DËSHMI QË MË NDODHI NË JAVËN E MADHE – NJË DHURATË E VOGËL PËR TY QË MUND TË NXIS NDËRRIMIN E JETËS

Apr 1 • Opinion

Shkruan: Dedë Palokaj, arkeolog 

KUR ZOTIT I THASHË PO? 

Kur ndodhi kjo? Atëherë kur isha student i Zagrebit. Si gjithë bashkëmoshatarët e mi dëshiroja të bëhem bashkëkohorë e të eci në hap me kohën. Pasiqë ky qytet ofronte mundësi dhe mënyra të shumta jete, unë si në pëshpëritje i thash vetit: Vetëm njëherë jetohet, shfrytëzo jetën gjërsa je i ri? Por ç’ndodhi? Ashtu si çdo njeriut që i dalin përpara ngjarjet që nuk parashikohën, edhe unë u ballafaqova me problemet e rinisë. Fortunat e jetës si valët e fuqishme të detit me sollën në sprova jete dhe rrethana krejt të papritura. Në këto përplasje me mungonte qëndresa dhe mospërgatitja rinore për jetën. Kështu shumë heret ndjeva veten të plandosur në dëshprim të thellë në zemër. Duke mos ia prishur qejfin vetës nuk zotëroja dot veten dhe duke e humbur kontrollin u “deha” me jetën pa e pirë asnjë gotë raki. Sepse kur mëkatit i del përpara atëherë të zënë belaja. Dhe, kjo ishte arsyeja që përjetova rrëzim dhe ndihesha i përmbysur me fytyrë përdhe. Nuk dija se e keqja mund të vijë aq shpejt. Sikur boksieri kur rrëzohet nga goditjet e para dhe më nuk e mbajnë këmbët për të vazhduar mëtutje betejen e fitorës, edhe unë në luftë me vetveten nuk besoja se do të rrëzohem aq lehtë. 

Po, çfar rrëzimi ishte ky? Duke mos ditur se të ecësh më kohën nuk do të thotë edhe të jetosh mirë në kuptim të plotë të fjalës dhe me mendjelehtësinë e aventurierit, nuk dita ta përdori mirë lirinë si dhuratën më të madhe të Zotit. U zura keq në rrugën e mëkatit që shpie në vdekje dhe nuk dija se si ti dal zot vetes. Në mendime konsideroja veten si një rast i gabuar dhe jeta me dukej udhë e pa kuptim sepse në fund të fundit një ditë nuk do të jamë më gjallë për shkak se vdekja do ti kapërdi të gjithë si ujku qengjin. Dilema e misterit të jetës dhe vdekjes më nxiste të mendoj dhe më bënte shumë të pasigurt. Ndër gjitha fjalët frikësuese më së shumti me frikësonte fjala vdekje. Para vdekjes si armiku më i madh dhe i fundit i jetës së njeriut, nuk ndjehesha fare djalë trim sepse nuk dija se kush i mbanë çelësat e këtij armiku. Se një ditë kjo do të ndodhë dhe që askush nuk do të mund të më shpëtoj, kjo nuk ma lënte zemrën aspak të qetë. Kërkimet, rënkimet, thirrjet e brendshme dukeshin si të vonuara dhe jehona e zërit të lirisë dhe rinisë ishin bërë zë i të mbyturit. Sepse, në mua kishte rënë perdja e bardhë mbrojtëse, pra, ajo e nderit, e pafajësisë, pastërtisë shpirtërore dhe e lirisë.

E keqja e të gjitha të këqijave e quajtur mëkat, fjalë e dalur krejt nga moda në kohën e sotme, si hije e zezë më shtypte përbrenda drejt shkatërrimit të lirisë, sigurisë dhe qëllimeve të mia rinore e cila më futi në huti, pasiguri dhe errësirë të thellë. Fjala popullore thotë: kur bie në ujë mos u hidhëro në prronin, por hidhërohu në vetëvete. Ashtu me fajin tim ndërtesa ime shpirtërore kishte marrë tatëpjetën drejt rrënimit që gjithnjë e më shumë po bëhej gërmadhë. Sapo kisha filluar rininë e veç mendoja për mbarimin. Mëkati pamëshirshëm me shtrini për tokë.

Duke studiuar të kaluarën, pashë se studimi pa Zotin mund ta nxis njeriun të shkoj kah “maja” e diturisë dhe të “fluturoj” shumë lart si piloti pa busull. I tëri ndjehesha si i plagosuri në ofshamë që i dhemb çdo kund. I luhatur si gogla e dushkut në ujë, ndihesha porsi biri i humbur (Lk 15, 24) i preokupuar në vetvete me mjerimin tim shpirtëror. Nuk shihja se jeta e njeriut mëkatar, të egër, të pandërruar dhe papenduar që bartej në mua, po e thithte gjakun e gjallë e të paçmueshëm të Jezusit tim të cilin ende nuk e njihja. Nga padituria shkëmbeja argjend të falsifikur me pasuri të amshuar.

Edhe përkundër kësaj isha i krishterë të paktën sipas pagëzimit dhe traditës familjare. Por çka do të thoshte kjo kur unë i gjori Krishtin personalisht nuk e njihja fare? Qysh si nxënës i moshës së re ashtu si bashkëmoshatarët e mi e ndjeva bashllëkun e ideologjisë marksiste dhe të edukimit ateist i cili trumbetonte me të madhe kundër fesë me parullën: S’ka Zot. Mësimi i tillë nëpër shkolla ndikoj për të keqë në mua por edhe në tërë gjeneratën time ashtu si duhani që ndikon dëmshem në organizmin njeriut. Me këtë edukatë të gabuar shkollore u nisa në jetë si i ndjekuri nga shtëpia i brengosur për fatin tim të panjohur, sepse isha i hendikepuar shpirtërisht me zemër e tru të larë në pikëpamje të fesë. Kështu si i ri mora pikëpamje të reja dhe të gabuara mbi çështjet fetare: se nuk ka Zot. Duke e ndjerë mungesën e Dikujt që është më i madh se njeriu për ta mbështetur ekzistencën time, nuk prisja kurrfarë shpëtimi nga askush, sepse shpëtimi atëherë premtohej dhe pritej nga ideologjia e “pastër” sunduese: “Nëna Parti”. Kurse, Krishti jetonte në kujtesën dhe mendjen time vetëm si person i tregimeve të bukura fëminore. Atëherë kur nuk isha më fëmijë i lashë anësh rrëfimet e me to edhe Jezu Krishtin tërësisht duke e përjashtuar nga jeta ashtu sikur nxënësi i dobët që përjashtohet nga shkolla. Dhe, kjo ishte pika devijuse nga rruga e Tij. Dëshiroja të mos kam detyrim ndaj Jezusit as ndaj kërkuj tjetër për të qenë i “lirë” dhe për të bërë vet çka të dua. I thash vetit: Nëse Zoti nuk ekziston atëherë jam i “lirë” dhe kjo mund të jet zgjidhje e dëshiruar për të ti arsyetuar veprimet e mija.

Duke studjuar në mesin e një populli ku Zoti, gjaku i Krishtit, Zoja e Bekuar shahej rëndë, edhe unë rashë teposhtë në këtë epidemi mashtruese. Fillova emrin e Tenzot si në shaka ta ngarkoj me fjalë fyese edhe pse nuk e ndjeja vetën mirë. Çfar mashtrimi! Duke mos e ditur peshen negative të kësaj dhe mësimin e shenjtërve dhe etërve kishtar si psh. Shën Jeronimit i cili thotë: “Blasfemia, sharja e Zotit është gjëja më e tmerrshme ndër gjitha mëkatet sepse ajo është të folurit që del përmes gojes së njeriut patenzot kundër Zotit. Çdo mëkat tjetër është më i vogël kur krahasohet me sharjen e Zotit”. Ndërsa disa etër tjerë kishtarë lidhur me sharjen e Zotit kanë thënë: “Ai që shanë Zotin është më i keq se qeni dhe se shtazët tjera. Qeni nuk leh në zotërin e vet, edhe kur ai e rrah atë, kurse ai që e shanë Zotin, Zotërin e vet e bën pa kurrfarë arsye. Kështu, sharja e Zotit është e folme, është zë e ferrit, pra të folurit e shpirtit keq përmes njeriut. Ashtu sikur Shpirti Shenjtë që flet përmes të drejtit, gjithashtu edhe shpirti keq flet përmes atij që shanë Zotin”. Mirëpo, Krishti me të gjitha këto mashtrimet dhe gabimet e mija nuk më kishte braktisur, nuk më kishte përjashtuar ashtu siç kisha bërë unë ndaj Tij. Sepse, ku është rreziku aty është Ai i pari dhe kujt i ndodh rrëzimi nuk ngritet dot pa i ardhur në ndihmë Shpëtimtari.

 KTHESA VENDIMTARE 

Një mik i imi, një mbrëmje vjeshte me solli në një Bashkësi të lutjeve në famullinë e Shën Vinçencit mu në qendër të qytetit të Zagrebit ku mblidheshin studentët vendeve të ndryshme të ish Jugosllavisë. Takimet për mrekulli i udhëheqte një meshtar dhe teolog eminent i fakultetit teologjik në Zagreb. Në këto takime isha i pranuar me plot dashuri, si në familje. Pas shumë përpjekjeve të përbashkëta, vendosa ta kërkoj jetën e re mbi të clën flet Shkrimi Shenjt. Nuk më linin të qetë fjalët e Jezu Krishtit: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14, 6). U preokupova dhe u ballafaqova seriozisht me jetën e Jezu Krishtit. Nuk dija ç’të bëj! Zemra më thoshte të vetën, kurse arsyeja të vetën. U zura shumë ngusht. Me dukej se asgjë nuk dija, asgjë nuk kuptoja. T’i them Krishtit PO plotësisht, çka do të thonin kolegët, miqtë, shokët, shoqet, rrethi… Isha në dilemë a ta lë mashtrimin për fitimin, të kaluarën për të ardhmën dhe vdekjen për jetën. Avanturë e paarsyeshme dhe e rrezikshme me dukej ta braktisish lundrën si Shën Pjetri e të ecësh nëpër det të hapur (Mt 14, 29).Mirëpo, udhëheqësi i Bashkësisë së lutjeve me karizmen e vet kishte bërë çdo gjë për mua dhe më kishte sjellur krejt afër Krishtit, aq afër sa nuk mund ta refuzoja Atë.

Një mbrëmje shtatori dëshiroja të jem vetëm i vetëdishem se ndryshimet nuk vinë vetvetiu pa e bërë hapin e parë. Ndër gjitha hapat që i bën njeriu në jetën e vet, hapi parë është hapi më vendimtari, është hap që sheh, që ka qartësi dhe dallueshmëri i cili edhe në rrugët më të errëta i rregullon hapat tjerë dhe i bën kilomatra. Duke patur frikë për t’u rrëfyer sepse nuk e dija rëndësinë e rrëfimit, për të parën herë rashë në gjunjë në dhomën 217 në konviktin e studentëve, që të pendohem për t’u kthye te Zoti. Mirëpo, ende pa u gjunjëzuar mirë, në mua plasi vaji si kurrë më parë. Duke mos i mbajtur dot lotët si fëmija për nënën me qante zemra për Zotin. Një lum lotësh rrjedhnin nga unë dhe përjetoja se Zoti me dashurinë e Tij po i fshinte nga sytë e mi. Nga ora e pushtetit të territ dhe kotësisë, pashë se isha gënjyer shumë keq. Qaja në vetmi para Zotit i penduar, i hidhëruar, i mërzitur shumë për Të, sepse me vite më kishte munguar shumë. U zbraza plotësisht para Tij dhe nuk më ngritej trupi në këmbë nga bashkimi me Të. I thashë Zotit: Po. I thashë njëherë e përgjithmonë. Nuk bëra, po me kokë si nëpër dhëmbë, jo dua, jo s’dua. Bëra me zemër sepse ishte dita e saj. Këtë e lypi zemra sepse rrahte me ritmin e shpresës e cila po kalonte ditët e provës (Zb 3, 10).

Të nesërmen pas rrëfimit kur u zbardhë petku im shpirtëror nga të këqijat e mija në gjakun e Krishtit dhe pas kungimit, meshtari im pasi kishte hapur rrugën e veprimit të Shpirtit Shenjtë në mua më tha: Ky është hapi i parë i kthimit, të dytin e bën Zoti kur të mbushesh me Shpirtin Shenjtë në lutje për të mos u kthyer më prapa dhe për t’u ngjallë në jetën e Kishës. Për habinë time ndodhi ashtu.

PLOTËSISHT I YTI, JEZUS

 Një mbrëmje shtatori në takimet e përbashkëta të studentëve të një mendimi dhe të një zemre ishim të gjithë së bashku në lutje meditative. Kur, ja, ç’ndodhi: u mbusha plot me Shpirtin Shenjtë si në kohën e apostujve në ditën e Rrëshajëve ku thuhet. “Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjtë dhe filluan të flasin gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjtë i shndriste të shpreheshin” (Vap, 2, 4).Si në atë kohë ashtu ndodhi edhe me mua në atë mbrëmje të paharrueshme. Në atë ngjarje të veçantë e të gëzueshme pamasë, zbardhi dita. Shirti Shenjtë më ndriçoj në mua. Sikur dielli kur ndriçon fort kopshtin me lule, ashtu edhe unë u ngjalla së tepërmi në Shpirtin Shenjtë. Fytyra ime e brendshme ndriçoj me rreze si të arta, aq shumë saqë të tjerët si në tallje kanë mundur të thonin ashtu si u thanë apostujve në ditën e Rrëshajëve: “Të habitur e të marrë mendsh, pyesnin njëri – tjetrin: “Çfar do të jetë kjo punë?Duke shpotitur, thoshnin: Janë dehur me musht!“ (Vap 2, 12 – 13). Çdo gjë ishte e re, diçka e papërshkrueshme me fjalë njerëzore, por e vërtetë. Ishte kjo ngjarje e vërtetë e Rrëshajëve në jetën time, një ngjallje jashtë mase. Ja, se si i vdekuri ngjallet në Krishtin përsëri, sepse Ai vdekjen e bën të lind. Kështu në mua u zgjuan frytet e krezmimit, dashurisë dhe duke e dorëzua veten Atij që më shpëtoj, të lumit Jezus, Shpirti Shenjtë me karizmat e veta me dashuri me vuri në shërbim të bashkësisë së Kishës. Kjo e ndryshoi plotësisht jetën dhe ardhmërinë time dhe Shpirti i Shenjtë që na është dhënë dëshmon për Jezusin (Gj 15, 26).

O fatkeqësi fatlume! Racionalizmi i tepruar, i ftoftë, i pa zemër i shekullit u mposht. Dhe, që atëherë takimi me Krishtin e ngjallur më bëri dëshmitarë, diçka që pashë dhe shijova me sy të mi të zemrës dhe u binda në dashurinë e Tij. Nga krejt kjo kuptova se të ndjekësh vetëm urdhrat racionale të mendjes pa e pyetur zemrën, pa kthesat personale dhe vendimet serioze të brendshme, pa Shpirtin Shenjtë është mentalitet i gabuar dhe lëvizje boshe që veprohet pa fuqinë e Zotit.

Pra, nëse guri i madh i pajetë në hyrje të varrit të Jezusit u bë dëshmitarë i parë i pagojë i vdekjes dhe ngjalljes së Tij (Mt 28, 1- 2) aq më shumë dëshmin e ngjalljes, dashurisë dhe pranisë së Jezusit e bëjmë ne të gjallët në fuqinë e Shpirtit Shenjtë. Kështu, mjerimi, varfëria, verbëria, bredhjet, lotët, përbuzja, urrejtja…të gjitha u mposhtën në emër të Atij që më thirri dhe forcoj – Jezu Krishtit Zot. Mbi këtë shkëmb të paluhatshëm, fillova ndërtimin e jetës së re – jetës shpirtërore duke filluar nga themeli. Sepse, “Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur” (Lk 19, 10).

Veçova një pjesë të jetës sime ta ndaj me lexuesit për ta kuptuar se kjo nuk është reklamë por është dëshmi e gjallë e një kohë të caktuar kur jeta më ishte “lidhur nyjë”. Kështu duke iu përgjigjur kthimit në jetën e Zotit ndihëm si jetëbardhi që nuk jeton më ngjarjet e së kaluarës. Mbi këtë dëshmi qëndron e vërteta e të madhit Zot që përtërin jetën e tonë.

Çdo rrugë është e mirë vetëm nëse qonë në darkën e fshatit Emaus, në kremtimin e Eukaristisë dhe në ngjarjet personale të Rrëshajëve. Me këtë kuptova se ngjarjet, epizodat e së kaluarës sonë në realitet janë rrëfime dhe sinjale të misterit të Zotit mbi dashurinë e Tij ndaj nesh.

Ndodhi kjo para shumë vitësh, por freskia si ujë burimi dhe jehona e kësaj ngjarje mbetën. Atëherë ishte dalja në jetë dhe fillimi i udhëtimit të ri, kurse e tani vazhdimi në të ardhmen e sigurt. Gjatë këtij rrugëtimi shumëvjeçarë forca frymëzuese e Jezusit ishte: Me hirin tim vepro. Kështu, duke kujtuar të kaluarën që nga atëherë u mësova të keqës, mëkatit t’i them: Jo. Ndërsa sot në rrethana krejt të reja duke përsëritur çdoherë i them Zotit: Po, tani e përgjithmonë e jetës. Amën.

 

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »