KRIJUESIT E NOTAVE TË SHENJTA

Apr 20 • Recension, Uncategorized

(Akil KOCI, Musica Sacra Shqiptare, 2014)

  

Shkruan: Don Fatmir KOLIQI

 

Këndimi është tipar i atij që dashuron.”  Shën Augustini

 

Mjeshtri i muzikës më ngarkon të them disa fjalë për librin e tij. Siç e lyp zakoni, ai që shkruan fjalët e para të një libri, për t’ia paraqitur veprën lexuesit, ai duhet të ketë vokacion fushën për të cilën shkruan. E unë këtë gjë e bëj me pak dròe, sepse s’është fusha e kompetencave të mia. Por, arsyeja pse e pranova këtë sfidë lidhet me fillesën e këtyre shkrimeve.  Në vitin 2007, prof. Akil Koci,  filloi të shkruaj për këta kompozitorë; për revistën  “DRITA” (revistë e Kishës Katolike në Kosovë) në disa vazhdime. Atëherë unë isha redaktor i kësaj reviste. Qëllimi i profesorit ishte që të nxirren në sipërfaqe këta personalitete të muzikës, të cilët, pak njihen nga lexuesi shqiptar, për ta njohur lexuesin me muzikën e mirëfilltë shqiptare, siç e përsëriste ai; të njihet me një muzikë, që në fakt është brumi i muzikës shqiptare apo bazat e historisë së muzikologjisë shqiptare.

Që nga artikulli i parë mbi kantualin e Mons. Nikollë Minit, shkrimet e Prof. A. Kocit, kanë zgjuar gjithnjë kureshtjen time, por të njëjtën e kanë shprehur edhe lexuesit (feedback-u i arrirë në redaksi).  Që atëherë, profesori lehtësisht me lidhi me këta burra, kompozitorë të muzikës së shenjtë, më bëri të njihem me botët e tyre dhe shpirtin e kompozimeve të tyre. Mund të them, se, mu atje lindi ideja që një ditë të bëhet një libër i këtij lloji. Dhe sot, derisa sa i shkruaj këta rreshta, po ndjejë kënaqësi që këtë ide e realizoi profesori, me kushtim dhe dashuri.

Në këtë parathënie, s’jam i ftuar të jap vlerësim mbi kompozimet e autorëve të përmbledhur në libër e as të bëj vështrim kritik për paraqitjen e autorit. Më tepër dua të përmend disa tipare teologjike për muzikën në jetën e kishës, në veçanti për “musica sacra” në kultin hyjnor kishtar, përkatësisht në liturgji.  

Koncili II i Vatikanit, në kushtetutën mbi liturgjinë e shenjtë “Sacrosanctum concilium” (SC), i kushton një kapitull të veçantë muzikës së shenjtë. Vetë ky fakt, tregon se sa rëndësi i kanë kushtuar etërit konciliarë komponentës muzikore në aktet liturgjike. Koncili, në fakt, duhet marrë si një kulm përsiatjeje dhe përkushtimi i një tradite shekullore kishtare në këtë rrafsh. Tradita biblike, qoftë ajo nga Besëlidhja e Vjetër apo ajo nga Besëlidhja e Re, ka kultivuar këndimin e shenjtë. Psalmet, janë shprehja më e mirë e shprehjes muzikale të fesë, falënderimit, ankimit e lavdërimit të Zotit. Kori i apostujve, i bashkuar me vëllezër në agapè, luteshin duke kënduar himne e psalme. Kisha e parë, kisha e etërve dhe më vonë, mesjeta, renesanca, modernia dhe gjitha periudhat e historisë së Kishës, e kanë kultivuar me xhelozi këtë komponentë të rëndësishme të gjuhës së fesë; gjuhën e këngës, muzikën. Ja si shprehet Koncili për këtë: “Tradita muzikore e Kishës përbën një pasuri me vlerë të paçmueshme, që shndrit mes shprehjeve të tjera të artit, sidomos për faktin se këndimi kishtar (muzika e shenjtë, vër. im.), i bashkuar me fjalët, është pjesë përbërëse e liturgjisë solemne. Këndimi kishtar, është lavdëruar prej Shkrimit të Shenjtë, prej Etërve dhe prej Papëve, që kohët e fundit, duke filluar nga Shën Pio X, kanë theksuar me këmbëngulje detyrën mbarështuese të muzikës kishtare në kultin hyjnor.” (SC, n. 112).

Kjo pasuri shekullore kishtare e muzikës, shprehjen e vet më së miri e gjen në këndimin gregorian, si këngë përkatëse të liturgjisë, porse Koncili nuk përjashton as gjinitë tjera të muzikës së shenjtë, vetëm se ato duhen të përmbajnë shpirt liturgjik (khs. SC, n. 116). Edhe më tepër përforcohet ky pohim i Koncilit, kur etërit konciliarë shprehen qartas për të nxitur kultivimin e muzikës fetare popullore, traditave muzikore të popujve të ndryshëm – muzika tradicionale, si një shprehje e ndjenjës fetare dhe shpirtit autokton kulturor të popujve, duke u kuptuar si pjesë e inkulturimit të fesë në botët kulturore të ndryshme njerëzore (khs. SC, n. 118-119).

Duke e marrë për nisje këto pohime kishtare, të cilat na vijnë nga Koncili, si shprehje e përbashkët e Kishës, apo si zë zyrtar, duhet të shtoj, krejtësisht i bindur, se Muzika e Shenjtë jo vetëm se nuk është e ndarë nga fjala e fesë së shpallur, por muzika (në veçanti ajo liturgjike), ajo që Kisha e përdorë në aktet e kultit,  është një dëshmi kumbuese e Fjalës dhe si e tillë është pjesë përbërëse e aktit liturgjik. Muzika, ju jep forcë shprehjeve, gjesteve dhe lëvizjeve liturgjike përmes zërave, melodive, duke e bërë sakramentin të dukshëm, një simbol të dëgjueshëm. Të qenët pjesë esenciale e liturgjisë, muzika e shenjtë ka rol të prekshëm edhe tek pjesëmarrësit e këtyre akteve të shenjta, sepse dëgjuesi, pjesëmarrësi në liturgji është pranues aktiv, dëgjues i përvuajtur dhe përthithës i ritmeve muzikale që e t’fillon, ka misteret që ajo ja dëfton. Që mos të krijohet ndonjë ekuivok i panevojshëm, duhet të qartësojë, se, vetë muzika s’është liturgji, as mister i shenjtë. Vetëm bashkë me aktet liturgjike ajo merr cilësorin e shenjtë. Nuk duhet ta kuptojmë muzikën si besim, por mjet për të shprehur bukurinë e fesë, për ta bërë të fisme gjuhën e fesë, gjuhën liturgjike në lavd e nder të Zotit dhe në shenjtërimin e besimtarëve (khs. SC, n. 112).

Muzika e shenjtë, është konsideruar në të kaluarën edhe si një “teologji e pashkruar”, në të cilën, feja e krishterë kumbon në timbret e zërave dhe melodive. Ajo mund të zgjojë tek njeriu të bukurën e fesë dhe mallin për misterin. Me fjalë tjera, muzika e shenjtë, kur përdoret në aktet liturgjike, është gjuhë e formësuar me zëra, me nota… Muzika e bën të bukur këtë gjuhë, apo siç thonin Etërit e Kishës, e harmonizon (gr. eutaxìa) t’u e t’fillue shpirtin kah e Bukura Vetë. A nuk e provojnë këtë njëmendësi edhe kompozimet e të mëdhenjve: Palestrinës,  Bachut,  Mozaritit , Bethoevenit, Vagneri etj. etj? Pa kompozimet e tyre zor se kuptohet muzika e shenjtë. Meloditë e tyre s’mund të mos prekin zemrën, të ngritin te lartësitë e mistershme të të matanshmes.

Krishterimi, gjatë shekujve është shprehur edhe si “muzikë”, “këngë”, “himn” në nder e lavd të Hyjit. Fjalët e Mësuesit – Jezusit: “delet e mia e njohin zërin tim” mund të merren, pa pik mëdyshje, si instrumenti i parë i krishterimit- si melodi njohje- melodi komunikimi.

Muzika është art që na mëson të komunikojmë. E Musica sacra na mëson të komunikojmë me misterin, me Zotin. Mjeshtrit e muzikës, duke na dhuruar këtë komunikim na japin artin më të mirë për të shprehur dashurinë për atë që këndojnë. E shprehja e Shën Augusitinit, e vënë në krye të këtij shkrimi, na shpie të një konstatimin tjetër për artin muzikor, këndimin dhe mjeshtërit e këtij arti suprem: muzika dhe këndimi na mësojnë të duhemi, e cilësori i shenjtë, na çon te një kërcim cilësor që të duami shenjtërisht.

Libri i prof. Akil Kocit mbi muzikën e shenjtë, i pari i këtij lloji ndër ne, na paraqet meloditë e këtyre mjeshtërve, kompozitorëve shqiptarë, pjesë e të cilëve është edhe vetë, që na mësuan të marrim pjesë në dashurinë e shenjtë në gjuhën shqipe, burrat e artit të komunikimit të fisëm shqiptar. Këta dhe veprat e tyre janë pasuri e pakontestueshme për muzikën shqiptare, që autori me kompetencë dhe dashuri prej studiuesi i nxjerr nga “harresa”, i lartëson mbi zhurmat dhe bubullimat e këndimit pa shije që ditë e përditë po e ngulfasin artin tonë dhe shoqërinë tonë. Këta mjeshtër shqiptarë të muzikës sakrale , së pari duhet të merren si model, shembull dhe referencë për të krijuar muzikë të mirëfilltë, e përfundimisht do të duhej t’ju jepet vendi i duhur në muzikologjinë shqiptare në Kosovë, por jo vetëm, sepse kompozimet e tyre e meloditë e tyre, tashmë janë pjesë përbërëse e trashëgimisë gjithëshqiptare popullore dhe kishtare.

Kam bindjen, se, ky kontribut i çmuar i prof. A. Kocit, do të jetë një grishje stimuluese për të studiuar edhe më tepër muzikën e shenjtë shqiptare, si dhe për ta kultivuar atë si një gjuhë të shenjtë komunikimi dhe shprehje supreme e dashurisë për Zotin. Kultivimi i këtij arti, kësaj muzike të fisme, kontribuon në fisnikërinë e shpirtit shqiptar, qoftë ai besimtar apo jobesimtar.

(Ky shkrim është parathënia e librit në fjalë.)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »