SHTOHEN KATOLIKËT NË BOTË: JANË 1 MILIARD E 254 MILIONË

Apr 17 • Kisha në botë

Në periudhën ndërmjet vitit 2005 e 2013 numri i katolikëve të pagëzuar në botë është rritur me shpejtësi, më se 12%, duke kaluar nga rreth 1.115, në 1.254 milionë, me një rritje absolute prej 139 milionë besimtarësh. Meqenëse në të njëjtën periudhë popullsia botërore ka kaluar nga 6.463 në 7.094 miliardë, prania e katolikëve në nivel planetar u rrit nga 17,3 në 17,7 për qind. I lexojmë këto të dhëna statistikore në Vjetarin Papnor 2015,  që u botua këto ditë.

Evropa: të dhëna të pandryshueshme

Këto vlera janë sintezë e situatave shumë të ndryshme, në Kontinente të ndryshme. Në Evropë vërehet një situatë demografike e pandryshueshme,  në fazë stabilizimi, me rënie të ndjeshme në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Në vitin 2013 besimtarët e pagëzuar, në rritje të lehtë në vitin e mëparshëm, arrinin në 287 milionë; sot janë 6,5 milionë më shumë në krahasim me vitin 2005.

Afrikë: katolikët janë shtuar 34%

Realiteti afrikan paraqitet plot gjallëri, me një shtesë katolikësh prej 34%: në vitin 2005 ishin 153 milionë, në 2013 arritën në 206 milionë.  Një ecuri e tillë, e lidhur vetëm pjesërisht me faktorë pastërtisht demografikë, pasqyron  rritjen reale të pranisë së besimtarëve të pagëzuar:  katolikët, që ishin 17,1% të popullsisë afrikane në vitin 2005, tetë vjet më pas arritën gati në 19%.

Amerika e Azia: numri i katolikëve në rritje

Në Amerikë e në Azi shtimi i të pagëzuarve ka qenë i ndjeshëm
(përkatësisht +10,5 e +17,4 %). Ky shtim shpjegohet kryesisht me rritjen e e vetë popullsisë në të njëjtën periudhë. Relativisht katolikët amerikanë përbënin 63% të popullsisë, ndërsa në Azi, përqindja e katolikëve ka kaluar nga 2,9% në 2005-sën, në 3,2% në 2013-tën. Mbetet e pandryshueshme përqindja e katolikëve të pagëzuar në Oqeani, edhe pse ndjehet një rënie e lehtë. 

Forcat e apostullimit në rritje

Forcat e apostullimit, që përbëhen nga ipeshkvijtë, priftërinjtë, diakonët e përhershëm, rregulltarët jo meshtarë, rregulltaret me kushte të përjetshme, anëtarët e instituteve shekullare, misionarët laikë e katekistët, në fund të vitit 2013 arrinin në 4.762.458, me një ndryshim pozitiv prej rreth 300.000 vetësh, në krahasim me të njëjtën datë të vitit 2005. Shpërndarja  e forcave të ndryshme të apostullimit është mjaft e parregullt nga kontinenti në kontinent. Në mesataren botërore përqindja ndërmjet shumës së ipeshkvijve, priftërinjve e diakonëve të përhershëm dhe kompleksit të të gjithë veprimtarëve baritorë, në fund të vitit 2013 ishte  9,7%, me vlera më të ulëta në Afrikë (8,1%) e në Jug-Lindjen aziatike (9,4%), ndërsa më të larta, në Evropë (19%) e në Amerikën Veriore  (12,5%): tokat e misionit karakterizohen kështu për theksimin e apostullimit të tipit shekullar apo laikal.  

Hierarkitë vendase zënë vendin e ipeshkvijve misionarë

Nga 31 dhjetori i vitit 2013, në të gjitha qarqet kishtare ishin të pranishëm 5.173 ipeshkvij, me një shtesë, në krahasim me vitin e mëparshëm, prej 40 vetësh, pak më e ulët se mesatarja e viteve të fundit (+41,5 njësi). Ballafaqimi me 31 dhjetorin e vitit 2012, tregon se në Amerikën Veriore  dhe në Oqeani është regjistruar një farë rëniejeje (përkatësisht 6 e 5 njësi) e cila kundërpeshohet me rritjen në pjesën tjetër të kontinentit amerikan (+23 njësi), në Afrikë (+5), në Azi (+14) e në Evropë (+9). Gjithsesi prania më e shumënumërt është në Amerikë e në Evropë (ku jetojnë përkatësish 37,4 e  31,4 % e ipeshkvijve të  planetit), ndjekur nga  Azia (15,1%), Afrika (13,6%) e Oqeania (2,5%). Një aspekt interesant është ai i procesit të ngadalshëm, por të pandalshëm, të zëvendësimit të ipeshkvijve misionarë me hjerakitë vendase. 

Numri i meshtarëve, në rritje në Afrikë e në Azi

Numri i përgjithshëm i meshtarëve, shekullarë e rregulltarë, në fund të vitit 2013 ka qenë 415.348. Në krahasim me vitin e mëparshëm, kur numri i meshtarëve ishte 414.313, vërehet një shtesë prej 0,3%. Rritja vërehet në të gjitha qarqet territoriale, me përjashtim të Amerikës Veriore e të Evropës, ku gjatë një viti numri i meshtarëve ka rënë përkatësisht në 1,4 e  1,2%.

Këto, disa nga të dhënat kryesore të Vjetarit Papnor, ku mund të njihemi edhe me shumë hollësi të tjera numerike lidhur me numrin e priftërinjve, të rregulltarëve e të rregulltareve dhe të thirrjeve për jetë të kushtuar, sot në rënie. 

 

(Teskti vjen nga Radio Vatikani në Gjuhën Shqipe: www.radiovativna.va)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »