NËNA E JETËS – NËNA TEREZE (1910-1997)

Mar 20 • Opinion

Përse e kam quajtur Nënën Tereze Nëna e Jetës? 

Shkruan: Don Lush GJERGJI 

Sepse ajo gjatë tërë jetës rregulltare, së pari si Motra Tereze e Loretos (1929-1948), pastaj edhe më tepër si Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997), ishte mbrojtësja, përkrahësja dhe frymëzuesja e jetës në çdo vend dhe kend të botës, prej zanafillës së jetës e deri te ofshama e fundit, kalimit në amshim, apo si i i pëlqente asaj të thoshte “kthimi në Shtëpinë e Atit”.

Këtë qënedrim dhe vlerësim ajo e kishte mësuar qysh në gjirin familjar nga prindërit e saj Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu, nga kultura dhe traduta shekullore shqiptare, nga feja, shpresa dhe dashuria e krishterë.

Fjala e urtë popullore shqiptare thotë qartas: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që s’ka pleq dhe fëmijë”.

Bota e sotme “moderne”, shpesh fatkeqësisht tejet materialiste, egoiste, hedoniste, e lufton dhe dëbon jetën në zanafillë, qysh nga ngjizja në kraharorin e nënës, me vrasjen, abortimin, dështimin e fëmijëve të palindur, si dhe në pleqëri, me anësimin dhe përjashtimin e të moshuarëve nga familja, jeta dhe shoqëria.

Me këto dy qëndrime vetëvrasëse” bota e të pasurve gjithnjë e më tepër varfërohet, pakësohet dhe vetëshkatërrohet, sepse ka frikë prej jetës – fëmijës, si dhe prej vdekjes- pleqërisë. 

“Sot e vërteta që më së shumti e shkatërron paqen është dështimi – aborti. Nëse ne jemi gjallë domethënë se prindërit tanë na kanë  dashur… Çka ndodh sot me miliona fëmijë të palindur? Shumë njerëz sot kujdesen për fëmijtë e Indisë, të Afrikës, të cilët vdesin nga mungesa e ushqimit, mjekimeve… Por pakkush mendon sot për miliona fëmijë që vdesin me vullnetin e nënave të tyre. Nëse nëna mund ta vrasë fëmijën e vet, çka i pengon njerëzit që të vritën njëri me tjetrin, popujt që të luftojnë njëri kundër tjetrit?

Ne luftojmë kundër dështimit nëpërmjet bijësimit – adoptimit të fëmijëve të pafajshëm. Kështu kemi shpëtuar mijëra fëmijë.

Porosia jonë është kjo: “Mos e mbyt fëmijën tënd, sepse për të kemi një vend, një zemër!”. Përpos kësaj ne i mësojmë njerëzit e varfër, të gërbulurë, atyre që jetojnë nëpër rrugë mënyrat natyrore të planifikimit familjar. Të varfërit janë të mrekullueshëm…

Puna e jonë është vepër e Zotit, sepse jetën tonë ja kemi dhuruar atij, dhe ai na ka dhuruar jetën per t’ua dhuruar të tjerëve, të gjithëve. Mu për këtë, unë dhe ti, ne, jemi bashkëpunëtorët e Zotit. Parimi im themelor është ky: Punë të vogla me dashuri të madhe…”. 

Këto qendrime dhe parime Nëna Tereze i ka shprehur dhe mbrojtur me guxim, vendosmër, me fe dhe me dashuri, nga “Katedra e Paqes” në Oslo, në ditën e Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979), në Kombet e Bashkuara, kudo.

Përpos fëmijëve të palindur Nëna Tereze e ka mbrojtur jetën edhe nga kërcnimet tjera, si p. sh. nga varfëria, mjerimi, gërbula, Sida… me këtë parim: “Kudo jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”, apo me qëndrimin tjetër” “Jeta është jetë, mbroje!”. 

Si e mbronte Nëna Tereze jetën e njeriut? 

“Me Jezusin, për Jezusin, Jezusit. Për ta zbuluar, shërbyer dhe dashur Jezusin në çdo njeri, kemi nevojë të madhe për fe dhe dashuri, sepse çdo gjë e bëjmë për Jezusin, në Jezusin dhe me Jezusin, i cilin na thotë: Duane njëri-tjetrin, si ju kam dashur unë”. Ai na ka dashur deri në fund, deri në skajshmëri, deri në vdekje në kryq. Veprat tona të dashurisë nuk janë asgjë tjetër përpos shprehje dhe dhuratë e Zotit, e jetës tonë shpirtërore me të. Shi për këtë sa më shumë jemi të bashkuara me Zotin, aq më tepër mund ta duam Atë në të afërmin. Jeta fetare na ndihmon që në jetën aktive të jemi tërësisht të angazhuara kudo për ta kërkuar, dashur dhe shërbyer Jezu Krishtin në të varfërit ndër më të varfër…”. 

Çka është jeta shpirtërore sipas Nënës Tereze? 

“Është bashkim dashurie mes hyjnores dhe njerëzores, përplotësim, kërkimi i përsosmërisë dhe shenjtërisë në përditshmëri. Dashuria është fryti i çdo stine dhe kohe, gjatë tërë jetës dhe çdokush ka nevojë për të. Të gjithë mund të jetojmë në dashuri nëpërmjet meditimit, uratës, flijimit, jetës së thellë shpirtërore.

Pa Jezusin ne nuk dimë dhe nuk mund ta dashurojmë të afërmin, të braktisurin, të varfërin, të gërbulurin, atë që është në fill të vdekjes, fëmijën e palindur, askend.

Urata e zgjeron zemrën tonë për ta pranuar dashurinë e Zotit dhe për t’ua dhuruar atë të gjithëve… Unë jam personi më i lumtur në botë, sepse 24 orë në ditë jetoj dhe veproj me Jezusin dhe për Jezusin, me vëllaun njeri dhe për vëllaun njeri. Mu për këtë kurrë nuk kam dyshuar në jetën time dhe kurrë nuk kam qenë e pakënaqur, sepse jeta rregulltare nuk është lojë, çkado, por jetë në plotësi…”. 

Nëna Tereze shpesh thoshte: Sëmundja më e rrezikshme në botën e sotme nuk është kanceri apo Sida, por vetmia, mosdashuria, e cila njeriun e mbyt gjithnjë… Çdo njeri ka nevojë për dashuri, për tjetrin, mbi të gjitha për Zotin – Dashuri. Për sëmundjen e vetmisë dhe mungesën e dashurisë nuk ka “bari apo ndonjë ilaq”, përpos Zotit dhe neve…” 

 Dhe vazhdonte: “Asnjë sëmundje, as gërbula, s’mund t ashëmtojë aq njeriun sa që unë në të mos ta zbuloj Zotin Dashuri dhe vëllaun njeri”. 

Për Nënën Tereze nuk kishte ndarje, ndërprerje dhe mospërputhje mes jetës, jetës me Zotin dhe jetës me të afërmin, sepse jeta është një tërësi dhe një dhuratë e mrekullueshme, që në ndonjë mënyrë mund ta “meritojmë” vetëm nëprmjet dhurimit. Ndërsa ne shpeshherë jetën e “copëtojmë”, diçka për vete, diçka për të tjerët, diçka për Zotin… duke rrezikuar kështu gjithçka, vetveten, të tjerët, jetën tonë shpirtërore, sepse në brendi edhe ne jemi të copëtuar dhe nuk jemi të harmonizuar.

Pra, t’i kthehemi vetevetes dhe të vërtetës, jetës në stilin e Nënës Tereze, duke mbrojtur, nderuar dhe kultivuar atë në çdo fazë të saj, duke u flijuar dhe dhuruar me dashuri dhe për dashuri.

Vetëm kështu do të jemi të lumtur ne, si dëshmitarë të jetës me Zotin dhe me të afërmin, dhe do të rrezatojmë gjithnjë mirësi dhe dashuri.

Dikur ne shqiptarët jemi dalluar për të mirë me kulturën e jetës në tërësi, sidomos me pranimin e jetës së re dhe me nderimin e të  moshuarëve, dhe kjo, historikisht ishte shpëtimi ynë. Tani kultura e jetës ka një Përfaqësuese në dimensionet botërore, të Luemn Nënën Tereze, për ta krijuar edhe qytetërimin e dashurisë.

Nëna jonë Tereze na thotë: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ ka kuptim” dhe “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »