ARKEOLOGJIA PARAHISTORIKE NË TREVËN E DUKAGJINIT

Apr 20 • Histori

Disa qendra parahistorike në Dukagjin. Kultura shpirtërore e parahistorisë. Shoqërimi i njeriut të hershëm me artin muzikorë. Vegla muzikore “Okarina e Runikut” instrumenti më i lashti në Kosovë dhe në kontinentin e Evropës. Kultura ilire e tumave (vëndvarrezat ilire). Dardanët në fjalën e shkruar.

 

Shkruan: Dedë PALOKAJ, arkeolog

 

E kaluara e lasht njerëzore, fillon me monumentet e kulturës materiale nëntokësore. Për shkak të hulumtimeve të pamjaftueshme, si dhe përkundër faktit se periudha e vjetër e gurit (paleoliti) në trevën e Kosovës është ende në errësirën shekullore, pa hulumtime ndriçuese. Mirëpo, indikacionet arkeologjike tregojnë se ky regjion nuk ka qenë vakum i pabanuar as në atë periudhë. Ndërsa epoka e re e gurit (neoliti), në saje të hulumtimeve arkeologjike, është e njohur mjaft mirë. Kjo periudhë na paraqitet mjaft e begatshme, madje edhe me fenomene të kulturës materiale, dhe me karakteristika specifike dhe varianta lokale e quajtur ndryshe nga shkencëtari anglez (Gordon Childe) si revolucion neolitik – revolucion i parë në historinë e racës njerëzore i cili ka karakter shoqëroro – ekonomik.               Epoka e neolitit daton rrethë 7000 – 3000 vjet para Krishtit. Gjurmët më të vjetra të vendbanimeve në rajonin e Dukagjinit, i hasim në disa lokalitete arkeologjike në siç janë: Runiku në komunën e Skenderajt, Çupeva e Ulët, Kramaviku rrethi i Klinës etj.        

 1 

 Skenderaj: Runik – Pitos nga periudha e neolitit  

Qendra më karakteristike e neolitikut të hershëm në trevën e Dukagjinit – por edhe në Kosovë në përgjithësi, është lokaliteti arkeologjik shumështresor i Runikut (6000 – 5000 vjet para Krishtit). Ky lokalitet, në fazën e parë, paraqet grupet e fiseve të ashtuquajtura grupe etno – kulturor të protostarçevës të cilët falë begative natyrore dhe klimës së përshtatshme të regjioneve të pëlleshme rrafshinore, kishin bërë hapat e parë drejt zhvillimit në përpunimin e enëve prej dheut qeramika e të cilëve na është e njohur me dekorime të quajtura “impress” dhe “barbotin.” Kurse shtresa kulturore me qeramikë të pikturuar, që është karakteristike për kulturën e Starçevës klasike, paraqitet po ashtu në këtë lokalitet si fazë II.  

 2 

 Klinë: Enë nga Përçeva (shek.VI para Krishtit)

 I kësaj periudhe është lokaliteti arkeologjik në Karagaç të Pejes, si dhe lokalitetet tjera në Rrafshin e Kosovës. Konkretisht, territori i kulturës së “Starçevës” kishte tipare të njëjta; ishte mjaft homogjene i banuar nga popullata dhe shtrihej prej luginave të Shkupit deri në veri të Vojvodinës, në Bosnen Qendrore dhe gjerë në Sofije të Bullgarisë.

Kultura shpirtërore e shoqërisë parahistorike  – “Okarina e Runikut” – instrumenti muzikor më i Kosovë dhe në Europë

Gjurmët e para të lashtësisë muzikore, respektivisht të instrumenteve të muzikës i hasim qysh në periudhën parahistorike. Muzika dhe instrumentet muzikore kanë një histori të gjatë zhvillimi dhe ecurie. Veglat muzikore, në përdorimin e sotëm, janë vazhdimësi të veglave paramuzikore, të cilat populli për nevojat e veta i ka prodhuar me mjete të thjeshta si psh. me gjethe, me barëra, me bimë të ndryshme, me brirë, me gurë, me hekur etj. Objektet që rrethonin jetën e njeriut në periudhat parahistorike kur jetesa ka qenë e pazhvilluar mirë, kur njeriu ushqehej me bimë dhe me mishin e kafshëve të ndryshme- njeriu i asaj kohe ka tentuar që ta ndihmojë jetën e vet me mjete të tjera që ta bëjë ekzistencën sa më interesante dhe sa më të kompletuar. Për shembull: kur njeriu gjuante kafshët për t’u ushqyer me mishin e tyre, ai vishej me gëzofin e tyre, dhe këtë e ka përjetuar edhe në aspektin muzikor. Në këtë mënyrë, njeriu ka vallëzuar, ka imituar kafshët sesi vriten duke krijuar ritme dhe duke thirrur për të shpëtuar nga rreziqet e ndryshme që i kanoseshin etj.

Gërmimet arkeologjike kanë nxjerr në dritë gjurmët e veglave të thjeshta muzikore të njerëzve parahistorik, në veçanti në periudhën e neolitit. Gjurmët e periudhës së neolitit- në gjithë territorin e Kosovës, janë të shumta ku po veçojmë disa në trevën e Dukagjinit. Këto gjurmë të hershme të shoqërisë parahistorike i gjejmë edhe në trevën pjellore të Runikut në komunën e Skenderajt ku popullimi i kësaj treve daton që në kohën e neolitit.

Gërmimet arkeologjike në lokalitetin e Runikut, nxorën në dritë shumë eksponate, në mes tjerash edhe një eksponat të vogël muzikorë shumë të rrallë i punuar prej argjile në formën e një ene të dyfishtë. Kjo vegël muzikore është e vrimuar mirë me një vrimë në pjesën e epërme dhe dy vrima anësh  (2+1) me një lartësi prej 8 cm kurse gjerësia e saj është rrethë 5 cm. Dy vrimat që gjenden përanash, kanë një diametër 8 mm, kurse ajo që gjendet në krye është rreth 10 mm. Vegla e zbuluar në Runik dëshmon kulturën e lashtë parahistorike të artit muzikor, aderimin e melodisë, marrëdhëniet e njeriut parahistorik me muzikën që e shoqëroj gjithë jetën e tij deri sot e kësaj dite.

 3 

Skenderaj: Runik – Okarina, instrument muzikor frymor nga argjila e pjekur    (5000 vjet para Krishtit)

Në bazë analizave dhe të studimeve arkeologjike, vogla muzikore e zbuluar në Runik të Skenderajt, është një instrument muzikor frymorë autokton; i lashtë rreth 5000 vjet para Krishtit të cilit iu dha emri: “Okarina.” Ky emërtim lidhet me një vegël të ngjashme muzikore italiane të shekullit 19 që kishte punuar autori, Giuseppe Donati, nga provinca e Bolonjës së Italisë, i cili u bë i njohur me punimet e okarinave frymore me madhësi të ndryshme e që ndër ne eksponati i zbuluar arkeologjik u emërtua: “Okarina e Runikut.”

Ky instrument i vegël muzikor, ka një lidhje me veglat e tjera paramuzikore prej balte, ose gërçaku, të përdorura për të nxjerrë efekte tingujsh fishkëllimorë etj. Kjo gjë, gjithashtu, dëshmohet edhe nga autorët antik kur thuhet se dardanët përdornin në festat dhe gëzimet e tyre veglën e fyellit.

Në një kodërvarr tjetër ilir në Çinamik të Lumës është zbuluar një unazë që i përket shek. 15 para Krishtit. Në gurrin e unazës është gdhendur figura e Panit brinoç (sipas miteve të lashta Pani ishte perëndi i dhive) me këmbë dhie, duke i rënë një vegle frymore me dy tyta të bigëzuara. Këto të dhëna arkeologjike dëshmojnë se dardanët ishin popull muzikal (fyelltar) të mirë.

Në dialektin e bolonjez, okarina donë të thotë: “patë e vogël.” Instrumenti muzikorë “Okarina e Runikut”, zëri i së cilës është i ngjashëm me zërin e butë të flautes, i cili është më i lashti në Kosovë por edhe në kontinentin e Evropës. Mirëpo, ne nuk kemi njohuri se si e kanë emërtua vendasit këtë vegël muzikore kaq të rrallë dhe kaq të thjeshtë që ka mundur të përdoret edhe si bilbil loje për fëmijë në kohën parahistorike, para 7000 mijë vjetësh kur instrumenti u punua. 

Kultura Ilire e tumave (vendvarrezat iliri)

Në bazë të materialit arkeologjik dhe të rikonstruksioneve të bëra, në fillimin e neolitit njerëzit jetonin në grupe të vogla shoqërore, të përbëra nga anëtarët e familjes të cilët jetonin nëpër kasolle nën dhe, kasolle të thurura me thupra dhe kolibe të ndryshme. Dihet mirëfilli se mbi formacionet e këtyre grupeve të hershme parahistorike, të njohura në literaturë si grupe të Ballkanit Qendror, nuk ka kurrfarë burimesh tjera studiuese, pos materialit arkeologjik. Si bashkësi shoqërore, këto grupe janë zhdukur para zbulimit të shkrimit – gjuhës shkrimore periudhë kjo që shënon epokën e historisë.

Ndërsa, bartësit e “kulturës së tumave“ janë të karakterit etnik ilir, të cilët në mbarë trevën e atëhershme përfaqësoheshin me fiset e njohura me emrin e përbashkët: Dardanët. Gërmimet arkeologjike tregojnë se në periudhën e hershme romake, pos vendbanimeve të fortifikuara zhvillohen mjaft vendbanimet e hapura të vendosura në fusha pjellore pranë luginës së Drinit të bardhë, Ibrit, Sitnicës etj., apo degëve të tyre.                        

 4

Banjë e Pejës: Përkrenare Ilire (shek.VI para Krishtit)

 Varrezat e tipit tumular paraqitën në tërë territorin e Kosovës ku dardanët e bënin varrimin e të vdekurve, siç është rasti i Banjës së Pejës, pastaj nekropola (gr. nekros – nekros, i vdekur + polis – polis – qytetqytet i të vdekurve – varrezë )  me tuma nën kodrën e quajtur “Boka” në  Përçevë afër Klinës ku janë zbuluar njëzet tuma ilire, nekropola e periudhës së bronzit të mesëm në fshatin Gllarevë komuna e Klinës, pastaj kultura materiale e një varri princëror ilir i një qifti në Banjë të Pejës etj.

 5 

Banjë e Pejës: Stoli nga varri i një qifti princëror (shek.VI para Krishtit)

Në Banjë të Pejës. është zbuluar një varrë reprezentativ i një çifti bashkëshortor nga shtresat fisnore të popullsisë së asaj kohe, i cili u përket varreve të pasura princërore të Ballkanit Qendror. Lidhur me varret princërore ilire, këto varre janë dëshmi e sigurt e ekzistimit të kultit të të ndjerit; të dalluar për kah trimëria dhe me shpirt heroik, pra, të parisë fisnorë që ishte mjaft i përhapur tek ilirët si dhe në botën antike e më gjerë. Në gjuhën shqipe plotësisht është i arsyeshëm emërtimi “varri princëror”, ku nocioni “princ” qe rrjedh nga gjuha latine \ princeps – i pari \  nënkupton njeriun e parë të fisit. Shikuar nga aspekti kronologjik, varret reprezentative, siç është rasti me varrin princëror në Banjë të Pejës shtrihen në fundin e shekullit VI dhe fillimin e shekullit V para Krishtit, respektivisht përfshijnë periudhën e Hallshtatit A dhe Latenit B, sipas kronologjisë së Reineckes.

 Dardanët në fjalën e shkruar

 Dardanët ishin të parët që shfrytëzuan fjalën e shkruar për t’u prezantuar para historisë me emrin e tyre të vërtetë etnik. Për këtë kalim instinktiv nga anonimiteti parahistorik në faqet e shkruara të historisë, dardanët u mbetën borxh përgjithmonë bashkësive të tyre, të cilët dinin të shkruanin e të lexonin, në Greqinë antike, e më vonë edhe në Romë. Prandaj, është e kuptueshme pse na arrijnë lajmet e para për ta në rastet më të shpeshta si të shënuara rastësisht, sepse dardanët kishin përparësi në krahasim me paraardhësit e tyre për shkak se ata janë të parët qe u është shënuar emri i tyre.  

Nga fondi gjuhësor i dardanëve, janë ruajtur edhe shumë emra dhe fjalë nga sfera e materialit toponomastikë dhe onomastik. Këto dëshmi, ishin të mjaftueshme që të përfshihen me plot të drejt në shoqërinë e popujve historikisht të nominuar më të lashtë në Ballkan.

Lidhur me traditat dhe vlerat e kulturës pellazgjike, parailire, mund të pohojmë se një ndër më të çmuarat kontribute lidhet me rëndësinë e gjuhës shqipe. Teza, sado e pjesshme, që lidhet me shpjegimin e etimologjik të emrave të perëndive të Greqisë së lashtë nëpërmjet gjuhës shqipe po fiton gjithnjë e më shumë terren. Pra, dardanët ishin popullatë autoktone e vetme, ishin të njëmendë të cilët u bënë të njohur dhe të dalluar të shkrimtarët antikë pikërisht në saje të luftërave kundër maqedonasve, e më vonë edhe kundër romakëve.

Të gjithë paraardhësit e dardanëve, mbetën në anonimitet parahistorik -edhe më të thellë -vetëm e vetëm për shkak se janë paraqitë; kanë jetuar dhe janë zhdukë nga skena e Ballkanit Qendror, pa dëshmi të fjalës së shkruar, duke na lënë vetëm dëshmitë e kulturës materiale.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »