POPULLI SHQIPTAR NDODHET NË UDHËKRYQ HISTORIK

Apr 13 • INTERVISTË

Intervistë më Primo Shllakun, ligjërues, shkrimtar, linguist dhe përkthyes

 

Primo Shllaku (1947, Shkodër), poet, prozator, linguist, profesor universiteti dhe përkthyes, është një nga autorët më të veçantë të letërsisë shqipe dhe një nga protagonistët e rëndësishëm të kulturës shqiptare.  Ai  është një poet  që shkruan me një gegnishte të konsoliduar e të pasur dhe kështu është një nga pasuesit më të devotshëm të kulturës së madhe që është krijue rreth Shkodrës. Shllaku është edhe autor i shumë librave me poezi dhe në prozë, të botuara në shqip dhe në gjuhë të huaja. Ai është marrë intenzivisht edhe me përkthime dhe ka sjell në shqip autorë më renomen, siç janë:   Charles Baudelaire, Jean-Paul Sartre, Gotthold Ephraim, André Gide, Omar Khaiam, Diomed Vllahu, Arshi Pipa, etj. Shllaku drejton edhe Institutin e Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe.

 

Janë ba  ma shum se dy dekada nga ramja e komunizmit në Shqipni. Ku asht populli shqiptar sot kulturalisht, shpirtnisht dhe politikisht?

Përgjigje: Sot populli shqiptar ndodhet në të njajtëin udhëkryq historik që ka qenë me shpalljen e të parit shtet shqiptar të kohës së re. I paorientuem kulturalisht, pra as politikisht as moralisht. Mes dilemash të mdha dhe ngasjesh të mdha, shêjat tregojnë se kriza e madhe e zgjedhjeve, bile unë kisha me thane kriza e coptimeve centrifugale, nuk ka ndër mend me u zhdukë nga çdo llogari aktualiteti. Komunizmi ishte shum pragmatist sepse  heterogjenitetin kultural dhe shijet e tij laramane, pa nord kulturor e përkatësi të “mbështetun” morale, i shfrytzoi për nji fushatë të pashembullt uniformizimi të cilën e shiti për unitet, bashkim dhe zhdukje dallimesh. Mbas vjeteve ’90 trysnia e madhe e  traditës dhe  dalja e interesave të reja për të ngushtue hendekun e krijuem nga koha e humbun, diversitetet gati natyrale që përmbante korpusi kulturor mbarëshqiptar janë angazhue sot në nji përpjekje, sa të hapun aq edhe të mshefët, për të marrë status identitar. Kjo prirje diverguese i bie ndesh shpirtit konvergues të Rilindjes, e cila pati arritë suksese të  mrekullueshme në lamin e kohezionit dhe moralitetit të bashkëjetesës kulturore në nji terren diversitetesh shpesh kundërthanëse.

Si e vlerësoni letërsinë shqipe në tanësinë e saj?

Përgjigje: Letërsia shqipe ende âsht shum larg plotsimit e knaqjes së nevojave shpirtnore të shoqnisë shqiptare si konsumatore e parë e saj. Letërsia e shekullit të XX, edhe pse u konsolidue si letërsi kombtare dhe u bâ pjesë organike e konstitutive e jetës shpirtnore të ksaj shoqnie, mbetet ende shum larg rrjedhave të mdha kontinentale e mâ gjanë. Në thelbin e saj ajo mbetet letëri etnocentriste, me ose pa simbolikë. Ndë të parët Migjeni bani nji sprovë të shkurtë për ta ndrrue ketë prirje, pagoi haraçe, u keqkuptue me dashje dhe u përdor  mizorisht. Ky pinjoll i Dyshimit si autoritet intelektual, u mor për prodrom të Revolucioneve me luftë klasash. Gjithsesi nji letërsi policentriste âsht shkrue gjithnji në Shkodrën e të gjitha kohnave dhe asaj i takon merita e mbajtjes gjallë të letërsisë jofunksionale. Sot të rijtë janë distancue mjaft prej etnocentrizmit, por shpesh përvojat e tyne letrare stonojnë me sfondin dhe nivelet reale të letërsisë kombtare.

A ka komunikim të natyrshëm dhe real mes letërsisë shqipe, kulturës shqiptare nga gjitha hapësinat ku ajo krijohet?

Përgjigje: Sot na po flasim për nji komunikim ndërshqiptar dhe mbarëshqiptar. Por po ngurrojmë me folë për cilsinë dhe sasinë e ktij komunikimi. Komunikim ka, por ky komunikim âsht gjithnji i trembun dhe nën tutelë. Mâ fort kisha me thane  nën nji tutelë vetëcensurimi. Marrdhaniet e aktivitetet  mes shteteve ku ka shumica shqiptarësh, u përngjasin fije për pê marrdhanieve mes demokracive popullore në vjetet ’50. Pra ka shum panagjirizëm, protokoll dhe leje kancelarish për masëm dhe kufijtë e sipërm të ksaj mase. Shqipnia, atdheu amë, e ka infektue gjithë pjesën tjetër të homogjenitetit me idhujt e vet të komunizmit si dhe me shestimet fort të dyshimta të asaj periudhe. Paraliza nga mbrendashqiptare( londineze) po përhapet, në mos qoftë përhapë, në të gjithë arealin shqipfolës e shqipndjenjës. Kjo bazë realisht vetëm uniformizuese, por aspak unifikuese i ka çlirue territoret kulturore, por ka ngushtue zgjedhjet kulturore dhe shqiptarët tashti duhet të knaqen me uniformitetin, por kurrsesi nuk mund të lypin unitetin, a, prite i madhi Zot, bashkimin. Gjithçka varet sesa shqiptarët janë të zotët të ristartojnë. Me trashigimitë e Luftës së Ftohtë në punët e tyne të mijëvjeçarit të ri, shqiptarët po hŷjnë në nji menopause  tjetër, por shum mâ dinake. Pra jemi tue humbë kohë në favor të të gjithë atyne që dinë  me mbjellë, me korrë e me shî për veten e tyne në “zaman” të stinës.

Ju jeni promotor i idesë së rikthimit të gegnishtës, apo thanë ndryshe, avancimin e statusit të saj në kulturën e shkrimit shqip. Si rrjedh ky proces?

Përgjigje: Fjala “promotor” më duket fjalë e randë për supet e mia modeste. Instituti që unë drejtoj, Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe, ka marrë përsipër me sa mundet me i dhanë zâ public dhimbjes dhe vigmës së asaj shumice njerzish që nuk janë dakord që na të përjashtojmë kulturën gege për hater të socializmit real të Enver Hoxhës ose edhe për inat të nji figure të errtë siç ishte Millosheviçi. E kjo për arsyen e thjeshtë se as ata as epoka e tyne nuk ekziston ma. Ai sistem dhe ajo filozofi ka dështue dhe e ka mbyllë pa nder mandatin historik që arbitrarisht e pati zaptue.

Askush nuk ka të drejtë me vendosë për brêzat që vijnë pa i lane edhe atyne të drejtën të rishikojnë, bile deri me fund, shestimet e paraardhësve. Gegnishta âsht ktu, mes nesh, e gjallë dhe e zhdërvjellët, plastike dhe estetike, poetike dhe prozatore. Instituti ynë numron mbi 75 shkrimtarë e poetë që vazhdojnë me dinjitet traditën e koinesë gege. Gegnishtja duhet të bâhet palë në çdo diskutim mbi fatet e gjuhës. Ajo nuk âsht parià në sofrën e gjuhëtarëve.Poqese toskët ngulin kambë në standardin, gegnishtja zhvillon veten dhe na dalim prap në ujnat e bekueme të Rilindjes, prej ku filloi kultura jonë e re kombtare, si nji krijesë moralisht e shpirtnisht e barazpeshueme.

Shqiptarët po përballën me fortuna të ndryshme të përplasjeve identitare. Disa thonë, rruga e juaj është orienti e Stambolli, e disa kërkojnë rikthimin e natyrshëm në shtratin oksidental, prej ku u shkeputem pa dashje. Si e shihni ju të ardhmen e shqiptarëve?

Përgjigje: Shqiptarët nuk mund ta zgjidhin problemin e identitetit, pa zgjidhë mâ pare problemin e madh të ekonomisë. Renegatizmi kulturor ose identitar tek ka mbrapa gjithnji nji kuletë me parë të holla. Ballabanizmi ndër ne nuk çudit mâ askënd. Bile mâ shum çudi shkakton karakteri dhe parimsia. Me thanë të drejtën ka nji lamsh paksa të pakuptueshëm në fazën tonë të aktualitetit. Nji grusht shtetesh kanë mbetë ende pa hŷ në BE. Ndër ta edhe na. Për të tjerët nuk e di, por na i kemi pasë disa idile me Lindjen disa herash në histori dhe nuk kemi pasë kurr nji të ardhme andej. Balshajt, pashalleqet, Enveri me BS e me Kinën janë pika të forta që na flasin për gravitetet tona prendimore. Ata që mendojnë se mund ta paralajmojnë Europën për divorc, jo vetëm që nuk janë në gjendje me vû kushte, por vetëm vonesa mund të na sjellin. Për politikanët do të ishte shum mâ e ndershme nji dorëheqje sesa nji ngacmim erotik me ato fuqi që rrinë në të njajtën radhë e presin si na.

A i besoni bashkimit të shqiptarëve ?

Përgjigje: I besoj dhe e dëshiroj. Por pyetja ka nji kleçkë. Duket se na ende nuk e kemi zgjidhë çeshtjen e konsensusit. Shqiptarët ndêjtën 100 vjet përdhuni me serbin dhe nuk i gjeti gjâ. Pra a ka kuptim me i  pyet shqiptarët, a do të dëshironin me ndêjtë me pjesën tjetër të shqiptarëve? Nji njeri që po vdes nga etja nuk pyetet a don ujë. Se kjo do të ishte tallje dhe zgjatje e kohës së agonisë së tij. Në Shqipni e në Kosovë na duhen forca reale politike që t’u kërkojnë shqiptarëve të andejshëm e të kndejshëm votën për të realizue bashkimin. Ktu do të ndryshonte puna.Prej ktij moment edhe pyetja “ a e besoni bashkimin e shqiptarëve” do të demodohej dhe do të delte jashtë përdorimit. Qarkullimi i ksaj pyetje âsht njilloj cicërrencje që na e thithim pa na ardhë kurrfarë langu në gojë.

Me qe kjo intervistë ju dedikohet ma shumë lexuesve nga Kosova, a mund të na thoni, si e perceptoni ju tendencën për krijimin e kombit kosovar?

Përgjigje: Kombet krijohen prej së mbrendshmi dhe askush nuk mund t’i krijojë. Po të ishte e mundun kjo serbët do ta kishin krijue kombin serb me material njerzor kosovar. E kam ndigjue ketë pohim dhe a priori nuk më ka ardhë mire. E kam marrë mâ fort si nji shpërthim proteste ndaj persistencës inerciale të vlerave të establishmentit komunist në postkomunizëm. Gjuha e imponueme në rrethana të kjarta imponimi, hegjemonitë mbrendashqiptare, historikisht të lame me gjak e me genocide, mesa duket nuk kanë qenë në gjendje me e prekë prakun e amnezisë dhe nuk po janë në gjendje me u amnistue kurrsesi. Pastaj liria ka ma shum opcione se “gjendja e luftës” edhe kur kjo âsht vetë Lufta e Ftoftë. Kombsia dhe gjykimi mbi tê âsht nji çeshtje e gjanë që do mendimin e antropologëve, moralistëve, historianëve, socilogëve, kulturologëve etj. E pranoj përvûjtnisht se nuk ekzistojnë në personin tim kaq shum disiplina të zotnueme sa të guxoja nji prononcim. Kuptohet se 100 vjet Kosova e segregueme prej Shqipnisë duhet të ketë nisë me e krijue nji “prag” të vogël që dikush edhe e merr si stigmë të pertinencës kombtare. Sidoqë të jetë puna, unë mendoj se diferencat nuk janë të mira dhe nëse mundemi nuk duhet t’i lame me u bâ dallime e veçanti. Kjo punë zgjidhet me bashkim.

Ju rrjedhin prej një familje artistësh. Na tregoni ndonjë histori të rëndësishme nga jeta e juaj familjare?

Përgjigje: Artistët e lemë e të krijuem nën diktaturë e që nuk kanë flirtue kurr me tê, mâ mire mos qofshin. Po përmendi nji varg të Garcia Lorkës që do t’u shkonte përshtat “juventud nunca vivida”, që do të thotë “ rini e pajetueme kurr”. Me ketë desha të nënvizoj se diktaturat e reduktojnë jetën në elementaritetin e mbijetesës. Jeta i anullon ngjarjet dhe njeriu nuk ka se çfarë të tregojë. Atdheu me diktaturë u ka borxh rininë nënshtetasve të vet.

Shkodra asht godit ma së shumti nga diktatura. Pse?
Ku asht sot Shkodra dhe kultura që përfaqësonte dhe përfaqëson ajo?

Përgjigje: Shkodra u godit se ishte, sëpari, qyteti ku më 1918 qe mbledhë Komiteti për shpëtimin e Kosovës. Ikja e Kosovës e pushtimi i saj prej serbësh më 1913, goditi kryekreje Shkodrën e cila ishte edhe tregu natyral i Kosovës. Mbaslufta e Dytë Botnore riafirmoi me të njajtën egërsi mbetjen e Kosovës në Ish-Jugosllavi. Ky shans i dytë që mund ta përmbyste situatën, u prapsue dhe koha kaloi për me i përfundue proceset. Shkodra ishte qyteti me lidhje organike që shifte kah Prendimi. Regjimi i Hoxhës shifte haptaz drejt Azisë, bile drejt Lindjes së Largët. Edhe sot rruga e madhe e kombit kthehet diku në Mamurras. Dikur rruga për Kosovë kalonte nëpër Shkodër. Shkodra e Kosova e kanë pasë fatin binjak, pavarsisht se askush mâ nuk e thotë ktê. Por po u bashkue Kosova me Shqipninë, Shkodra nga qytet i skajit, do të bâhet automatikisht Shqipni e Mesme. Kjo ngjall prap shpresa për nji gjeopolitikë të gjithmonshme.

Një mesazh për lexuesit e Dritës?

Përgjigje: Gazeta  “Drita” dhe emni i saj âsht emën i lavdishëm në publicistikën shqiptare. Na e kemi bjerrë ketë gazetë dhe gzohem që po e vijoni ju të andej Drinit. Drita âsht edhe sinonim i së vërtetës, i dijes dhe i ndriçimit edhe element i trashendencës. Kosova duhet të zhveshë petkat mitike që mori prej Shqipnisë amë dhe ta zbojë atë kompleks inferioriteti që ky bisht stine patrialkalizmi po ia mvesh me iluzionin e të hijshmes e të  modestes.

Intervistoi: Ndue Ukaj

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »