POROSIA E IPESHKVIT TË KOSOVËS IMZOT DODË GJERGJIT PËR PASHKË 2015

Apr 4 • Kisha në Kosovë

Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,

vëllezërve në fe dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë!

 

Fort të dashur,

pas lutjes e agjërimit kreshmor, po përgatitemi solemnisht të kremtojmë festën e madhe të Pashkëve, që është festë e Besëlidhjes së Re, festë e Ngjalljes së Jezusit të Kryqëzuar, festë e gëzimit dhe e shpresës së krishterë.

Festa e Pashkëve është kremtim i ngadhënjimit të hirit hyjnor mbi ligështinë njerëzore, i jetës mbi vdekjen, i mëshirës mbi urrejtjen dhe festë e paqes dhe pajtimit mbi hakmarrjen. Me ngjalljen nga vdekja të Jezusit të Kryqëzuar në Kalvar, e mira, njëherë e për gjithmonë, e ka shpall fitoren kundër së keqes. Me këtë akt dashurie, të gjithë njerëzimit iu është kthyer shpresa, sepse Hyji ashtu sikur e ngjalli Jezusin, do të na ngjallë të gjithëve në ditën e lavdisë së Tij.

Në të vërtetë, Zoti, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, është kujdesur që ta mbushë me shpresë zemrën e njeriut besimtar, kurse njeriu duke shpresuar me gjithë zemër s’ka pushuar asnjëherë duke lavdëruar dhe duke e falënderuar Zotin, nëpërmjet lutjes, agjërimit e sakrificës. Këndej në historinë e shpëtimit, Hyji shpeshherë i është ofruar njeriut me ofertën e shpëtimit, me dhuratën e shpresës dhe ka “lidhë besë” me krijesën e vet – njeri. Kujtojmë se si Hyji e nxiste Noehun të shpëtonte familjen e tij dhe farën e jetës mbi tokë; se si Hyji pëshpëriste në zemrat e profetëve, që të shpresonin në Zotin; se si Zoti i foli Moisiut që ta shpëtonte popullin e zgjedhur nga robëria e Egjipti. Dhe më në fund, sesi Zoti e tha fjalën përfundimtare në Krishtin, duke e ofruar vetën e Tij si shpërblim për mëkatet tona, ashtu që të na shpëtonte nga mëkati dhe vdekja. Kështu, mund të themi se e gjithë historia e sipërmarrjes së Zotit, për të na shpëtuar, është vepër dashurie dhe fryt i besëlidhjes. Vetëdija e tillë, plot fe dhe shpresë, na bashkon në mrekullinë e të Ringjallurit, i cili duke ndryshuar zemrat e njerëzve, themelojë një bashkësi të re njerëzore, e cila shpreson dhe beson se nuk do të vdes, por do të jetojë për amshim dhe se Krishti do të vijë përsëri në lavdinë e vet.

Kisha është institucioni i shpresës, që bashkon të bijtë e Zotit në uratë e në dashuri, e së bashku me ta, pret ardhjen e Krishtit me lavdi. Prandaj, të krishterët janë të thirrur që nëpërmjet dashurisë hyjnore, që iu është dhuruar, të mbajnë të ndezur dritën e shpresës brenda zemrave të tyre. (khs. 1 Pjt 3, 15). Kurse, Kisha është institucioni hyjnor në botë me përgjegjësi të veçantë “… që të mbajë të ndezur dhe të dukshëm  kandilin e shpresës, sepse duhet të shkëlqejë si shenjë e sigurt shpëtimi dhe të ndriçojë vetëdijen e gjithë njerëzimin duke i çuar ata në përballje me fytyrën e dhimbshme dhe të mëshirshme të Zotit.” (Papa Françesku).

Të dashur miq, ne të krishterët, edhe pse jemi të bijtë Zotit dhe të shpresës, në të njëjtën kohë jemi edhe protagonistë të jetës shoqërore, dhe brenda saj, angazhohemi të mbjellim vlerat themelore dhe konceptin bazë për mirëkuptimin mes njerëzve, që të gjithë njëzëri t’mund të këndojmë në kor himnin e dashurisë dhe të paqes, në nder të Hyjit Atë.

Mirëpo, kur e vëzhgojmë realitetin tonë atëherë shohim se si keqpërdoren të mirat e përbashkëta, se si rrënohet e ardhmja nga papërgjegjësia. Shohim po ashtu se si njerëzit të zhgënjyer lëshojnë vatrat e tyre familjare dhe ikin, “me krye n’grusht”, në drejtim të panjohur. Pothuajse për çdo ditë, dëgjojmë për vrasje dhe vetëvrasje, për mosfunksionimin e sistemit në tërësi, korruptimin e pushtetarëve, arrogancën e të pushtetshmëve dhe pamirësinë e të pasuruarve, e shumë gjëra të ngjashme me këto. Këndej, njerëzit e zhgënjyer, të dëshpëruar e të trishtuar, shpeshherë dhe shumëkund, shtrojmë pyetje të shumta: Si është e mundur që ne, të cilët për hir të paqes, duruam dhunë dhe padrejtësi të paparë, kurse për ndërtimin e saj, nuk jemi të gatshëm të sakrifikojmë asgjë? Si është e mundur që ne kur s’kishim thuajse asgjë, gjenim mundësi për të ndihmuar, për të ngushëlluar dhe për të motivuar vëllazërisht njëri-tjetrin, e tani kur kemi shumë më shumë të mira, s’duam të dëgjojmë për nevojat e njëri-tjetrit. Bile, nganjëherë, duam t’ia grabisim të ardhmen të afërmit tonë! Si është e mundur që ne, të cilët ishim të gatshëm të jepnim jetën në këmbim të lirisë, sot s’jemi të gatshëm të sakrifikojmë asgjë për jetësimin e sajë? Si është e mundur që, pas luftës, njerëzit me shpresë ktheheshin në shtëpitë e djegura dhe të rrënuara, ndërsa sot të dëshpëruar ikin prej shtëpive të rregulluara dhe prej të mirave të krijuara?

E gjithë kjo ngjanë, sepse ata që u angazhuan për paqen, tani përpiqen që ajo të jetë e shterpë, sepse kanë frikë nga frytet e saja. Ata e dinë mirë se, nëse të gjithë do t’i shijojnë frytet e paqes, atëherë s’do të guxojnë ta shfrytëzojnë të mirën e përbashkët, në dobi të familjes dhe miqve të vet. Në anën tjetër, edhe ata që u angazhuan për liri insistojnë të na bindin se liria është privilegj i disave, prandaj e duan kontrollin mbi lirinë dhe mundësitë, sepse ju shërben për interes dhe pushtet. Kështu si “poseduesit e paqes” ashtu dhe“përdoruesit e lirisë”, duke mbjell zhgënjim, po e vrasin shpresën e njerëzve.

Motra dhe vëllezër fort të dashur,

nga përvoja profetike mësojmë se shpresa nuk vdes “[…]edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes[ …]” (Ps 23, 4a). Historia na dëshmon se një popull i cili ka shpresuar për të ardhmen e vet, s’ka gabuar kurrë. Kisha ndër shqiptarë është shembulli më i mirë i guximit për të shpresuar, sepse ajo që nga e kaluara e lashtë asnjëherë nuk është dorëzuar para disfatave dëshpëruese dhe me guxim iu është kundërvu gjitha të këqijave të kohërave. E frymëzuar nga Ringjallja, gjithnjë ka gjetë motivacion për ta rikthye shpirtin e shpresës dhe ka shërbyer si kandil i ndezur shprese në zemrën e kombit, dhe atë në rrethana tepër të errëta.

Të shpresosh është e barasvlershme me të besosh, të mbështetësh në dikë apo diçka që siguron çiltërsinë e ecjes së sigurt drejt të ardhmes. (khs. SS, 1-3). Kjo është shpresë e brendshme, që buron nga zemra e atyre që besojnë dhe me fe shpresojnë në Zotin – Shpresa që nuk zhgënjen. Së këndejmi, edhe sot, guxojmë t’i ftojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë dhe me dashuri të shpresojnë se mund të ndërtojnë një të nesërme më të mirë, pavarësisht vështirësive dhe sfidave që duhet t’i përballoj e sotmja; që mund të ndërtojmë një shoqëri më të shëndosh, pavarësisht padrejtësive që i përjetojmë; që mund të kemi një jetë më të mirë, pavarësisht se këtë copë jete që quhet “sot” nuk kemi kushtet për ta përdorur më së miri.

Si besimtarë, besojmë thellësisht që Zoti mund të ndryshojë zemrat e njerëzve, që të lanë të këqijat e tyre dhe të vihen në shërbim të së mirës. Ndaj, me shpresë lutemi që shpërdoruesit e paqes dhe keqpërdoruesit e lirisë të kthehen në shërbyes dhe promovues të këtyre vlerave në shoqërinë tonë. Përçarësit  dhe mbjellësit e urrejtjes mes vëllezërve, le ta rizbulojnë dashurinë dhe vlerën e pajtimit, që ushtruesit e përgjegjësive shoqërore dhe politike të ndryshojnë mendësinë egoiste dhe dëshirën lakmitare në shërbim dashurie dhe përgjegjësie.

Me këtë njet e për të mira që kemi nevojë, lutja jonë i drejtohet Zotit të Ringjallur, që të na ndihmojë për të ndërtuar një të sotme më pak të dhimbshme dhe një të ardhme plotë shpresë. Kjo nuk do të thotë assesi, një dorëzim fatalist, “kur s’ke çka ban”, por një guxim i shpresës që beson në vetvete, nuk plogështohet e as nuk dorëzohet, por i kundërvihet asaj me dashuri.

Me shpresën e të Ringjallurit – shpresë e mbjellë në zemrat tona, vi tek të gjithë ju me dëshirën e bariut për t’ju uruar: për shumë mot e me zemër t’bardhë Pashkët.

 

Imzot Dodë GJERGJI

ipeshkëv

Shpërndaje

Comments are closed.

« »