TAKIMI DIOQEZAN I RINISË KATOLIKE NË KATEDRALEN “NËNË TEREZA” NË PRISHTINË

Mar 29 • Bota e të rinjve

Teksti: Revista Drita

Fotografitë: Besim Ndau & Antigona Pjetraj

Katedralja jonë, asnjëherë nuk ka qenë më e bukur se sot, sepse ka në gjirin e saj pjesën më të bukur të Kishës Katolike të Kosovës,-  ishin fjalët e para të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Dodë Gjergjit, në fillim të  meshës, me të cilat, mund ta përshkruajmë më së miri takimin e sotëm në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku u mbajt takimi tradicional dioqezan i rinisë. 

Sot, vërtet, Katedralja e Prishtinës kishte plotë hijeshi e bukuri, me fytyrat e të rinjve të Ipeshkvisë sonë, që me devotshmëri e gëzim, ishin tubuar nga të gjitha famullitë e Kosovës, për të festuar takimin dioqezan të rinisë, i cili, tradicionalisht mbahet të shtunën para të dielës së larit.

Nga mëngjesi e deri në orët e vona të pasdites, pjesa më e bukur dhe më e gjallë e Kishës Katolike , ishte bashkuar rreth bariut të tyre shpirtëror, për të dëshmuar se janë pjesë e një familje gjithnjë të re, e përkushtuar shpirtërisht në rrugën e përngjasimit me lumturitë e Jezusit.

Tema e sivjetme që ishte zgjedhur nga Papa Françesku, “Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin”, pra, një nga tetë lumturitë e Jezusit. Dhe kjo temë ishte boshti dhe lajtmotivi i kreativitetit shpirtëror dhe kulturor i asaj që e karakterizoj krejt ditën e sotme të rinisë sonë. Pa mëdyshje, kur t’i shikosh atë rini që e mbushin Katedralen; ato fytyra të njoma e të pastra, një botë plotë ëndrra, vizione e ambicione, duhet të shpresojmë për një Kishë të gjallë, plotë shpresë  dhe të ardhme.

Takimi i rinisë, nisi me ligjëratën e rastit, të cilën e mbajti Pater Shtjefën Dodes, jezuiti nga Kosova, me shërbim në Shkodër- në Shkollën e mesme “Atë Pjetër Meshkalla”; shkollë kjo nën drejtimin e jezuitëve. Atë Shtjefni, duke u përqendruar në mesazhin  Papës për ditën e 30 botërore të rinisë, që do të mbahet në Krakovë të Polonisë në vitin 2016, theksoi rëndësinë e kërkimit të rinisë katolike për të qenë të lumtur, lumturisë ungjillore.  “Shumë etër shpirtërorë  – tha Atë Shtjefni – që me vite i shoqërojnë besimtarët në jetën e tyre shpirtërore, dëshmojnë duke thënë se deri më tani kanë provuar për të ndihmuar njerëz me probleme të panumërta të ndryshme në jetën e tyre. Dhe kanë ardhur në një përfundim të habitshëm: problemi ynë kryesor si njerëz është, se ne, s`e kuptojmë se sa të vlefshëm jemi. Papa na kujton se jemi të krijuar për të qenë të lumtur. “Fjala lum, apo të lumtur, paraqitet nëntë herë në këtë që është predikimi i parë i madh i Jezusit (Khs. Mt 5,1-12). Është si një refren që na kujton thirrjen e Zotit për ta përshkuar, së bashku me Të, një rrugë që, pavarësisht të gjitha sfidave, është rruga për lumturinë e vërtetë.“ Dhe shtoi: “Kur harrojmë se prej nga vijmë dhe kah shkojmë, kur na zbehët e vërteta se jemi të krijuar për lumturi, çka ndodhë? Si pasojë, ne e bëjmë një nga gabimet më tragjike. Ne jemi si një person që është ligjërisht trashëgimtar për një pasuri të madhe, por e shesim të tërë trashëgiminë tonë për diçka pakrahasueshëm më pak të vlefshme: për një moment kënaqësie egoiste, për një argëtim të dehur, për një sukses financiar jo të ndershëm… e kështu me radhë. Por a keni vërejtur, të dashur miq, që sa herë e kemi ndjerë veten të zbrazët, kur kemi menduar se gjërat materiale mjaftojnë. Kjo zbrazëti, në zemrat tona, tregon se ne jemi të krijuar për gjëra shumë më të larta.” Për një orë ligjërata e Atë Shtjefnit u fokusua tek lumturia e vërtetë që duhet të gjejmë e ta promovojmë në jetën tonë, mandej, tek identiteti ynë i krishterë, që nënkupton se jemi bijë dhe bija të Zotit, pra i përkasim një identiteti hyjnor- të lartë; një Shpirti që na udhëheq e na mban, që në fakt është baza për ta gjetur lumturinë.

Pas ligjëratës, e cila u shoqërua edhe me pyetje të shumta të të rinjve të interesuar rreth temës, pasoi mesha e shenjtë, të cilës i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me një numër të madhe të meshtarëve, që i kishin shoqëruar rininë e famullive të veta. Ipeshkvi, në homili, u përqendrua tek disa pika kyçe e jetësore të jetës së rinisë së krishterë. Ja disa fragmente të përafërtat fjalëve të ipeshkvit:

“Sot, jemi bashkuar me Papën Françeskun, nëpërmjet porosisë së tij që u ka drejtuar juve dhe të rinjve të mbarë botës. Këtë porosi, ju e keni trajtuar me meshtarët e motrat e nderit nëpër famullit tuaja dhe keni shtjelluar kuptimin dhe domethënien e saj. Por, edhe Pater Shtjefni, ju ka ndihmuar, me ligjëratën e tij para kësaj meshe, që të zbardheni thelbin e kësaj porosie, me qëllim që t’ju ndihmojë të kuptoni, se  sa e rëndësishme është të jeni të lumtur, të keni shpirtin e pastër e zemrën e papërlyer.

Pastaj, përmes disa pyetjeve dhe përgjigjeve, Ipeshkvi u ndihmoi të rinjve ta kuptojnë rëndësinë e të qenit të krishterë dhe angazhimin e tërë Kishës për ta bërë rininë e lumtur.

“Pse e dëshiron Krishti këtë lumturi dhe këtë pastërti të shpirtit dhe pafajësi të Zemrës?

Ai e dëshiron lumturinë tuaj, sepse tmerrësisht është dashuruar në bukurinë e shpirtit tënd. Bile, shumë më tepër se mund të dashurohet një djalë në bukurinë e të fejuarës së vet. Krishti, i dashuruar në shpirtin tënd, dëshiron me zemrën të tij hyjnore që ti të jesh i lumtur, që jeton, që Zoti të donë e sidomos që do të falen mëkatet dhe të jetosh për amshim. Ai të do aq shumë sa është i gatshëm të vdesë për ty. Ai e di dëshirën tënde themelore:  që ti  synon të jesh gjithnjë i lutur në jetë, që zemra jote dëshiron të jetë e kënaqur dhe e mbushur me gëzim, prandaj të mëson nëpërmjet Ungjillit, sidomos Predikimit në Mal, ku i shpalos tetë arsye për të qenë të lumtur.

Njërën nga të cilat Papa Françesku e ka zgjedhë që të jetë “Lajtmotiv” i këtij takimi: «Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.” (Mt5,8):  Këndej, ai u drejtohet Juve sot, nëpërmjet porosisë së tij: “Të dashur të rinj e të reja, siç e shihni, kjo Lumturi e prek prej së afërmi ekzistencën tuaj dhe është një garanci për lumturinë tuaj. Prandaj, ju përsëris edhe një herë: kini guxim të jeni të lumtur! Sepse vetëm ashtu mund të na besojnë kur e shpallim lumturinë e qiellit, keni guxim të jeni të hareshëm sepse vetëm ashtu do të besojnë kut të shpallim Lajmin e gëzueshëm, keni guxim të besoni sepse vetëm ashtu do të jemi të besueshëm.

Pse dëshiron papa që rinia e mbarë botës të jetë e lumtur, sidomos ajo pjesë e rinisë që besuar në Krishtin?

 Sepse ai beson dhe është i bindur se lumturia e vërtetë nuk gjendet në kënaqësitë e botës, por në Hyjin krijuesin e saj. Ai  e di, se gëzimi i vërtetë i zemrës nuk gjendet në gjërat që i kemi, por në pastërtinë dhe aftësinë e saj për t’u dashuruar në Krishtin e për t’u dashuruar prej Tij. Këndej edhe insiston që të rinjtë e botës të rriten të shëndoshë; të jenë të lumtur dhe të kenë zemrën e pastër. Sepse Ai donë që me ndihmën e mbarë Kishës e sidomos me mbështetjen e të rinjve të saj, të ndryshojë mendësinë e errët të botës së sotme, e cila, e mbështetë të ardhmen e njerizimit, duke u bazuar në zhvillimin për fitim, në arritje njerëzore pa qëllim, në vlera pa moral, në kënaqësi pa lumturi, që e përjashton gëzimin e përhershëm të shpirtit. Botë kjo që më shumë merakosët për pastërtinë e jashtme të sendeve që njerëzit kanë nevojë – se sa për papërlyeshmërinë e brendisë së zemrave të tyre. Po, këtë botë dëshiron Papa ta ndryshoj, në mënyrë që ajo, dhe çdo shoqëri brenda saj: të jetë më e përgjegjshme, më e drejtë, më e mëshirshme e të ketë brenda vetës më shumë dashuri për Zotin Krijues,të kujdeset më shumë për dinjitetin njerëzor dhe të angazhohet më shumë për paqe e drejtësi. Sepse, paqja dhe drejtësia nuk janë privilegj i të përparuarve dhe të dijshmëve e as pronë e të prapambeturve në urrejtje ose diktaturë,  por dhuratë e Zotit që ju ofrohet të gjithëve njerëzve.

A do të t’ mundemi ta ndryshojmë këtë mendësi të botës? Askush prej nesh nuk mund ta di. Por,  një gjë është e sigurt që Krishti, Kisha, Papa, dhe unë se bashku me juve, duami të jemi kripa dhe drita e kësaj bote, e këtë mund ta arrijmë vetëm nëse në të vërtetë në ne  shkëlqen bukuria e shpirtit  të pastër dhe e zemrës së papërlyer.

Po, unë bariu i juaj, priftërinjtë pse duam që ju të jeni të lumtur në shpirt dhe të pastër në zemër?

E dum këtë gjë,  sepse jemi të bindur që vetëm kështu mund të arrini të shpëtoni të ardhmen tuaj dhe të jepni shpresë popullit tonë të zhgënjyer dhe të siguroni vazhdimësinë e veprës Hyjnore të Krishtit në vendin tonë.

Rini fort e dashur! Ju, duhet të jeni të lumtur në jetë, të pastër në zemër, të gatshëm për sakrificë dhe të aftë për të marrë përgjegjësitë e së nesërmes së vendit, shërbimin e kishës dhe përparimin e familjes. Këndej, unë presë, dhe besoj shumë, që ju do të jeni mbështetësitë më të mëdhenj të synimeve të mia që i kam paraqitë në udhërrëfyesin baritor. Synime këto që  dua t’i përmbledh  në pak fjalë:

– Ju ftojë që të falënderojmë Zotin për pasurinë shpirtërore që i kemi trashëguar,

– T’i kultivojmë pasuritë tona, duke i ushqyer ato me uratë të sinqertë, me shërbesë të dëlirtë e me vepra dashurie

– Të rritemi në fe për përgjegjësi që i kemi.

 Këtë gja, me një qëllim: që fenë ta përjetojmë në zemër, ta  jetojmë te shpija, ta ushtrojmë te Kisha, ta dëshmojmë para botës dhe të bëhemi gati që ta marrim shpërblimin në qiell.

Këndej, dua t’ju them edhe një herë, atë që ju pata porosit dy vite më parë: angazhohuni që veprat tuaja le të jenë në përkim me ungjill; buzët tuaja të mos pushojnë duke dëshmuar të vërtetën- Krishtin e Kryqëzuar e të ringjallur,  që dashuri juaj për Zotin e për të afërmin të jetë e bollshme e të mos lodhemi kurrë duke bërë mirë.

Fort të dashur të rinj dhe të reja të kishë sonë! Ne jemi me ju dhe nuk duam të ju lëmë të vetmuar në këtë moshë të njomë, nuk duam t’ju braktisim në këtë kohë të vështirë të cilën e jetoni. Sepse, ju jeni të detyruar të rriteni e të piqeni, në pa mbështetjen e bollshme të të rriturve dhe pa dëshminë e bollshëm të tyre. Jetoni në kohë, në të cilën, siç thoni ju me zhargonin tuaj: “asht ba modë “, me qenë i pandershëm, i pa moralshëm, i pa besë; bile sot janë më të famshëm ata që ekspozojnë trupin se sa ata që shpalosin bukurin e shpirtit; “asht ba trend” me qenë fanatik, luftëndezës dhe zemërkëqij, hileqarë, sepse pse në këtë shoqëri më shumë mund të arrish me dredhi e pandershmëri se sa me nderë e drejtësi: “asht ba trend” me pas, pa u mundu, mu kënaqë pa përgjegjësi dhe me arrit pa dashuri.   Rinë, bota donë të ju vej në gjumë që ju të shihni ëndrra, kurse kisha dëshiron të ju zgjojë nga kllapia  e këtyre të këqijave,  që të jetoni të vetëdijshëm për përgjegjësit, të përballoni realitetin me shpresë dhe të ndërtoni të ardhme të sigurte.

Bijë dhe bijat e mia: papa ju fton po edhe unë ju përbej, mos keni frikë të kundërshtoni këtë mendësi dhe ta përjashtoni këtë mënyrë të jetuarit, sepse synimi juaj është të jeni të Lumtur në shpirt; angazhimi juaj është  të jeni të pastër në zemër dhe qëllimi jua të keni thesarin në qiell.

Me Papën Françeskun, prapë  ju ftoj,  o bijë e bija e mia, mos lejoni që kjo vlerë e çmueshme të tjetërsohet, shkatërrohet ose shtrembërohet. Përkundrazi, ju kërkoj që të jeni revolucionarë; ju kërkoj që të shkoni kundër rrymës; po, këtë ju kërkoj që të rebeloheni ndaj kësaj kulture të të përkohshmes, që, në thelb, beson se ju nuk jeni në gjendje të merrni përmbi vete përgjegjësi, beson se ju nuk jeni të aftë për të dashur me të vërtetë. Unë kam besim te ju- të rinj e të reja- dhe lutem për ju. Kini guxim të shkoni kundër rrymës. Më ndihmoni ta zbatoj planin baritor, në mënyrë që ta qojmë fenë në zemra tuaja, ta qojmë kishën në shpija dhe lajmin e mirë te të gjithë njerëzit.  Kështu, ju me kishën dhe kisha me ju, shndërroheni  në bartës së  vlerave të vjetra dhe mbrojtës nga rreziqet e reja. Zoti Ju bekoftë.”

Në mbarim të meshës ipeshkvi i bekoi rrembat e ullirit dhe ju dhuroi përfaqësuesve të rinisë së famullive, simbolin e të dielës së larit, që përfaqëson pikërisht turmën e gëzuar që e përshëndetnin Jezusin, duke hyr në Jerusalem si mbret. Edhe rinia e Kosovës, është ajo që merr pjesë në turmën e gëzuar që e pret dhe e përshëndet Zotin tonë Jezu Krishtin.

Pjesa argëtuese dhe kulturore e takimit, vazhdoi në Qendrën “Don Bosco”, ku me një program të begatë kulturor e artistikë rinia shfaqi kreativitetin e vet. Muzikë, klasike e shansone shpirtërore, dhe dramë, bënë që rinia gjithnjë të brohoriste e të duartrokiste gjatë shfaqjeve të tyre.

DSC_0381 DSC_0419 DSC_0402DSC_5325 DSC_0648DSC_5429 DSC_5422 DSC_5393DSC_0412 DSC_5452 DSC_5448DSC_5547 DSC_5721 DSC_5635 DSC_5503

DSC_0714 DSC_0711 DSC_5612DSC_0723 DSC_0718 DSC_0717DSC_1017 DSC_1052 DSC_1024DSC_5955 DSC_5915 DSC_5880DSC_6098 DSC_6079 DSC_6060DSC_6028 DSC_6126 DSC_6110DSC_6172 DSC_6170 DSC_6162 DSC_6153

Shpërndaje

Comments are closed.

« »