E DIELA E V E KRESHMEVE (B)

Mar 20 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë Jer 31,31-34

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet 

Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re.  Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje qenë ata që e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre ‑ është fjala e Zotit.  Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit ‑ është fjala e Zotit ‑ : Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri‑tjetrin e vëllai vëllanë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ‑ thotë Zoti ‑ sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.” 

Fjala e Zotit

 

Psalmi: 51

 

Ref: Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër.

————————————————————

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,

pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim

e më pastro prej fajit tim!

—————————————————————-

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,

përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

Mos më flak larg fytyrës sate,

mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

—————————————————————-

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,

dhe më forco me shpirt të gatshëm.

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit

e fajtorët do të kthehen tek ti. 

—————————–————————————-

 

Leximi dytë Heb 5,7-9

 

Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar  Hebrenjve 

Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet.  Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar 

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti lavdisë së amshuar!

Kush do të m shërbej , le të vijë pas meje.

Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.

Lavdi ty o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli Gjn 12,20-33

 

Leximi Ungjillit shenjtë sipas Gjonit 

Ndër ata që kishin ardhur në Festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit.  Jezusi u përgjigj: “Arriti ora

të lavdërohet Biri i njeriut.

Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt!

Kush e do jetën e vet, do ta humbë.

Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur.

Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje.

Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im.” “Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë?

Porse, pikërisht për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”

Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” të tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!”  Jezusi iu përgjigj: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju!

Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë!

E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit”

Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste. 

Fjala e Zotit

 

Porosia

 Në leximin e parë nga Jeremia profetë, dëgjojmë se si Zoti do të bëjë një besëlidhje të re, e cila, do të vendoset në zemrat e njerëzve dhe do të tejkalojë të gjitha lidhjet që ishin deri me tani.

Kjo besëlidhje, do të jetë me vet Birin e Zotit që do të vijë në tokë, Jezu Krishti, Shëlbues.

E kështu vazhdohet edhe me leximin të letrës drejtuar hebrenjve.

Krishti, Biri i Zotit, kushton urata dhe lutje për t’ u shpëtuar, e dimë këtë nga lutja në kopshtin e ullinjve, por Krishti i nënshtrohet vullnetit të Hyjit e ky vullnet i Hyjit ishte flijimi dhe vdekja në kryq e Jezusit.

Kështu, Jezusi bëhet shkak shpëtimi dhe shëlbimi për të gjithë ata që e dëgjojnë.

Shtrohet pyetja për ne që jemi të pagëzuar dhe kemi bërë besëlidhje me Zotin: çfarë është kjo besëlidhje me Të? Sa i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë besnik Zotit, i cili, u flijua për ne dhe pagoi çmim të lartë për të na bashkuar me Hyjin, Atë?

Disa grekë, sipas Ungjillit të sotshëm, dëshirojnë të takojnë Jezusin. Me siguri për arsye të mrekullive që kishte bërë.

Ishin të shtyrë të shohin diçka të jashtëzakonshme……e në atë moment kur takojnë Krishtin, ndoshta zhgënjehen, sepse Ai ju flet për vuajtjen, për pësimin, për kryqin dhe për vdekjen që do të pësonte së shpejti.

Nëse kokrra e grurit nuk vdesë jetë e vetme, e nëse vdesë jep shumë fryte. Është ky një mister që ndodhë nën dhe nuk mund të shihet. Kështu edhe jeta, dhe para se gjithash vdekja, është një mister që nuk mund të kuptohet, por të besohet dhe shpresohet në ringjallje që do t’ i ndodhë Jezusit.

Ndërsa ne duhet kuptuar që të vdesim për kah mëkati dhe të jetojmë me Zotin

Është e vërtetë që kujdesohemi shumë për jetën dhe mundohemi shumë të sigurojmë jetë të begatshme në të gjitha sferat: ushqim, pije, gjëra materiale, por e harrojmë jetën shpirtërore në çka na jep vërejtje edhe ungjilli i sotshëm.

Krahas asaj që në jetë mund të ketë ditë të vështira dhe të rënda nuk duhet humb guximi dhe të zbehet feja, sepse në se vuajmë- vuajmë bashkë me Krishtin dhe në vuajtje arrijmë deri tek drita dhe shpëtimi.

Dashuria dhe flijimi. janë ato që i japin kuptim jetës.

Dashuria. çfarë Krishti e tregoi për ne, flijimi çfarë Krishti e bëri për ne.

Ne që rregullisht marrim pjesë në përshpirtërinë e Rrugës së kryqit. duke medituar katërmbëdhjetë shenjat. përjetojmë dhembjen e Tij për ne, por edhe dhembjen e shpirtit tonë të zhytur në mëkat e që ka nevojë pastrimi, përmirësimi dhe hiri të Zotit.

Le të ndodhë diçka e mirë këto ditë me jetën tonë; të kthehemi kah Zoti të jemi gjymtyrë të gjalla të Krishtit, të veprojmë, punojmë dhe angazhohemi që vetes dhe të tjerëve t’ ua dëshmojmë dashurinë e Zotit.

  

Lutjet e besimtarëve

 

Vëllezër e motra, Krishti sot në Ungjill na thotë:

“Nëse kokrra e grurit nuk vdes jetë e vetme nëse vdesë jep shumë fryte. Prandaj,  ne dëshirojmë të vdesim për kah mëkati dhe të jetojmë në hirin e Zotit, të lutemi me përvujtëri:

 

Na ndihmo o Zot!

 

–      Na liro o Atë nga tundimi për të besuar në Jezusin, nga i cili, dëgjojmë fjalët që na prijnë në jetë dhe na         bashkojnë me Ty, të lutemi:

 

–      Dhuroju të gjithë përgjegjësve të shoqërisë dhe Kishës, mençuri dhe vendosmëri, për të vepruar në të mirë të individit dhe bashkësisë në rritje të vlerave shpirtërore, të lutemi:

 

–      Neve këtu të pranishëm, na ndihmo që të ecim gjurmëve të Krishtit, i cili, duke u flijuar për ne, na mundësoi pajtimin me Ty dhe nëse mes vete, të lutemi:

 

–      Na jep shpirtin e urtë për të parë nevojat e vëllezërve tanë dhe t’ u dalim në ndihmë, të lutemi:

 

–      Bëj që të jemi dëshmitarë të mirë të fesë në fjalë e në vepra, të lutemi:

 

–      Duke qenë të bashkuar me Ty ndjehemi më mirë dhe më të sigurt, prandaj o Jezu dëshirojmë që nëpër mes teje ta ndërtojmë të ardhmen tonë dhe të lutemi:

O Jezu, të falënderojmë për dashurinë që tregon për ne dhe po të lutemi na ndihmo që të jemi gjithnjë të nxitur nga dashuria jote që të jetojmë gjithnjë sipas vullnetit tënd dhe të bashkuar me Ty, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti për “Rev Drita”:Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »