PLANI I ZOTIT – JETA JONË

Mar 20 • Teologji

SHKRUAN: Don Lush GJERGJI 

Zoti ka plan me çdo njeri. Plani i tij është lumturia jonë, dashuria, sa është e mundshme në këtë jetë dhe botë, sidomos amshim i lumtur. Mirëpo fill shtrohet pyetja: si të zbulohet dhe zbatohet plani i Zotit në jetën tonë? “Jeta është projekti i Zotit me ne” (Dietrich Bonhoffer). Sokrati thoshte: “Jeta pa kërkim nuk është e denjë për t’u jetuar”. 

Do të nisemi nga Zanafillja: “Hyji krijoi njeriun në përgjasimin e vet, e krijoi në përgjasimin e Hyjit; i  krijoi mashkull e femër” (Zan 1, 27). 

Pasoja e parë e krijimit është përgjasimi i njeriut me Zotin.Atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtiu frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë” (Zan 2, 7). 

Jemi të krijuar për t’i përngjarë Zotit, që dmth. që shpirti i tij e dallon nga çdo krijesë tjetër në këto tri shkallë apo dimensione kryesore: mendore, morale dhe shoqërore. 

Mendore: njeriu ka aftësi për të menduar, njohur dhe zgjedhur, gjë kjo që vetë Zoti ia ka dhuruar dhe mundësuar vetëm njeriut. 

Morale: njeriu i parë  ishte krijuar në drejtësi dhe në pafajësi, si pasqyrim i shenjtërisë së Zotit, që ka ndërgjegjie nëpërmjet së cilës vlerëson jetën dhe veprimet e veta dhe të tjerëve. 

Mu për këtë “Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira” (Zan 1, 31). 

Shoqërore: sepse Zoti e kishte krijuar njeriun e parë, Adamin, për të komunikuar me Hyjin, pastaj edhe me gruan e tij. 

Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zan 2, 18), përzgjidhja dhe bashkëjetesa me partnerën e jetës. 

Në këto tri aspekte njeriu më së shumti i përngjan Zotit, veçmas nëpërmjet shpirtit të pavdekshëm dhe kërkimit të lumturisë së pasosur

Njeriu është person i hapur, në lidhje dhe marrëdhënie, i lirë dhe aftë për njohuri, zgjidhje, për dashuri, përgjegjësi për vete dhe për të tjerët, dhe si i tillë e zbaton përgjasimin me Zotin. 

Pasoja e dytë e krijesesë njeri është bipolarizmi, gjinia e dyfishtë, mashkull – femër, përplotësimi, nevoja dhe domosdoshmëria për njëri-tjetrin. Plani i Zotit është i qartë jo vetëm në krijim, mashkull-femër, por edhe në një urdhër tjetër: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë” (Zan 1, 28). 

Nga kjo rrjedh qartas se shtimi i gjinisë njerëzore është urdhër hyjnor, si dhe sundimi i tokës dhe botës. 

A është e mundshme që njeriu t’i plotësojë sot këto kërkesa dhe urdhrime hyjnore, apo kjo është një lloj utopie, ëndërre pòr dikur dhe dikë, apo vlen edhe sot dhe gjithnjë dhe për të gjithë? 

Mendoj se është e mundshme, edhe pse jo e lehtë, sidomos pa Zotin, pa jetën shpirtërore, pa pregaitje sa më të mirë përkatëse. 

    PËRGATITJA PËR JETËN MARTESORE DHE FAMILJARE 

Përgatitja për jetën martesore dhe familjare duhet të jetë në dy nivele, personale dhe familjare. 

 Personale, që ta kemi formimin tonë njerëzor, fetar, moral, kulturor, për ta njohur, pranuar dhe zhvilluar vetveten në çdo aspekt. 

 Familjar, për t’u njohur, përgatitur dhe zhvilluar në harmoni me të tjerët, antarët e familjes, si përgatitje e largët edhe për partneritet  martesor. 

Kush ka përvojë negative në edukim gjatë fëmijërisë dhe rinisë, në nivelin personal dhe familjar, është në gjendje të konfilkteve të pazgjedhura, shpesh atë e bart edhe në jetën martesore, me shpresë se do t’i zgjidhë ato pothuaj në mënyrë automatike dhe spontane. 

Gabimi bazik i shumë të rinjve është ky: janë thellë të bindur se mjafton gjetja e një vajze apo djali të bukur, të shëndoshë, të mençur, simpatik, mundësisht edhe të pasur…, dhe çdo gjë do të jetë në rregull gjatë tërë jetës martesore dhe familjare… 

Po të ishte kështu, shumica, mos të them të gjithë, do të ishin të lumtur… 

E vëreta bazë është kjo: Pa Zotin – Dashuri, nuk ka as njeri, si pikënisja e jetës së krishterë, pra, edhe e asaj martesore dhe familjare. 

Kultura e sotme materialiste dhe hedoniste e trajton seksin si një lloj “malli” për shkëmbim dhe harxhim, pa ndonjë rregull dhe përcaktim moral. Bile kjo dukuri ka shkuar aq larg sa që manipulohet edhe me shprehje apo parime si kjo: trupi është i imi dhe unë bëj më të çka dua, çka më pëlqen, çka kam nevojë…!!! 

Seksi, trupi, është një mjet i fuqishëm i komunikimit ndërnjerëzor, ndërgjinor dhe e karakterizon njeriun si mashkull dhe femër. Marrëdhënia apo lidhja seksuale është ndërgjinore, si e tillë akti më i lartë dhe më i shenjtë i komunikimit, dhurimit, dashurisë. Për ne të krishterët është i lejueshëm, i mundshëm, i pranueshëm dhe pëlqyeshëm vetëm në martesë. Çdo veprim i tillë paramartesor apo jashtëmartesor, është keqpërdorim i trupit, seksit, pra, i vetvetes dhe tjetrit, moment “shfrenimi” për epshe, mëkat i rëndë, një lloj “vjedhjeje” e jetës dhe lumturisë së tjetrit. 

Shumë pyesin sot: përse është mëkat një lidhje dhe marrëdhënie seksuale mes dy personave të gjinive të ndryeshme, nëse ata janë të lirë, kanë arritur moshën madhore, duan njëri-tjetrin, ndoshta edhe kanë qëllim serioze që më vonë edhe të martohen? 

Përgjigjia është shumë e thjeshtë, e qartë dhe bindëse për moralin e krishterë: sepse mungojnë kushtet bazë, përgjegjësia për njëri-tjetrin dhe për jetën e të tretit, fëmijës, si dhe kushti bazë, dashuria e cila vuloset dhe legjitimohet vetëmm në sakramentin e kurorës së martesës 

  ETIKA DHE PËRSHPIRTËRIA FAMILJARE 

Etika është vlerësimi dhe ndikimi i  regullit natyror, asaj që ka krijuar dhe dhuruar Zoti, dhe ka thadruar në natyrën dhe ndërgjegjen e njeriut. Etika e familjes është njohja dhe pranimi i jetës martesore sipas parimeve për të cilat folëm më parë: përplotësimi, dhurimi, dashuria, besnikëria, lindja dhe edukimi i jetës së re, fëmijëve. 

Etika  martesore dhe familjare është nderimi, pranimi, trajtimi i tjetrit si person – njeri si dhe mundësimi i realizimit  të përbashkët në dy – në martesë dhe në familje. 

Martesa, pra, është bashkimi i dy personave njerëzore, burrë dhe grua, në dashuri, të cilët lirisht zgjedhin njëri-tjetrin, pëlqehen, pranohen, jetojnë në dashuri dhe së bashku gjatë tërë jetës, të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj jetës, si të tillë janë bashkëkrijues. 

Ky komunikim nuk është vetëm trupor, seksual, por përfshin tërë personin dhe është shprehje e nderimit, pranimit, dhurimit, dashurisë dhe lumturisë së ndërsjellët. 

Mu për këtë është së pari shprehje e dashurisë së Zotit për njeriun, e nga kjo, edhe e njëri-tjetrit. Dashuria burimin e ka në Zotin, si dhurim i plotë, falas, pa kushte, dhe pa Të njeriu nuk është i aftë për të pranuar dhe dhuruar dashuri. 

Dashuria ndaj të afërmit është masa e dashurisë për Zotin” (Edit Stein). 

 Kjo thënie mund të zbatohet bukur edhe në jetën bashkëshortore. 

“Arkitekti” i dashurisë mes Atit dhe Birit është Shpirti Shenjt, pra, edhe mes qiftit martesor. “Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni veprat e mishit e të gjakut” (Gal 5, 16). 

Një grua e bukur u pëlqen syve, ndërsa një grua e mirë i pëqen zemrës. E para është bukuri, e dyta është pasuri” (Honore de Balzac).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »