PAZGJIDHSHMËRIA E MARTESËS DHE DEBATI RRETH TË DIVORCUARIT TË RIMARTUAR DHE SAKRAMENTET (I)

Apr 9 • Familja

Shkruan: Gerhard Ludwig Müller 

Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë 

Po e botojmë në dy pjesë një reflektimi të Kardinal Gerhard Ludwig Müller, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi sakramentin e martesës. Temat e trajtuara nga kardinali janë të një rëndësie të madhe dhe u paraprijnë bazave mbi të cilat do të bëhen diskutimet në vazhdim sa i përket temës së Martesës dhe familjes. Müller e ndan reflektimin e tij në gjashtë pjesë, e në secilën prej tyre, ai trajton një aspekt të temës kryesore me titull Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet.

Në pjesën e parë që botojmë sot për drita.info, me titull Dëshmia e Shkrimit të Shenjtë, flet për themelet e Shkrimit të Shenjtë mbi natyrën sakramentore të martesës së krishterë e vijimësisht të pazgjidhshmërisë së saj, mbi traditën e magjisterit të kishës nga lashtësia deri më sot.

 

Hyrje

Studimi i problematikës së besimtarëve të cilët kanë lidhur një martesë civile pas një divorci, nuk është diçka e re, madje është marrë me seriozitet të madh nga Kisha me qëllimin për të ndihmuar persona e përfshirë, duke u nisur nga fakti se martesa është një sakrament që prek thellësisht realitetin personal, shoqëror e historik të njeriut. Falë numrit gjithnjë e në rritje të personave të përfshirë në këtë fenomen në vendet me traditë të vjetër të krishterë, bëhet fjalë për një problem baritor të një rëndësie të veçantë. Sot besimtarët, me shumë seriozitet pyesin: a nuk mundet Kisha të lejojë, brenda kushteve të caktuara, marrjen e sakramenteve për besimtarët e divorcuar e të martuar për herë të dytë? Në lidhje me këtë çështje, Kisha i ka duart e lidhura përgjithmonë? A i kanë marrë teologët me të vërtetë në shqyrtim të gjitha implikimet dhe rrjedhojat në lidhje me këtë çështje? Çështje të tilla duhet të trajtohen në përputhje me doktrinën katolike mbi martesën. Një baritore plotësisht e përgjegjshme nënkupton një teologji që i dorëzohet Zotit, i cili zbulohet «duke i dhënë nderimin e plotë me intelekt e me vullnet, dhe duke pranuar vullnetarisht Zbulimin që Ai bën» (Koncili i II Vatikanit, Kushtetuta dogmatike “Dei verbum”, n. 5). Për ta bërë të kuptueshëm mësimin autentik të Kishës duhet të vazhdojmë duke u nisur nga Fjala e Zotit, e cila është e përmbajtur në Shkrimin Shenjtë, e ilustruar në Traditën e Kishës dhe e interpretuar në mënyrë detyruese nga Magjisteri i Kishës. 

Dëshmia e Shkrimit Shenjtë

Vendosja e menjëhershme e çështjes sonë në hapësirën e Besëlidhjes së Vjetër nuk paraqitet pa probleme, pasi martesa në atë kohë nuk trajtohej akoma si një sakrament. Megjithatë, Fjala e Zotit në Besëlidhjen e Vjetër është domethënëse në lidhje me martesën edhe për ne, nga momenti që Jezusi vendoset në këtë traditë dhe argumenton duke u nisur prej saj. Në Dhjetë Urdhërimet, gjendet urdhëri “Mos bëj kurorëshkelje” (Dalja 20,14), por tjetër kund divorci konsiderohet i mundshëm. Sipas Ligjit të Përtërirë (24, 1-4), Moisiu sanksionon me ligj që një burrë mund t’i japë gruas një pusullë dëbimi dhe mund ta largojë nga shtëpia e tij nëse kjo nuk gjen më hir para syve të tij. Si rrjedhojë e kësaj, burri dhe gruaja mund të martohen sërisht. Megjithatë, bashkë me lejimin e divorcit, në Besëlidhjen e Vjetër gjindet edhe një farë sikleti ndaj kësaj praktike. Sikur se ideali i monogamisë, po ashtu edhe ideali i pazgjidhshmërisë kuptohet në krahasimin që profetët themelojnë mes besëlidhjes së Jahve me Izraelin dhe lidhjes martesore. Gjithë këtë, profeti Malaki e shpreh me qartësi: «Askush të mos e tradhtojë gruan e rinisë së vet (…) gruaja e lidhur me ty nga një pakt» (Malakia 2,14-15). Debatet me farizenjtë qenë ato që i dhanë Jezusit rastin për t’u marrë me këtë temë. Ai u distancua shprehimisht nga praktika e divorcit e Besëlidhjes së Vjetër, të cilën Moisiu e kishte lejuar për shkak të “ngurtësisë së zemrës” së njerëzve dhe iu drejtua vullnetit fillestarë të Zotit: « Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër.  Prandaj njeriu do ta lërë babain e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet,  e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’(…) Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë!” (Mk 10,5-9; shih Mt 19,4-9; Lk 16,18).

Kisha Katolike, në mësimin dhe praktikën e saj, është bazuar papushim tek fjalët e Jezusit mbi pazgjidhshmërinë e martesës. Pakti që bashkon dy bashkëshortët në mënyrë intime e reciproke është i themeluar nga vetë Zoti. Pra, bëhet fjalë për një realitet që vjen nga Zoti dhe nuk mbetet më në duart e njerëzve. Sot, disa ekzegjetë (studjues të Biblës) pohojnë se këto thënje të Zotit kanë ndeshur një farë lëkundshmërie në aplikim që në kohët apostolike: e më saktë, në rastin e pornèia (fëlligështisë, shih Mt 5,32; 19,9) dhe në rastin e ndarjes mes një partneri të krishterë dhe një jo të krishteri (shih 1Kor 7,12-15). Klauzolat mbi fëlligështinë kanë qënë objekt kundërshtimesh në fushën e ekzegjezës që në fillim. Shumë janë të bindur që nuk bëhet fjalë për përjashtime në lidhje me pazgjidhshmërinë e martesës, por për lidhje martesore të pavlefshme. Gjithsesi, Kisha nuk mund të bazojë doktrinën dhe praktikën e saj mbi hipoteza ekzegjeze kundërshtuese. Ajo duhet t’i përmbahet mësimit të qartë të Krishtit.

Pali fikson që moslejimi i divorcit është një vullnet i shprehur i Krishtit: «Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet prej burrit ‑ por, po ndodhi që të ndahet, të mos martohet më ose të pajtohet me burrin ‑ e burri të mos e lërë gruan» (1 Kor 7,10-11). Në të njëjtën kohë, bazuar mbi autoritetin e vet, Pali lejon që një jo i krishterë të mund të ndahet nga partneri i vet i bërë i krishterë. Në këtë rast, i krishteri nuk është më nën skllavëri, domethënë nuk është më i detyruar të qëndrojë jo-i martuar (1 Kor 7,12-16). Nisur nga ky qëndrim, Kisha ka njohur që vetëm martesa midis një burri dhe një gruaje të pagëzuar (që të dy) është sakrament në kuptimin e plotë dhe vetëm për këta vlen pazgjidhshmëria e pakushtëzuar. Martesa e të papagëzuarve është në fakt në rendin e pazgjidhshmërisë, por sidoqoftë mund të zgjidhet në rrethana të caktuara – për shkak të një të mire më të madhe (privilegium Paulinum). Pra, nuk kemi të vejmë me një përjashtim ndaj thënies së Zotit: pazgjidhshmëria e martesës sakramentore, të martesës në gjirin e misterit të Krishtit, mbetet. 

Letra e Efesianëve ka një domethënie të madhe për themelin biblik të kuptimit sakramentorë të martesës, ku thuhet: «Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të » (Ef 5, 25). E pak më tej, Apostulli shkruan: «Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën » (Ef 5, 31-32).

Martesa e krishterë është një shenjë vepruese e besëlidhjes së Krishtit me Kishën. Martesa mes të pagëzuarve është një sakrament, sepse shënon dhe ndërmjetëson hirin e këtij pakti. 

Dëshmia e Traditës së Kishës

Etërit e Kishës dhe Koncilet përbëjnë në vazhdimësi një dëshmi të rëndësishme për zhvillimin e pozicionit kishtarë. Sipas Etërve, udhëzimet biblike janë detyruese. Ata refuzojnë ligjet civile mbi divorcin duke i vlerësuar si të papërputhshme me kërkesën e Jezusit. Kisha e Etërve, në bindje ndaj Ungjillit, e ka refuzuar divorcin dhe martesën e dytë; në lidhje me këtë çështje, dëshmia e Etërve është e qartë. Në epokën e Etërve, besimtarët e ndarë, të cilët kishin lidhur një martesë të dytë civile, nuk pranoheshin në sakramente as pas një periudhe pendimi. Disa prej teksteve të Etërve lënë të kuptohet që shkeljet jo gjithmonë refuzoheshin me përpikmëri dhe ndonjëherë janë kërkuar zgjidhje baritore për raste të rralla të veçanta.

 Më vonë, në disa zona, mbi të gjitha për shkak të vartësisë së ndërsjelltë gjithnjë e në rritje mes Kishës dhe Shtetit, u përfundua në kompromise më të mëdha. Në Lindje, ky zhvillim ka vazhduar ecjen e tij dhe ka çuar, veçanërisht pas ndarjes nga katedra e Pjetrit, në një praktikë gjithmonë e më liberale. Sot, në Kishat Ortodokse, ekziston një shumëllojshmëri shkaqesh për divorcin, të cilat zakonisht janë të justifikuara duke iu referuar oikonomì-së, përdëllimi baritorë për rastet më vete të vështira, dhe hapin rrugën për martesën e dytë apo të tretë me karakter pendestarë. Kjo praktikë nuk është koherente me vullnetin e Zotit, i shprehur qartë nga fjalët e Jezusit mbi pazgjidhshmërinë e martesës dhe e gjithë kjo, përfaqëson me siguri një çështje ekumenike që nuk duhet nënvlerësuar.

Në perëndim, reforma gregoriane ka kundërshtuar tendencat e liberalizimit dhe ka propozuar rishtazi konceptin fillestar të Shkrimeve e të Etërve. Kisha Katolike e ka mbrojtur pazgjidhshmërinë absolute të martesës edhe me çmimin e sakrificave e vuajtjeve të mëdha. Skizma e Kishës së Anglisë, e ndarë nga pasardhësi i Pjetrit, ka ndodhur jo për dallime doktrinore por sepse Papa, duke iu bindur fjalës së Jezusit, nuk mundej të përkrahte kërkesën e mbretit Henriku VIII në lidhje me zgjidhjen e martesës së tij.

Koncili i Trento-s e ka përforcuar doktrinën e pazgjidhshmërisë së martesës sakramentore dhe ka sqaruar që kjo përputhet me mësimin e Ungjillit (shih. Denzinger-Hünermann, 1807). Nganjëherë thuhet se Kisha faktikisht ka toleruar praktikën orientale, por kjo nuk i përmbahet të vërtetës. Kanonistët kanë folur gjithmonë për një praktikë abuzive dhe gjinden dëshmi rreth disa grupeve të krishtera ortodokse të cilëve, pasi u bënë katolikë, iu kërkua të firmosnin një shpallje feje, ku shprehimisht bëhej fjalë për pamundësinë e kremtimit të një martese të dytë apo të tretë. 

Koncili Vatikani II ka paraqitur sërish një doktrinë të martesës, të thellë nga pikëpamja teologjike e shpirtërore, në kushtetutën baritore “Gaudium et Spes” mbi Kishën në botën bashkëkohore, duke shfaqur me qartësi edhe parimin e pazgjidhshmërisë së saj.

Martesa është e menduar si një bashkim i tërësishëm trupor e shpirtëror jete e dashurie mes burrit e gruas, të cilët i dhurohen dhe pranojnë njëri-tjetrën në sajë të të qenurit persona. Nëpërmjet aktit personal e të lirë të konsensusit reciprok, themelohet për të drejtë hyjnore një institucion i qëndrueshëm, i cili është në rendin e të mirës së bashkëshortëve dhe të bijve, dhe nuk varet prej vetëdashjes së njeriut: «Ky bashkim intim, duke qenë një dhurim i ndërsjellë i dy personave, e po ashtu edhe e mira e bijve, e ka të domosdoshme besnikërinë e plotë të bashkëshortëve dhe kerkojnë me ngulm bashkimin e pazgjidhshëm» (n. 48).

Falë sakramentit, Zoti u jep bashkëshortëve një hir të veçantë: «Në fakt, ashtu sikurse një kohë Hyji ka ndërmarrë nismën e një besëlidhjeje dashurie e besnikërie me popullin e tij, kështu tani Shpëtimtari i njerëzve e Dhëndri i Kishës i takon bashkëshortët e krishterë nëpërmjet sakramentit të martesës. Për më tëpër, qëndron me ta që, sikur Ai vetë ka dashur Kishën dhe ka dhënë veten për të, po ashtu edhe bashkëshortët të mund të duan njëri-tjetër besnikërisht, përgjithmonë, me përkushtim të ndërsjellët» (n.48).

Falë sakramentit, pazgjidhshmëria e martesës përmban një domethënje të re më të thellë: ajo bëhet shëmbëllim i dashurisë së Hyjit për popullin e tij dhe i besnikërisë së pakthyeshme të Krishtit ndaj Kishës së Tij. Martesa mund të kuptohet dhe jetohet si sakrament vetëm në gjirin e misterit të Krishtit.  Nëse martesa shekullarizohet apo nëse trajtohet thjeshtë si realitet natyror, pengohet hyrja në sakramentalitetin e saj. Martesa sakramentore i përket rendit të hirit dhe vendoset brenda bashkimit përfundimtar të dashurisë së Krishtit me Kishën e Tij.

Të krishterët janë të thirrur që ta jetojnë martesës e tyre në horizontin eskatologjik të ardhjes së Mretërisë së Zotit në Jezus Krishtin, Fjala e Hyjit e mishëruar.

 Dëshmia e Magjisterit të Kishës në kohët e sotme

Me tekstin e nxitjes apostolike Familiaris Consortio, ende sot themelor, të publikuar nga Gjon Pali II me 22 Nëntor 1981 pas Sinodit të Ipeshkvijve mbi familjen e krishterë në botën bashkëkohore, është pohuar shprehimisht mësimi dogmatik i Kishës mbi Martesën.

Nga pikëpamja baritore, nxitja e pas Sinodit është marrë edhe me kujdesin e besimtarëve të martuarve sërish me ritin civil, por të cilët janë akoma të lidhur në një martesë të vlefshme për Kishën. Papa ka treguar një tjetër masë kujdesi. Në n. 84 («Të divorcuarit e martuar sërisht») paraqiten parimet e mëposhtme: 

1. Barinjtë në kujdesin shpirtëror, për dashuri ndaj të vërtetës, kanë për detyrë «të shqyrtojnë mirë situatat e ndryshme». Nuk është e mundur që të vlerësohet gjithçka e të gjithë në të njëjtën mënyrë.

2. Barinjtë dhe bashkësitë kanë për detyrë të ndihmojnë «me dashuri kërkuese» besimtarët e përfshirë; në fakt, edhe ata i përkasin Kishës, kanë të drejtë për kujdes baritor dhe duhet që të mund të marrin pjesë në jetën e Kishës.

3. Megjithatë, nuk mund të pranohen në Kungim. Në lidhje me këtë sillet një motiv i dyfishtë:

a) «gjëndja e tyre dhe situata e jetës së tyre kundërshtojnë objektivisht atë bashkim dashurie mes Krishtit dhe Kishës, që shprehet e konkretizohet në Eukaristi;

b) «nëse do të pranoheshin në Kungim këta përsona, besimtarët do të nxiteshin në gabim e paqartësi në lidhje me doktrinën e Kishës mbi pazgjidhshmërinë e martesës».

Një ripajtim nëpërmjet sakramentit të pendesës – i cili do t’i hapte sërisht rrugën sakramentit eukaristik – mund të jepet vetëm mbi bazën e pendimit në lidhje me atë çfarë ka ndodhur dhe mbi gatishmërinë «e një model jete jo më në kundeërshtim me pazgjidhshmërinë e martesës». Konkretisht, kjo ka si rrjedlojë që kur një lidhje e re nuk mund të zhbëhet për motive serioze – si për shembull, edukimi dhe rritja e fëmijëve – që të dy partnerët «marrin përsipër angazhimin për të jetuar në vetëpërmbajtje (mungesë e akteve intime) të plotë».

4. Për motive teologjike-sakramentore e jo falë një detyrimi ligjor, klerit i ndalohet shprehimisht të mundësojë në favor të divorcuarve që martohen sërisht me ritin civil, «cerimoni të çfarëdo lloji», derisa të mbetet vlefshmëria e martesës së parë.   

Letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në lidhje me marrjen e kungimit eukaristik nga ana e besimtarëve të divorcuar e të martuar për herë të dytë, e 14 Shtatorit 1994, ka pohuar sërisht që praktika e Kishës mbi këtë temë «nuk mund të modifikohet në bazë të situatave të ndryshme» (n.5). Bëhet e qartë, ndër të tjera, që besimtarët e përfshirë nuk duhet t’i afrohen Kungimit shenjtë duke u bazuar në gjykimin e ndërgjegjes së tyre: «Në rast se këta e gjykojnë të mundur (marrjen e Kungimit), barinjtë dhe rrëfyesit (…) e kanë të detyrueshme t’i qortojnë, që një gjykim i tillë i ndërgjegjes është në kundërshtim të hapur me doktrinën e Kishës» (n.6).

Në rast mëdyshjesh rreth vlefshmërisë së një martese të dështuar, kjo duhet verifikuar nga organet gjyqësore kompetente në lëndën martesore (shih n.9). Mbetet e një rëndësie themelore që të bëhet «me dashuri nxitëse gjithçka që mund të përforcojë në dashurinë e Krishtit e të Kishës besimtarët të cilët gjinden në situatë martesore të parregullt. Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur nga ana e tyre të pranojnë plotësisht mesazhin e martesës së krishterë dhe të durojnë në fe vuatjen e situatës së tyre.

Në veprimin baritor duhet kryer çdo përpjekje që të kuptohet mirë që nuk bëhet fjalë për një diskriminim, por vetëm për besnikëri absolute ndaj vullnetit të Krishtit që na ka dhënë e besuar sërisht pazgjidhshmërinë e martesës si dhuratë të Krijuesit» (n.10). Në nxitjen e pas-Sinodit, Sacramentum Caritatis të 22 Shkurtit 2007, Benedikti XVI e merr sërisht dhe e vazhdon punën e Sinodit pararendës të ipeshkëvinjve mbi Eukaristinë.

Në n.29, ai flet për situatën e besimtarëve të divorcuar e të martuar për herë të dytë, ku nuk ngurron ta perkufizojë si «një problem baritor delikat e të ndërlikuar». Benedikti XVI konfirmon «praktikën e Kishës, të bazuar në Shkrimin Shenjtë (shih Mk 10,2-12), që të mos pranojë në Sakramente të divorcuarit e martuar për herë të dytë», por nga ana tjetër u përgjërohet barinjëve që të kushtojnë «kujdes të veçantë» ndaj personave të interesuar «me dëshirën që të ushqejnë, sa të jetë e mundur, një stil jete të krishterë nëpërmjet pjesëmarrjes në Meshën shenjtë, lutjes, pjesëmarrjes në jetën e bashkësisë, dialogut të besueshëm me një meshtar apo mesuesi të jetës shpirtërore, përkushtimit në dashurinë e jetuar, veprave të pendesës, angazhimit edukues ndaj fëmijëve».

Theksohet edhe një herë që në rast mëdyshjesh në lidhje me vlefshmërinë e bashkimit të jetës martesore që është ndërprerë, kjo e fundit duhet të shqyrtohet me kujdes nga gjykatat kompetente në lëndën e martesës.

Për më tepër, mentaliteti i sotëm vihet në kontrast me kuptimin e krishterë të martesës, veçanarisht në lidhje me pazgjidhshmërinë e saj e hapjen ndaj jetës.

Duke qënë se të krishterët janë të prekur nga ky lloj konteksti kulturor, ka mundësi që martesat të jenë më shpesh të pavlefshme në ditët tona sesa në të kaluarën, sepse mungon vullneti për t’u martuar sipas kuptimit të doktrinës martesore katolike dhe përkatësia e një konteksti jete feje është shumë e zvogëluar.  Prandaj, një verifikim i vlefshmërisë së martesës është i rëndësishëm dhe mund të shpie në një zgjidhje të problemeve. Aty ku nuk mund të gjindet një mosekzistencë e martesës, është e mundur zgjidhja nga mëkatet dhe kungimi eukaristik nëse ndiqet praktika e aprovuar kishtare e cila vendos që të jetohet sëbashku «si miq, si vëlla e motër». 

Bekimet e lidhjeve të parregullta duhen «shmangur në çdo rast (…) me qëllim që në mes besimtarëve të mos lindin paqartësira në lidhje me vlerën e martesës». Bekimi (bene-dictio: aprovim nga ana e Zotit) i një raporti që e kundërshton vullnetin hyjnorë, duhet konsideruar si një kundërshtim në vetvete.

Në homelinë e mbajtur në Milano, me 3 Qershor 2012, me rastin e Takimit të VII-të Botëror të Familjeve, Benedikti XVI i është kthyer këtij problemi të dhimbshëm: «Do të dëshiroja të kushtoja në fjalë edhe besimtarëve të cilët, edhe pse bashkëndajnë mësimet e Kishës mbi familjen, janë të prekur nga përvoja të dhimbshme dështimi e ndarjeje. Ta dini se Papa dhe Kisha ju mbështesin në vështirësinë tuaj. Ju inkurajoj që të mbeteni të bashkuar me bashkësitë tuaja, ndërkohë shpresoj që dioqezat të realizojnë nisma të përshtatshme pranimi dhe afërsie».

Sinodi i fundit i ipeshkvijve mbi temën «Ungjillizimi i ri për komunikimin e fesë së Krishterë» (7-28 Tetor 2012), është marrë sërish me situatën e besimtarëve të cilët, pas dështimit të bashkimit të jetës martesore – jo dështimi i martesës, e cila mbetet falë të qënurit sakrament – kanë filluar një bashkim të ri dhe bashkëjetojnë pa lidhjen sakramentore të martesës.  

Në mesazhin përfundimtar, Etërit e Sinodit u janë drejtuar me këto fjalë besimtarëve të përfshirë: «Gjithë këtyre, duam t’u themi se dashuria e Zotit nuk braktis askënd, që edhe Kisha i do dhe është shtëpi mikpritëse për të gjithë, këta mbeten gjymtyrë të Kishës edhe pse nuk mund të marrin zgjidhjen sakramentore të mëkateve dhe kungimin. Bashkësitë katolike, le të jenë pranuese ndaj atyre që jetojnë në situata të tilla dhe le të mbështesin ecjet e kthimit e të pajtimit».

(Përkthimi në gjuhën shqipe nga www.peregrinus.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »