KULTURA POLITIKE SHQIPTARE (II)

Mar 30 • Opinion

Shkruan:  Zef Ahmeti * 

1. Kultura politike shqiptare postkomuniste 

Shqipëria në fazën e tranzicionit nga komunizmi në demokraci kishte një fazë të vështirë, mbase më të vështirën në Evropën Juglindore. Vlerësohet se Shqipëria ka traditën më të dobët me pluralizmin demokratik dhe të kulturës civile në krahasim me shtetet tjera të Evropës Lindore. Kjo lidhet me faktin se, që nga koha e pavarësimit të saj, kanë sunduar sisteme të ndryshme autoritare dhe diktatoriale. Si një ndër vështirësitë më të theksuara e përbën fakti i pranisë së njerëzve që kanë qenë pjesë e pushtetit të komunizmit dhe në kohën e pas kthesës politike në vend morën pamje tjetër, por duke ruajtur pozitat e tyre të mëparshme. Ndërsa në studimet që merren me transformimet e tilla si fazë të procesit të transformacionit të një sistemi vlerësohen: liberalizimi, përkatësisht largimi i regjimit totalitar; demokratizimi apo institucionalizimi i saj si dhe konsolidimi i demokracisë. Këto faza në realitet shpesh ndërthuren njëra me tjetrën. Faza e parë që lidhet me shembjen e një sistemi autokratik përshkruan procesin në të cilin zëvendësohet regjimi i mëparshëm. Në këtë fazë, që quhet edhe si faza e liberalizimit, tregohet një ndryshim kualitativ përballë sundimit autoritar. Ky liberalizim vlerësohet se përfundon me zgjedhjen e lirë të një qeverie demokratike. Ndërsa faza e dytë e demokratizimit ka të bëjë me një proces në të cilin pushteti politik i pakufizuar, i pakontrolluar e i pakompromis i një grupi social apo i një personi zhvendoset në një procedurë institucionale që kufizon ekzekutivin, e kontrollon përherë atë dhe gjithmonë i bën që të jenë të përgjegjshëm. Ndërsa faza e konsolidimit lidhet me çështjen se cilat institucione politike, shoqërore duhet të stabilizohen që të mund të flitet për një demokraci të konsoliduar. Kështu vlerësohet se një demokraci është e konsoliduar nëse plotësohen këto pesë fushat vijuese: një shoqëri civile të lirë dhe të gjallë, një shoqëri relativisht të pavarur dhe të respektuar politike, një shtet juridik, një burokraci shtetërore dhe një shoqëri të institucionalizuar ekonomike.

Hulumtimet, përkatësisht studimet që lidhen me procesin e transformimit kanë tërhequr vëmendjen në drejtim të disa faktorëve që kanë rëndësi për të analizuar demokratizimin dhe konsolidimin e vendeve të transformuara postkomuniste. Kushtet që lejojnë apo pengojnë demokratizimin e sistemit politik janë të natyrës ekonomike, sociale, kulturore si dhe të rrethanave politike e sindromeve restriktive (kufizuese), ku përveç veprimeve konkrete politike janë faktorë ndikues për sukses apo dështim të transformacionit demokratik. Kështu që bashkëveprimi i kufizimeve strukturore dhe veprimit politik janë përcaktues në rrugën drejt demokracisë. Kësaj i duhen shtuar se edhe përvoja parautokrate dhe e kaluara socialiste kanë po ashtu ndikimin e tyre.

Para se të kalojmë te shtjellimi i procesit të transformimit në Shqipëri, le të kujtojmë disa rrethana historike që lidhen me historinë e kulturës politike shqiptare. Kur flitet për Shqipërinë përdoren shprehjet “Shqipëria mes feudalizmit dhe komunizmit” apo edhe si “Shqipëria mes pavarësisë dhe patronatit”. Le t`i thërrasim në kujtesë disa rrethana socio-politike dhe ekonomike te shqiptarët, kur ky popull i nxitur nga elita e tij e vogël për nga numri, vendosi të marrë vendimin për organizim shtetëror të pavarur nga Perandoria Osmane. Kultura politike e subjekteve që e shtynë përpara lindjen e vështirë të shtetit shqiptar tregojnë për një ngecje politike në krahasim me ngjarjet e kohës. Në fakt mungesa kulturës politike te masa e trashëguar nga sundimi osman, do të shkaktojë probleme në ecjen përpara. Megjithatë elita shqiptare mori vendim që shqiptarët t`i nxjerrë nga një Perandori në rrënim e sipër, për t`i drejtuar drejt Evropë së cilës edhe i takonin. Ky vendim ishte i ballafaquar me sfidat e ndryshme, sidomos me diversitetin e orientimeve dhe interesave brendashqiptare. Këtu hyjnë krizat e njëpasnjëshme dhe luftërat e ndryshme. Me shpalljen e pavarësisë, shqiptarët nuk do të kenë rrethana normale për një transformim të suksesshëm, të paktën sipas trendeve të kohës, ndërsa me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet do të nisë zinxhiri i regjimeve diktatoriale për shqiptarët. Ngjarjet që do ndodhin në gjysmën e dytë të viteve ’90, tregojnë se elita e re politike shqiptare nuk ka përvojë me një treg të lirë social dhe me demokraci parlamentare. Mbase flitej edhe për “krizë identiteti të shoqërisë shqiptare”.

Faza e liberalizimit në Shqipëri vlerësohet të ketë filluar me një “tempo” të kujdesshme që nga viti 1986. Disa përpjekje për reforma shihen të jenë marrë mes viteve 1986-1990, edhe pse më tepër për shkak të detyrimit të kohës se sa për dëshirën për ndryshime. Këto reforma mbesin simbolike duke marrë parasysh se edhe më tutje qëllimi kryesor ishte ruajtja e pushtetit të partisë komuniste. Edhe në ketë fazë historike, sikur të jetë mangësi e shqiptarëve për të mos ecur me kohën, ata dalin të fundit në Evropën Juglindore në procesin e liberalizimit pas fillimit të rënies së Bllokut komunist. Fundi i regjimit komunist do të fillojë me protestat e verës së vitit 1990. Këtë fazë do ta përshkojnë edhe momente dhe pamje rrëqethëse të ikjes së mijëra shqiptarëve drejt ambasadave të shteteve perëndimore në vend dhe drejt anijeve të stërngarkuara me njerëz. Në dhjetor të vitit 1990 themelohet Partia Demokratike, si opozitë e Partisë së Punës në pushtet. Në vitin 1991 do mbahen zgjedhjet e para, në të cilat përsëri Partia e Punës do fitojë pushtetin me 56% të votave. Partia Demokratike nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve me arsyetimin e parregullsive. Si rezultat pasoi intensifikimi i protestave e do të paraqitet një situatë kaosi e anarkie. Kjo situatë do ta detyrojë Fatos Nanon të japë dorëheqjen. Përkohësisht formohet “Qeveria e Unitetit Kombëtar” nën udhëheqjen e Ylli Bufit. Në mars 1992 do mbahen zgjedhjet e dyta pluraliste. Këto zgjedhje vlerësohen si pika që i dha fund regjimit komunist në Shqipëri.  Me humbjen e Partisë së Punës, përkatësisht elitës komuniste shqiptare, do fillojë një fazë e re e transformimit e kjo është faza e institucionalizimit të demokracisë. Kjo fazë e institucionalizimit të demokracisë në Shqipëri do të zgjasë shtatë vite, pra deri në nxjerrjen e kushtetutës demokratike në vitin 1998. Kjo zgjatje ishte pasojë e polarizimeve politike të skajshme në politikën shqiptare lidhur me përpjekjen për të nxjerrë kushtetutën e re, aq sa rezulton me një pastabilitet politik. Pas përpjekjes dhe dështimit për projektkushtetutën e qeverisë së PD-së, që ajo të miratohej në parlament, bëhet një tentativë tjetër; ajo për ta miratuar atë jashtë parlamentit, nëpërmjet referendumit në vitin 1994, përpjekje kjo që do të dështonte.  Një polarizim i mërzitshëm do ta përshkojë më tej përpjekjen e kompletimit të përbërjes së komisionit të ri për kushtetutën. Në vitin 1996 debati për kushtetutën nuk do të vazhdojë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Këto zgjedhje janë kritikuar për mbarëvajtjen e tyre. Partia Socialiste do të fillojë me bojkotimet e mëtejshme të parlamentit. Në vitin 1997 do shpërthejnë trazirat si rezultat i sistemit financiar piramidal, të cilat do të përfundojnë me rikthimin e anarkisë në vend. Në vitin 1998, me anë të një referendumi vijues, arrihet të miratohet kushtetuta e re e Shqipërisë, që është vlerësuar se përmbush parimet demokratike e liberale.

Kriza e vitit 1997 do ta kthejë Shqipërinë në pikën zero sa i përket institucionalizimit të demokracisë. Në mungesë të aftësisë së policisë dhe ushtrisë për të rimarrë nën kontroll situatën, do pasojë detyrimi për të kërkuar ndihmë ndërkom-bëtare e ku do thirret një trupë mbrojtëse shumëkombëshe (Multinational Protection Force, MPF) e autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së me rezolutën nr. 1101 dt. 23.03.1997. Natyrisht se për shpërthimin e kësaj situate vlerësohet se nuk ishte vetëm sistemi financiar piramidal, por edhe një varg zhvillimesh tjera negative ekonomike, sociale e (në mungesë të kulturës) politike, në vitet e kthesës politike në vend. Ndërsa kjo krizë do ta dëmtojë në masë të madhe besimin e njerëzve në institucionet e vendit.

Pas ngjarjeve të vitit 1997, do fillojë ngadalë kthimi drejt stabilitetit dhe do të vazhdojë faza e demokratizimit të ndërprerë. Sa i përket fushave që lidhen me konsolidimin e një demokracie ato përcillen me probleme e vështirësi të shumta. Sa i përket shoqërisë politike pas vitit 1997 do të kemi një sistem partiak tejet polemizues që fokusohej rreth liderëve prijës të partive politike më të mëdha në Shqipëri (PS dhe PD). Konkurrimi mes tyre bëhej duke u mbështetur shumë pak në programet e tyre, e për më tepër energjia harxhohej në kundërshtimet ideologjike të komunistëve të reformuar dhe simpatizantëve të demokracisë liberale. Si rezultat i kësaj situate politike do kemi edhe gjendjen e dobët të institucioneve dhe një elitë polarizuese politike tejet të mërzitshme. Konfliktet në arenën politike shqiptare do lidhen më tutje edhe me procedurën e zgjedhjes së presidentit të vendit që do ta përcjellë një polarizim tejet i panevojshëm e absurd, kur dihej se kushtetuta e vitit 1998, këtij institucioni të vendit i kishte sanksionuar kompetenca të kufizuara dhe të natyrës përfaqësuese të vendit. Do të jetë shtypja e bashkësisë ndërkombëtare në adresë të kësaj politike tmerrësisht polarizuese që do t’i hapë rrugë zgjedhjes së presidentit të vendit në vitin 2002. Sa i përket polarizimit të politikës në parlamentin shqiptar, sikurse është bërë e patejkalueshme pa ndërhyrjen ndërkombëtare, kjo frymë po zgjat deri në ditët tona dhe është bërë një fenomen tejet i lodhshëm jo vetëm për vetë proceset përparuese të vendit por edhe tejet i lodhshëm edhe për bashkësinë ndërkombëtare, mbase edhe për vetë BE-në. Pjesë e kësaj kulture të konfliktit politik është bërë fryma e bojkotimit të seancave parlamentare, mosrespektimi i rregullave dhe normave institucionale që i kërkon demokracia, duke e mbajtur kështu  peng të gjitha sferat e jetës. Këto bojkotime e kanë degraduar parlamentin si institucion, vend ku zhvillohen debatet politike.

Si pasojë e pastabilitetit politik edhe ekzekutivi infektohet nga jostabiliteti. Një element tjetër i rëndësishëm i demokratizimit janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së vitit 1998, vërehet edhe një stabilitet i ngadalshëm i sistemit zgjedhor, edhe pse sistemi i zgjedhjeve gjithnjë ka qenë pikë konflikti e përhershme në oratorinë e politikës shqiptare, në mes partive kryesore në vend e që vlerësohen si debatet pa rezultate që kanë degraduar kulturën politike shqiptare. Deri në ditët e sotme debati për çështjen e zgjedhjeve është bërë mollë sherri në terrenin politik shqiptar.

Të gjitha këto që përmendëm deri më tani do të kenë ndikim në sistemin juridik dhe ligjor në vend. Përveç këtyre, këto fusha do sfidohen me mungesën e infrastrukturës gjyqësore, mungesën e personelit profesional, mungesën e edukimit adekuat, pastaj edhe imazhin negativ të gjykatësve, prokurorëve dhe policisë në popull si të korruptuar. Kështu ne kemi kaluar në një segment vlerësues për stabilitetin demokratik, të burokracisë shtetërore dhe korrupsionit, edhe pse këto dy segmente nuk janë pjesë e institucioneve politike demokratike, mirëpo përkrahin shumë funksionimin e demokracisë. Në segmentin e burokracisë shtetërore kemi pas vitit 1998, po ashtu edhe më tutje probleme infrastrukturore, mungesën e shkollimit të mëtejshëm, karrierën si dhe zënien e posteve të rëndësishme jo sipas meritës, por sipas lidhjeve politike dhe ndikimeve tjera. Përveç kësaj është vërejtur edhe një hakmarrje e partive me të ardhur në pushtet, përkatësisht spastrimet e posteve kyçe të shtetit nga postmbajtësit e partive kundërshtare paraardhëse, një fenomen që dëmton rëndë stabilitetin politik të vendit. Kësaj i shtohet edhe korrupsioni në të gjitha segmentet e jetës institucionale shtetërore, pastaj mungesa e papërgjegjësisë ndaj qytetarëve. Në vend të shoqërisë civile të vetëdijshme kemi vendosjen e organizatave joqeveritare që nuk kanë imazh pozitiv. Nëpërmjet tyre janë bërë përpjekje më tepër për të siguruar burime dhe të ardhura sesa për bindje të caktuara. Aspekti ekonomik luan rol po ashtu në vlerësimin e situatës në Shqipëri. Kështu që edhe pse statistikat tregojnë nga viti në vit rritje ekonomike pas kthesës, megjithatë vendi mbetet për vite më i varfëri në krahasim me vendet tjera rajonale e evropiane. Vitet e kthesës nxitën edhe lëvizjen e njerëzve brenda dhe jashtë Shqipërisë, e mbase edhe janë bërë si fenomen përcaktues për shoqërinë shqiptare. Arsyet janë të natyrës ekonomike si mungesa e institucioneve edukative dhe perspektiva sidomos në zonat rurale të vendit e deri te mungesa e përkujdesjes shëndetë-sore. Një fushë mjaft sfiduese dhe problematike e natyrës strukturore për zhvillimin ekonomik të vendit paraqet gjatë gjithë kohës kriminaliteti i organizuar si element dhe faktor që ka rrezikuar stabilitetin e vendit e që ka sfiduar e ngadalë-suar fuqishëm kalimin në tregun e lirë formal.

Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet e rajonit, e në rastin tonë Shqipërinë, ka derdhur miliona euro që nga fillimi i fazës së kalimit në demokraci për përkrahjen e vendit në reforma. Për periudhën 1991-2000, statistikat flasin gjuhën e vet për ndihmat financiare që ka përfituar vendi nga programet e ndryshme në vlerë prej 934.23 milion euro. Këtu pjesa më e madhe hyn në programet për përforcimin e institucioneve dhe programeve tjera të natyrës ekonomike. Ndërsa përkrahja financiare në kuadër të programit evropian Community Assistance for Reconstruction, Development and Stabilization (CARDS) kap shumën totale prej 381.1 milion euro për vitet 2001-2006. Për afrimin e Shqipërisë drejt BE-së, janë zhvilluar edhe instrumente të tjera për integrim. Ato kanë karakter të dialogut politik drejt bisedimeve për arritjen e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Deri në hapjen e bisedimeve për stabilizim e asociim kemi një dialog e bisedime paraprake që kishte BE-ja me strukturat shtetërore shqiptare që nga prilli 1999 deri në janar 2003, kur edhe fillon hapja zyrtare e dialogut, bisedimeve për stabilizim-asociim me Shqipërinë. Edhe OSBE ka qenë njëra nga organizatat e rëndësishme që ka përcjellë Shqipërinë gjatë viteve të krizës së tranzicionit dhe transformimit. Gjatë viteve të para pas krizës së vitit 1997, OSBE do të luajë një rol kryesor stabilizues, sidomos roli i saj vlerësohet në ndërmjetësimin mes partive të hasmuara pas vitit 1997. Në fokusin e kësaj organizate mes viteve 1997-2002 ishte stabilizimi dhe menaxhimi i krizave. Me fokusimin e qeverisë shqiptare drejt BE-së, fillon edhe një qëndrim kritik ndaj kësaj organizate. Nuk duhet harruar edhe roli i Këshillit të Evropës që do ta përcjellë Shqipërinë që nga viti 1993 në kuadër të “programeve të përbashkëta” me Komisionin Evropian sidomos në fushën e bazës ligjore dhe reformave institucionale për të përkrahur vendin për zhvillimin e standardeve evropiane me nxjerrjen e ligjeve konform BE-së. Në anën tjetër kjo stërzgjatje e arritjes së kritereve dhe reformave të kërkuara nga BE-ja, përkatësisht të monitoruara nga organizatat evropiane, vlerësohet të ketë çaluar për shkak të “dobësisë së kapaciteteve implementuese të shtetit shqiptar”.

Këtu duhet theksuar se ishte lufta në Kosovë (1999) ajo që kishte ndikuar te BE-ja për ndryshimin e strategjisë së saj për afrimin e Ballkanit perëndimor në familjen e tij. Pra, si reaksion i ngjarjeve në Kosovë 1998/99, Komisioni Evropian ndërmerr një kornizë të re politike për integrimin e kësaj pjese të Evropës në strukturat evropiane me programin e stabilizim-asociimit. Për të parën herë në samitin e qershorit 2000 në Feira, kësaj pjese evropiane i ofrohet nga organet e BE-së perspektiva për një “anëtarësim potencial në BE”.

Edhe pas zgjedhjeve të 2005, kritikat kryesore drejtuar shtetit shqiptar lidhen me korrupsionin e lartë, gati në të gjitha segmentet e shoqërisë, pastaj gjendja e rëndë nëpër burgje, moskufizimi i kompetencave mes qeverisë dhe qeverive lokale, ndërhyrja e qeverisë në sistemin e drejtësisë, mungesa e kulturës politike në konfliktet politike mes qeverisë dhe opozitës, shkarkimi i postmbajtësve në pozitat e ndryshme të shtetit pas marrjes së pushtetit, rrethanat shumë të vështira për investitorët e huaj, sidomos në fushën e marrjes së lejes së veprimit dhe tatimit si dhe korrupsioni.

Si në gjithë Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Shqipëri vërejmë se kemi një institucionalizim formal demokratik të rendit dhe ekonomisë së tregut, mirëpo njerëzit në orientimin e tyre mental ende nuk kanë arritur te ky rend, për çfarë kultura politike e demokracisë nuk i siguron stabilitet. Meqë tani po flasim për kulturën politike mund të themi se ajo nuk lidhet vetëm me defiçitet dhe vështirësitë e natyrës së tranzicionit por edhe me përvojën që nga ikja prej sundimit osman, përkatësisht trashëgimisë së të menduarit nga kjo kohë sundimi, pastaj mungesa e një përvoje në demokraci kombëtare që do përfundojë drejt sistemit autoritar mes luftërave botërore e në fund me sundimin komunist pas Luftës së Dytë Botërore, dhe e gjithë kjo përvojë lidhet me defiçitet e një kulture politike sipas të kuptuarit perëndimor.

Nëse i shikojmë më vëmendje disa nga zhvillimet historike tek populli shqiptar vërejmë aty disa aspekte të kulturës politike shqiptare që lidhen së pari me raportin mes shtetit dhe shoqërisë. Së pari vihet re se kemi një lloj armiqësie të popullit kundruall shtetit duke filluar nga përvojat gjatë sundimit osman e deri në ditët tona. Së dyti mbas qëndrimit të distancuar përballë shtetit kemi edhe një mosbesim në format institucionale të sundimit. Dhe kjo lidhet me secilën epokë, periudhë të përvojës me kulturën e institucioneve. Kështu në periudhën osmane kemi një strukturë institucionale që lirisht mund ta quajmë para moderne e ku në institucionet shtetërore do të marrin pozitat e tyre njerëzit sipas lidhjeve sociale personale. Ndërsa kjo formë do pësojë ndryshime në natyrën e institucioneve shtetërore, ku do të kemi përpjekjet që ato të marrin karakter evropian. Mirëpo natyra e huaj e këtyre institucioneve dhe funksionimi i dobët i tyre, shpejt do të ndikojnë që këto institucione të humbin legjitimitetin. Ky mosbesim ndaj organeve dhe imazhi,  sidomos ai i parlamentit, i partive e para së gjithash i drejtësisë është tejet i zymtë deri në ditët tona. Kjo kulturë e trashëguar e mosbesimit ndaj organeve shtetërore, lidhet me aspektin e tretë të kulturës politike që shprehet me dhënien e përparësisë në nivelin makropolitik dhe në veprimet e përditshme, veprimit personal e jo formave institucionale të veprimeve sociale dhe të interesave politike. Kështu rekrutimi i elitave bëhet duke mobilizuar rrjetet e personalizuara. Këtu te shqiptarët vlen të tërhiqet vëmendja te lidhjet familjare e sidomos atyre të natyrës së klientalizmit. Në kohën e sistemit komunist elitat e saj eliminonin duke nisur nga ato urbane dhe gjithçka që ishte në kundërshtim me mënyrën diktatoriale të menduarit të tyre. Edhe këtu lidhjet luanin rolin e tyre. Pas kalimit në liberalizëm bëhet edhe kalimi nga “plani në klan” që flet për rekrutim të ngjashëm të elitave. Kështu që edhe në përditshmërinë e njerëzve, ky qëndrim skeptik përballë institucioneve formale dhe shoqërisë mbështet më shumë në rrjetin social privat.  Kështu kalojmë në elementin e katërt të kulturës politike shqiptare, pra te lidhshmëria e dobët dhe fuqia e integrimit që del dhe ka dalë nga rendi normativ. Kështu për shembull kushtetutat shqiptare dhe rendi ligjor asnjëherë nuk kanë qenë “bindje kulturore e shoqërisë”. Nëse kultura politike është edhe kulturë konflikti, si element i pestë, atëherë në kulturën politike shqiptare hasim një tendencë për radikalizmin e kundërthënieve politike që shfaqet për shkak të dobësisë për konsensus ndër udhëheqës. Jo rrallë hasim edhe në pengesa, vetëbllokimin e plotë të sistemit politik mbase edhe duke përdorur dhunën. Fundamentalizmi në komunizëm e kishte ngritur qëndrimin e tij kundër bazuar në luftën e ideologjisë së klasave. Kjo del qartë nga veprimet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, përmes luftës së komunistëve kundër çdo kundërshtari politik. Ndërsa në fazën e liberalizimit dhe demokratizimit në vend, konfrontimet politike shkojnë deri në rrënimin e gjitha strukturave të shtetit. Kështu gjendja e tensionuar mes pozitës dhe opozitës në vitet 2005-2009, ishte aq e pasur me konflikte, sa nga jashtë është perceptuar se kjo situatë e kulturës politike në Shqipëri nuk ka ndryshuar që nga ndryshimi i sistemeve  në vitet 1991-1992.

Mosbesimi në institucionet politike nga qytetarët lidhet nga shumë faktorë. Ky mosbesim nuk lidhet vetëm me qëndrimet dhe traditat kulturore të vendosura gjatë përvojës së historisë, por edhe thjesht nga performanca e dobët që tregojnë përherë institucionet e që qytetarët i perceptojnë si të imponuara. 

2. Kultura politike shqiptare dhe proceset e saja drejt Bashkimit Europian 

Shqipëria si kandidate potenciale për të hyrë në BE, është që nga viti 2003, ndërsa kërkesën për anëtarësim e ka paraqitur në vitin 2009. Në një analizë të bërë nga Deutsche Gesellschaft für Auswärtige Politik (DGAP) në vitin 2012, nënvizojnë se shteti shqiptar do duhet të tejkalojë ende disa mangësi sepse nuk është ende gati për në BE. Edhe pse që nga paraqitja e kërkesës pikat e parashtruara nga ana e Komisionit Evropian kanë qenë të njohura nga dy krahët e partive politike kryesore shqiptare, edhe pse të dy kampet përherë kanë shprehur qëllimin për t`iu afruar BE-së, në kryerjen e detyrave të shtëpisë, përkatësisht në përmbushjen e kritereve të vendosura, ata me politikën e bllokimeve politike kanë penguar shtetin shqiptar në ecjen e shpejtë dhe reformimin e sektorëve të kërkuar nga BE-ja. Pra si pengesë kryesore është gjykuar ngërçi politik dhe luftërat për pushtet në Shqipëri mes partive kryesore politike. Pra mungesa e demokracisë në kulturën politike të Shqipërisë, përkatësisht lufta e brendshme politike si bllokuese kryesore e reformave themelore. Ndërsa si shkaktar për këtë polarizim të theksueshëm është vlerësuar kultura politike e vendit që ka bërë pak përvojë me demokracinë. Përvec kësaj, si pengesë është konstatuar në këtë analizë mungesa e shtetit ligjor, korrupsioni, krimi i organizuar dhe një sistem ekonomik i pakrahasueshëm dhe konkurrent i paaftë në nivelin krahasimor evropian e që përbëjnë pengesat e Shqipërisë për në BE.

Rekomandimin e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat do ta bllokojnë edhe tre ligjet “magjike” të kërkuara për miratim. Duhet thënë se përballë refuzimit nga parlamenti holandez, kësaj pengese i kontribuoi sidomos kultura politike e liderëve dhe krahëve kryesorë politikë në vend që kanë bllokuar këtë kandidaturë.

Si përmbledhje mund të thuhet se hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit u bë në vitin 2002, vetëm pas kompromisit për zgjedhjen e Presidentit konsensual të diktuar nga problematika e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2001 dhe atyre të vitit 2003. Firmosja e kësaj marrëve-shjeje u bë më 10 qershor të vitit 2006, dhe ratifikimi i saj u bë nga 27 parlamente të vendeve anëtare të BE-së. Në prill të vitit 2009, Presidenca çeke në ujdi me vendet anëtare, pranoi kërkesën e Shqipërisë për të hapur procesin për anëtarësim të plotë në BE. Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009, të cilat u vlerësuan nga misionet e vëzhgueseve të huaj si zgjedhje që plotësuan standardet kryesore të OSBE/ODHIR, Këshilli i Ministrave të BE autorizoi Komisionin Europian për t’i dorëzuar Shqipërisë pyetësorin me 2284 pyetje dhe 2000 nënpyetje, me të cilat provohej nëse administrata, institucionet shqiptare ishin të aftë dhe kishin kapacitetet e duhura për t’u angazhuar në procesin e integrimit. Në prill të vitit 2010, qeveria dorëzoi në Bruksel librin prej rreth 4000 faqesh me përgjigjet e pyetjeve, të cilat u vlerësuan pozitivisht nga Ministrat e Jashtëm të BE-së. Në maj të vitit 2010, Parlamenti dhe Komisioni Europian, vendosën për hapjen e procesit të negociatave për heqjen e vizave me Shqipërinë. Në tetor të vitit 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit, Komisioni Europian konstatoi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat dhe la edhe një afat 40 ditor për t’ia nisur Këshillit këtë rekomandim, gjatë të cilit Parlamenti shqiptar duhet të miratonte tre ligjet për të cilat PD (pozita) dhe PS (opozita) kishin rënë dakord që në janar të vitit 2012, me ndërmjetësim të vetë Komisionit Europian, ligje të cilat nuk u miratuan për shkak të mosvotimit nga ana e opozitës. Më 11 dhjetor të vitit 2012, Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi marsin e viti 2013, si një afat tjetër për votimin e ligjeve dhe rishqyrtimin e statusit për Shqipërinë, por këto ligje u votuan vetëm më 31 maj të vitit 2013.

Në tetor të vitit 2013, Komisioni përsëri rekomandoi pa asnjë kusht statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Më 17 dhjetor 2013 refuzohet për herë të tretë Statusi, i cili merret më së fundi më 24 qershor 2014. Marrja e Statusit si kandidate e BE-së, vjen pas një rruge të gjatë që ka përjetuar Shqipëria, e cila me marrjen e statusit nuk e ka përfunduar punën, përkundrazi. Tani Shqipëria gjendet para një faze të re në afrimin e saj drejt BE-së, fazë e cila mund të jetë e shkurtër nëse kemi vullnet dhe vendosmëri politike në vend, porse edhe mund të zgjatë sa edhe proceset tjera të mëhershme, sidomos për shkakun e kulturës politike në vend. Fushat problematike mbesin të njëjta me ato para dhënies së statusit.

 

*Autori është zëvëndësdrejtues i Albanisches Institut në St. Gallen dhe autor i librit Çfarë është kultura shqiptare, Tiranë St. Gallen 20014. Ky shkrim është pjesë i këtij libri.

Fusnotat i ka hequr redaksia e Dritës. Nëntitujt janë të redaksisë.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »