PËRSHPIRTËRIA MARTESORE

Mar 20 • Familja

Shkruan: Don Lush GJERGJI 

Ndër shumë shprehje dhe emërtime sot mjaft flitet, diskutohet, shkruhet, shqyrtojet dhe trajtohet edhe përshpirtëria martesore. Çka domethënë kjo më saktësisht dhe konkretisht? 

Jeta e re me Atin, në Jezu Krishtin e ngjallur, nën udhëheqjen dhe përkrahjen e Shpirtit Shenjt, Trinia e zbuluar dhe dhuruar në Krishtin, që shpreh të vërtetën e fesë së krishterë dhe virtytet teologjike, fenë, shpresën dhe dashurinë.

 Ky është burimi dhe themeli i përshpirtërisë së krishterë në përgjithësi, si dhe i asaj martesore, në veçanti.

 Kurora e martesës, ose sakramenti i martesës, për ne të krishterët është një ndër shtatë sakramentet, pra, ka një rëndësi dhe domethënie të madhe dhe jetësore, që teologjikisht shpjegohet dhe zbatohet si dashuria mes Jezu Krishtit dhe Kishës. “Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën” (Ef 5, 32), si dashuri, besnikëri dhe dhurim i nëdrsjellët.

Nevoja themelore e çdo njeriu është dashuria, sepse ndihemi, jemi mirë vetëm atëherë kur jetojmë dhe veprojmë me dashuri dhe për dashuri. Këtë e pohojnë dhe pranojnë të gjithë, por jo të gjithë janë të aftë, gjejnë mënyrën më të mirë dhe të përshtatshme për ta jetësuar atë.

Mu për këtë për ne të krishterët na nevojitet ndihma, përkrahja, prania e Zotit në çdo vend dhe hap, sidomos në kërkimin, gjetjen, zbatimin e dashurisë, sespe ZOTI ËSHTË DASHURI (krh. 1 Gjn  3, 16) dhe pa Të, njeriu nuk është i aftë për të jetuar në dashuri (lexo: 1 Gjn 2, 7-17; 3, 11-18).

 Martesa e krishterë, si sakrament, nën ndikimin, përkrahjen dhe dhurimin e Shpirtit Shenjt, mundëson krijesën e re të njeriut, mashkull, femër, burrë, grua, babë, nënë, që më nuk jeton thjesht në mish dhe në gjak, por prej hirit të Zotit. 

-Kjo martesë nuk është diçka vetëm natyrore, si të gjithë, ose si shumica, por shndërrohet në një  thirrje për ta   njohur, pranuar, plotësuar planin e Zotit në jetën e krishterë, jo më vetëm si person,  apo në trajtën personale, por edhe në jetën martesore dhe familjare. 

-Martesa e krishterë , pra, pranon se dashuria ka burimin e vet në Zotin, në praninë dhe ndikimin e  tij, pa të cilin njeriu mundohet kot, por nuk arrin tek ajo. 

-Martesa e krishterë është bërthama bazë e “kishës shtëpiake”, parakusht për formimin dhe  rritjen     e bashkësisë së krishterë. 

-Martesa e krishterë është mision, dërgim për besnikëri, përplotësim, bashkim, plleshmëri,  dhurim  dhe edukim të jetës së re, të fëmijëve. 

Në këtë këndvështrim martesa e krishterë është “rrugë drejt Zotit”, shenjtërisë, si dhurim dhe dhuratë e ndërsjellët në këto aspekte: 

-Së bashku për çdo ditë dhe në çdo rast e qast, para Zotit dhe para njëri-tjetrit si  persona, por edhe  si njësi dhe si bashkësi; 

-Së bashku me Zotin dhe me njëri-tjetrin në jetë, në punë, në uratë, në bashkëndarje dhe  bashkëveprim të vazhdueshëm; 

-Së bashku me Zotin për ta bërë njëri-tjetrin të lumtur, ashtu si edhe ne jemi të lumtur për këtë  shoqëri dhe komunikim të dyfishtë dhe të plotë; 

-Së bashku për Zotin, kuptohet, gjithnjë edhe me njëri-tjetrin, për apostolatin apo dërgimin dhe  dëshminë e jetës së krishterë. 

Gjithë kjo kërkon vazhdimisht një rritje, formim, që pastaj shprehet edhe në dërgim dhe dëshmi në jetën e krishterë martesore. Mirëpo të gjithë e dimë, po shohim dhe përjetojmë se dita-ditës familja në përgjithësi, si dhe dhe familja dhe martesa e krishterë, pëson ndërrime, ndryshime, sprova, rreziqe, të cilat shpesh shkaktojnë mosmarrëveshje, grindje, përçarje, deri edhe ndarje dhe shkurorëzime.

Shkaktarët e kësaj situate janë të shumëfishtë dhe të ndryshëm, si punësimi i femrave, grave, lëvizja e shpesh për shkaqe pune, banimi, “emancipimi” i rrejshëm dhe i gabuar i botës femrore, mosaftësia për përballim të përbashkët të çështjeve jetësore dhe martesore, familjare, individualizmi i tepruar, shfrenimet epshore, mentaliteti materialist dhe hedonist, mospërfillja e flijimit dhe dhurimit… 

Në kostatime të gjendjes pak a shumë ka pohime të ngjashme apo të njëjta, mirëpo në kërkimin e ndërrimeve dhe përmirësimeve të kësaj gjendje, qëndrimet janë të llojllojshme, shpesh edhe kundërthënëse. 

“Jeta në dy është e pamundshme pa të Tretin – Zotin.” 

Shën Augustini ndër të tjera thoshte: “Askush nuk është mik i vërtetë i njeriut pa qenë mik i së Vërtetës… Ne shkojmë kah Zoti jo duke ecur, por vetëm nëpërmjet dashurisë, sepse Ai është në mua më shumë se unë në vetveten…”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »