FUQIA SHËRUESE E SHËMBËLLTYRAVE TË JEZUSIT

Apr 12 • Teologji

Shkruan: Zef AHMETI

Për të krishterët Jezusi është Biri i Hyjit në të cilin shfaqet vetë Hyji. Teologu Karl Rahner e quan Jezusin  “vetëdëftim i Hyjit”. Jezusi është ai që e ka zgjidhur njerëzimin nga mëkati. Mirëpo Ai është edhe njeriu që ka jetuar edhe para dy mijë vjetësh. Në Krishtin shohim njeriun dhe Zotin. Që Jezusi të njihet si mjek e si terapeut, si veprimtar baritor i mëshirshëm, si shoqërues shpirtëror, duhen medituar vepra e tij dhe skenat ku ai i takon njerëzit, si u flet njerëzve dhe si ndikon tek ta.

Anselm Grün, i lindur me 1945, murg dhe drejtues i abacisë benediktine në Münsterschwarzach të Gjermanisë, njihet si një ndër autorët e krishterë më të lexuar në kohën e sotshme. Ai është i njohur për përkujdesin baritor dhe shpirtëror në lëmi të ndryshme, si: në botën e ekonomisë dhe të biznesit, politikës dhe administratës publike.

Në kuadër të librave të shumtë që ka shkruar Grün, kemi atë që për ne do të merret në shqyrtim, pra “Jesus als Therapeut – Die heilende Kraft der Gleichnisse” (Jezusi si terapeut – fuqia shëruese e shëmbëlltyrave).

Në meditimet e tija Grün ndalet te veprat e Jezusit, në të cilat ai takohet me metodat e ndryshme terapeutike të Tij. Janë mënyrat e Jezusit, se si ai i takon dhe i shëron njerëzit e sëmurë, dhe mënyra se si ai u flet njerëzve.  Në fakt, ky është edhe thelbi i librit të tij. Qëllimi i autorit nuk është kopjimi apo ritregimi, por “ne kemi shëmbëlltyrat dhe fjalët e Jesusit” thotë ai, tek të cilat sheh fuqinë shëruese.

Librin Grün nuk e publikon vetëm për shoqëruesit shpirtërorë dhe terapeutik. Ai thotë se Bibla është vetë Libër i Shenjtë. Dhe po u medituan fjalët e Krishtit, atëherë, na hapen pikëpamje të reja. Ndërsa, nëse hymë në shëmbëlltyrat e Jezusit, atëherë ndryshojnë qëndrimet lidhur me veten tonë dhe Zotin. Ndodhë një proces i shërimit të brendshëm.

Nxitje

Si shoqërues shpirtëror Grün do nxitet të kujtojë e të gjejë mënyrën se si Jezusi i kishte shoqëruar dhe ndihmuar njerëzit. “Kur e shikoj Biblën, në ungjij takoj Jezusin si terapeut, i cili shëron njerëzit” shkruan Grün. Për autorin është me rëndësi se si duke e takuar Jezusin ne mund të fitojmë një pamje tjetër të vetvetes. Sepse nga ajo se si e shohim vetveten varet edhe ajo se a do jetë e suksesshme edhe jeta. Në fokus të kërkimeve është aspekti psikologjik për shërimin e problemeve psikike, pra si e bënte Jezusi, dhe a mund të përdoren metodat e tija sot? Metodat terapeutike të Jezu Krishtit s’kanë një metodë të caktuar, ai as nuk ka themeluar ndonjë shkollë terapeutike, thotë autori. Ai ka vepruar nga zemra e tij. Ne atë nuk mund ta kopjojmë, por mund të inspirohemi nga vepra e tij, shton më tutje Anselm Grün.

Tek vepra e Jezusit takohen tre mënyra se si ai shëronte. Janë pra shëmbëlltyrat si një lloj “bashkëbisedimi terapeutik”, pastaj kemi fjalët e Jezusit, që hapin një pamje të re në jetën tonë, si dhe historitë shëruese që na tregojnë se si Jezusi i takonte të sëmurët. Përderisa me shëmbëlltyrat Jezusi do të ndihmojë njerëzit ta shikojnë drejt veten e tyre dhe Zotin, sepse nga mënyra se si e shohim ne vetveten dhe Zotin, varet edhe ajo se a do kemi një jetë të realizueshme, të suksesshme. “Shëmbëlltyrat në rend të parë nuk duan të na mësojnë, por ta shërojnë pamjen tonë të brendshme. Dhe se për mua është me rëndësi që fuqinë shëruese e shëmbëlltyrave ta rizbulojë sot për ne” thotë autori. Urtësitë terapeutike të Jezusit autori i gjen edhe në fjalët e tij që na sjell Bibla. “Fjalët e tija për mua, në rend të parë, nuk janë moralizuese, por shëruese,” thotë Grün. Jezusi u flet njerëzve jashtë historive dhe shëmbëlltyrave në atë mënyrë, që fjalët e tija na hapin sytë për të vërtetën e jetës, ato dëshirojnë të na shpijnë në një nivel tjetër.

Duke pasur parasysh se tema bosht e librit lidhet me aspektet terapeutike, murgu gjerman na thotë se, veprat terapeutike të Jezusit i gjejmë në mënyrën më të qartë te historitë shëruese të treguara në ungjijtë. Jezusi aty nuk shëron përherë me metodë të njëjte, për më tepër, ai përdorë “metoda të ndryshme terapeutike”.

Shëmbëlltyrat, fjalët dhe historitë shëruese të Jezu Krishtit

Bibla si Libër i librave, është përdorur edhe si burim i psikologjisë pozitive nga shumë autorë, sidomos protestantë. Ky libër i shenjtë është studiuar në aspektet më të ndryshme.  E një ndër qasjet e reja që janë nxjerrë nga Bibla janë edhe aspektet shëruese terapeutike. Grün nuk është marrë i pari me ketë temë. Për këtë ka shkruar edhe Hanna Wolff (Jesu Menschenbehandlung als Modell moderner Psychotherapie) përpara Grün-it. Ajo (1910-2011) kishte studiuar shkencat juridike dhe shtetërore, teologjinë dhe psikologjinë. Punoi si vikare, docente dhe mësuese e religjionit. Ajo jeton 20 vite në Indi. Nga viti 1969 punon si psikoterapeute.  Gjatë punës së saj ajo shpesh “kapet” për atë çfarë ka thënë Jezusi. Kështu ajo “zbulon” Jezu Krishtin si terapeut.

Të kalojmë prapë te libri i Anselm Grün. Ai ndahet në tre kapituj kryesorë, që lidhen me boshtin e trajtimit të temës së zgjedhur nga autori. Pjesa e parë lidhet me aspektet terapeutike në shëmbëlltyrat e Jezusit ku merr shembuj konkret, sikur edhe në kapitullin e dytë ku flet për fjalët e Jesusit po në të njëjtin kontekst dhe pjesa e tretë trajton historitë shëruese.

Metodat terapeutike në shëmbëlltyra

Jezusi përherë ka treguar shëmbëlltyra. Ai ka qenë një tregues i shkëlqyeshëm të cilin njerëzit e kanë dëgjuar me ëndje. Shëmbëlltyrat e tija  – thotë Grün – mund të kuptohen si pjesë terapeutike, pasi që në ato kemi një fuqi shëruese. Në shëmbëlltyrat që i tregon Jezusi ai tregon se si jeta mund të jetë e realizueshme. Ai me ato u ndërmjetëson njerëzve një përfytyrim të ri të Zotit dhe vet njeriut. Përfytyrimet që njeriu i bartë në vete ndikojnë në jetën e tij. Ato e bëjnë atë të sëmurë ose të shëndoshë. Jezusi përpiqet me shëmbëlltyrat e tija që përfytyrimet e sëmura të Zotit dhe të vetë njeriut t`i kthejë në përfytyrime pozitive. Me ato ai njerëzit i fascinon, provokon e nervozon. Edhe temat që trajton Jezusi janë të ndryshme. Ato lidhen ngushtë me ndryshimin e pikëpamjeve për aspektet e larmishme të jetës njerëzore. “Bëhet fjalë se si të sillemi ndryshe me frikën, për ta gjetur një rrugë adekuate… bëhet fjalë me përvojat me zhgënjimin, pafuqinë, përvojat me hijet vetjake” thotë Grün.  Meqë frika, ndjenja e fajësisë, vuajtja, thyerje e brendshme, pafuqia, refuzimi janë temat që prekin njeriun edhe sot.

Si shembuj konkret Grün merr disa nga shëmbëlltyrat që i dëshiron të na paraqes thelbin terapeutik, shërues.

 111

Shëmbëlltyra mbi mbarështuesin e pandershëm

Sjellja me fajësinë (Luka 16, 1-8). Ndoshta në të kaluarën Kisha ka theksuar në homilitë e veta shumë për fajin dhe mëkatin dhe kështu ua ka ngulitur një ndërgjegje fajësie. Porse, në ana tjetër, nëse faji nuk do merret parasysh atëherë ndjenja e fajit paraqitet në formë tjetër, për shembull në zemërim, frikë, thyerje të brendshme ose nxitje detyruese për ripërtëritje. Në shembullin e cituar administratori bënë një bisedë me vete: “Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih… ? Nuk mundem! Të dal e të lyp… ? Më vjen turp! (Lk 16,3).  Këtu kemi dy rrugë, interpreton Grün. Njëra është që t`i futemi punës së rëndë dhe bëhemi të ashpër me vetveten, por edhe të tjerët t’i gjykojmë rëndë, ndërsa rruga tjetër është lypja. Pra gjatë gjithë jetës të veprojmë si lypsarë dhe të kërkojmë falje. E duke akuzuar vetveten në ketë mënyrë ne e bëjmë vetën të vogël dhe kërkojmë pranim dhe mëshirë. Këtu ne e humbim respektin për vetveten. Mbarështuesi në shëmbëlltyrën e Jezusit vendos për një rrugë tjetër: “E di ç`do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.” (Lk 16,4). Pra ai sillet në mënyrë kreative me fajësinë e vet. Ai i thirr borxhlinjtë e zotërisë së tij dhe i liron nga një pjesë e borxhit në kurriz të këtij njeriu të pasur. Porosia e kësaj shëmbëlltyre është që të mos përfundohet në një moralizëm kategorik duke e stërngarkuar vetveten, por që të zbresim nga vetëdrejtësia për t`u bërë njeri ndër njerëzit, pasi që Zoti i falë fajet tona me mëshirën e tij. Dhe një shembull i tillë mund të ndikojë më shumë se sa një mësim për faljen, thotë Grün.

222

Shëmbëlltyra e vejushës dhe gjykatësit

Sjellja me gjykatësin e brendshëm (Luka 18, 1-8). Psikologët flasin për Unin që shpesh është i ngurtë dhe gjykon përherë. Pra në brendi kemi një instancë që përherë na gjykon dhe na refuzon. Se si të sillemi me një situatë të tillë, Jesusi na tregon në shëmbëlltyrën ku flet për një grua të vejë dhe gjykatësin e pa Zot. E veja i drejtohet gjykatësit, por ai nuk tregon interesim për ta ndihmuar. Ajo lufton për vete dhe të drejtën e saj për jetë. Ajo çdo ditë shkon te gjykatësi. Më në fund gjykatësi thotë me vete: “Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore.’” (Lk 18,4-5). Sipas murgut gjerman, Jezusi na tregon lutjen si rrugë, se si mund ta tejkalojmë gjykatësin e brendshëm. Me lutje ne hyjmë në dhomën e heshtjes në brendinë tonë e me anë të saj e përjetojmë afërsinë shëruese të tij. Dhe para se të tregoj Jezusi këtë shëmbëlltyrë, ai thotë: “Mbretëria e Hyjit është përbrenda jush” (Lk 17, 21). Atje ku është mbretëria e Hyjit jemi të lirë nga fuqia e njerëzve tjerë. Atje askush nuk mundet të na lëndojë. Gruan e vejë mund ta kuptojmë edhe si simbol për shpirtin, si simbol për brendësinë e njeriut.  Shpirti është për ëndrrat e jetës që ka njeriu e që kanë vlerë për atë, se jeta e tij është e vlefshme me atë shpreh diçka hyjnore. Ndërsa gjykatësi i brendshëm përherë na nënvlerëson e na trajton si të sëmurë, sepse kemi ideale aq të mëdha dhe ide të mëdha për vetë ne. Ndërsa me lutje ne ndjejmë në vete dinjitetin si njerëz. Dhe nëse ne lutemi në sfondin e kësaj shëmbëlltyrë, atëherë lutja e jonë merr një fuqi tjetër. Këtu e veja është një grua pa kurrfarë shansi e që nuk dorëzohet, e sipas Grün, të lutesh do të thotë të mos dorëzohesh.

333

Shëmbëlltyra e talenteve

Sjellja me frikën (Mateu 25, 14-30 dhe Luka 19, 11-27). Kjo temë përshkruhet me barazinë e talenteve. Këtu Jezusi fascinon dhe provokon. Dy shërbëtorët e parë talentet e tyre i shfrytëzojnë për tregti dhe fitojnë shumë. Mirëpo gjatë tregimit që bën Jezusi nxit keqardhje dhe nervozizëm te dëgjuesit e tij për shkak të trajtimit që i bëhet shërbëtorit të tretë. Jezusi sikur dëshiron tu thotë dëgjuesve, shikojeni këtë shërbëtorin e tretë, ndoshta ju e shihni vetveten tek ai. Ky shërbëtor tregon vet se ku qëndron problemi i tij. Ai e kishte krahasuar veten me të tjerët dhe e kishte ndier vetën të dëmtuar. Ai atë që e kishte marrë kishte dashur ta ruante të paktën nga humbjet. “Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!”(Mt 25,24-25).  Ai kishte frikë dhe në vete kishte përfytyrimin e një Zoti që dënon, kështu që ai e fut në dhé talentin e tij. Për të mos bërë ndonjë gabim. Ai dëshiron të ketë gjithçka nën kontroll, të mos japë asgjë dhe të mos bëjë kurrfarë tregtie. Mirëpo në ketë mënyrë nuk mund të fitohet. Pra duke u përpjekur të ruante talentin, ai humbi të gjitha. Zoti i përgjigjet: ”Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta!” (Mt 25, 26-28). Sipas Grün Jezusi këtu e përdor “përforcimin”. Kjo në terapinë moderne përdoret duke e përdorur potencimin e përforcuar të klientit në aspektin negativ p.sh.: “Është e vërtetë që nuk je nënë e mirë që sillesh kështu me fëmijët”. Ndërsa klientja përgjigjet: “Si mundeni të flisni ashtu me mua…”. Qëllimi i kësaj metode është që duke përforcuar negativen të nxitet energjia pozitive te klienti, pra ky provokim mund të nxisë klientin të drejtohet kah drita pozitive.

Ndërsa te Lluka bëhet fjalë për një jetë të dhuruar nga Hyji. Dhe njeriu duke e pas vetëm ketë jetë, ai edhe duhet ta jetoj atë. Ndryshe mund të përfundohet me një jetë të pa jetuar.

444 

Shëmbëlltyra e mëditësve në vresht

Sjella me zilinë (Mateu 20, 1-16). Një nga temat shoqëruese që i ka bërë Grün thotë se është krahasimi i njerëzve me të tjerët. Ata kanë zilinë pse të tjerët kanë e ata jo. Ata ndjehen të trajtuar jo drejtë nga Zoti.  E sa më shumë që ne të krahasohemi, aq më të pakënaqur jemi, thotë Grün. Sa i përket kësaj pengese jetësore, Jezusi përgjigjet me shëmbëlltyrën e barazimit të punëtorëve në vreshtari. Edhe kjo shkakton kundërshtim te dëgjuesit e tij, që thonë se Zoti nuk duhet të jetë kështu i padrejtë. Punëtorët e parë kishin punuar njëmbëdhjete orë në vapën e ditës. Dhe si mundet Zoti që punëtorëve që kishin punuar vetëm një orë t`ua japë të njëjtën shpërblim? Dhe duke menduar kështu, atëherë konstatohet se edhe ne nuk dëshirojmë të punojmë. Ne ua kemi zilinë atyre që nuk punojnë e që thjeshtë bëjnë çka ua do qejfi. Mirëpo ne nuk e dimë se si ndihen ata. Sa e mërzitshme është jeta e tyre. Punëtorët e orëve të para e kanë ndjenjën se jeta e tyre ka një kuptim. Ata punojnë. Në mbrëmje marrin pagesën. Mirëpo posa të krahasojnë vetën me të tjerët ata bëhen të pakënaqur. Nëse e krahasojmë jetën e punëtorëve të parë, atëherë mund të thuhet se ata jetën e ndjejnë si ngarkesë.

Kjo shëmbëlltyrë tregon se në vend se të krahasohet jeta me të tjerët, duhet të jetohet jeta individuale, e të mos të pengojë si jetojnë të tjerët. Dhe nëse puna të pëlqen, atëherë nuk bëhet krahasimi me të tjerët. Pra ky shembull na fton të jetojmë jetën ashtu si duam, e të tjerëve t`ua dëshirojmë të njëjtën.

Interpretime të tilla i gjejmë edhe në shëmbëlltyrat e tjera që i trajton autori, e që ne këtu i dhamë vetëm disa sa për ilustrim.

Metodat terapeutike në fjalët e Jezusit

Ungjilltarët i kanë kombinuar fjalët e Jezusit dhe nga ato kanë nxjerrë fjalime. Mateu p.sh. fjalët e Jezusit i ka përmbledhë në pesë fjalimet e tij. Fjalimi më i madh i Jezusit është predikimi në mal, apo siç quhet ndryshe lumturitë. Mateu e kupton Jezusin si mësues urtësie, i cili na tregon se si duhet jetuar një jetë të realizushme. Jezusi përherë u ka treguar njerëzve se si mund të bëhet një jetë e hareshme  dhe si mund ta gjejnë rrugën për lumturinë e vërtete. Fjalët e tij kanë për qëllim të na sjellin në një nivel tjetër të të menduarit dhe të të ndierit. Ato duket të përtypen si buka. Dhe vetëm atëherë ato nga fjalë të hidhura na bëhen fjalë të ëmbla.

Autori duke interpretuar disa nga thënien e Jezusit, merr në gojë disa nga citatet e dhëna nga ungjilltarët si: “Lëri që të vdekurit t`i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit” (Lk 9, 60). Kjo fjali në logjikë është e pamundshme. Dhe kjo interpretohet si shkëputje nga lidhje të ngrira, nga zakonet dhe ritualet e jetës rutinë pa përmbajtje. Me fjalët e tija se të vdekurit duhet t`i varrosin të vdekurit, ai më fton që të distancohem nga sendet, që mua nuk më interesojnë më, thotë Grün.

Krishti flet edhe me fjalë figurative: “Nëse dikush do t`i thotë këtij mali: Luaj vendit dhe hidhu në det”, dhe nuk do të ketë dyshime në zemrën e vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë edhe do të bëhet” (Marku 11, 23). E në kontekstin e temës, kjo lidhet me grumbullin e problemeve jetësore. Jezusi këtu nuk donë të na bëjë magjistarë me këtë thënie, por besimtar se me besim mund të zgjidhen malet me probleme. Sot flitet për një mal me probleme, një mal me vështirësi. Ndërsa besimi është si një mrekulli. Disa qëndrojnë para problemeve të fiksuar në to e kështu ata bllokojnë vetveten. Besimi ndihmon që ato probleme të relativizohen dhe se njeriu i qaset me vetëbesim problemeve.

Metodat terapeutike në historitë shëruese të Jezusit

Pjesa e fundit e librit ku trajtohen aspektet terapeutike të Jezusit është ajo e historive shëruese të Krishtit. Në këto histori shihet se si Jesusi sillet me të sëmurët. Mënyrat e ndryshme se si ai trajtonte të sëmurët dhe se si u ofrohej atyre përshkruhen si “metoda terapie” të Jezusit, edhe pse ai në fakt nuk ka themeluar ndonjë shkollë të veçantë terapie. Por më tepër bëhet fjalë për ndjeshmërinë e brendshme që ka ai për njerëzit. Ai nuk shëron si ndonjë mjek. Ai i takon njerëzit dhe i konfronton ata me plagët e tyre. Te ungjilli i Markut kemi demonët që shqyejnë njeriun. Ndërsa sot, thotë Grün, me njohuritë psikologjike që kemi, janë shembujt jetësor neurotik, komplekset psikike, detyrimet, idetë fikse që bëjnë të mos mendojmë qartë. Shërimi për Markun është përherë edhe çlirim. Te Luka sëmundja është deformim i njeriut. Ndërsa Jezusi është ai që rikthen njeriun në gjendjen fillestare. Ndërsa te Gjoni sëmundja është shprehje e asaj se njeriu ka humbur raportin me burimin e tij hyjnor. Shkëputja nga burimi hyjnor shkakton sëmundjen. Ndërsa rivendosja e kontaktit me burimin e brendshëm (hyjnor) atë e shëron.

Autori Anselm Grün flet gjerë e gjatë për këto aspekte që i paraqitëm këtu shkurtimisht. Edhe pse ky libër është në gjermanisht, e pamë të arsyeshme të marrim në shqyrtim për rëndësinë që ka ky argument, për pasurinë e madhe që bartë Shkrimi i shenjtë – Bibla, fjalët e Jezusit që është shpëtimtari i njerëzimit, Ai që shëron, që ndreq e që shoqëron njeriut edhe sot në rrugën e tij të përditshme jetësore. Urojë që ky libër të ketë dritën e vet edhe në shqip, sepse është një mejt i jashtëzakonshëm për të trajtuar vetveten e për ta gjetur shërimin e brendshëm për të cilin kemi aq shumë nevojë ne si shoqëri.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »