjo na bën të kuptojmë se mungon  virtyti  shumë i rëndësishëm, Duresa. Të jesh i durueshëm do të thotë të hapësh zemrën tënde në çdo moment të së tashmes edhe pse nuk të pëlqen ta bësh këtë. Durimi gjithashtu përfshin edhe atë të shohësh motivet e sinqerta tek të tjerët. Sa më shumë durim të kesh aq më shumë do të gjesh kohë për tjetrin.

Richard Carlson në shkrimet e tij thotë:

Shumë njerëz e jetojnë  jetën sikur qëllimi i saj sekret të ishte vetëm të kryenin të gjitha punët që kanë dhe çdo punë tjetër që u del.

….fatkeqësisht, kam parë shumë njerëz që i kanë lënë pas dore njerëzit e zemrës për një kohë aq të gjatë, saqë ata e kanë humbur interesin për të ruajtur marrëdhënien mes tyre.

Shpesh, ia mbushim mendjen vetes se fiksimi ynë me listën “Punë për t’u kryer” është vetëm i përkohshëm. Sapo ti mbarojmë të gjitha ato që kemi në listë, do të ndjehemi më të qetë, më të relaksuar dhe më të gëzuar. Por në realitet, kjo ndodh rrallë. Sapo të kryejmë diçka, menjëherë i shtohet diçka tjetër listës.

Pavarësisht se kush je ose çfarë pune bën, kujto se asgjë s’është më e rëndësishme se vetë lumturia jote, qetësia e brendshme dhe personat që do më shumë në botë. Në qoftë se je i fiksuar për të kryer të gjitha punët, nuk do ta kesh kurrë sensin e të qenurit mirë!

Mos harro se edhe kur të vdesësh “lista e gjërave për t’u kryer” nuk do të ketë përfunduar.

E lumja Nënë Tëreza na thotë: Gjej kohë

Gjej kohë të japësh, gjej kohë të mendosh, gjej kohë të jesh mik,  gjej kohë të bësh mirë… Nëse i meditojmë këta rreshta do të kuptojmë rëndësinë e kushtimit të kohës për tjetrin, e nuk do të arsyetohemi se nuk kemi kohë…

 

Disa rregulla për një komunikim më të efektshëm

Për një komunikim sa më të efekshëm, kërkohet që jo vetëm të dihen disa rregulla në komunikim,  por gjithashtu të praktikohen vazhdimisht me secilin njeri, me fëmijë e të rritur dhe në çdo vend, në familje, në punë, në rrethin shoqëror dhe miqësor.

 

Cilat janë ato rregulla?

±  Të respektohet

± Të mbahet radha në komunikim.

± Të mos ndërpritet tjetri derisa flet.

± Të flitet për veten në vetën e parë.

± Të mos fyhet, lëndohet, apo provokohet tjetri.

± Të dëgjohet tjetri dhe të lejohet të përfundojë mendimin.

±  Të flitet ngadalë.

± Të dimë të dëgjojmë dhe të kuptojmë tjetrin

± Të eliminojmë agresivitetin dhe inatin.

± Të jemi të qartë me vetveten

± Të mësojmë të themi jo (dhe të na thonë jo)

± Kur komunikojmë kërkohet të jemi vetvetja,  të zgjedhim fjalët apo shprehjet, të tregohemi të matur sepse nga mënyra se si komunikojmë ne paraqesim personalitetin tonë.

 

Pyetje:

1. A jam në gjendje ta dëgjoj tjetrin derisa flet? Nëse po si e arrij këtë, nëse jo çfarë më pengon?

2. Çfarë më duhet të ndryshoj në kumunikim me të tjerët?

3. A ndryshon diçka brenda meje derisa unë flas me të tjerët?

4. Po të mos ishte një TI (tjetri) çfarë njohjeje do të kisha unë për veten?

Shpërndaje

Comments are closed.

« »