LLOJET E KOMUNIKIMIT: KOMUNIKIMI VERBAL DHE JOVERBAL

Apr 11 • Opinion

Shkruan: M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Komunikimi verbal

Komunikimi  verbal  mundësohet nga gjuha dhe fjala. Me këtë kuptojmë dhënien e mesazhit me anë të fjalës. Me anë të fjalës së folur e të shkruar hyjmë në kontakt me ata që na rrethojnë. Fjala është çelësi i suksesit. Thuhet se jeta është e përbërë nga fjalët. E për rëndësinë e fjalës na flet edhe ungjilltari (Gjon 1,1-3) që thotë: “Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishtë Hyj. Prej saj u bë çdo gjë e pa Të nuk bë asgjë.” Gjithashtu edhe  në librin e Zbulesës 1 thuhet: “Hyji  tha…”                  

Fjala me të vërtetë është çelësi i çdo marrëdhënieje. Të dish të flasësh është një art që të gjithë mund ta mësojnë. Gjithashtu në të shumtën e rasteve, fjala është ajo që shëron shumë plagë në zemrat e njerëzve. Është ajo që kthen shumë buzëqeshje dhe që largon shumë rrudha në fytyrat e  njerëzve. Është ajo që kthen gëzimin te të gjithë ata që vuajnë, te të burgosurit, të sëmurët, te të vetmuarit, te të braktisurit etj. Të dish të flasësh do të thotë të dish të ndihmosh dhe të edukosh. Fjala duhet të jetë ajo që ndihmon dhe edukon tjetrin, e jo ajo që shkatërron edhe pse kjo e fundit mund të ndodhë shpesh.

Të flasësh nuk mjafton të hapësh gojën, të përdorësh një argument, citim e fraza të famshme e të bukura. Por të flasësh, do të thotë të dish të dëgjosh e ti bësh të tjerët të të dëgjojnë. Të dish të flasësh është çështje cilësie dhe jo sasie, e për të arritur këtë cilësi, është i nevojshëm: shpirti, maturia, thjeshtësia, inteligjenca, gatishmëria dhe zëri.

Kur flasim duhet të kemi parasysh të shmangim goditjet me pëllëmbë në shpatullat e bashkëbiseduesit, të mos u vëmë duart e djersitura atyre që dëgjojnë, të mos i lagim me pështymë, të mos i godasim me bërryla shokët që kemi në krahë derisa tjetri flet etj. Nëse këto bëjnë pjesë në personalitetin tënd, me pak vullnet të mirë këto mund t’i  eleminosh.

Komunikimi verbal siç dëgjuam ka shumë cilësi pozitive, por nuk mund ta mohojmë se nganjëherë fjala arrin e bëhet shkak i konfliktit, keqkuptimit, paragjykimit, gjykimit, urrejtjes etj. Fjala arrin të bëhet një plumb që vret, që hap plagë tek personi e që mbesin në kujtesë për një kohë të gjatë.

Fjala ka dy qëllime të bekojë dhe të shërojë. Nëse nuk e përdorim fjalën për këto dy qëllime është më mirë të mos flasim. Pra, të dish të flasësh është art, është vlerë.

Komunikimi ka qenë dhe është gjithmonë i rëndësishëm në jetën e njerëzve, është kulturë, është gjithçka, vërtetë është çelësi i suksesit. Të dish të komunikosh do të thotë të dish të dëgjosh. Kjo gjë kërkon që të kemi një qëndrim të hapur ndaj të tjerëve duke u përpjekur  që të kuptojmë tjetrin dhe bisedën.

Komunikimi joverbal

Komunikimi joverbal përbën pjesën më të madhe të komunikimit. Disa studiues pohojnë se rreth 65-70% e komunikimit i takon komunikimit joverbal. Ai ndërthuret me komunikimin verbal; e kualifikon, e kompleton dhe ndonjëherë e zëvendëson atë plotësisht. Kumunikimi joverbal është informacioni, emocioni që shprehet pa fjalë dhe pa ndihmën e gjuhës. Në krahasim me komunikimin verbal komunikimi joverbal është më pak i kontrollueshëm, por është më i fuqishëm sepse bart shumë emocione dhe ndjenja të cilat shpesh është e pamundur t’i shprehim me fjalë e nganjëherë edhe vështirë t`i kuptojmë. Studimet vërtetojnë se komunikimi joverbal është shpesh shumë më i vlefshëm sesa ai verbal.

Një nga arsyet kryesore është se komunikimi verbal lidhet me pjesën e vetëdijshme të mendjes së njeriut, ndërsa komunikimi joverbal mund të shërbejë për të komunikuar qëndrimet apo ndjenjat tona që dalin drejtpërdrejt nga pavetëdija. Kjo është arsyeja përse të dashuruarit nganjëherë “kuptohen” më shumë me sy apo gjeste sesa me fjalë. Kjo është arsyeja përse ne kuptojmë kur dikush na ka frikë ose nuk na pëlqen, pavarësisht se me fjalë mund të thotë të kundërtën. Në shumë raste, gjuha jonë e trupit mund të na “tradhtojë” duke u dhënë të tjerëve informacione që nuk do të donim t’ua jepnim.  P.sh. në shumë stacione policie në SHBA policët përdorin analizën e gjuhës së trupit për të gjykuar nëse një i dyshuar thotë të vërtetën apo jo.

Ky lloj komunikimi  në vend të fjalëve,  përdor shprehjet e fytyrës, qëndrimin dhe gjestet, shikimin, mënyrën sesi vishemi, madje edhe elemente si tonin apo ritmin e zërit.

Veçoritë e komunikimit joverbal

Për të kuptuar rolin e komunikimit joverbal mund të bëni një eksperiment të thjeshtë. Shikoni një emision debati duke ia ulur zërin në minimum televizorit. Shumica prej nesh janë në gjendje të kuptojnë qëndrimet emocionale dhe ndjenjat e folësve pavarësisht se nuk dëgjojmë asnjë fjalë. Madje në raste të veçanta nëse njihni kontekstin e bisedës dhe personazhet mund të kuptohet edhe ndonjë pjesë nga përmbajtja e saj. Në fakt është e pamundur për një njeri të mos e përdorë komunikimin joverbal.

Ajo që është e veçantë te komunikimi joverbal është fakti që ne u dërgojmë mesazhe të tjerëve edhe kundër vullnetit tonë. P.sh. ne skuqemi, dridhemi apo djersitemi në mënyrë të pavullnetshme. Madje në shumë raste këto mesazhe janë në kundërshtim të plotë me atë që themi me fjalë.  Nëse aftësohemi për të njohur dhe përdorur gjuhën e trupit, mund të kuptojmë më mirë qëndrimin dhe ndjenjat e të tjerëve. Madje në disa raste mund të qartësojmë edhe qëndrimin dhe ndjenjat tona ndaj të tjerëve.

Komunikimi joverbal e merr kuptimin e tij të plotë në kuadër të ndërveprimit me njerëzit që na rrethojnë. Shpesh gjuha e trupit na e lehtëson punën duke kryer misione që fjalët nuk mund të marrin përsipër.

Komunikimi joverbal na mundëson gjithashtu të përkufizojmë më qartë marrëdhëniet që duam të ndërtojmë  me të tjerët. Ne përdorim përshëndetje të ndryshme me persona të ndryshëm: me disa kufizohemi me një lëvizje koke, disa të tjerëve u buzëqeshim, ndërsa disa mund edhe t’i përqafojmë apo t’i puthim.

Sidoqoftë duhet pasur parasysh se komunikimi joverbal është shumë më i vlefshëm për të komunikuar ndjenjat apo qëndrimet. Megjithatë, në disa raste gjuha e trupit mund të jetë e dykuptimtë. Gjatë interpretimit të gjuhës së trupit duhet t’i referohemi gjithmonë kontekstit të ndërveprimit ose ngjarjes.

Disa njerëz janë më të aftë sesa të tjerët për të kuptuar gjuhën e trupit. Në të vërtetë, ata që janë më të aftë për ta kuptuar këtë gjuhë, janë dhe më të aftë për ta përdorur atë. Sipas studimeve të bëra ekstrovertët (personat e hapur ndaj të tjerëve) janë më të aftë se introvertët (personat e mbyllur) për të kuptuar dhe përdorur gjuhën e trupit. Gjithashtu femrat janë përgjithësisht më të afta sesa meshkujt në fushën e komunikimit joverbal. Kjo vjen sepse, femrat janë më të ndjeshme ndaj ndjenjave të të tjerëve sesa meshkujt dhe komunikimi joverbal zbulon në radhë të parë ndjenjat dhe qëndrimet e të tjerëve.

 

Klasifikimi i elementeve joverbale që përdoren në komunikim

Disa nga elementet në komunikimin joverbal janë:

1. Sjellja hapësinore: I referohet mënyrës se si ne e përdorim hapësirën përreth nesh. Mesazhet që na vijnë nga kjo sjellje hapësinore na japin informacion mbi mënyrën me të cilën individët krijojnë marrëdhënie mes tyre. P.sh. afërsia fizike mes dy personave na jep informacion mbi shkallën e intimitetit apo të zotërimit që ekziston mes këtyre personave.

Distanca intime– është komunikimi shumë i afërt (deri në 50 cm largësi). Kjo distancë përdoret për afërsi fizike, dashuri  gjithashtu edhe për grindje.

Distanca personale– përfshin largësinë nga 50 cm deri në1.2 m) temat në këtë rast mund të jenë konfidenciale, personale  dhe me shërbime reciproke. Zakonisht kjo hapësirë krijohet kur njerëzit bisedojnë në një mbrëmje, në biseda rastësore të shokëve të klasës ose në kontakte pune. Është distanca më e pranueshme dhe më komode për shkëmbimin e lirë të informacionit.

Distanca sociale – krijohet kur flasim me dikë në kushte normale. Hapësira e partnerëve sillet nga 1.2-3.5m

2. Gjestet dhe lëvizja e trupit janë domethënëse ato të duarve dhe të kokës p.sh lëvizjet që përdorim për të përforcuar atë që po them. P.sh. OK bëjmë me gisht. PO – JO lëvizim kokën GRUSHTI është shenjë zemërimi. BASHKIMI bashkimi i duarve etj. Kthimi i kokës nga ana tjetër përballë një personi lë të kuptojë se nuk dëshirojmë të komunikojmë me të, mund të lëvizim këmbët nga stresi kur përpiqemi të gënjejmë dikë, etj. Komunikimi joverbal përmes gjesteve dhe lëvizjeve të trupit është më i dukshëm në situata emocionale.

3. Shprehjet e fytyrës përfshijnë pozicionin e syve e të vetullave. Studimet tregojnë se janë dhjetë përmbajtje që mund të transmetohen me anë të fytyrës; lumturia, surpriza, frika, zemërimi, trishtimi, neveria, përbuzja, interesi, hutimi dhe vendosmëria. Shprehjet e ndryshme të fytyrës mbështeten mbi zona të ndryshme të saj. Frika dhe trishtimi shprehen më tepër përmes syve. Lumturia përmes syve, gojës dhe mollëzave. Befasia përmes ballit, syve dhe gojës. Zemërimi përdor praktikisht të gjithë zonat e fytyrës për t’u shprehur plotësisht.

Studiuesit kanë arritur të zbulojnë se njerëzit shprehin relativisht qartë ndjenjat dhe emocionet e tyre përmes disa shprehjeve të fytyrës, që zgjasin brenda hapësirës kohore të disa mikrosekondave. Shprehje të tillë shumë të shkurtra shfaqin sidomos qëndrimin tonë të vërtetë gjatë bisedave në të cilat ne mbajmë qëndrim hipokrit, p.sh. kur bëjmë sikur shprehim interes apo kënaqësi për diçka gjatë një bisede, në një moment të caktuar fytyra jonë merr një shprehje që tregon të vërtetën brenda disa të dhjetave të sekondit. Këto mikro-shprehje të së vërtetës janë të kapshme nga vëzhguesit e aftë të gjuhës së trupit.

Këtu një rëndësi të madhe ka edhe kontakti i syve ku ndryshe  quhen “dritarja e shpirtit”. Sytë janë ata që e hapin dhe e mbyllin komunikimin.

Kontakti me sy ka një ndikim të madh në cilësinë dhe sasinë e komunikimit ndërpersonal. Bashkëbiseduesit që e rritin kontaktin e syve, rritin edhe pëlqimin midis tyre. Studiuesit thonë sa më  pak kontakt me sy nënkupton më pak miqësi. Kontakti me sy, shpreh informata rreth cilësisë dhe sasisë së komunikimit, pastaj rreth qëndrimeve dhe emocioneve ndaj bashkëbiseduesit si dhe veçorive të personalitetit.

Kontakti me sy është një nga elementet më të rëndësishme të komunikimit joverbal, por nuk duhet të mungojë as në komunikimin verbal. Psikologët japin arsye të ndryshme për këtë. Disa mendojnë se aftësia për të komunikuar me sy mësohet që në  fëmijëri  ku  foshnja e përdor shikimin për të siguruar vëmendjen e nënës. Mendohet se femrat e shikojnë në sy folësin veçanërisht kur është mashkull, ndërsa meshkujt kryesisht nuk i shikojnë femrat kur janë duke folur. Gjatë kontaktit me sy kërkohet të kihet kujdes sepse mund të krijojë edhe dyshime tek tjetri.

Shikimi i ngulur dhe i vazhdueshëm komunikon një ndjenjë superioriteti, nganjëherë mungesë respekti apo edhe kërcënimi. Kurse, mungesa e shikimit komunikon mungesë vëmendjeje, ndrojtje apo edhe pandershmëri apo përpjekje për të fshehur diçka. Ulja e syve komunikon ndjenjën e nënshtrimit.

Pasi jemi tek sytë po përmendim edhe disa gjëra:  Për çfarë përdoret kontakti me sy?

Kontakti me sy përdoret: Për të marrë informacion. Për shembull për të mësuar nëse tjetri po na thotë të vërtetën apo jo, për të njohur gjendjen shpirtërore të tjetrit, për të kuptuar nëse është i interesuar për ne, apo për të kuptuar si e percepton statusin tonë (më të ulët apo më të lartë se të vetes).

Për të treguar interes për tjetrin. Mbajtja e kontaktit të rregullt (por jo të ngulitur) me sy me një bashkëbisedues e nxit atë të flasë më shumë dhe me më tepër dëshirë. Në përfundim të të folurit njerëzit shmangin shikimin e tyre majtas ose djathtas si për të dhënë sinjalin se kanë përfunduar mesazhin e tyre.

Për të ftuar dikë për të komunikuar. Kjo është një metodë e përdorur nga të gjithë. Kur përshëndesim dikë zakonisht ne hapim e mbyllim instinktivisht qepallat, njësoj sikur të donim të përshëndesnim tjetrin apo të shënonim praninë e tij. Kjo përshëndetje e qepallave është e pranishme në shumicën e kulturave dhe sidomos ato perëndimore.

Për të dominuar komunikimin. Shikimi i ngulitur dhe intensiv përdoret nga personat autoritarë për të dominuar tjetrin. Ky lloj shikimi është i zakonshëm në procese negocimi. Megjithatë në disa raste përdorimi i tij mund të shkaktojë reagim agresiv nga ana e bashkëbiseduesit.

Për të zbuluar qëndrimet. Përmes kontaktit me sy ne zbulojmë qëndrimet e të tjerëve ndaj nesh: interes, tërheqje, sulm, ndrojtje, etj. Ndrojtja, situatat e vështira, përpjekja për mashtrim dhe dhimbja shoqërohen nga shmangia e kontaktit me sy. Në situata nxitjeje psikologjike njerëzit priren të lëvizin sytë me shpejtësi për të skanuar gjithçka rrotull. Në situata frike, sytë duket sikur ngrijnë. Trishtimi shoqërohet me ulje të syve poshtë dhe me shmangie të kontaktit përmes syve.

3. Zëri

Intonacioni, ritmi dhe mprehtësia e zërit janë tregues të mirë të gjendjes emocionale të njeriut. Intonacioni mund të tregojë në mënyrë të ndërgjegjshme se ku qëndron kuptimi i fjalëve.

Elementet e përdorimit të zërit ose siç quhet ndryshe paragjuha janë shumë të rëndësishëm. P.sh. një gënjeshtar mund të kuptohet nga fakti që zëri i tij është më i hollë se zakonisht. Studimet tregojnë se ne e kuptojmë gjendjen shpirtërore të një njeriu shumë më mirë nga gjuha e trupit sesa nga gjuha verbale. Gjatë komunikimit flisni normalisht duke shmangur zërin e hollë. Mos pushtoni bisedën duke mos i lënë të tjerët të flasin. Mos flisni shpejt. Jini dëgjues të mirë sepse  njerëzit i kanë qejf dëgjuesit e mirë.

4. Pamja e jashtme

 Kjo përfshin veshjen, rregullimin e  flokëve, lukun  etj. Pamja ka ndikim të madh jo vetëm në formimin e imazhit për veten, por edhe në sjelljen tonë dhe të njerëzve që na rrethojnë Pamja e jashtme është baza e përshtypjes së parë që ndonjëherë zgjat shumë dhe përcakton se me kë duhet të flasim, të shoqërohemi, të duam.

Veshjet janë objekt i vazhdueshëm i vëmendjes së njeriut. Ato tregojnë mënyrën që kemi zgjedhur se si ta prezantojmë veten. Veshja është pasqyrimi i asaj që mendojmë dhe ndjejmë. Veshja është vazhdimi i asaj çka jemi. Ashtu si puna e breshkës me zhguallin e saj edhe ne me ato që hedhim mbi shpinë i tregojmë botës kush jemi, si është jeta jonë dhe fazat në të cilat ndodhemi.

Veshjet japin 3 lloj informacionesh;

Veshja zbulon diçka rreth emocioneve tona. Ky efekt ka dy anë se si ndjenjat tona ndikojnë në veshje dhe çfarë ndjejmë nga veshja jonë.  Kur veshim gjëra të rehatshme, sportive do të thotë se rehatia ka rëndësi të veçantë për ne. Kur vishemi në mënyrë serioze kemi dëshirë për të pasur efekte të jashtme në takimet tona.

Veshja tregon edhe për sjelljen tonë. Lloji i veshjes mund ta transformojë qëndrimin, lëvizjet madje edhe  sjelljen tonë. Veshja e ndryshme ndikon menjëherë në ndyshimin e sjelljes së njeriut p.sh. veshja ushtarake, studentore, e gjyqtarit, mjekut, priftit,  motrës, sportistit etj. Veshja ndikon në diferencimin tonë nga të tjerët nga mosha dhe profesioni.

Disa interpretime të gjuhës së trupit:

Të mbash objekte para teje filxhan me kafe, fletore, çantë apo diçka tjetër është shenjë turpi dhe rezistence, që bën të mendohet se dëshiron të fshihesh pas tyre dhe të ndahesh nga të tjerët.

Ta kruash mjekrën  gjersa e shikon tjetrin – Njerëzit zakonisht sjellin vendime kur e prekin apo e kruajnë mjekrën dhe kjo i bën të tjerët të mendojnë se ju i gjykoni  ata.

Ngushtimi i syve – Me këtë i tregoni personit para jush se nuk e pëlqeni. Shpesh ndodh që ju të dëshironi të tregoni se me këtë gjest mendoni më mirë, por mos lejoni që deri te bashkëbiseduesi të transmetoni mesazh të gabuar.

Të shikosh poshtë në prezencë të tjerëve – Kjo tregon se nuk jeni të interesuar. Ndonjëherë interpretohet edhe si shenjë arrogance. Çdoherë shiko në sy kur je duke biseduar.

E prek fytyrën gjersa biseco Prekja e fytyrës apo e hundës tregon mashtrim. Gjithashtu njerëzit e vendosin dorën afër gojës kur gënjejnë. Çdoherë mbaji duart larg fytyrës kur je duke biseduar.

Kryqëzimi i duarve shenjë e rezistencës. Disa këtë mund ta interpretojnë edhe si shenjë egoizmi, mbylljeje. Duart e kryqëzuara në gjoks janë shenjë klasike mbrojtëse, kundërshtim.  Gjithmonë mundohu t’i mbash duart të hapura.

Kruarje e kokës dhe qafës – shenjë tipike e dyshimit dhe e pakuptimshmërisë.  Ajo gjithashtu mund të jetë edhe shenjë gënjeshtreje. Mundohu t’i mbash duart larg kokës kur je duke komunikuar me ndonjë.

Ulje në skaj të karriges kjo tregon se mentalisht dhe fizikisht nuk je rehat. Por kjo do t’i bëjë edhe ata rreth jush të mos ndjehen rehat.

Kruajtje koke dhe lëvizje mekanikenënkupton bezdisje të vogla gjatë dialogut – siklet, nervozitet, ankth dhe mendim.

Pozicioni  embrionik nënkupton pasiguri dhe ndjenjë rreziku

Ecje krenare me supe të ngritura, trupin drejt nënkupton vetëbesim dhe ndjenjë mbizotërimi.

Shikim i ulëtnënkupton fajësi, fshehje sekretesh

Vendosje e duarve në mes – nënkupton triumf  nëse bëhet me duar, dhe zemërim nëse bëhet me grushta.

Mbështetje e kokës tek duartnënkupton  mërzitje

Kërcitja me gishtashenjë pasiguriedhe nervozizmi

Ndërthurje gishtash dhe mbështetje kokenënkupton reflektim

Lidhja e gishtërinjve  duke mbajtur pëllëmbët larg njëra-tjetrës tregon besim te vetvetja,

Bashkimi i mollëzave të gishtërinjve– shenjë se dëshiron të theksoj diçka

Rrahja e shpejtë e  kapakëve të syve –tregon shenjë pasigurie.

Dora nën mjekër – keni nevojë për mbështetje sepse  ndiheni të pasigurt.

 

Albert Einstein në shkrimet e tija  thotë: Nëse doni të kuptoni një person mos i dëgjoni fjalët e tij, por vëzhgoni sjelljet e tij.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »