KULTURA POLITIKE SHQIPTARE (I)

Mar 26 • Opinion

Shkruan:  Zef Ahmeti *

 

 1. Kultura politike shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare deri te krijimi i shteti shqiptar

Një kulturë politike shqiptare mund ta lokalizojmë në fazën parashtetërore të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 1912, e cila ndërlidhet me procesin e përpjekjeve shqiptare për t`u shkëputur nga një perandori në rënie e sipër. Kjo kulturë politike do të fillojë me frymën e Rilindjes Kombëtare shqiptare, që do të shfaqet te elita e ngushtë shqiptare dhe te familjet shqiptare në hierarkinë e shtetit osman. Kjo kulturë do ballafaqohet me fragmentimet e trashëguara, utopi dhe qëndrimet e ndryshme përballë nevojës së kohës dhe përpjekjes për një rikthim në identitetin e përbashkët kombëtar shqiptar, një përpjekje e sfiduar me pengesa të shumta sidomos brendashqiptare e të ndihmuara jashtëzakonisht edhe nga faktorët e jashtëm. Faza e rënies së Perandorisë Osmane, përkatësisht ikja nga kjo perandori do t`i gjejë shqiptarët të varfëruar ekonomikisht dhe shpirtërisht.

            Gjatë sundimit osman një pjesë e administratës u lihet në dorë familjeve të mëdha shqiptare. Sipas historianit turk Ahmet Xhevdet Pasha: “Shqipëria ishte një vend i varfër dhe i ashpër, i banuar prej një popullsie luftarake dhe të panënshtruar. Për të shmangur që kjo trevë të shndërrohej në një vatër të përhershme trazirash, Sulltanët e kishin quajtur të udhës që postin e mëkëmbësit të tyre, t`ia besonin në formë „trashëgimore“ njerëzve me ndikim, por edhe besnikë. Nga ky ushtrim tepër i gjatë i pushtetit dhe pesha që u jepte ai në sytë e popullit, këto shtëpi i kishin krijuar në rrjedhë të shekujve “pushtetin-familje“, ishin kthyer në brezni dinastësh dhe kishin qeverisur vendin“. Ndërsa me reformat e Tanzimatit (1839-1876) këtyre familjeve do u hiqeshin këto pozita dhe privilegje. Përpjekjet e tyre për ta mbrojtur ketë rend brenda Perandorisë Osmane që përkrahej edhe nga fisnikëria e mesme dhe lokale, zaimët, spahijtë, degjirët, mbase edhe nga malësorët, të cilët mercenarinë e shikonin si burimin e vetëm të fitimit, flasin për kulturën politike të kohës, dhe se kjo rezistencë do të dështojë edhe për faktin se, shqiptarët „nuk qenë kurrë të bashkuar dhe nuk vepruan kurrë në të njëjtën kohë“.

Me rënien e perandorisë osmane lidhjet fisnore dhe familjet e mëdha shqiptare do të përjetojnë një ndryshim paradigme në të gjitha sferat e jetës; në njërën anë do të kemi përpjekjen për “evropianizim” përkatësisht “modernizim”, kurse në anën tjetër si qëllim kemi diskursin e “entosmanizimit” (largimit nga osmanizma). Në shoqërinë shqiptare ne do të kemi një shpërpjestim mes formës së jashtme dhe përmbajtjes së brendshme. Gjithkund klasa politike do përpiqet të orientohet në shembuj e idole evropiane, në jetën publike, politikë dhe administratë si dhe në sferat e tjera, mirëpo strukturat mentale dhe sistemet e vlerave nuk do të mund të përvetësohen me sukses. Në njërën anë, bëhej përpjekja për t’iu afruar Evropës duke u munduar të pranoheshin tendencat e modës Evropiane, mirëpo mbesin ende shumë larg qëllimit për ta hequr trashëgiminë e sundimit osman. Edhe më pas do sundojë mentaliteti kolektiv i sjelljes dhe të menduarit. Marrëdhëniet dhe lidhjet familjare do të dominojnë, sikundër në të gjithë Evropën Juglindore edhe tek shqiptarët. Forma kolektive e të menduarit është si element tjetër që bien ndesh me individualizmin evropian, ku si bazë ka idenë e (ç)lirimit (jo egoizmin). Ndërsa mënyra kolektive e të menduarit do të jetë pengesë e zhvillimit të mëvonshëm të demokracisë në të gjithë Evropën Juglindore, ku si pika kryesore hyjnë ideologjitë politike populiste nacionaliste që lidhen edhe me kultin e udhëheqjes.

 

2.Kultura politike në Shtetin Shqiptar (1912)deri te Lufta II Botërore

 Me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, do të fillojë edhe institucionalizimi i bartësve të kulturës politike shqiptare dhe tani mund të flitej për kulturën politike të shtetit shqiptar, meqenëse me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve (Londër, 1913) jashtë saj do të mbetet një pjesë e madhe e vendbanimeve shqiptare. Sipas Eqrem bej Vlorës “Pas vitit 1912 fati deshi që unë të qëndroja në atdhe, Shqipëri… në Shqipërinë e lirë të viteve të para nuk do të kisha jetuar dot gjatë atje. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa e rendit dhe intrigat, keqkuptimet dhe për gjëra më të thjeshta, ishin në Shqipërinë e asaj kohe dukuri bashkëshoqëruese normale për çdo këmbim mendimesh dhe për çdo veprimtari. Ato ishin pasojë e papjekurisë shpirtërore, shoqërore, ekonomike dhe politike të popullit, por në radhë të parë i zvetënimit moral të shtresave të larta dhe të mesme, që me kërkesat dhe mëtimet e tyre të pathemelta ia rënduan aq shumë jetën shtetit të ri, sa vështirë që ai të rritej e të zhvillohej shëndetshëm. Kaosit të vështirësive të brendshme i shtoheshin ngatërresat e shteteve fqinje, të cilat kanë qenë prej kohësh një kërcënim i përhershëm për ekzistencën e Shqipërisë: grekët, serbët dhe italianët, por edhe turqit, rrekeshin t`a mbysnin që në shpërgënj këtë foshnjë të lindur mes njerkash smirëzeza. Të mos kishte qenë dora shpëtimtare e Monarkisë Austro-Hungareze (të cilës, me hir apo pa hir, iu bashkua edhe Italia), që u ngrit në mbrojtje të Shqipërisë, përpjekja e parë për të krijuar një Shqipëri të mëvetësishme, do të kishte qenë sot një ëndërr tashmë e harruar.” Nga kjo që na sjell një protagonist i kohës mësojmë edhe për nivelin e kulturës politike në atë kohë, edhe pas shpalljes së pavarësisë, ku flitet për papjekuri, fërkime dhe kaos të brendshëm. Zhvillimi politik i shtetit shqiptar ishte i përcjellë nga “jostabili-teti i brendshëm dhe kërcënimet e jashtme” dhe kjo shprehet edhe në historinë e zhvillimit jo vetëm politik por edhe në atë juridik dhe kushtetues. Kultura politike shqiptare do të fillojë të marrë nuanca dalluese dhe caqet e tyre do të dallojnë varësisht se kush e bënte atë se, a ishte fjala për kulturën në shtetin shqiptar apo në atë jugosllav. Pas rivendosjes se kufijve që nga 1913-ta, tek shqiptarët do të fillojë jo vetëm dallimi i prioriteteve të tyre por edhe bërja e politikës sipas këtyre interesave e rrethanave të reja, të cilat do të ndikojnë edhe në kulturën politike. Ky dallim do të shfaqet edhe në fillim të viteve 90-të. Përderisa shqiptarët e Shqipërisë kishin sfida dhe interesa krejt ndryshe, shqiptarët në ish-Jugosllavi do të ballafaqohen me sfida politike të një natyre po ashtu krejt tjetër.

Sipas Mit`hat Frashërit, shqiptarët si komb kanë trashëguar karaktere të liga nga e kaluara, të cilat duhet të hidhen poshtë, të mos trashëgohen me tej. Sundimi pesëshekullor i Turqisë, një sundim nga më të zezët që ka njohur historia e botës, na ka shtuar të metat e vjetra, duke na pakësuar virtytet – thoshte ai. Mit’hat Frashëri thotë se turku na mësoi të jemi akoma më përtacë, më të harbuar; me anadollakun si jeniçer ose bashibozuk, kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bagdad dhe në Jemen; më vonë jemi shkruar zaptije për një mexhitkë në muaj, dhe kemi vdekur në Gjirit, na janë zbardhur eshtrat në rërë të Fizani. Kjo jetë bashibozuke dhe kondotiere, një rrojtje ku shisnim jetën tonë për një kacidhe dhe i merrnim shpirtin e tjetrit për më pak akoma, na mësoi që të mos e duam ligjin, që mos e njohim, të mos i bindemi. Na stërviti edhe një herë më tepër që të rrojmë me rrëmbim dhe jo me djersën e ballit tonë. Me këtë mënyrë shumica e Shqiptarëve duke pasur mendjen në aventura në Misir dhe në Konie, në Rusçuk dhe në More, vendin tonë e lamë fare të shkretë: lumenjtë buçitnë, fushat u mbytën, malet u zhveshën. Edukata që morëm në oxhakët e jeniçerëve na bëri të jemi të këqij dhe të padrejtë kundra vëllezërve tanë më të dobët, të humbasim çdo ndjenjë dhe virtyt kombi, të gjendemi si fis i egër, armik dhe i përçarë me njëri-tjetrin, pa asnjë farë bashkimi, indiferent në përparim, të mërguar prej çdo lumturie materiale, meqenëse të larguar nga bashkimi, pa bashkëpunim dhe pa solidaritet. Dhe kështu, shekulli i nëntëmbëdhjetë, kjo kohë e dritës, e qytetërimit dhe e zgjimit të ndjenjave kombëtare, na gjen, neve shqiptarët, krejt në gjumë, pa njësi, pa bashkim, pa literaturë, sa dhe pa alfabet. Na u desh një forcim i madh që të zgjohemi prej afionit që na kishte dhënë sundimi i osmanxhikut. E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi ne si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë, një kohë errësire që mend e shoi çdo ndjenjë njerëzie, çdo cilësi njeriu të ndershëm. Në qoftë se kujtojmë këto të këqija, e bëjmë që të bindemi mirë për shëmtimin e tyre, të ndjejmë thellë në zemër fajin tonë, qoftë dhe një faj i pjellë prej konditave fatale të jetës dhe të rrethanave. Duke parë në këtë mënyrë thellësinë e greminës ku kemi jetuar, do të kuptojmë dhe më mirë detyrën që na bie mbi supe që të lëkundemi fare nga influenca e zezë, që të shpëtojmë nga pushtimi i një jete gjysmë barbare. Inatin dhe zemërimin mund ta kemi për veten tonë, se vetëm ne do të jemi të përgjegjshëm, vetëm ne do të pësojmë prej dëmit që do të na vijë. Po, kur është fjala për dobinë e përgjithshme, kur kemi të bëjmë me interesin e kombit, atëherë na duhet sjellje e matur, prudencë perseverente, që të ecim mengadalë dhe me siguri. Vetëm kështu, duke ecur dhe jo duke rënë me hundë, mund që të bëjmë të zhduken të metat e mbledhura dhe të grumbulluara gjer më sot, të sjellim ato cilësi që e bëjnë njerinë e egër një komb të butë, që e bëjnë fisin barbar një popull të qytetëruar, të fitojmë virtytet që bien bashkimin, bashkëpunimin, solidaritetin ndërmjet miseve të një trupi, të njohim ligjin, t’i bindemi vullnetarisht kombit, t’i shtrohemi një farë robërie të ëmbël që na shpëton nga jeta e ashpër. Ndërsa Krist Maloki e shihte luftën mes orientales dhe oksidentales, një konflikt botëkuptimesh të kulturës politike mes orientalistëve dhe oksidentali-stëve. Orientali shqiptar të gjitha të mirat materiale i pret për vete dhe i ngjitet trupit kolektiv shoqëror dhe i thithë gjakun pa drojë e pa skrupull. Ai për ideal ka kulltukun dhe instinktin e ujkut monoambulant, t`ujkut tek. Ndërsa kjo frymë, sipas Malokit, te shqiptarët në vitet e ’30-të, e kishte ngulfatur mundësinë për veprimin e oksidentalistëve, përkatësisht frymën oksidentaliste që lidhej me një djalëri të shkolluar dhe vetangazhuese me obligime të rënda edhe jashtë asaj zyrtare, që lidhet me heroizëm jo për kolltukë, por për avancim të idealit kombë-tar, identifikimin e tij me botën rreth tij dhe pjesëmarrjen e tij në këtë botë.

Është interesant zhvillimi i statuteve dhe kushtetutave të Shtetit shqiptar të cilat përcillen me kriza të ndryshme e që reflektojnë një gjendje në aspektin historik të një pjese të kulturës shqiptare politike e juridike. Ky zhvillim historik tregon se faktorët e jashtëm kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke filluar me aktin themelues kushtetues të vitit 1913, pastaj me nxjerrjen e statutit organik si kornizë kushtetuese të vitit 1914 kur ato nuk kishin dalë nga përfaqësuesit e popullit apo të elitave sociale shqiptare me shpalljen e pavarësisë me 1912, por ishin akte që vinin nga diplomatët e fuqive të mëdha. Lufta parë botërore do ta ndërpresë kontinuitetin shtetëror të Shqipërisë. Me Kongresin e Lushnjës do të rifillojë ky sovranitet e do të nxirret Statuti i Lushnjës (1920), pastaj do të vijojë Statuti i zgjeruar i Lushnjës (1922). Më tutje me revolucionin dhe kundërrevolucionin, që do ndodhë në mesin e viteve të ’30, do të kemi ngjarje të tensionuara brenda vendit, ku do pasojë diktatura e Ahmet Zogut, i cili fillimisht nxjerr një kushtetutë presidenciale (Statuti Themeltar i Republikës Shqiptare 1925) si udhë lidhëse për të kaluar në vjeshtën e vitit 1928 në një diktaturë mbretërore me Statutin Themeltar të Mbretnisë Shqiptare.

Lufta e Dytë Botërore do ta ndërpresë po ashtu kontinuitetin e pavarësisë së Shqipërisë me pushtimin nga trupat italiane (1939). Ndërsa tre kushtetutat (1946, 1950, 1976) të periudhës së diktatorit komunist Enver Hoxha reflektojnë rrugën e Shqipërisë si satelite e Jugosllavisë, si kryeurë lidhëse e Bllokut të Lindjes për të kaluar drejt vetizolimit. Këtu duhet nënvizuar fakti se, kushtetutat e Shqipërisë komuniste japin në mënyrë fiktive se si sistemi është i legjitimuar nga populli si demokraci popullore, ndërsa në realitet pushteti që nga viti 1944 deri në vitin 1991 ishte në duart e Byrosë Politike. Pas zgjedhjeve të reja të vitit 1991, mundësohet vetëm një kushtetutë e përkohshme   organizative (Dispozita Kushtetuese), për shkak të bllokimit politik të brendshëm, e cila pas ndryshimit të pushtetit në vitin 1992, do të plotësohet disa herë, ndërsa nxjerrja e një kushtetute e re do të dështojë në referendumin e vitit 1994.  Shqipërinë, në 10 vitet e para në pluralizëm do ta sfidojnë krizat e ndryshme të brendshme politike. Në aspektin e kulturës politike, diktatura komuniste i kishte vënë vetës të edukojë një shoqëri homogjene, lehtësisht të manipulueshme. Ismail Kadare thotë: “Ne dimë çka bëri Hoxha me programin rilindas. Psikozën kundër otomanizmit e ktheu në psikozë kundër kapitalizmit. Programin properëndimor, në të kundërtën e tij. Modelin zviceran në atë sovjetik e kinez. Harmoninë fetare në ndalim të gjithë besimeve. Shthurja morale e pjesës më të madhe të klasës politike shqiptare, mungesa e përkushtimit për vendin, shpallja e kësaj shthurje dhe kësaj mungese përkushtimi si diçka moderne dhe tallja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e atyre që mendonin ndryshe…

Nga një letër e Mustafa Krujës e shkruar në 14 nëntor 1948 që i drejtohet Ismail Goranit thuhet: „…tue qênë se me sa pásh gjatë vjetve të luftës në Shqipní edhe deri sod përjashta, secili Shqiptar po beson se ka mênd mjaft jo veç për veti, por edhe me u falë tjerve sa të duen ! E tue pasun këtë besim të madh në vetveti, prap secili Shqiptar s’duron me i a qitun tjetri asnji kâmbë para, por shumë – shumë me qênë baras me tê. Kjo më duket mue se âsht plaga e jonë mâ e madhja. Sepse kështu s’munden kurrsesi me shkue mbarë punët e kombit. Në nji komb ku të tânë duen me qênë të parë e komandanta, në nji shoqní ku mbretnon vetëm egoizma personale, ku interesa e soçme a e nesërme e  secilit vêhet përmbi atê të përgjithshmen, ku mënija e shoqit e mund dashtunín e atdheut, i urti s’ka shka bân tjetër veçse me u tërhjekun në nji qoshe, mos me bâ zâ e me plasë me zêmër ase me bâ shka âsht i zoti në krye të vet. Mue për veti m’u mbush mêndja me i a varë kumbonën e parís për punët t’ona njâj të vetmi qi kam besue për mâ t’aftë se veten t’eme e me u bâ ushtar i thjeshtë. Kjo âsht arsyeja qi më ka prû këtu ku po gjindem.“ Familjet shqiptare që do përpiqen ta ruajnë ndikimin dhe interesat e tyre, qoftë duke u mbështetur në trashë-giminë e privilegjeve osmane qoftë në natyrën e organizimit fisnor sipas të drejtës zakonore shqiptare, do të bëhen pengesë në ngritjen e një shteti centralist, sepse këtu mëtohej të ruhej autonomia e atyre ashtu si e kishin edhe gjatë periudhës osmane. Ky fragmentarizim vërehet edhe në kuadër të rezistencës kundër apo edhe në kuadër të bashkëpunimit me italianët dhe gjermanët gjatë periudhës së pushtimit nga këto dy vende. Veprimet e te dy anëve dhe grupeve nuk do të lidhen në ideologji politike. Aktivitetet sociale të shqiptarëve ishin të lidhura ngushtë me vetëdijen grupore familjare. Kështu ka ndodhur që nëse një familje armike, e hasmuar, ishte pozicio-nuar në njërin apo tjetrin krah, tjetra kishte marrë sigurisht një qëndrim ndryshe. Kështu që interpretimi politik i rezistimit dhe bashkëpunimit në bazë të ideologjive politike tek shqiptarët është relativ, mbase më mirë do i përshtatej shprehja mik dhe armik. Pra kriteret evropiane të analizimit të sjelljeve politike shqiptare gjatë kësaj kohe janë vetëm kushtimisht të përdorshme. Si rezistimi po ashtu edhe bashkëpunimi nuk mund të paraqiten në një skemë të vetme sepse bashkëveprimet e shqiptarëve kanë qenë, qoftë në këtë apo atë krah, tejet të padukshme e të paqarta. Kemi të gjitha variacionet e mund-shme të motiveve politike. P. sh., disa ballistë ishin kundërshtarë të zogistëve që fillimisht bashkëpunonin me italianët, e më vonë do t’i luftojnë këta të fundit. Pastaj të njëjtët do të bashkëpunojnë prapë me gjermanët, disa ballistë të tjerë asnjëherë nuk kanë qenë antizogistë, fillimisht i bashkangjiten kryengritjes zogiste, pastaj frontit nacionalçlirimtar, pastaj me thyerjet që pasojnë pas marrëveshjes së Mukjes bashkëpunojnë përsëri me gjermanët e kështu me radhë. Një qëllim i përbashkët shihet te të gjitha grupet. Ato nuk dëshironin në asnjë mënyrë të shuheshin nga skena politike e Shqipërisë. Kështu Balli Kombëtar bënte taktikat e veta me bashkëpunimin me gjerma-nët, por që mbante hapur opsionet e bashkëpunimit me aleatët e perëndimit. Simpatia e Legalitetit ishte në krah të vendeve aleate të kohës, mirëpo përpiqej ta shfrytëzonte prezencën gjermane. Ndërsa komunistët ishin zyrtarisht të lidhur me aleatët, por edhe me të gjitha grupet e tjera të gatshme kryengritëse që i nënshtroheshin atyre, mirëpo qëllimi i tyre lidhej me simpatinë politike staliniste të Bashkimit Sovjetik.

Krist Maloki i kritikonte “enciklopedistët e Tiranës” për qasjen e tyre politike dhe kulturore ndaj kombit dhe atdhedashurisë shtetërore. Ai gjykonte se gabimi më i madh qëndronte te përpilimi i planeve politike shtetërore pa marrë parasysh se a janë ato të përshtatshme për kombin shqiptar. Ai projektuesve të ideve jo adekuate për kombin dhe politikat kombëtare u thoshte se duhen larguar sepse këta politikëbërës nuk e njihnin popullin e vet. Ai përfaqësonte mendimin se zgjidhja e “problemit shqiptar” kërkonte para së gjithash shumë mend dhe shpirt. Kurse ishte tejet kritik ndaj, siç i quante ai, “djelmninë shqiptare që ishte mësuar me shikue kombin nëpërmjet syzeve të disa vagabondëve të tymosur kafenesh apo edhe të pseudo-pedagogëve pedantë e skolastikë.” Ai kritikon edhe autorët e huaj që nuk kanë qenë të aftë e nuk kanë marrë kurrë përpjekjen e duhur dhe objektive me i’u kushtue problemeve shqiptare. Si rezultat i këtyre rrethanave ai identifikon ndër djelmninë shqiptare një anarki pikëpamjesh, mendimesh mbi kombin, popullin e vendin. Maloki kërkonte analiza të thella studimore. Në këtë diskurs ai shpëtimtarin e kombit e shihte në kulturën e fantazisë krijuese si Platoni, një panzofi konstruktive të Aristotelit, një shpirt plastik si Perikliu; një entuziazëm si Akibiadi, një retorikë rrëmbyese si Demosteni, e para se gjithash një vullnet vetëflijues si Sokrati. Ndërsa ai ishte i vetdijshëm se persona të tillë ishin fati i kombeve që i dërgohen popujve shumë rrallë gjatë historisë. “Një gabim tjetër, që bahet ma fort nga populli ynë naiv, thotë se çdo njeri që ka ndjenjë do kohë n`Evropë asht bam i kulturuem… n`Evropë nuk janë të gjithë të kulturuem. Përkundrazi…Evropa, pra, nuk të bën pahir të kulturuem, jo, Evropa të jep vetëm rastin, po pate veti e prirje kulturore, me i zhvillue këto më me dobi në një rreth ma të gjanë e ma të përparuem se në Shqipni…

 

3. Kultura politike shqiptare gjatë regjimit komunist

 Me depërtimin e ideologjisë së komunizmit, ky sistem totalitar në Shqipëri do të mbizotërojë në të gjitha sferat e jetës së shqiptarit. Ky sistem do t`i fusë në palcë frikën qytetarit aq sa do të krijojë kulturën politike të frikës dhe dëgjesës në të gjitha sferat e tjera të jetës që ishin pjesë e shoqërisë ndër shekuj, duke i ideologjizuar në frymën e marksizmit e leninizmit, frymuar nga Byroja Politike për vite me radhë në emër të krijimit të “njeriut të ri” duke e instaluar atë si “vlerë e ndërgjegje” deri në perversitet. Ky regjim nuk do të jetë vetëm “triumfi” i diktatorit Enver Hoxha, ngase këtë sistem do ta mbështesë edhe masa, duke i “lejuar” atij të marrë pushtetin e autoritetit absolut. Ndërsa kasta e lartë, udhëheqëse, që ndryshe quhej edhe nomenklatura e lartë, e sidomos anëtarë e byrosë, gëzonin privilegje të mëdha mbase edhe bënin edhe jetë pashallarësh. Me të marrë pushtetin komunistët do të fillojnë me likuidimin e të gjithë intelektualëve të “vjetër borgjezë”, të cilët do të zëvendësohen me fanatikë tejet të padijshëm e të marrë të Partisë së revolucionit. Lufta për pushtet dhe mbajtja e tij përcilleshin me predikimin e krijimit të “kulturës së re” duke kaluar në mohimin total dhe ekstrem të krejt kulturës së vjetër “konservatore e reaksionare”. Në regjimin e ri kultura do të ketë rolin e saj të lidhur ngushtë në shërbim të plotë me qëllimet dhe interesat e diktaturës dhe propagandës totalitare. Ky diskurs i kulturës diktonte se ç’duhej të bënte njeriu i ri i kulturës së re që të ishte konform ideologjisë komuniste e në harmoni me politikat e byrosë politike. Me spastrimet mbas luftës antifashiste dhe krijimin e shtetit komunist, sidomos me likuidimin e rezistencës së klerit dhe inteligjencës katolike që u likuidua pamëshirshëm, më vonë do të përfundojë çdo përpjekje disidente nga klasa e intelektualëve të fushës së kulturës. Strategjia e terrorit ishte pastrimi i elitës shqiptare të shkolluar në perëndim duke i masakruar ose duke i dergjur nëpër burgje dhe kampe pune shfarosëse. Gjatë luftës së Dytë Botërore spastrimi do të bëhet edhe nga luftimi dhe vrasja e krahut nacionalist të djathtë shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë.

*Autori është zëvëndësdrejtues i Albanisches Institut në St. Gallen dhe autor i librit Çfarë është kultura shqiptare, Tiranë St. Gallen 20014. Ky shkrim është pjesë i këtij libër.

Fusnotat i ka hequr redaksia e Dritës. Nëntitujt janë të redaksisë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »