E DIELA E IV E KRESHMEVE (B)

Mar 13 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë 2 Kro 36,14-16;19-23

 

Lexim prej Librit të dytë të Kronikave

 

Në atë kohë të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta duke i ndjekur fëlliqësitë e paganëve e duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jerusalem.

E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre, ua dërgonte me kujdes e ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet.  Por ata i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i merrnin për asgjë fjalët e tija dhe i vinin në lojë profetët derisa mbërriti në kulm hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim.

Atëherë armiqtë e dogjën Shtëpinë e Hyjit, e rrënuan murin e Jerusalemit, i dogjën të gjitha pallatet, rrënuan gjithçka ishte me vlerë.

Mbreti i humbi në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës dhe u bënë skllevër të mbretit e të bijve të tij derisa u vendos mbretëria persiane,  për t’u plotësuar fjala që Zoti e tha me gojën e Jeremisë: “Derisa toka të mos i zhdetyrojë të shtunat e veta, do të pushojë për tërë kohën djerr, deri që të mbushen shtatëdhjetë vjet”.

Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit, që e kishte thënë me gojën e Jeremisë, Zoti e zgjoi shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, i cili shpalli ‑ madje edhe me shkrim ‑ në mbarë mbretërinë e vet: ”Kështu urdhëron Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Hyji i qiellit, m’i dhuroi të gjitha mbretëritë e dheut dhe Ai më urdhëroi t’ia ndërtoj Shtëpinë në Jerusalem, që është në Judë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi: 137

 

Ref: Kujtimi në ty, o Zot, është gëzimi ynë.

————————————————————

Mbi lumenj të Babilonit,

atje rrinim e lotonim

e nëpër mend shkonim Sionin.

Në shelgje, në mes të tij,

harpat tona në degë i varëm.

—————————————————————-

Shih atje shpërngulësit tanë

t’u këndojmë prej nesh kërkuan,

të gëzohemi shtypësit urdhëronin:

“Na i këndoni këngët e Sionit!”

—————————————————————-

Po si mundim t’i këndojmë

këngët e Zotit në dhe të huaj?

Oh, m’u thaftë‑o krahu mua,

Jerusalem për në të harrofsha.

—————————————————————-

Për qellzë gjuha m’u kaptë mua,

të të kujtoj ty nëse unë pushofsha,

në mos e vënça Jerusalemin

mbi të gjitha gëzimet e mia!

—————————————————————-

 

Leximi dytë Ef 2,4-10

 

Lexim prej letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Efezianëve

 

Vëllezër, Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi,  ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: që me mirësinë e tij ndaj nesh në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e vet të patregueshme. Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit!  E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet.  Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira, që Hyji i përgatiti që më parë që të jetojmë në to.

 

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti lavdisë së amshuar!

Hyji aq fortë e deshi botën., sa që e dha një të vetmin  Birin e vet,

që secili  që beson në të ta ketë jetën e pasosur.

Lavdi ty o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli Gjn 3,14-21

 

Leximi Ungjillit shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.

Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.

Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.

Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën errësirën se dritën, sepse veprat i kishin të këqija.

Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë

që të mos i zbulohen veprat e tij, kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën,

ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”

 

Fjala e Zotit

 

Porosia

 

Në leximin e parë, përshkruhet shkurt përfundimi i mbretërisë hebreje, rrënimi i Jerusalemit, i cili ishte simbol dhe krenaria e popullit tyre. Kjo ndodhi në vitin 70 para Krishtit. Mbreti i Babilonisë Nabukodonozori e okupoi Jerusalemin, vret shumë njerëz dhe ata që mbesin gjallë i merr në robëri. Kjo ngjarje ishte një nënçmim dhe përbuzje e madhe për ta, por e merituar, sepse sado që Hyji i kishte ndihmuar dhe përkrahur ata i harronin të mirat e Tij.

Arsyeja e të gjitha këtyre të këqijave ishin mëkatet e shumta dhe largimi nga rruga e Zotit. Ata nuk dëgjonin as priftërinjtë as profet, bënin si donin e çka donin. Kështu u ndeshen me dënimin e Zotit për mëkatet e tyre.

 

Në saje të leximit të parë, të pyesim veten: Çfarë jemi ne, në përditshmërinë tonë dhe sa e dëgjojmë dhe e shtiem në veprim mësimin e Zotit që të jemi të mirë e të sjellshëm në jetë?

 

Në leximin e dytë të shën Palit apostull, kuptojmë që shëlbimi ynë është dhuratë e pastër e Hyjit, e nuk është që ndoshta ne e kemi merituar. Hyji, na shpëton për dashuri që ka ndaj nesh, por këtë nuk e bënë pa pjesëmarrjen tonë.

Shën Augustin thoshte: Hyji na ka krijuar pa ne por nuk mund të shpëton pa bashkëpunuar me Të.

Shtrohet pyetja: Sa ne bashkëpunojmë me Zotin?

 

Biseda që Jezusi e bën me një mësues të Ligjit, ka karakter formimi dhe bindjeje të dashurisë që Hyji tregon ndaj njeriut.

“Hyji aq fortë e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet…..” Me siguri, Nikodemi e ka dëgjuar Jezusin, por në habi dhe çuditje sepse me siguri nuk e ka kuptuar!

Krishti, kërkon që njeriu të bindet në këtë kujdes që Zoti tregon për njerëzit. Duke u bind në këtë dashuri, jeta e njeriut merr kahe ka qielli, kah amshimi.

Drita që ceket në Ungjill, është Jezusi, i cili, dëshiron të shndrit çdo njeri, të gjithë neve, që të ndriçuar nga Ai të ecim në dritë, në rrugë të sigurt, në jetë me Hyjin.

Sot, jemi dëshmitar të ngjarjeve që ndodhin. Ndodh shumëçka e keqe dhe e tmerrshme. Dhe shkaktar është vet njeriu.

Është për t’ u befasuar pse njerëzit janë të tillë dhe sjellin tmerr, frikë, vrasin, vjedhin dhe bëjnë aq të këqija? Janë egoist dhe hedonist?

Pse nuk e kuptojnë dashurinë që Hyji ka për ne?

Me siguri, përgjigjja e vetme, është sepse njerëzit, më shumë e duan terrin se sa dritën. Jetojnë në terr dhe gabim, janë të verbuar në sy dhe në shpirt dhe nuk kanë dritë në vetvete.

Drita, e cila dikur është ndezur në pagëzim, është fikur, ndërsa petku i bardhë është njollos dhe hiri Zotit është larguar.

Kjo është e keqja për të krishterin që i ndodhë të jetojë në terr e në të keqe.

Jezusi erdhi si ditë për botën, dritë për ne.

Tani kur jemi në mesin e kreshmëve, të pyesim sa kemi përparuar në pikëpamje shpirtërore, sa jemi angazhuar të jemi më të mirë, më të kujdesshëm, të jemi me besnik Zotit dhe familjes.

Ti kthehemi burimit të fesë, të pagëzimit, të jetës së hirit, duke e kuptuar gjithnjë që duhet të jetojmë në trekëndëshin e dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit.

Kështu me ketë ndjenjë do të kemi fryte të mira të përmirësimit dhe të angazhimit tonë për një jetë më të mirë që e pëlqen Hyji dhe natyrisht e shpërblen.

 

Lutjet e besimtarëve

 

Vëllezër e motra, Hyji aq fortë e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin  e vet që kushdo të besoj në Të të ketë jetën e pasosur, për këtë të lutemi së bashku:

 

Dëgjoje o Zot, lutjen tonë!

 

–      Kishën tënde, udhëtare në botë, forcoje dhe ndihmoje të jetë rrugë për të gjithë ata që të kërkojnë dhe të bashkohen me Ty e në mes vete, të lutemi:

 

–      Papës tonë, Françeskut, ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve  e rregulltareve, jepu o Jezu, forcën e dijes dhe të besimit. që të veprojnë për të mirën e të gjithë atyre që ju shërbejnë që të jetojnë në hirin dhe dashurinë tënde, të lutemi:  

 

–      Ne, o Jezu besojmë në Ty që erdhe për shpëtimin tonë, na ndihmo që në këtë besim edhe më tepër. të nxitemi për të vepruar si na mëson Ti dhe të përparojmë në vlera shpirtërore, të lutemi

 

–      Na ndihmo, që në këtë kohë të kreshmëve të mundemi gjithnjë e më tepër të lirohemi nga të gjitha ato gjëra që na pengojnë për bashkimin me ty, të lutemi:

 

–      Ti je Drita e botës që erdhe për të shndritur në errësirë, me dritën tënde shndriti zemrat e atyre që janë nën errësirën e mëkatit që kjo kohë e shenjtë e kreshmëve t’ u sjell gëzim dhe paqe, bashkim me Ty, të lutemi:

 

–      Ti, Dritë e moshuar shndriti me dritën tënde shpirtrat që kaluan nga kjo botë dhe bëj që të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

 

O Zot, ti je dashamiri ynë, pranoj lutjet e bashkësisë sate dhe ndihmoje që të veproj e frymëzuar nga Shpirti yt e të fitojë jetën e pasosur, Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »