E DIELA E LARIT DHE E MUNDIMIT TË ZOTIT

Mar 27 • LEXIMET E SË DIELËS

Hyrja kremtore e Jezusit në Jerusalem

 

Leximi parë Is 50,4-7

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.

Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.

Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.

Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi: 22(21)

 

Ref: O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje.

 —————————–———————————-

Gjithkush me shikon, me përqesh,

shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,

le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

—————————————————————-

Në rrethuan qen me shumicë,

turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.

M’i  shporuan duart e këmbët

mund t’ i numëroj të gjithë eshtrat e mi.

—————————————————————-

Petkat e mia ndër vete i ndajnë

e mbi petkun tim qesin short.

Por, ti, o Zot, mos rri larg meje,

fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

 

——————————————————————

E unë do t’ ua shpall vëllezërve Emrin tënd,

do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.

———————————————————————–

Leximi dytë Fil 2,6-11

 

Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar  Filipianve

 

Krishti Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj,

barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten

duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq.

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë:

‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.

 

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbreti lavdisë së amshuar!

Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje,

mu deri në vdekje në kryq.

Prandaj edhe Hyji e lartësoi

dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.

Lavdi ty o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli Mk 14,1-15,47

 

Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Markut

 

Pas dy ditësh do të ishin Pashkët dhe Pabrumet. Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta zënë me dredhi Jezusin e ta vrasin. Sepse thoshin: “Jo në Festë, assesi, që të mos bëhet kryengritje në popull.”

Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit të Gërbulur. Ndërsa ishte ulur të hajë bukë, hyri një grua me enë alabastri me erëra të mira nardi të pastër e të shtrenjtë. E theu enën prej alabastri dhe ia zbrazi Jezusit mbi kokë. Për këtë punë disa u hidhëruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit: “Pse të derdhet ky parfum? Parfumi mundi të shitej më shumë se treqind denarë e t’u jepeshin skamnorëve.” Dhe e prozhmonin atë grua.

“Lëreni! Pse po e trazoni ‑ u tha Jezusi. ‑ Ajo kreu një vepër të mirë kundrejt meje. Sepse, skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete dhe do të mund t’u bëni mirë kur të doni, përkundrazi mua nuk do të më keni gjithherë. Ajo bëri çka mundi: që më parë ma leu trupin tim për varrim.  Përnjëmend po ju them: kudo që ‑ në botën mbarë ‑ do të predikohet Ungjilli, do të tregohet edhe çka bëri kjo ‑ në përkujtimin e saj.”

Judë Iskarioti, njëri prej të Dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë Jezusin.

Kur ata dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i japin të holla. Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit e tij i thanë:

“Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?”

Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha:

“Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. Ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ Ai do t’ju tregojë në katin e sipërm një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.”

Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.

Kur u bë natë, Jezusi erdhi me të Dymbëdhjetët.

 Ndërsa ishin në tryezë dhe po hanin, Jezusi u tha:

“Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: ‘njëri që po ha me mua. ’

Nxënësit u trishtuan e filluan ta pyesin njëri pas tjetrit:

“A mos jam unë?”

Jezusi iu përgjigj:

“Njëri prej të Dymbëdhjetëve! Një që po ngjyen me mua në pjatë. Njëmend, Biri i njeriut po shkon, siç u shkrua për të, por i mjeri ai që po e tradhton Birin e Njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të që as të mos kishte lindur fare!”

Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha:

“Merrni, ky është trupi im!”

Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj.  U tha:

“Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë.  Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.”

Pasi kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.

Jezusi u tha:

“Të gjithë ju do të shkandulloheni në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Do t’i bie bariut

e delet do të shpërndahen.’

Por, pasi të ngjallem do t’ju dal para në Galile.”

Atëherë Pjetri i tha:

“Në qoftë se të gjithë do të shkandullohen, unë jo, assesi!”

Jezusi iu përgjigj Pjetrit:

“Për të vërtetë, po të them: sot, pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më bish mohit.”

 Pjetri ngulte këmbë edhe më tepër në fjalën e vet:

“Edhe nëse do të më duhet të vdes bashkë me ty, unë nuk do të të mohoj!”

Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.

Dhe arritën në vendin që quhej Gjetseman. Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Rrini këtu derisa të lutem.”

Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngushtë,  e u tha:

“Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar!”

U largua pak, ra përmbys për dhe e lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast.

E thoshte:

“Abba! Atë, ti mundesh gjithçka! Largoje prej meje këtë gotë, por jo çka dua unë, por çka do ti!”

U kthye, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, a po fle? Po a nuk qe i zoti të rrish zgjuar për një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni të mos bini në tundim. Shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”

Përsëri u largua dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.  Kur u kthye prapë i gjeti fjetur, sepse sytë u ishin rënduar. Nuk dinin as ç’t’i përgjigjeshin. Erdhi të tretën herë dhe u tha:

“Ende po flini e po pushoni? Mjaft më! Erdhi ora! Ja, Biri i njeriut po lëshohet në duar të mëkatarëve. Çohuni të shkojmë! Ja, po afrohet ai që po më tradhton!”

Ndërkohë që ai ende po fliste, ia behu Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve e bashkë me të një shumicë e madhe njerëzish me shpata e me shkopinj, të dërguar prej kryepriftërinjve, prej skribëve e prej pleqve.  Tradhtari i tij u kishte dhënë këtë shenjë: “Ai që do të puth unë, ai është. Atë kapni e merreni me vete me kujdes të madh!” Si arriti, menjëherë iu afrua Jezusit, i tha: “Rabbi!” dhe e puthi.  Ata vunë dorë në të dhe e kapën. Njëri prej të pranishmëve nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia shkurtoi veshin.

Jezusi mori fjalën dhe u tha:

“Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj të më kapni sikurse unë të isha cub! E, pra, përditë isha me ju në Tempull duke mësuar e nuk më kapët… Ani, le të shkojë në vend Shkrimi i shenjtë!”

Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.

Ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët.

 Pjetri e përcjell prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Po rrinte aty bashkë me shërbëtorë dhe po nxehej pranë zjarrit. Krerët e priftërinjve dhe mbarë Këshilli i lartë kërkonin ndonjë dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, po nuk e gjenin.  Njëmend shumë vetë dëshmuan rrejshëm kundër tij, porse dëshmitë nuk ishin në përkim.  Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër tij e thanë:

“Ne e kemi dëgjuar duke thënë: ‘Unë do ta rrënoj këtë Tempull të punuar me dorë njeriu dhe për tri ditë do ta ndërtoj një tjetër që s’do të jetë i punuar me dorë. ’“

 Por dëshmia e tyre as në këtë pikë nuk ishte në përkim.

6Atëherë u ngrit kryeprifti në mes të Këshillit dhe e pyeti Jezusin me këto fjalë:

“Pse nuk po përgjigjesh asgjë? Çka po dëshmojnë këta njerëz kundër teje?”

Jezusi heshte. Nuk u përgjigj asgjë. Kryeprifti prapë e pyeti e i tha:

“A je ti Mesia, Biri i Hyjit të Bekuar?”

Jezusi iu përgjigj:

“Unë jam! Po edhe ju ‘do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anën e djathtë të Hyjit të gjithëpushtetshëm, dhe duke ardhur me re të qiellit. ’“

Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta dhe tha:

“Ç’na duhen më dëshmitarët?  Ju vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?”

Të gjithë gjykuan se meritonte të vritej.

Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia mbulojnë fytyrën e ta rrahin me grushta e t’i thonë: “Profetizo!” E shërbëtorët i binin shuplaka.

Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një shërbëtore e kryepriftit, dhe kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia lëshoi mirë sytë dhe i tha:

“Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.”

Ai e mohoi me këto fjalë:

“As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.”

Pastaj u çua e doli në treme (edhe gjeli këndoi. )  Shërbëtorja, kur pa filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një prej tyre!” Pjetri prapë mohoi. Pak më vonë edhe ata që ishin aty i thanë Pjetrit:

“Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se edhe ti galileas je!”

Atëherë ai ia filloi të lëshojë be e rrufe:

“Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”

Menjëherë gjeli këndoi për së dyti e Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi ia tha: “Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh.” Dhe shpërtheu në vaj.

Menjëherë në mëngjes krerët e priftërinjve mbajtën kuvend bashkë me pleq e me skribë ‑ mbarë Këshilli i lartë e, pasi Jezusin e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit. Pilati e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

“Ti thua!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

Kryepriftërinjtë e paditnin rëndë. Pilati e pyeti përsëri:

“Pse s’po përgjigjesh asgjë? Shih se sa po të padisin!”

Jezusi s’u përgjigj më asgjë aq sa Pilati mbeti i habitur. Pilati për çdo të kremte të Pashkëve u lëshonte atë të burgosur që ata kërkonin.  Në atë kohë ishte në burg një njeri që quhej Barabë, i burgosur bashkë me kryengritës të tjerë, të cilët në një kryengritje kishin bërë vrasje. Njerëzit u ngjitën lart e filluan të kërkojnë prej Pilatit të bëjë atë që kishte zakon të bëjë për ta.  Pilati iu përgjigj:

“A doni t’jua lëshoj mbretin e hebrenjve?”

Sepse e dinte mirë se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire.  Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën t’ua lëshojë më mirë Barabën.  Pilati foli përsëri dhe u tha:

“Çka (doni) të bëj me atë që (ju thoni se) është mbreti i judenjve?”

“Kryqëzoje!” ‑ bërtitën ata përsëri.

 “Po ç’të keqe ka bërë?” ‑ u tha Pilati.

Por ata bërtitën edhe më të madhe: “Kryqëzoje!”

 Pilati, duke dashur të kënaqë turmën ua lëshoi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dha ta kryqëzojnë. Ushtarët e shtinë Jezusin brenda pallatit ‑ d. m. th. në pretorium, dhe e bashkuan mbarë kohortën.

E veshën me mantel të kuq dhe në kokë i vunë një kurorë të gërshetuar me ferra. Atëherë filluan ta përshëndesin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” Dhe i binin kresë me kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar para tij, kinse e nderonin. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, ia veshën petkat e tij dhe e hodhën përjashta për ta kryqëzuar.

Ushtarët e detyruan një kalimtar që po kthehej nga fusha, Simonin prej Cirenës, babanë e Aleksandrit e të Rufit, të mbartë kryqin e Jezusit.

Jezusin e çuan në një vend që quhet Golgota, që në përkthim do të thotë: ‘Vendi i Kafkës’.  I dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

Atëherë e kryqëzuan dhe:

‘i ndanë petkat e tij,

duke hedhur short’ ‑ çka t’i bjerë secilit.

 Ishte ora tre kur e kryqëzuan.

Ishte i shkruar mbishkrimi i fajit të tij: “Mbreti i judenjve.”  Bashkë me të kryqëzuan edhe dy cuba, njërin në anën e tij të djathtë, kurse tjetrin në të majtën e tij. 

Kalimtarët e shanin ‘duke tundur kokën’ e thoshin: “Hej, ti që e rrënon Tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëtoje, deh, veten, zbrit prej kryqit!”  Po ashtu edhe kryepriftërinjtë e skribët e vinin në lojë me njëri-tjetrin dhe thoshin: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë! Mesia! Mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim e të besojmë!” E fyenin edhe ata që ishin të kryqëzuar me të.

Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?”Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!”

 Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!”

Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt.

 Atëherë perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha:

“Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”

Prej së largu vërenin edhe disa gra. Ndër to ishte: Maria Magdalenë, Maria, nëna e Jakobit të Ri dhe e Jozefit, edhe Saloma,  të cilat e kishin përcjellë dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile, edhe shumë të tjera që me të u ngjitën në Jerusalem.

 Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit.  Pilati, i habitur se kishte vdekur, thirri centurionin dhe e pyeti a kishte vdekur tashmë.  Si mori vesh prej centurionit, ia dhuroi trupin Jozefit.  Ky bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin, e mbështolli në pëlhurë dhe e futi në varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur në grykë të varrit.

 

Porosia 

Në rrugën Via Appia në Romë, gjendet një kapelë e vogël që quhet “Quo Vadis?”. Sipas të dhënave, aty Jezu Krishti i dëftohet Pjetrit, kur ky dëshironte të ikte nga qyteti sepse ishin persekutimet e të krishterëve, ndërsa Pjetri delte nga qyteti, e takoi Jezusin duke hyrë në qytet dhe e pyeti: Quo vadis Domine- ku po shkon Zotëri? E ky u përgjigj po shkoj të vdesë për ty…

Edhe ne, sot, mundemi t’ i bëjmë të njëjtën pyetje Jezusit: Ku po shkon Zotëri?

Sot fillojmë Javën e Madhe. Këto ditë do të dëshmojmë se Jezusi shkon në kryq, por tani nuk vdesë vetëm në Jerusalem apo në Romë sikurse atëherë. Mistikisht, sot, Jezusi vdesë në çdo skutë të botës. Vdesë në fytyrën e shumë njerëzve.

Ku shkon Jezusi në këtë Javë të Madhe? Shkon prapë të vdesë në kryq.

Arsyen e një vdekje të përhershme- ashtu me thënë- e gjejmë në thellësinë e zemrës së njeriut, që është e mbushur me mëkate të shumta dhe të ndryshme.

Jezusi Zot i vërtetë dhe Njeri i vërtetë, është i vetmi që mund të na nxjerr

nga mëkatet dhe të na shërojë dhe ndihmojë të jemi të pastër.

Dita e sotme, dita e luleve, është hyrja kremtore e Jezusit në Jerusalem, por është edhe e diela e mundimeve që i dëgjojmë sepse fillojmë javën e dhembjes, të vuajtjes, të mundimit të Krishtit.

Vdekja e Krishtit në Kalvar, nuk është disfatë, por është fitore, është fitore mbi mëkatin dhe të keqen.

Në këto ditë të shenjta, ta përcjellim Jezusin në mundimin e Tij dhe në rrugën e Tij kah Kalvari, duke u bashkuar në lutje, në jetën sakramentale, për të pranuar mëshirën dhe faljen.

Edhe këtë javë, kemi kohë, mundësi që të kthehemi kah Zoti, të pendohemi për mëkate, të rrëfehemi dhe pajtohemi me  Zotin, prandaj Krishti shkon në kryq, e ti ku shkon dhe kah shkon?

 

Lutjet e besimtarëve

 

Të bashkuar me Krishtin, i cili në kohën e mundimeve me zemër i lutej Atit, lutemi bashkë me Të edhe ne:

 

Qëndro pran nesh o Zot!

 

–      Ruaje dhe ndihmoje Kishën tënde në krye me Papën, ipeshkvijtë meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret që të pastër nga çdo njollë mëkati të mund të brohorisë gjithmonë hosana Biri Davidit, të lutemi:

 

–      O Hyj, sot përkujtojmë, mundimin e Krishtit që e barti për dashuri që pati ndaj nesh, bëj që edhe ne ta ndjekim Shëlbuesin tonë në rrugën të cilën na mëson Ai, të lutemi:

 

–      Simoni prej Cirene i ndihmojë Jezusit në bartjen e kryqit, ndërsa ne sot po i kujtojmë të gjithë ata që janë të ballafaquar me sëmundje, urrejtje, vështirësi të ndryshme, qëndro pranë tyre o Zot dhe forcojë me dashurin dhe ndihmën tënde, të lutemi:

 

–      Me ditën e sotme hyjmë në Javën e Madhe kur përkujtojmë që Jezusi nëpërmes mundimeve dhe vdekjes shpëton boten, bëj që të gjithë të krishterët të kthehen dhe të jetojnë në dashurinë e Tij, të lutemi:

 

–      Kur Jezusi vdiq në kryq, ti e pranove shpirtin e tij, prano edhe shpirtrat e të dashurve tanë që kaluan nga kjo botë dhe bëj të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

 

Pranoj, o Zot, lutjet tona dhe bëj që duke marrë pjesë në mundimet e Krishtit, Birit tënd të marrim pjesë edhe në lavdinë e Tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »