E DIELA II E PASHKËVE (B)

Apr 10 • LEXIMET E SË DIELËS

Mëshira Hyjnore

 

Leximi parë: Vap 2,42-45

Lexim prej Veprave të apostujve

Vëllezërit ishin vazhdimisht të kujdesshëm për të përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë. Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare dhe me thjeshtësi ushqeheshin të gjithë së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte për hir. Vetë Zotiçdi ditë i shtonte bashkësisë asish që shëlbohen.

Fjala e Zotit

 

Psalmi: 118

I kemi medituar, o Zot, veprat e tua të madhërishme

Ose

Aleluja, aleluja, aleluja

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

 

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,

e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,

e përjetshme është dashuria e tij!

 

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,

por më përkrahi ndihma e Zotit.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,

Ai është shpëtimtari im.

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi në tendat e të drejtëve.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë

tanë!  Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:

të galdojmë e të gëzojmë në të! 

 

Leximi dytë: 1 Gjn 5,1-6

Lexim i Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën, në mos qoftë ai që beson se Jezus është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Pse po me sheg, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!

Aleluja

 

Ungjilli:  Gjn 20,19-31

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Gjonit

Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”  Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”  Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.

Fjala e Zotit

 

Porosia

Leximi parë, na paraqet jetën e të krishterëve që bashkohen rreth apostujve. Këtu, ka dy gjëra që duhet cekur: apostujt në saje të besimit në Krishtin e ringjallur vazhdojnë misionin që u kishte dhënë Jezusi, dhe e dyta, bashkësia e besimtarëve vepron sipas mësimeve të tyre. Rezultati i kësaj veprimtarie ishte bashkëndarja e të mirave materiale dhe kremtimi i eukaristisë dhe lutja.

Ata ishin “një zemër dhe një shpirt i vetëm.”

Shtrohet pyetja: sa jemi ne më të mirë dhe me të kujdesshëm pasi festuam festen e Pashkëve; ka ndryshuar apo jo jeta jonë që të besojmë në Jezusin e ringjallur më shumë dhe të jetojmë porosinë e Tij në përditshmërinë tonë?

Leximi i dytë, na paraqet një këndvështrim tjetër të jetës së të krishterëve. Pas dhjetëra viteve, Kisha është pak sa në vështirësi, për shkak të besimeve të rrejshme që u shfaqnin. Për këtë, shën Gjoni  vërteton dhe dëshmon fenë: Jezusi është Biri i Hyjit, është Shëlbuesi i botës. Ai erdhi për ne dhe shpëtimin tonë.. Erdhi të na bëj bashkësi në dashuri dhe fe rreth Hyjit Atë. Këtë e bënë Jezusi edhe sot. Por shtrohet pyetja: Ne çka bëjmë? I bashkohemi apo jo bashkësisë që frymon me Shpirtin e Zotit?

Në Ungjillin e sotshëm, mund të shohim një pedagogji të re që e bën Zoti ynë Jezu Krishti, mund të jetë e çuditshme shikuar në aspektin njerëzor.

Të parën ditë të javës, pas Ringjalljes- Jezusi vjen te apostujt, te ata që kishin ikur, ishin frikësuar, e kishin lënë vetëm. Qëndron në mes tyre që të jetë afër çdo njërit dhe ju thotë: Paqja me ju! Në logjiken njerëzore ishte dashur t’i qortojë, por jo,  Ai  atyre që ishin të frikësuar, të lodhur dhe të pikëlluar,  ju dhuron paqen e vet. Edhe pse dyert ishin të mbyllura hynë tek ata. I takon ashtu si janë. Dhe për dëshmi që është i gjallë iu tregon duart që ishin me shenja të gozhdave, shihni duart e mia, shihni kraharorin tim, me prekni, besoni…unë jam i Ringjalluri. Çka duhet ende të bëj që të më besoni!

Nxënësit besojnë që është Zotëria, ungjilltari thotë që u gëzuan kur panë Zotërinë.

Nxënësit, nuk e njohën, për arsye se panë vëragat e tija, as për arsye të shporrimit të kraharorit, por për arsye të dashurisë së Tij të madhe që kishte për ta, që ka për botën, e po ashtu edhe për shkak të mëshirës që përjetonin.

Krishti qëndron edhe sot me Kishën e vet, me bashkësinë e vet, në Fjalën që e dëgjojmë dhe në Eukaristi. Sa jemi të vetëdijshëm për praninë e Tij në jeten tonë dhe a ka vend Krishti në zemra dhe familje tona? Apo ndoshta ato i plotësojmë me shumë gjëra që janë pa vlerë dhe që dëmtojnë imazhin tonë si të krishterë, si bijë e bija të Zotit.

Lejoji Jezusit që të përfshinë gjitha skutat  e shpirtit tënd dhe të ndritë errësirën e gabimit, të mëkatit dhe të keqes.

Bëhu sikurse Toma, i cili në dashuri dhe përvujtëri thotë: Zotëria im dhe Hyji im. Është kjo një klithje dashurie, një klithje përvujtërie, një klithje besimi, feje komunikimi me Hyjin.

Dhe për fund pyete veten: a e njohim Jezusin që është afër nesh? A njohim veprimtarinë e tij në botë?

 

 

Lutjet e besimtarëve

Jezusi i ringjallur apostujve dhe botës ua dhuron paqen, e cila, është e dobishme për një jetë të mirë me Zotin dhe në mes vete, prandaj ta lusim Krishtin që këtë paqe t’ na dhuron edhe neve dhe në paqen e Zotit ta ndërtojmë jetën tonë:

Na jep paqen tënde, o Zot!

– O Zot Jezu, bota e sotme ka nevojë për paqe, Ti i sheh fare mirë nevoja të kohës, njerëzit janë të lodhur nga luftërat dhe padrejtësitë, dhuroja paqen tënde dhe bëj që të arrihet një jetë më e qetë për të gjithë, të lutemi.

– O Zot Jezu, dhuroju paqe edhe familjeve dhe zemrave tona dhe në këtë mënyrë të përparojmë ne fe duke besuar në Ty. Ti pas ringjalljes e tregon dashurinë dhe kujdesin për apostuj, mos na e mungo kujdesin edhe neve, na del zot në nevoja tona, të lutemi.

-Në jetën tonë për shkaqe të ndryshme dhe të pa arsyeshme nga një herë na mungon feja, na nxitë që të besojmë për praninë tënde në botë, në mesin tonë në familje tona dhe na ndihmo që ta mbështesim jetën tonë në Ty dhe të jetojmë prej hireve dhe mëshirës sate, të lutemi.

-Ndihmoje Kishën tënde që të promovojë dhe shpallë gjithnjë mëshirën tënde që besimtarët duke u mbështetë në Ty të gjejnë rrugën e cila i bashkon me Ty dhe në mes vete, të lutemi.

-Na ndihmo që të dimë sikurse bashkësia e parë e krishterë për të ndarë të mirat materiale dhe përvojën e jetës me ata që kanë nevojë për ne, të lutemi:

 

O Zot Jezu, Ti duke i takuar apostujt tregove dashurinë për ta, mos na e mungo as neve këtë dashuri, por na ndihmo që të veprojmë sikurse na mëson Ti dhe një ditë të gëzojmë me Ty jetën e pasosur.

Që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

Amen. 

Përgatiti për Dritën: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »