SI TA KUPTOJMË LIRINË? (I)

Apr 17 • Opinion

Vështrim historik: nga Antika deri në mesjetë

Shkruan: Zef Ahmeti

 

1. DISA QASJE RRETH SEMANTIKËS SË LIRISË

Fjala liri është po aq e vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Me krijimin e njeriut të parë nga Hyji hasim në lirinë faktike që u jepet njerëzve të parë (Adamit e Evës) përveç pemës së ndaluar (mollës).

Që nga gjeneza e deri më sot koncepti liri u zgjerua dhe u zhvillua. U bënë përpjekje për ta shpjeguar e definuar. Kjo fjalë filloi të përdoret në konstelacione të ndryshme shoqërore. Liria si koncept filozofik, teologjik dhe juridik ka qenë temë diskutimi, varësisht nga periudha historike, ku janë dhënë mendime nga mendimtarë të ndryshëm. Ndryshe për lirinë mund të thuhet se ajo si koncept ka fituar një domethënie të gjerë në literaturën filozofike, shoqërore dhe në gjuhën e përditshme. Porse ajo, pra, merr kuptime të ndryshme varësisht nga konteksti.

Në kontekstin social kuptojmë lirinë e grupeve të caktuara përballë të tjerave, liria politike ka domethënien se ajo duhet të zbatohet në kushtet e detyrimit, në kuptimin teologjik kuptojmë dallimin mes vullnetit/dëshirës së lirë të njeriut dhe provanisë hyjnore. Dhe kjo nënkupton lirinë nga dy kahe: si liri nga diçka dhe liria për diçka.

2. LIRIA NË ANTIKË

Historikisht nocioni liri ka një traditë të lashtë filozofike (nga antikiteti grek) e që gjatë ecjes së kohës ajo ka marrë shpesh kuptime të ndryshme. Kuptimi fillestar, që ka bazën në antikën greke, kishte karakter politik. Shprehja greke »Eleutheria« përcaktonte sjelljet, përkatësisht veprimet, individuale që duhej të ishin në harmoni me normat e bashkësisë. Autonomia (gr.: autonomia) për grekët e vjetër kishte kuptimin e hyjnizimit të natyrës, përshtatje në normat e natyrës dhe përjashtonte mundësinë e nxjerrjes së normave të reja. Autonomia kuptohej si e tillë nëse njeriu njihte ligjet e natyrës dhe identifikohej e vepronte sipas tyre, thënë ndryshe fjala liri kishte të bënte vetëm me jetën përbrenda »polis«-it. Koncepti filozofik i lirisë specifikohet në kohën kur bëhet dallimi te sofistët mes »physis« dhe »nomos«. Këtu është fjala për dallimin që pason në antikën e vonshme të antikitetit grek, ligjit natyror dhe ligjeve nga njerëzit. Ky dallim i sofistëve bënte ndarjen e `individit` nga `bashkësia` përkatësisht nga shteti.

Ngjashmëri kishim edhe te forma Sokrateske e të menduarit ku `liria njerëzore`edhe këtu ende nuk ishte rebeluar kundër rregullimit natyror. Një qasje etiko-politike për nocionin liri e kemi tek Platoni. Sipas tij, `shoqëria` (në kuptimin e miqësisë) ishte forma më e lartë e lirisë njerëzore. Elementet e triadës liri si: njohja dhe dashuria për të mirën, e mira (harmonia) dhe rregulli (drejtësia), ishin ekuivalente. Platoni ishte ai që bëri dallimin e parë mes lirisë së vepruarit dhe lirisë së dëshirës/vullnetit, dallim ky që i mundësoi atij të bëjë diferencimin mes `lirisë` dhe `spontanitetit`, pra veprimit racional (ku veprimet janë të lira) dhe veprimeve të padëshirueshme që vijnë si pasojë e gabimeve apo zbatimeve nën ndikimin e dhunës.

Shuarja e »polis«-it grek dhe lindja kozmopolizmit të perandorisë romake, që e ndryshonte pozicionin politik dhe shoqëror të individit, i hapi rrugë të reja nocionit liri. Ndonëse Aristoteli në vitin 384-322 p. Kr. e definonte lirinë si »jetë, që dikush e dëshiron«. Por, liria në atë kohë ishte e rezervuar vetëm për të ashtuquajturit »qytetar aktiv«. Ndërsa të nënshtruarit – »sipas natyrës« – gratë, fëmijët, skllavët dhe »barbarët«, ishin jashtë këtij rrethi. Megjithatë, te Aristoteli kemi edhe fillet dhe refleksionet e (para)kushteve për lirinë njerëzore individuale, ku tematizohet çështja e lirisë edhe jashtë »polis«-it.

Shikuar nga këndi etimologjik fjala liri ka dy kuptime sipas atij romak dhe german (dhe grek). Në latinishte fjala liber (të lirët) kuptohet në raport me pozicionin e skllavëve, ndërsa ai german ka të bëjë me përkatësinë e një grupi etnik, që i dallon të lirët nga të huajt (të jashtmit). Sipas kësaj qasjeje, kuptimi latin ka më tepër domethënie juridike, ndërsa ai german lidhet më tepër me »përkatësinë« etnike. Ndërsa fatalizmi (lat. fatalis: i (para)përcaktuar nga fati) e vlerëson lirinë e zgjedhjes si iluzion, sepse, vlerësohet, se fati i njeriut nuk mund të ndikohet nga vendimet njerëzore.

3. LIRIA NË MESJETË

Në mesjetë, ndikuar nga etërit e krishterimit, nocioni liri trajtohet në kuadër të teologjisë, konkretisht dhe kryesisht në raport me mëkatin, faljen, dhe në anën tjetër të mundësisë së njeriut për të vendosur, zgjedhur vetë mes rrugës së drejtë, të vërtetë, që më vonë do të shpërblehej me shëlbimin hyjnor, dhe të keqes, të mbrapshtës.

Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re ishin ato që e përshkruan jetën e mesjetës e njëkohësisht edhe konceptin e lirisë. Në Besëlidhjen e Vjetër liria kishte një peshë të madhe përkatësisht (ç`)lirimi. Nga këtu mësojmë se si Zoti e (ç`)liron popullin e zgjedhur të tij (popullin e Izraelit) nga skllavërimi, përderisa në Besëlidhja e Re është Shën Pali që e tematizon lirinë si mëshira e Atit në Jezu Krishtin. Për »ligjet e lirisë« flet p.sh. po ashtu letra e Jakobit. Të jetosh në liri do të thotë të jetosh në dashuri.

Në kohën e emëruar si postbiblike çështja e lirisë fillon të individualizohet dhe fillon një ndarje ku bëhet fjalë për pushtetin Hyjnor dhe lirinë njerëzore. Një kulminacion i këtij raporti arrihet me Shën Augustinin (354-439). Në trajtimet e tij lidhur me burimin e së keqes, ai pranon vullnetin (dëshirën) njerëzore individuale, pra lirinë. Përpjekjet për sintezën e mundësisë që njeriu të zgjedhë vetë dhe (para)përcaktimeve (planifikimeve) hyjnore për të gjitha proceset në botë i ka marrë për të parën herë Shën Avgustini. Ndërsa Toma Akuini (1225-1274) është përpjekur të ndërmjetësojë mes hirit hyjnor dhe lirisë individuale. Duke u mbështetur në Aristotelin dhe Agustinin ai i konsideron rrënjët metafizike të dëshirës së lirë (liria e zgjedhjes) si diçka me të vërtetë njerëzore e përcaktuar për të mirë (e mira e përbashkët »bonum commune«). Ai këtu në të vërtetë i jep përparësi mëshirës hyjnore duke iu përmbajtur qëndrimit se Hyji (Zoti) është vetë burimi i vërtetë i lirisë njerëzore, dhe njëherit, edhe qëllimi i tij (Hyjit). Sipas Tomës, liria e dëshirës nuk ka për qëllim cakun përfundimtar, porse ajo nënkupton vetëm marrjen e vendimeve për rrugën dhe mjetet drejt cakut.

Më vonë diskutimet orientohen gjithnjë drejt lirisë së individit. Në këtë drejtim për vite të tëra kemi pasur një konflikt, polemikë mes Erasmus-it (1466-1536) dhe Luterit (1483-1546), pra mes katolicizmit dhe protestantizmit. Në veprën e tij »De libero arbitrio« (vullneti i lirë), Erasmus e përfaqëson mendimin se njeriu, duke u bazuar në alternativat e ndryshme të vepruarit, mund ta zgjedh të mirën me vullnetin e lirë. Më vonë teologjia katolike, në mënyrë gjithnjë e më të theksuar, e bën dallimin mes lirisë njerëzore dhe hirit mbinatyror. Tendenca ishte se reflektimet për lirinë njerëzore teologjia katolike ia kishte lënë ose filozofisë, ose kishte drejtuar kah mësimi kishtar. Ndërsa gjërat ndryshojnë me Koncilin II të Vatikanit ku futet përsëri problematika e lirisë në aspektin teologjik.

Shkrimi  është pjesë e librit të autorit: Liria dhe demokracia – raport i ndërsjellë?,Prishtinë-St. Gallen 2012. Fusnotat janë hequr nga redaksia.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »