BAN KI MUN TEK PAPA BRENDA PRILLIT

Apr 18 • Kisha në botë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, do të vijë për vizitë në Vatikan gjatë muajit prill, për t’u takuar me Papën Françesku. Njoftimin e dha vetë Ban Ki Moon gjatë një fjalimi të mbajtur në Washington.

Duke folur në National Press Club, Ban pohoi se do të shkojë të takohet me Papën për të shkëmbyer mendime “lidhur me shqetësimet e përbashkëta”. Në qendër të vëmendjes, enciklika papnore kushtuar ambientit, që duhet të botohet  muajt e ardhshëm.

Ban Ki Moon shtoi edhe se, me sa mban mend, është hera e parë që një Sekretar i përgjithshëm i OKB-së ftohet për vizitë nga Papa, duke kujtuar përpjekjen për ta përfunduar marrëveshjen mbi klimën, me një përmasë të theksuar morale, brenda dhjetorit, në Konferencën e Parisit.

Kreu i OKB-së kujtoi se e ka ftuar Papën Françesku në OKB, në muajin shtator, së bashku me liderë të tjerë të tokës, ndërmjet të cilëve, edhe presidenti amerikan Barack Obama, për adoptimin e një agjende kushtuar zhvillimit të qëndrueshëm. “Jam i sigurt se të gjithë liderët do të vijnë e do të deklarojnë vizionin e tyre për të kremtuar 70-vjetorin e themelimit të OKB-së”- shtoi.

Kujtojmë se në shtator Papa ka në program etapat në Washington, New York e Filadelfia e sot u fol edhe për një ndalesë në Kubë. 

 

(Teskti vjen nga website i Radio Vatikanit në Gjuhën Shqipe: www.radiovaticana.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »