DISA BAZILIKA PALEOKRISTIANE NË DARDANI

Mar 19 • Histori

SHKRUAN: Dedë Palokaj, arkeolog

Nga gjysma e dytë e shekullit IV e deri në fund të shekullit VI, në pjesën qendrore të Dardanisë, u ndërtuan një numër e madh i kishave- bazilikave monumentale krishtere, iliro – shqiptare. Në bazë të toponimeve dhe përnjohjes së terrenit të Kosovës, janë evidentuar shumë gjurmë të rrënojave sakrale të shekujve të përmendur siç janë emërvendet: “ Kisha katolike”, “ Livadhet e kishës ”,  “Vorret e kishës“, “Lisi i kishës“, “Kisha romake“, “Varret katolike“, ”Kisha ilire“, “Kodra e kishës“, “Bregu i kishës“, “Kroni priftit”, “Vendi kishës” etj.

Në fshatin Studenicë, afër Vrellës së Istogut, në platon e një kodre të rrëpishme, e cila, me lartësinë e saj, zotëron territoret për rreth, gërmimet arkeologjike kanë nxjerr në dritë rrënojat e një vendbanimi të fortifikuar antik, me dy kulla  mbrojtëse. Pos gjetjeve të qeramikës, mbeturinave të ndërtimeve dhe gjurmëve tjera, në kuadër të këtij kompleksi, është zbuluar bazilika monumentale me një strukturë të përbërë. Bazika, është me tri nefe – aniata, me një absidë gjysmë harkore dhe narteksin në anën perëndimore. Në anën veriore, në strukturën e bazilikës, është zbuluar një kriptë (gr. kripto – fshehur, mbuluar ), shumë e madhe në të cilën janë zbuluar mbi 30 varre mbi të cilat konsiderohet të ketë qenë i ndërtuar një objekt kishtar.

Kripta, në traditën e hershme të ndërtimeve krishtere, shërbente për mbledhjen e krishterëve, për t’i kryer shërbesat e veta fetare dhe për varrimin dhe ruajtjen relikteve të njerëzve të shenjtë. Në fillim të krishterimit kripta, ishte gropë, korridor, apo dhomë kënddrejtë nënë altar “ ad corpus “. Më vonë, paraqitën kripta të tipave të ndryshme, në formë të katakombeve, të kapelave – kishëzave të vogla etj. Nuk përjashtohet mundësia, që në kripten e zbuluar në Bazilikën e Studenicës, të ketë eshtra të martirëve, ose objekti i zbuluar të jetë ”martyrium ad korpus“ kishë e karakterit varrorë ,e ndërtuar mbi varret e martirëve. Mbi themelet e Bazilikës së zbuluar, serbët, në shekullin XIII e ndërtuan kishën e re. Pos objektit kishtarë, në këtë kompleks, janë zbuluar edhe ndërtime tjera përcjellëse, si salla e ngrënies, konaqet, sistemi i ujësjellësit, etj.

bazilika studenice

Istog: Bazilika në Studenicë (shek. VI pas Krishtit)

 

23

Istog: Bazilika në Studenicë (shek. VI pas Krishtit)   

 

Gërmimet arkeologjike, tregojnë se në këtë lokalitete, kemi të bëjmë me disa periudha ndërtimi dhe me një rend të ndryshëm kronologjik. Koha e ndërtimi e kësaj bazilike, i përket periudhës së Justinianit (527- 565), e cila, ka ngjashmëri me Bazilikën e Shën Florit dhe Laurit në qytetin e Ulpianës antike afër Prishtinës.

Mirëpo, gjatë shekullit IV dhe definitivisht, pas rënies së Perandorisë Romake (476), treva dardane, u bë pre e dyndjeve të shumta barbare, të cilët shkatërronin gjithçka që kishin përpara. Kështu, para këtyre sulmeve shkatërruese, u gjunjëzua jo vetëm Dardania, por tërë Iliriku i cili, përjetoi plaçkitje dhe rrënim të pamëshirshëm. Ja, si përshkruhen masakrat e barbarëve në Dardani: “…Me rrëqethet shtati kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë. Në vazhdim të njëzet vjetëve…gotët, sarmatët, hunët, vandalët, sllavët dhe narkomanët shkatërronin, plaçkitnin, dhe grabisnin…Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë…Kudo zi, kudo afshe dhe hija e madhe e vdekjes. Krejt kjo krijoi një situate të re dhe ndikoi në krijimin një sistemi të ri fortifikues, në përputhje me nevojat mbrojtëse të vendbanimeve dhe qendrave urbane.

Dihet se në gadishullin Ilirik, ardhacakët serb, erdhën të paganizuar. Në këto hapësira, ata e gjetën një popullsi kompakte, të formuar mirë në fenë monoteiste, por, për dallim nga popujt tjerë, ata këmbëngulën me forcë në këto troje. Serbët, shumë vonë pranuan krishterimin dhe me pranimi i kësaj feje ndodhi përvetësimi i kishave tona katolike, të cilave, ua ndryshuan format dhe stilet dhe duke ia përshtatur kulturës së tyre ato i identifikuan si kisha serbe. Gjatë periudhës Nemanjide, mbi themelet e kishave të vjetra katolike, ndërtuan kisha të reja të shekullit XIII – XIV, të ritit lindoro – bizantin të cilat sot i quajnë: “ themelet, apo djepi i shtetit Serb .”

Nga pjesët e ruajtura të kishave katolike, filloi rindërtimi i kishave të reja serbe, në të cilat, futën elemente tjetërsimi, pa u përmendur asnjë argument dëshmues historik as arkeologjik mbi origjinën e tyre, si dhe pa pasur argumente se ato janë kisha serbe. Këtë gjë, nuk mund ta mohon asnjë studiues serioz serb. Por, edhe për asnjë kishë tjetër në Kosovë qe i përket rrënjëve të lashtësisë krishtere, pra të ndërtimeve paraserbe, nuk ekziston asnjë argument se ato janë kisha serbe, sepse të gjitha ato janë të periudhës iliro – bizantino – shqiptare, pra, janë kisha katolike qe meritojnë përkujdesje dhe hulumtim të veçantë.

Vlen t’i përmendim gërmimet arkeologjike në Patrikanën e Pejës, gjatë viteve 1931- 1932, ku u zbuluan themelet e një kishe shumë më të vjetër se sa kisha e ekzistuese. Hulumtimet arkeologjike në Patrikanë, na ofrojnë të dhëna se themelet e zbuluara jenë të dhënat e para qe flasin për themelet e një bazilike madhështore paleokristiane me tri aniata. (Çanak – Mediç, Larchitecture de la premiere moitie de XIII eme siecle, II, Institut pour la protecion des monuments historique de la Republique de Serbie, Beograd, 1995, f. 16 – 29).

4

Manastiri i Graçanices, gërmimet arkeologjike

 

5

  – Manastiri i Graçanicës:

  – Bazilika paleokristiane shek. VI (me vija të mbyllta)

  – Kisha e shek. XIII ( me ngjyrë të zezë )

  – Manastiri i sotëm me (me vija të holla)

Manastiri i Graçanicës, është shembull tipik i tjetërsimit. Është me interes t’i përmendim rezultatet e gërmimeve arkeologjike, të cilat e kanë zbardhur të kaluarën e vërtetë të këtij manastiri dhe kanë argumentuar ndërtimin e kishës së tanishme mbi themelet dy kishave tjera. Themelet e vjetra janë themelet e një bazilike monumentale paleokristiane me tri aniata e shekullit VI. Kjo bazilikë palokristiane, është 19 m e gjatë dhe 10 m e gjerë, e cila, duhet të ketë lidhje me qendrën ipeshkvore të Ulpianës, Baziliken e Studenicës dhe me qendrat tjera kishtare të kohës. Në bazë të sondimeve arkeologjike këto themele argumentojnë qartë ekzistimin e bazilikës në fjalë. Mbi këto themele në shekullin XIII Serbët ndërtojnë një kishë të vogël me një aniat kushtuar Zojes së Bekuar, kurse në vitin 1310, mbreti Millutin ndërton manastirin ekzistues ku mbulohen gjurmët e bazilikës katolike.

E njëjta gjë vlen edhe për Manastirin e Deçanit, ku skulpturat – kokat e njerëzve, kafshëve, zogjve, shermendeve, pastaj arkitektura etj., janë tipare të stilit romanik, pra kishë perëndimore e ritit katolik. Kështu, është edhe me kishën e Shën Mhillit dhe Gabrielit afër Prizrenit, Kishën e Shna Prenës në Prizren etj.

Fatin e kishave të përmendura e përjetoi edhe Bazilika katolike në Studenicë ku serbet e bën pronë të tyre duke ia dedikuar kishën Zojes së Bekuar të cilën më vonë e bën edhe qendër episkopale ortodokse.

Pra, intelektualet serb sa herë që shkruajnë për zanafillën e kulturës materiale shqiptare, shkruajnë për kulturën materiale të periudhës osmane, në veçanti atë të shekullit XVIII – XIX, ku sipas tyre lashtësia shqiptare nuk e kalon lashtësinë e mesjetës. Duke i përmendur enkas kullat, xhamit, tyrbet, teqetë etj., të cilësuara prej tyre si trashëgimi të kulturës Osmane, shqiptarët i prezantojnë si myslimane, pa u përmendur qëllimisht kishat dhe prania e popullatës katolike shqiptare.

Pra, rrënjët tona të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare, janë të thella. Ato i vërtetojnë të dhënat arkeologjike dhe historike të cilat na ofrojnë dëshmi të mjaftueshme shumëshekullore mbi begatinë e të kaluarës sonë. Duke gjurmuar të vërtetën ajo vetvetiu del në shesh dhe kërkon trajtim praktik. Sepse, e vërteta na bënë popull që gëzon lirinë e plotë, që e mëson dhe nderon të kaluarën e vërtetë për të sotmen e lirë dhe të ardhmen e sigurt.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »