E DIELA E III E PASHKËVE (B)

Apr 17 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë: Vap 3,13-15-19.19

Lexim prej Veprave të apostujve

Në ato ditë, Pjetri i tha popullit: “Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjaksori kurse jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.” 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 4

Ref: Le të shndrisë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate

Kur të thërras në ndihmë,

më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!

Ti që më shpëtove në vështirësi:

ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

 

Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,

Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë. 

Flijoni fli drejtësie,

e shpresoni në Zotin!

 

Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?”

Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate! 

Posa bie në shtrojë, gjumi menjëherë më merr në qetësi,

sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

 

Leximi dytë: 1 Gjn 2,1-5

Leximi i letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, po ju shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati: Jezu Krishtin, të Drejtin. Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tija. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetisht dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të.

Fjala e Zotit        

 

Aleluja

O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt

dhe ndeze zemrën tonë deri sa e dëgjojmë fjalën tënd!

Aleluja

 

Ungjilli Lk 24,35-48

+ Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, pasi që u kthyen nga Emausi, dy nxënësit u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë. Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

Atëherë u tha: “Këtë veshtrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme’.” Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet dhe u tha: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.”

Fjala e Zotit

 

Porosia

Temë kryesore e liturgjisë së sotme është: Atë që ju e kryqëzuat është ngjallur. Kjo risi, tejkalon të gjitha dijet e botës dhe nuk krahasohet me asnjë përvojë të jetës.

Në leximin e parë, dëgjojmë se si Pjetri apostull, ju flet judenjve, me një qortim të but  për gjykimin e Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij: “ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, duke kërkuar vdekjen e tij. Pjetri, nuk i gjykon sikurse nuk i gjykoi as Jezusi, por kërkon që të kthehen dhe të pendohen për mëkatin e bërë ndaj Jezusit. Thirrja që ju bën Pjetri judenjve, na bën  edhe neve të kthehemi prej mëkateve dhe të pendohemi…..

Në leximin e dytë, dëgjojmë se si Gjoni dëshiron të rikujtojë njeriun se mund të jetë i ligsht dhe të mëkatojë, por edhe pse mëkaton, nuk është qenie e humbur, nuk është i pa aftë, sepse, në saje të besimit kemi ndërmjetësin tek Ati, Jezu Krishtin, i cili, na pajton me Atin, nëse kërkojmë ndihmën e tij dhe pendohemi me gjithë zemër.

Apostulli qorton që të kemi kujdes. sepse nuk është e mjaftueshme të mendojmë se kemi Hyjin Atë dhe kështu shpëtohemi- jo, nuk mund të shpëtohemi, nëse nuk kemi vepra të mira. Nëse nuk  jetojmë sikurse na mëson Hyji, sikurse na mëson Nëna Kishë.

 

Sa dhe si pendohemi ne për mëkatet e bëra?

Shpeshherë dëgjojmë nga besimtarët: s’ kam bërë asgjë, jetoj mirë, s’kam vra askënd, nuk kam mëkate, s’ kam nevojë të rrëfehem, s’ kam nevojë të marrë pjesë në Meshë, jam i drejtë.

E arsyetojmë veten dhe përtacinë tonë apo rrugët tjera që marrim, dhe vendimet  e ndryshme. Takimet, ahengjet, shëtitjet e çka jo tjetër, duke e lënë anash të dielën, meshën, takimin me Zotin.

Nxënësit e Jezusit, edhe pse kishin qëndruar tri vite me të, kishin parë shumë mrekulli; kishin dëgjuar shumë mësime, prapëseprapë janë në pikëllim, dëshpërim dhe dyshim për krejt atë që i ndodhi Atij.

Edhe pse disa herë ju shpallet, ata ende nuk kuptojnë, sepse i kishte kapur frikë dhe tmerr; ndoshta edhe pikëllimi e kishte bërë të veten që të jenë në atë gjendje.

Jezusi prapë ju dëftohet, duke ju dhuruar paqen, e paqja ishte virtyt shpirtërorë që do të qetësonte dhe aftësonte ata për të kuptuar këtë mister, dhe ketë dhuratë të Ngjalljes së Krishtit.

Jezusi, i bindë apostujt, duke ju thënë: ja me prekni, bile- bile shkon edhe me tutje, para tyre merr një kurm peshku dhe e hanë.

Dhe prapë ju shtjellon Shkrimin Shenjt, i cili, edhe në këtë rast ndez zemrat e tyre sikurse dy nxënësve që i shoqëroi rrugës për Emaus.

I tillë është Krishti Shëlbues, Ai na flet, na qorton, na mëson dhe frymëzon që të kuptojmë rëndësinë e jetës në bashkëpunim me Të.

Në bashkëpunim me Jezusin, nëpërmes Kishës gjejmë paqe dhe falje, gjejmë mëshirë dhe ngushëllim, sepse Jezusi vepron me ne dhe nëpër mes nesh. E Ai që e mundi vdekjen dhe na fitoi jetën, është Jeta jonë, është Shpresa jonë, është Ngushëllim dhe Fuqi.

Në Meshën Shenjte, në fillim- gjithmonë meshtari përshëndet popullin: Zoti qoftë me ju?

Të mendojmë pak mbi këtë përshëndetje:

A e pranojmë Zotin që të jetë me ne, me familjet tona, në jetën tonë?

Çfarë është feja, besimi im? Jam apo jo i dhënë pas fesë, duke e dëshmuar Atë me jetë dhe vepra?

Dimë apo jo, t’ i themi Jezusit faleminderit o Jezu që qëndron në mesin tonë dhe gjithnjë na dhurohesh në fjalën që na drejton dhe në Kungimin që na ushqen?

Të jetosh me Krishtin, do të thotë të kesh jetë- jo çfarëdo jete, por jetë të plot shpirtërore, jetë me vlera; jetë që garanton një ditë bashkimin me Të në qiell.

Prandaj, le të ndodh edhe me ne sot që të na hapen sytë e shpirtit, ta njohim, ta duam, të forcohemi ne fe, që të mund, edhe ne, sikurse apostujt ta dëshmojmë që Krishti është gjallë, Krishti është i pranishëm në botë. Krishti është Zot, i cili jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Lutjet e besimtarëve

O Zot Jezu, Ti  na ke bashkuar në këtë vend të shenjtë që të na ripërtëritësh dhe forcosh të jemi dëshmitar të ngjalljes sate dhe bartës të dashurisë sate në botë. Misteri i Pashkëve le të na nxitë të kuptojmë që fitorja jote mbi vdekjen është edhe fitore e jona mbi mëkatin dhe të keqen, prandaj po të lutemi:

Na ruaj në dashurinë tënde!

-Kishën tënde të shpërndarë në botë, në krye me papen, ipeshkvijtë, meshtarët,rregulltartë dhe rregulltaret- bëje dëshmitarë të ngjalljes dhe dashurisë që ke për ne, të lutemi:

 -Bota sot vuan nga padrejtësitë në mungesë të fesë dhe dashurisë, ndezi zemrat e të gjithë atyre që kanë përgjegjësi që të punojnë dhe veprojnë për të mirën e përbashkët, për një botë më të drejtë dhe më të përsosur siç dëshiron Ti, të lutemi:

-Rinia jonë gjendet në udhëkryqin e jetës, ruaje farën e mirë që është mbjell në ta dhe le t’ i udhëheq Shpirti yt që ideali i tyre të jetë në vlera shpirtërore, të përparojnë dhe të zhvillohen në modelin e jetës së krishterë, të lutemi:

 -Për mëkatet tona dhe egoizmin tonë, mos na lerë të jetojmë të ndarë dhe të përçarë në mes vete dhe me Ty, por të nxitur nga mësimet tua, na ndihmo të dëgjojmë dhe zbatojmë vullnetin tënd, të lutemi:

 -Për shkaqe migrimi dhe pune, familjet janë të shkapërderdhura nëpër botë, ruaj familjet tona kudo në botë nga të gjitha rreziqet e shpirtit dhe trupit, të lutemi:

Ti o Zot ju ndihmove apostujve tu, të kuptojnë Shkrimin, na ndihmo edhe ne që të kuptojmë Ty dhe nëpërmes mësimeve tua të begatohemi gjithnjë e më tepër për një jetë shpirtërore që na bashkon me Ty dhe të jetojmë me Ty, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti për Dritën: Don Marjan Demaj

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »