PASHKËT – NGJALLJA E ZOTIT

Apr 4 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë Vap 10,34.37-43

 

Lexim prej Veprave të apostujve

Në ato ditë, Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse hyji ishte me të. Ne jemi dëshmitarë për të gjitha që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë duke e varur në shtyllë. Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë, jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve  prej hyjit të paracaktuar, neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjallë prej të vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t’ predikojmë popullit e t’ i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetër: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”

 Fjala e Zotit

 

Psalmi: 118(117)

Ref. Kjo është dita e Krishtit Zot:  aleluja, aleluja

—————————————————————-

Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

—————————————————————

E djathta e Zotit u madhërua!

E djathta e Zotit më lartësoi!

S’do të vdes, të jetoj dua,

do t’i kumtoj veprat e Zotit!

————————————————————–

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë:

sa mrekulli për sytë tanë!

——————————————————————

 

Leximi dytë 1 Kol 3,1-14

Leximi i letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. U kur të duket Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.

 

Fjala e Zotit

 

Ndjekësorja

Flijes s’ngjallur t’Pashkëve tona

T’i këndojë t’k’shterit goja-goja;

Qengji delet i liroi,

M’katarët Krishti i shëlboi

Me Atin duke i pajtuar.

 

Jeta e vdekja n’dyluftim,

u përleshën mrekull, shqim:

Prisi i Jetës vdekur ra,

Por u ngjall: sundon panda.

 

Na trego, ti o Mari,

çka ke parë me ata sy?

Kam parë varrin e Krishtit të gjallë

dhe lavdinë e atij që u ngjall.

 

I pashë engjëjt dëshmitarë,

rizën, petkat t’vëna palë.

U ngjall Krishti e imja shpresë,

para u del n’rreth t’Galilesë.

 

U ngjall Krishti përnjëmend!

Mbret, fitues – mëshirë përgjithkënd.

Amen! Aleluja.

 

Aleluja

Krishti Qengji ynë i Pashkëve është flijuar,

 prandaj le të kremtojmë në Zotin.

Aleluja


 

+ Ungjilli  Gjn 20, 1-9

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 

Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. Atëherë erdhi me vrap te Simon-Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.” Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon-Pjetri që po vinte mbas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend. Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin shenjt: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.  

Fjala e Zotit

 

Porosia 

Festa e Pashkëve, të cilën e festojmë sot, është gëzim për ne, sepse Jezusi, i cili erdhi në botë, jo vetëm që na foli për gjërat qiellore, duke na mësuar dhe ndihmuar të jetojmë në realitetin e  ri – të besimit në Hyjin, por mori ligështitë njerëzore dhe mëkatet tona, të cilat i shkatërroi në kryq, duke u munduar e duke u ngjallur nga të vdekurit, për ne dhe shpëtimin tonë.

Ky është themel i fesë sonë, dhe sikurse thotë shën Pali: “Po mos të kishte ringjallje e kot do të ishte feja jonë.” Krishti u ngjall, dhe njerëzimit,  të gjithë atyre që besojnë, iu jep horizonte të reja të jetës: në paqe, në dashuri, në vlera shpirtërore, të cilat mund të shprehen në forma të ndryshme.

Prandaj, miliona njerëz zgjohen në mëngjes dhe shkojnë në Kishë për të parë varrin e zbrazët. Ngjallja, kjo fjalë, në ne zgjon kureshtje për të bërë shumë pyetje, ndoshta edhe për të dyshuar, nëse është e zbehur feja besimi ynë: Kështu njeriun mund ta dërgojë  në rrugë të panjohur e të gabuar, në një mister që nuk mund ta zbulojë, në mungesë të fesë, jeton në një jetë e në një botë krejt tjetër nga ajo bota e fesë, e besimit, e angazhimit dhe orientimit kah amshimi.

Por, Krishti u ngjallë që të ngjallë shpresën, të ngjallë ndjenjat, dhe të ngjallë besimin-fenë tonë në Atë që e mundi mëkatin, djallin, të keqen dhe vdekjen.

Një njeri, ditën e Pashkëve, i kishte thënë mikut të vet: Mark, a di çka ka ndodhur sot. E ai, krejt në frikë, pyeti çka mor ka ndodhë? Krishti është ringjall. Ah, tha Marku -mendova çka paska ndodhë…dhe mbeti kjo si një lojë fjalësh dhe asgjë. Nga një herë Ringjalljen nuk e kuptojmë shumë seriozisht.

Por, nuk guxojmë të gabohemi dhe të mashtrohemi për këtë ngjarje kaq të rëndësishme për ne, sepse, kjo ka të bëj me të ardhmen tonë, ne si njerëz që jemi shtegtarë, jemi kalimtarë nuk dëshirojmë të vdesim, por të jetojmë; e të jetojmë mundemi, nëse besojmë në ringjallje të Krishtit dhe u besojmë të gjitha të vërtetave të fesë dhe mësimeve të Krishtit.

Pra, Pashkët për ne janë kalim nga errësira në dritë, nga mëkati në hir të Zotit, nga vdekja në jetë.

“Kjo është dita që na dhurojë Zoti të galdojmë e të gëzojmë në Të”.

Vëllezër e motra,  të gëzojmë dhe të galdojmë, mbi të gjitha ta falënderojmë Jezusin që na deshi aq shumë; na deshi sa që edhe jetën e flijoi për ne, për të na larguar nga mëkati. Le të ndodh, që bashkë me Krishtin, të ringjallemi edhe ne në jetë të re, në besim, në fe dhe në vepra të mira të cilat e dëshmojnë praninë e këtij gëzimi në botë që na sjellin Pashkët.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, në këtë ditë gëzimi që na sjellin Pashkët t’ i lutemi Zotit tonë Jezu Krishtit, në ditën kur kremtojmë ngjalljen e Tij dhe t’i themi së bashku:

 

Krishti i ringjallur për ne, na dëgjo!

–         Për Kishën tënde, që t’i  shpallë mbarë botës që Jezusi vdiq dhe u ngjall për mbarë njerëzimin dhe shëlbimin e të gjithëve, të lutemi:

–         Për të gjithë ata të cilët nuk besojnë në ty që në vdekjen dhe ngjalljen tënde të njohin dashurinë që ke për njerëzit mbarë, të lutemi:

–         Për të gjithë ne që u miqësuam me ty nëpërmes pagëzimit dhe që të jetojmë në shpresë që na dhurove me ringjalljen tënde, të lutemi:

–         Për famullinë tonë që të jetë bashkësi që duhet dhe nderohet në mes vet dhe që Ti o Jezu i Ringjallur të na ndihmosh në ripërtëritje të jetës shpirtërore dhe materiale, të lutemi:

–         Për të vdekurit tanë që të gëzojnë me Ty në lavdinë tënde, të lutemi:

O Zot Jezus i Ringjallur, prano lutjet tona dhe bëj që të gëzohemi për fitoren tënde mbi mëkatin, të keqen dhe vdekjen; le të na përfshijë hiri dhe dashuria jote që të jetojmë gjithmonë të bashkuar me Ty, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti për “Rev Drita”: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »