NJË VËSHTRIM MBI TË DREJTËN E GRUAS

Mar 30 • Opinion

Shkruan: Martina Dedaj – Kqira

Duam respekt të përditshëm, e jo në përvjetorë e jubile që na vlerësojnë dhe nderojnë për  arritjet tona dhe kinse gëzohen me fitore dhe suksese…

Kjo fjali, me ka mbetur në mendje, kur një grua e kishte thënë para ca viteve në një konferencë të organizuar për gratë. Rruga që ka bërë gruaja për të arritur fitimin e të drejtave të saj, është shumë e gjatë dhe ka një histori përpjekjesh që nga antika e hershme. Në fakt, nuk e harroj dot edhe një thënie tjetër nga koha antike për gruan: ”Gruaja për Aristotelin është një përçudnim i natyrës si pasoje e pjellorisë së mangët, një fazë fillestare deficitare e burrit. Sipas tij, ajo nuk ka arsye, as aftësi riprodhuese. Në të dyja, ajo luan vetëm një rol plotësues të dorës së dyte.” Megjithëse, për mua, mund të jetë deri diku i arsyeshëm ky mendim për një filozof, pasi që ai i takon kohës antike dhe reflekton nivelin e dijes dhe emancipimit të shoqërisë së asaj kohe.

Larg nga koha antike, kemi një tjetër mendim, tani të ndritur nga një grua dhe nënë e fuqishme, e cila me dashuri pushtoi tërë botën, bija e popullit tonë – e Lumja Nënë Tereza. Kjo Grua, ka pushtuar mendjen dhe zemrën time, e jo vetëm kaq, por mundohem që thëniet dhe mendësinë e saj ta mishëroj në jetën e përditshme. Ja, njëri ndër mendimet e thella, të kthjella dhe krejt human i Nënë Terezës: “…Më duhet të them se nuk arrij të kuptoj se përse disa pohojnë se burri e gruaja janë ekzaktësisht të barabartë, duke mohuar kështu bukurinë e diversitetit që ekziston midis burrit e gruas. Dhuratat e Zotit janë të gjitha të mira, por jo domosdoshmërisht të njëjta. I përgjigjem shpesh kujtdo që më thotë se i pëlqen t’i shërbej të varfërve ashtu siç i shërbej unë: “Atë që bëj unë nuk jeni të aftë ta bëni ju. Atë që bëni ju nuk jam e aftë ta bëj unë, Por ju e unë së bashku, mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin. Kjo vlen dhe për diferencat midis gruas e burrit. Zoti krijoi secilin prej nesh, çdo qenie humane, për diçka të madhe: të duash e të të duan. Përse Zoti i krijoi burrat e gratë? Sepse dashuria e një gruaje është një nga fytyrat e dashurisë së Zotit. Dashuria e një burri është një tjetër fytyrë e të njëjtës dashuri. Burri e gruaja janë krijuar për të dashuruar, por secili në mënyrë të ndryshme: burri e gruaja plotësojnë njëri-tjetrin e të dy së bashku shfaqin dashurinë e Zotit shumë më mirë se sa mund ta bënin të ndarë.”

Do të mund të rendisnim edhe shumë pohime, thënie e analiza të mendimtarëve tjerë përkitazi me gruan, që jo rrallë mund të jenë vetëm të bukura e romantike, por jo mendime reale për gruan.

Duhet të thuhet se lufta për emancipimin e gruas nuk lindi spontanisht; ajo kaloi etapa të zhvillimit dhe luftimit të mundimshëm për ndërgjegjësimin e saj ideo-politikë, për aftësimin profesional të drejtimit, dhe qëndrimi i fortë dhe i pa lëkundshëm përball pozitave sulmuese është lartësuar në personalitetin e gruas si ndërtuese aktive e mbrojtjes dhe përtëritjes së gjeneratave të reja që krijojnë të ardhmen. Andaj, duke u bazuar në historinë e gruas që ka kontribuar qysh në kohërat e hershme, si shtëpiake dhe më pas në frontet e ndryshme të luftës, duke u radhitur në brigada çlirimtare, madje edhe më rënien si heroina, në mbrojtje të nderit, në edukim, arsim, kulturë, shëndetësi, industri, e deri te angazhimet në sferën politike, ishte rrugë e mundimshme e gruas dhe emancipimit të saj që me këtë rrugë nuk kalojë aq lehtë, asgjë nuk e gjeti të gatshme, dhe çdo gjë u fitua me djersë dhe sakrificë, dhe gjithherë duke marrë parasysh vështirësitë e shumta. Ndryshimi ka ndodhë në masë të madhe, sidomos në dy shekujt e fundit, që kur femrat fituan të drejtën e votës dhe nisen të punësoheshin pasivisht në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, edhe në Kosovë në këto dy dekadat e fundit, punësimi i femrës dhe forcimi i rolit të saj në shoqëri ndryshoi jo pak konceptet patriarkale, që mbisundonin në shoqëri për shumë shekuj me radhë.

Në këtë drejtim, rol me rendësi kanë luajtur edhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, si dhe shoqëria civile. Kësisoj, është nxjerrë legjislacioni përkatës dhe janë realizuar programe të ndryshme për avancimin e të drejtës së gruas, ku sipas raporteve të ndryshme hulumtuese shihet se ka progres të konsiderueshëm, por jo në masën e dëshiruar. Megjithatë, konsideroj se institucionet vendore të të gjitha niveleve në Kosovë, në vazhdimësi duhet të angazhohen fuqishëm që pozita dhe roli i gruas në shoqëri të forcohet në mënyrë të vazhdueshme ashtu që kjo të kuptohet si standard i padiskutueshëm në shoqërinë tonë.

Aktualisht, në Kosovë, ka ende të meta në respektimin e të drejtës së femrave, e kjo vihet re në zonat rurale ku ka vend ende për të dëshiruar dhe bërë, sidomos në fusha të rëndësishme të jetës, sikurse janë arsimimi, hapësira mediale që i kushtohet asaj, punësimi, vendimmarrja, të bërit biznes etj.  Ndërkaq, siç shohim, anën tjetër, në zonat e mëdha urbane femrat kanë fituar barazi të konsiderueshme, pothuajse sikurse femrat në botën perëndimore dhe në shoqëritë e emancipuara.

Derisa po e shkruaj këto përsiatje modeste për gruan, në vendin tonë po mbahet java e femrës, do të doja që manifestime të ngjashme, si dita e gruas e shumë manifestime dhe jubile, të mos mbesin vetëm si përkujtime në ndërgjegjen kolektive të shoqërisë, si një kronologji historike për rrugën e gjatë nëpër të cilën ka kaluar përpjekja dhe sakrifica e gruas për fitimin e të drejtave të saj, por ato të jetësohen gjerësisht, në të gjitha nivelet ku këto të drejta e ky dinjitet i gruas ende s’ka arritur standard të pëlqyeshëm.

Por, pa dyshim, hapat e vegjël, por të sigurt, sjellin fryte të mira.  

Shpërndaje

Comments are closed.

« »