NË KËRKIM TË ATDHEUT

Apr 21 • Opinion

Shkruan: P. Shtjefën Dodës SJ

“Atë, më kanë thirrur të shkoj për një kohë në Gjermani, sepse atje ndodhen disa emigrantë shqiptarë, e po ju duhet një përkthyes.” Kështu më shkroi kohë më parë një motër rregulltare gjermane e cila vepron si misionare në Shqipëri. “Po më pyesin përse po shpërngulen këta njerëz, e nuk po di çfarë t`iu them? Ndoshta Ju mund të më thoni diçka më shumë, ngaqë jeni nga Kosova.” Si duket, në gjithë këtë çfarë po ndodhte, të gjitha “palët e përfshira” ndodheshim në kërkim të orientimit; të gjithë u gjetëm në udhëkryq: vetë të shpërngulurit, që ishin nisur kah “Toka e premtuar”, të habitur (ndoshta edhe të zemëruar) kishin mbetur ata që po i (mirë)pritnin, në kërkim të mirë-informimit, ishte motra rregulltare që më pyeste. Por, i sfiduar isha edhe unë vet përballë këtij fenomeni kaq kompleks. Teksa po bluaja me mend se çfarë t`i përgjigjesha, në e-mail adresën e bashkësisë së Jezuitëve në Shqipëri, erdhi një lutje po nga Gjermania. Zyra për misione e jezuitëve, e kishte marrë një letër të shkruar nga një familje gjermane, e cila ishte duke ndihmuar familje refugjate shqiptare: “Shumica e këtyre familjeve nuk do të marrin azil në Gjermani, ata do të duhen të kthehen. Shumica e tyre janë familje të reja; prindërit nuk kanë shkollë të kryer dhe nuk kanë aftësi profesionale pune.” Bashkëpunëtorja e jezuitëve gjermanë pyeste nëse ne Jezuitët në Shqipëri kishim ndonjë projekt social për familje të tilla ose nëse kishim ndonjë ide se ku këto familje do të mund të gjenin ndonjë ndihmë?

Sa komplekse, shumëdimensionale e sfiduese, në fakt sa dramatike mund të jetë lëvizja apo shpërngulja e familjeve (popujve).

Mund të themi se emigrimi është bërë fenomen i ditëve të sotme. Aktualisht, sipas disa vlerësimeve të përafërta, më shumë se 150 milion njerëz në botë jetojnë në një shtet që nuk është vendlindja e tyre. Kjo sfidon, si shtetin e vendlindjes së të shpërngulurve, ashtu edhe shtetet pritëse. Emigrimi i jep detyra të rëndësishme, nganjëherë edhe mjaft të rënda, jo vetëm politikës dhe shoqërisë. Me sfidën e migrimit apo përvojën e eksodit – daljes apo shpërnguljes duhet të ballafaqohet edhe feja, bashkësitë fetare. Edhe teologjia apo bashkësitë fetare përballen me pyetjen se ku dhe si mund të japin kontributin e tyre të veçantë (të krishterë) për të përkrahur qenien njeri.

Qasja baritore, të cilën e ofron Kisha Katolike – të gjithë të përfshirët i detyron kryesisht në realizëm. Ajo i fton besimtarët ta vëzhgojnë realitetin e njerëzve dhe komunitetet e emigrantëve, pa u përpjekur që këtë çështje, dhe problematikë, ta reduktojnë duke e parë atë vetëm si çështje ekonomike, sociale apo politike.

Çështjes së ndryshimeve, shpërnguljes apo qëndrimit në vendlindje, duhet t`i qasemi me nder. Ndryshimet, lëvizja, kalimi apo shpërngulja, ndërlidhet edhe me pasigurinë, frikën. Frika nuk duhet të vështrohet në mënyrë të izoluar, por si moment i këtij procesi. Sa herë që njeriu lëvizë, i thotë lamtumirë një vendi të njohur për t’u nisur drejt një të ardhme të panjohur, të pasigurt, ai kështu shpreh një dëshirë të madhe për një strehë të përhershme, për një orientim dhe siguri.

Shpërngulja (me familje) gjatë historisë njerëzore, në popuj të ndryshëm, gjithmonë është përjetuar në mënyra të ndryshme: si kob i zi, fat i pashmangshëm, i detyrueshëm, ose si një thirrje që duhet ndjekur për një të ardhme më të mirë. Në këtë kuptim, dalja ka qenë dhe është sa premtuese aq edhe sfiduese, aventurë ëndrrash që realisht përjetohet në mënyrë dramatike. Në këtë skenë, deshëm apo nuk deshëm, jemi të përfshirë të gjithë, prej më të madhit deri te më i vogli. Rolet në këtë dramë, mund të jenë të ndryshme, nga ai i personazhit kryesor aktiv, i atij prej spektatori (pasiv) deri edhe te ai i (gjoja) regjisorit. Kjo përvojë në fakt nuk e lë dhe nuk ishte dashur ta lë askënd indiferentë. Sepse ajo flet më shumë për ne, për veten tonë si individë dhe shoqëri (shqiptare), dhe mënyrën sesi i qasemi realitetit, botës.

Çdo veprim i njeriut, qoftë ai që bie në sy, qoftë ai që mbetet i fshehur, është shenjë ose pasqyrë e botëkuptimit të tij, pikëpamjes së tij themelore për botën, realitetin. Veprat tregojnë – më shumë sesa fjalët – se çfarë botëkuptimi ka njeriu për një realitet të caktuar.

Në bazë të veprimeve, njeriu shpreh pikëpamjet e tija sesi e kupton veten, tjetrin, si sillet me atë çfarë i është besuar atij, sa i vetëdijshëm është për përgjegjësinë që ka, dhe rolin e tij në botë. Në këtë kuptim, edhe fenomeni i emigrimit (masiv), na jep një porosi dhe një leksion, të cilin duhet të dimë ta lexojmë dhe (mundësisht) ta nxëmë, ta mësojmë duke reaguar përshtatshëm.

Përvoja biblike e eksodit – daljes

Fenomeni i daljes nga vatra për të filluar një jetë të re diku, qoftë edhe në dhe të huaj, është i lashtë sa vetë njerëzimi. Përvoja e vajtjes (-ardhjes) është pjesë përbërëse e jetës. Edhe emigrimin e fundit të Shqiptarëve për në shtetet e perëndimit mund ta vështrojmë nga kjo pikëpamje. Edhe populli shqiptar e njeh këtë përvojë ekzistenciale, të lashtë dhe gjithmonë të re, të njerëzimit.

Përvoja-mirupafshim apo lamtumira ndodh çdo ditë, në rrethana dhe mjedise më të ngushta, me përmasa të mëdha apo të vogla, me apo pa qëllime të caktuara. Nga pikëpamja biologjike lamtumira e parë ndodh që në barkun e nënës kur foshnja e lëshon këtë vend të ngrohtë dhe të sigurt dhe del në një botë të vrazhdë, të ftohtë dhe kërcënuese. Lindja e dytë do të ishte ajo psikologjike, e hyrjes së adoleshentit në botën e të rriturve. Por edhe vetë komunikimi në jetën e përditshme është një dalje nga vetvetja për ta takuar tjetrin. Dhe sikur jeta po na mësuaka me këto “dalje” të ligjit të natyrës për të na aftësuar për një dalje më të madhe, që na tejkalon dhe na pret të gjithëve, që është ajo lamtumira përfundimtare, e pashmangshme, më kryesorja: ndarja nga kjo jetë tokësore dhe hyrja apo lëshimi në Tokën e premtuar – jetën e amshuar.

Në Besëlidhjen e vjetër në Bibël shumë rrallë shkruhet për shpërnguljen me veti pozitive siç ndodh te thirrja e Abrahamit. Hyji i drejtohet këtij duke i thënë “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj.” (Zan 12,1). Kështu, fillon rrëfimi i Shkrimeve të Besëlidhjes së Vjetër rreth popullit të zgjedhur të Izraelit: Ai do të jetë i madh, do të jetojë në tokën e vet dhe ka për të marrë funksionin e bekimit për të gjithë popujt. Kjo tregon se Jahveu (“Ai që është”) nuk është një Perëndi i cili është i pranishëm vetëm në një vend të veçantë kulti, por është gjithmonë i afërt me popullin e tij. Kjo njohuri feje ishte e rëndësishme për njerëzit nomadë, vazhdimisht migrues.

Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër në këtë mënyrë tregojnë migracionin dhe ikjen si një përvojë themelore të njeriut në aspekte të ndryshme, por gjithmonë si një përvojë me Hyjin që ndërlidhet me premtimin e shpëtimit të dhënë për të gjitha kohët. Hyji kështu shpallet dhe përjetohet si siguria dhe shpëtimi përfundimtar. Nuk është vendi si vend ai që të shpëton, por raporti yt me Krijuesin tënd – Besëlidhja e tij me njerëzit, duke ia zbuluar Dhjetë Urdhërimet për të jetuar në liri.

Në ungjillin sipas Mateut lexojmë sesi Jezusi qe detyruar të largohet si foshnje për në Egjipt (krh Mt 2,13-15) dhe si një predikues duke kaluar prej një vendi në një vend tjetër “nuk ka ku ta mbështesë kokën” (Mt 8,20) identifikohet në mënyrë radikale me të pastrehët. Në të njëjtën kohë ai kërkon një trajtim njerëzor dhe të ndërgjegjshëm me emigrantët: ” isha i huaj e shtegtar e më përbujtët!” (Mt 25,35) Prej kësaj ideje motivohet edhe veprimi i krishterë ndaj emigrantëve dhe refugjatëve.

Atdhedashuria

Kisha Katolike e njeh përvojën dhe çështjen e atdheut, vendlindjes, emigrimit. Ajo i mëson besimtarët e vetë të krishterë se nuk mund të jenë indiferentë kur është fjala për atdheun. Koncili II i Vatikanit (1962-1965), fton qytetarët të kultivojnë “një dashuri bujare dhe besnike ndaj vendit.” Çdo njeri lindet dhe rritet në një vend, një popull. Atdheu është një element thelbësor i zhvillimit njerëzor, kusht i jetës shpirtërore dhe morale. Atdhedashuria nuk është vetëm njëfarë ndjesie në zemrën e njeriut, por një virtyt i mirëfilltë. Atdhedashuria supozon një pastrim dhe ngritje të vetëdijes/ndërgjegjes, për të qenë i hapur me të tjerët. Ajo nënkupton mundësinë e dhënies dhe sakrificës, një ndjenjë shumë të rafinuar të solidaritetit me të gjithë njerëzit. Pjesëmarrja aktive në jetën e popullit tënd, nuk guxon të përjashtojë dashurinë ndaj të gjithë popujve. Koncili edhe bën me dije që patriotizmi të jetë “pa pikëpamje të ngushta shpirtërore” dhe se gjithmonë të marrë parasysh “të mirën e gjithë familjes njerëzore, e cila është e bashkuar me marrëdhënie të ndryshme midis racave, kombeve dhe shteteve.”

Është në përputhje me natyrën njerëzore që njeriu e do atdheun e tij, vendin ku ai është lindur. Dashuria për vendlindjen na urdhëron ta respektojmë atë. Parimi që na shtyn për të treguar respektin e duhur për vendin tonë, kërkon prej nesh një dashuri të veçantë ndaj tij. Ne duhet në fakt, të jemi mirënjohës për çdo dhuratë të marrë. Ashtu siç marrim të mira nga Perëndia, nga familja, ashtu marrim të mira edhe nga shteti ku jetojmë. Në këtë aspekt, ne duhet të marrim parasysh rëndësinë dhe madhësinë e shërbimeve të kryera. Ne e kemi për detyrë të tregojmë dashuri të veçantë ndaj vendit që kujdeset për një jetë dinjitoze për qytetarët e vet, që e mbron atë me ligjet e veta, e administron dhe drejton atë drejt qëllimit të saj. Atdheut pra duhet t`i tregojmë dashuri, jo vetëm me fjalë dhe me zemër, por me jetën tonë në tërësi.

Por, përveç për atdhedashurinë, kisha flet edhe për të drejtën për emigrim dhe imigrim: “Çdo qenie njerëzore ka të drejtën për liri lëvizjeje dhe banimi brenda bashkësisë politike, shtetas i të cilës është; ka edhe të drejtën, kur interesat e ligjshme e këshillojnë, të imigrojë në bashkësi të tjera politike dhe të vendoset në to. Për faktin se një person është shtetas i një bashkësie të caktuar politike, nuk humb asgjë nga përmbajtja e përkatësia e tij, në cilësi anëtari, në vetë familjen njerëzore; pra përkatësia, në cilësi shtetasi, në bashkësinë botërore. (Papa Gjoni XXIII, Pacem in terris, 12)

Sigurisht, shkaqet e migrimit të qytetarëve të Kosovë së pasluftës, janë të ndryshme, dhe jo vetëm ekonomike apo politike. Ato janë edhe psikologjike, por edhe shpirtërore. Ndryshimet, disa njerëz i përjetojnë në mënyrë dramatike. Aq më shumë, nëse janë mësuar vazhdimisht me një sistem të njëjtë dhe jo shumë të komplikuar shoqëror. Zgjidhjen dikush e sheh vetëm duke i lëshuar rrethanat që i konsideron si të padurueshme. Këtu bën pjesë, humbja e besimit në krerët e vendit, politikanë e qeveritarë; elementet e krimit që dalin në shesh edhe nëpërmjet masmediave bëjnë që qytetarët të zhgënjyer të nisen drejt të panjohurës, e cila u duket se është më premtuese. Në këtë situatë të pasigurt shoqërore, politike dhe ekonomike, shqiptarët e Kosovës i shohin vendet e Evropës, më atraktive, më tërheqëse për realizimin e ëndrrave të veta. Në këtë drejtim, masmediat janë duke e luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Informimi më i plot për jetën e emigrantëve shqiptarë nëpër shtetet e perëndimit; komunikimi më i shpeshtë në mes anëtarëve familjarë nëpër botë, i shtyjnë qytetarët që në kriza të skajshme t`u besojnë familjarëve apo të afërmve të tyre dhe të nisen te ta në vendet ku janë duke jetuar.

Por, me të drejtë shtrohet pyetja: a është zgjidhja e vetme e problemeve dalja dhe shpërngulja nga vendlindja? A kemi nevojë vetëm për ikje apo kemi nevojë edhe për një ringjallje?

Akumulimi i plogështisë, mosreagimit të shtetit ndaj halleve dhe të këqijave që po dalin në shesh mund të çojë edhe te reagime irracionale të qytetarëve. Qeveritarët, duhet ta pyesin veten: a mos është kjo ikje (masive) e popullit shenjë e një proteste kundër keqqeverisjes, mossundimit të shtetit ligjor? Njerëzit tani janë më të vendosur: ose të jetojnë një jetë të denjë ose nuk duan fare të jetojnë. Siç duket, shqiptarët e Kosovës e kanë kuptuar që kundërshtimi vetëm me fjalë nuk po mjaftuaka. Mendoj se është mirë që mos të kënaqemi me minimumin. Ne duhet të synojmë një mënyrë jetese më humane, më qytetare, më demokratike. Por, a është ikja e vetmja zgjidhje?

Prej dinjitetit të personit, buron e drejta për të marrë pjesë aktive në jetën publike dhe për të dhënë një ndihmesë personale në zbatimin e të mirës së përbashkët. Për të drejtat e njeriut me përmbajtje politike flet edhe enciklika `Pacem in terris`: “Njeriu, si i tillë, larg të qenit objekt dhe element pasiv në jetën shoqërore, është dhe duhet të jetë e të mbetet subjekti, themeli dhe qëllimi i saj.” Ekziston edhe e drejta themelore të personit për një tutelim të tij juridik: tutelim i frytshëm, i paanshëm, i modeluar sipas kritereve objektive të drejtësisë. “Prej rendit juridik, të dashur prej Hyjit, buron e drejta e patjetërsueshme e njeriut për siguri juridike, dhe prandaj edhe për një sferë konkrete të drejtash, të mbrojtur kundër çdo sulmi arbitrar”. (Papa Gjoni XXIII, Pacem in terris, 13) Për të arritur ndryshimet e dëshirueshme – në një shoqëri, duhet përdorur mënyrat demokratike. Nëse është e nevojshme, të dilet edhe në demonstrime, gjithmonë duke pasur për qëllim të mirën e përbashkët.

Është e vërtetë se jeta asnjëherë nuk ka qenë ideale. Duhet të mësojmë ta durojmë një dozë frustrimi. Disa nuk e arrijnë këtë, kështu që priren pas ekseseve. Prandaj, është mirë të flasim për demokracinë. Duhet të flasim për të, në mënyrë që nga fjalët të kalojmë në vepra. Nuk mund t`i marrim gjërat gjithmonë si të mirëqena, duke menduar se të mirat na pikin nga qielli. Nuk do të përparojmë nëse nuk e demokratizojmë shoqërinë. Kjo do të thotë se edhe partitë politike duhet të demokratizohen. Që të vijnë njerëz të aftë në të gjitha partitë. Nëse nuk e fusim demokracinë në parti, si do ta fusim në popull? Ky është parakushti i ndryshimit dhe zhvillimit të mirë të shoqërisë.

Parakushti i dytë i demokratizimit të shtetit do të ishte sundimi i ligjit. Ai i detyron të gjithë – jo vetëm disa. A mund të themi, këto parakushte i kemi arritur kur qeveritarët thyejnë ligjin, (zëvendës) ministrat gjithashtu. Dikë e ndëshkojnë për një cikërrimë kurse tjetrin nuk e shikojnë fare që ka bërë lëshime, madje krime të mëdha. Ky është problemi i shoqërisë sonë shqiptare. Kjo është arsyeja pse nuk shkojmë përpara dhe pse gjithë ky shqetësim, kjo tendosje shoqërore që sa shkon e rritet.

E pra, imazhi i plotë i shoqërisë shqiptare nuk është vetëm kjo. A thua i kemi harruar sakrificat e përparshme, mbrojtjen dhe pavarësimin e vendit, angazhimet e përbashkëta për ideale të larta? Sikur këto i kemi harruar, i kemi ndrydhur.

Sigurisht që jemi duke kaluar një periudhë mjaft kritike, të vështirë si shoqëri. Është e mundur që kjo situatë do të zgjasë deri në hyrje në Bashkimin Evropian. Me integrimin dhe anëtarësimin e shteteve shqiptare në Evropë do të fillonte që ajo që është “normale” në ato shtete, do të thotë, funksionimi i shtetit ligjor, të bëhet “normale” edhe në vendin tonë. Kjo do të ndikonte që pastaj njerëzit jo kompetentë t`ua lëshojnë vendin të tjerëve – atyre që janë në gjendje të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

E pra, duhet ta kemi të qartë që populli ynë ka kaluar nëpër situata shumë më të vështira në të kaluarën sesa që është duke kaluar sot. Dhe ka mbijetuar! Ka pasur fuqi t`iu bëjë ballë sfidave të mëdha të kohës. Unë besoj se na duhet kohë ta marrim veten, por edhe të jemi në gjendje ta dallojmë të keqen. Që të aftësohemi t`i themi të keqes “jo”.

Fjala e urtë popullore thotë: i mençuri mëson edhe nga përvoja e të tjerëve. Ne e kemi përvojën edhe të popullit të Izraelit që kaloi nga robëria në liri – drejt tokës së premtuar. Atyre iu desh të kalonin 40 vite nëpër shkretëtirë. Ne shqiptarët, mund të themi, se e kemi nisur moti kohë këtë eksod (dalje) si popull. Dëshirojmë të jetojmë në liri. Mirëpo, ende ndodhemi në shkretëtirë. Këtë duhet ta kuptojmë. Por, edhe në atë shkretëtirë, Zoti u zbulua popullit – madje lidhi Besëlidhjen me të. Ai e formoi, e edukoi popullin gjatë kësaj ecjeje; që gjatë rrugëtimit nëpër shkretëtirë të dijë ta mbështesë shpresën në Krijuesin që e udhëheq historinë e njerëzimit dhe ia do të mirën popullit; që duke kaluar nëpër vështirësi të mësojë ta dallojë të mirën e të keqen; që të aftësohet ta pranojë të mirën!

Ky është ai momenti, kur duhet të punojmë në vetveten tonë. Jo të presim tash që organizatat bamirëse do ta zgjidhin problemin e varfërisë apo papunësisë në vend. Bashkësitë fetare nuk e kanë për detyrë të punësojnë njerëz. Kjo është detyrë e shtetit.

Shikuar nga dimensioni politik i migracionit – si nga ana e vendeve të prejardhjes, ashtu edhe atyre pritëse – duhet kontribuar që të luftohet varfëria në vendet prej nga vijnë emigrantët. Duhet të kufizohet dhe të kompensohet “rrjedhja e trurit.” Duhet të vendoset qëllimisht kufizimi dhe menaxhimi i migracionit në mes të tolerimit të plotë dhe ndalimit absolut. Sigurisht, në këtë drejtim, duhet të vendosen kritere të bazuara në mënyrë etike për një përzgjedhje të emigrantëve, duke iu shmangur para së gjithash arbitraritetit, dhe duke parandaluar format e diskriminimit në bazë të përkatësisë gjinore, etnike apo nacionale ose të fesë.

Mund të themi se nga errësira e situatës aktuale në shoqërinë shqiptare nuk mund të ikën vetëm populli. Në mënyrën e vet, këtë e bëjnë edhe udhëheqësit politikë, sa herë që e shmangin vëmendjen dhe nuk e shikojnë të vërtetën në sy – të drejtat dhe detyrat e veta që i kanë karshi sovranit.

E pra: edhe politika jeton prej parakushteve që vet nuk mund t`i krijojë, e që kanë karakter shpirtërorë. Për të forcuar themelet e realiteteve sociale dhe politike të njeriut, ne duhet të jemi vigjilentë – edhe për një lloj tjetër të mjerimit: atë të shkaktuar nga humbja e mbështetjes në vlerat shpirtërore. Kjo humbje, e bën edhe më të vështirë bërjen e dallimit midis të mirës dhe të keqes, si dhe të dalit zot interesave personale, në lidhje me të mirën e përbashkët. Në këtë situatë, të rinjtë janë në tundim, që ta kërkojnë një vendpushim ideal – siç pat thënë Papa Benedikti XVI – “parajsën artificiale”, të tilla si droga dhe konsumizmi. Si rezultat, kemi varfërinë më të madhe, që është mungesa e dashurisë.

Të krishterët përballë migrimit e shohin veten veçanërisht të detyruar. Ata, duke u nisur nga botëkuptimi i njeriut dhe mesazhi i tij, angazhohen për emigrantët dhe për mbrojtjen e dinjitetit të tyre njerëzor. Bashkësitë e krishtera, praktikojnë kështu: “opsionin për të varfrit”, pasi shumë emigrantë/refugjatët nuk gjejnë ndonjë zëdhënës tjetër. Në këtë mënyrë, ato e bëjnë një punë të çmueshme prej avokati – për shembull – me deklarata publike. Viteve të fundit janë publikuar edhe dokumente të ndryshme kishtare që i kushtohen kontekstit të problemit të “migracionit”.

Duke shqyrtuar çështjen e emigrantëve dokumentet kishtare iu bëjnë thirrje të krishterëve për të ndihmuar emigrantët të integrohen në lidhjet sociale dhe kulturore të vendit pritës duke pranuar ligjet e tija civile. Megjithatë, udhëzimet i referohen edhe faktit që identiteti katolik në kontekste të ndryshme – kisha, shkolla katolike, te martesa – nuk do të duhej të braktiset apo të bëhej diçka relative. Kisha katolike, është e vetëdijshme se integrimi mund të ketë sukses vetëm nëse ai askënd nuk e ngarkon tej mase, por edhe askënd nuk e lëshon nga përgjegjësia e vet.

Kisha katolike, i merr parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore. Ajo, është e bindur se me anë të Ungjillit, Jezusi ofron për të gjithë njerëzit Fjalën që është vetë në gjendje për të ri-mbushur jetën me pasuri dhe gëzim. Në trupin e tij, dhe në frymën tij, në intimitetin e tij dhe në jetën e tij shoqërore, në familje dhe në punë, njeriu është gjithmonë një tërësi e vetme dhe kurrë nuk mund të kuptohet si njëfarë “atomi”. Metoda “realiste” baritore kishtare lind nga prania konkrete dhe afërsia me njerëzit deri në masën sa që e njohin emrin dhe fytyrën e të gjithë atyre që i takojmë.

Përveç daljes në një vend të huaj, ekziston edhe një dalje pa të cilin nuk ka përmirësim të gjendjes. Pa dalje nga vetvetja nuk mund ta takojmë tjetrin, nuk mund ta ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme. Eksodi e ka kuptimin, vetëm kur e ka për qëllim lirinë – daljen nga robëria. Mos të na ngashënjejë ikja nga vendlindja, duke menduar se nuk do të na duhet ta bëjmë edhe një dalje tjetër më të rëndësishme. Kemi nevojë, pra, të dalim edhe nga horizonti i ngushtë vetjak, nga varësia e shikimit vetëm i të së mirës vetjake, që të aftësohemi për të menduar dhe për t`u angazhuar edhe për të mirën e përbashkët. Por, nuk mjafton vetëm t`i themi “jo” të keqes. Kemi nevojë t`i themi “po” të mirës. T`i synojmë dhe përvetësojmë vlerat e lirisë, demokracisë, për të përjetuar pastaj ringjalljen e dëshiruar si individë dhe shoqëri!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »