SI TA KUPTOJMË LIRINË? (II)

Apr 22 • Opinion

Nga koha e re deri më sot

Shkuan: Zef Ahmeti

1. Koha e re dhe e sotmja

Revolucionet shkencore të shek. 16 dhe 17 që çuan drejt zgjerimit të njohurive, ndikuan po ashtu edhe në (ri)formulimin e semantikës liri. Me këto zhvillime të reja, e sidomos me Renesansën, figura e njeriut përforcohet si kurrë më parë me paramendimin se njeriu është krijesë që vepron në mënyrë autonome.

Me Renesansën, përkatësisht pas Renesancës, fillon të paraqitet edhe një frymë tjetër që do merret me çështjen e lirisë. Këtu bëhet fjalë për mendimin politik lidhur me lirinë individuale. Kjo e gjen shprehjen e saj para se gjithash në »Declaration of indenpendence« (1776) të ShBA, dhe në deklaratën franceze »Déclaration des droits de I`hojme et du citoyen« (1789) e që janë dhe vlerësohen si dëshmitë më të rëndësishme, dhe që ne i njohim si dokumentet e para për të drejtat e njeriut. Porse më herët me këtë temë merret edhe Th. Hobbes (1588-1649). Për atë, secili njeri nga natyra është i lirë, ndaj ai duhet të bëjë në liri atë që e mendon si të nevojshme. Ai nuk mendon se lufta për të mbijetuar duhet patjetër t`i nënshtrohet një autoriteti absolut, pra t`i nënshtrohet një shteti. Sepse, sipas tij, liria absolute shpie te një nënshtrim absolut.

Për dallim nga ky, J. S. Mill (1806-1873), që merret po ashtu me këtë temë, mendon se pushteti shtetëror është në shërbim të avancimit të lirisë individuale, suve-renitetit individual. J. Locke (1632-1704) thotë, se liria është e kufizuar nga natyra, pra ndalesës që të tjerët të dëmtohen në të drejtat e tyre themelore për jetë, shëndet, lirinë e lëvizjes dhe pronës. Ai mendon gjithashtu se këto janë të drejta që duhet të mbrohen nga shteti. Kështu ai e cekë nevojën e ekzistencës së shtetit, por duke përjashtuar absolutizmin shtetërorë. Megjithatë, edhe Locke e vlerëson lirinë si të drejtë parashoqërore. Racionalistët e shek. 17 mendonin se liria njerëzore me- apo pa parame-ndim, thjeshtë është e (para)përcaktuar nga rregullat natyrore ose nga një fuqi e lartë e arsyes. Nga ky kënd e definojnë lirinë si Spinoza po ashtu edhe Leibnitz, së pari, si mungesë e dhunës që shpie te e drejta për të vetëvendosur.

Kanti (1724-1804) thotë, se kusht i të gjitha lirive sociale dhe politike është detyra, obligimi për të vepruar në një mënyrë, që të mund të ngrihet në një ligj të përgjithshëm. Ekzistenca e këtyre ligjeve të përgjithshme në arsyen e njeriut shpie drejt një lirie të patjetërsueshme e të zakonshme, një realitet që mund të tematizohet, fundja vetëm në mënyrë reale. Liria e patjetërsueshme individuale është një liri që u shërben të gjithëve. Kanti dallon mes »lirisë në kuptimin negativ« (pavarësia nga detyrimet e jashtme) dhe në anën tjetër »lirisë në kuptimin pozitiv«. Ai e nënkuptonte autonominë e arsyes.

Ndërsa F.A. Smith (1723-1790) tregon se sa e nevojshme është liria në një shoqëri kapitaliste, se sa mund të ketë përmasa të dimensionit ekonomik dhe që orienton kah ligji, për të vepruar, për të shitblerë, për të marrë dhe për t’u marrë në detyrë. Liria ngrihet në një kusht për një ekonomi të shëndoshë. Kurse K. Marx (1818-1883) shprehet për kërkesën dhe interesin për (ç`)lirim. Ai kalon në një ideologji ku mendon se, vetëm atëherë, kur çdo detyrim shoqëror, dhe me këtë, çdo pabarazi shoqërore largohet (zhduket), atëherë mund të jetë e mundur liria. Kjo sepse liria e njërit është (para)kusht për lirinë e tjetrit.

Empiristët anglezë e posaçërisht iluministët francezë përfaqësonin antitezën që nuk njihte liri tjetër pos asaj të veprimit. Sipas kësaj forme të menduarit, dëshira nuk është e lirë por vetëm liria e të vepruarit që përcaktohej si pasuri (mundësi) e individit, dhe për të bërë atë çka dëshira e tij (racionale) e kërkon. Në diskursin filozofik të shek. 17-18, të gjitha definicionet e lartpërmendura bëhen përsëri aktuale. Për dallim në këtë periudhë fillohet që definimit të nocionit liri t`i shtohet edhe elementi i karakterit antropologjik. Në filozofinë ekzistencialiste të Sartres liria përkufizohet si diçka ontologjike, si një përcaktim themelor antropologjik i njeriut: njeriu është liri.

Filozofia moderne e konceptimit të lirisë krijohet me trajtimin e filozofisë së subjektivitetit që sistemohet sidomos në idealizmin gjerman. Kanti Fichte, Schelling dhe Hegel e formojnë një definicion për lirinë i cili kalon konceptin psikologjiko-politik të empiristëve anglezë. Për Hobes liria ishte vetëm »libertas a coactione« – pra mungesë e detyrimit fizik. Ky koncept mbetet aktual dhe përshkruan gjithë filozofinë empirike që nga Locke deri te Voltaire – pra reduktimi i nocionit liri në vetëm liri të të vepruarit »to act or not to act according as we shall choose will« siç e precizonte Locke.

Në shekullin XX liria bëhet koncept themelor, ideal e modern. Që nga shek. 18 luftrat për liri bëhen element i rëndësishëm për proceset historike. »Liria, Barazia, Vëlla-zëria«, ishte motoja e Revolucionit Francez. Në ngjarjet e shekullit XIX, liria është faktor vendimtar në procesin e krijimit të shteteve nacionale, por edhe lëvizjeve tjera si ato të punëtorëve dhe atyre socialiste – liria si qëllim revolucioni.

Në vitet e tridhjeta të shek. 20 kemi një përkeqësim politik të situatës në Evropë. Sulmet ndaj lirisë dhe demokracisë bëhen gjithnjë e më intensive sa për një kohe kemi pasë një valë autoritare, antiindividuale dhe anti-parlamentare. Ndërsa fryma e iluminizmit e Revolucionit Francez e përjeton krizën e parë serioze. Kurse me metodat antiliri, antiparlamentare, përpiqej që të zgjidhen problemet ekonomike e sociale të asaj kohe. Ndërsa përvojat me LDB bënë që Evropa të marrë frymë lirie e demokracie dhe kjo shprehet me nxjerrjen e kushtetutave të shumta që përshkohen me frymën e liberale dhe demo-kratike.

2. Liritë në aktet juridike nacionale dhe konventat ndërkombëtare

Ne dallojmë mes dy kategorive të lirive dhe të drejtave, ato që i garanton kushtetuta e që emërohen si të drejta dhe liri themelore, dhe ato që janë të sanksionuara në aktet ndërkombëtare, që ndryshe quhen edhe si të Drejtat e Njeriut. Përderisa ato në kushtetutat nacionale kanë si adresa qytetarët e shtetit, aktet ndërkombëtare u drejtohen gjithë njerëzve, pa përkufizime, pra kanë karakter universal.

Si burim i të drejtave themelore, kryesisht në shtetet nacionale dhe moderne, vlerësohen kushtetutat. Kushtetuta, si akti më i lartë ligjor i një vendi, sanksionon të drejtat themelore të njeriut në dispozita të veçanta. Sigurimi i të drejtave themelore është trajtuar me vite të tëra si arritje themelore juridike dhe kushtetuese.

Element kryesor i të drejtave themelore është individi. Të drejtat themelore përkufizohen përgjithësisht si të drejta të subjekteve (fizik dhe juridik) të siguruara me kushtetutë. Fjala është për ato të drejta subjektive që kanë bazë në dispozitat kushtetuese. Këtu dallojmë të drejtat e lirisë (të drejtat themelore liberale), politike (bashkëpjesëmarrja dhe e drejta për bashkëpjesëmarrje në pushtetin shtetëror me të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje), të drejtat sociale. Në diskutimet dhe praktikën e kohëve të fundit dhe sidomos me kalimin e shtetit të rendit në shtet social bëhet fjalë edhe për implementimin e të drejtave të njeriut edhe në raportet mes personave privatë.

Ndërsa elemente të të drejtave të njeriut ne i gjejmë qysh në kohën antike. Kjo vlen për idenë e paprekshmërisë së identitetit të secilit individ, solidaritetit njerëzor kozmopolitik, lirisë dhe barazisë së të gjithë njerëzve dhe konceptit të së drejtës natyrore universale. Liritë (të drejtat) e njeriut e fituan formën me revolucionet e mëdha demokratike në fund të shek. 18 në Amerikë dhe Francë. Katalogjet e lirisë në kushtetutat nacionale, por edhe në aktet ndërkombëtare, vlerësohen si kodifikim i lirisë dhe i të drejtave e lirive. Liritë, si të tilla, nuk mund të shikohen ashtu të izoluara prej njëra-tjetrës, porse në kuadër të ngjashmërive shpirtërore në (si) tërësi. Dhe pas Luftës së Dytë Botërore vlerësohej se liria dhe të drejtat e lirive janë të pandashme.

Si akte të rëndësishme ndërkombëtare që vlerësohen si bazament i lirive (dhe të drejtave) të njeriut janë: Magna Carta, 1215, parlamentarizmi britanik, Republika Amerikane, 1776, Renaissansa, Humanizmi, Iluminizmi, Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit më 1789, idetë sociale të shekullit XIX, si dhe Lidhja e Kombeve në shekullin që lamë pas. Por, marshi historik i botës së qytetëruar arriti suksesin më të madh vetëm pas katastrofës ndërkombëtare të shekullit XX – fashizmi, nazizmi, komunizmi – që shkatërroi jetën e Evropës, i kushtoi jetën miliona viktimave të pafajshme, rrezikoi seriozisht qytetërimin mijëvjeçar. Karta e OKB-s, 1945, Marrëveshjet e Helsinkit, Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Kopenhagën dhe Karta e Parisit, 1990, e sidomos Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, 1948.

Për të qenë edhe më i saktë dhe origjinal, po i citoj aktet e rëndësishme që sanksionojnë të drejtat dhe liritë si: Virginia Bill of Rights (1776), Déclaration des droits de l’homme et du citoyen (1789), Déclaration des droits de l’homme et du citoyen (1793), Constitution du Grand-Duché de Luxembourg (1868), Allgemeine Erklärung der Menschenrechte (Vereinte Nationen, 1948), Convention européenne de sauvegarde des droits de l’homme et des libertés fondamentales (Conseil de l’Europe, 1950), Pacte international relatif aux droits civils et politiques (Nations Unies, 1966), Helsinki Final Act (Conference on Security and Cooperation in Europe [CSCE], 1975), Erklärung über die Beseitigung aller Formen von Intoleranz und Diskriminierung aufgrund der Religion oder der Überzeugun (Vereinte Nationen, 1981), Concluding Document of the Vienna Meeting (Conference on Security and Cooperation in Europe [CSCE], 1989, Grundrechtscharta der Europäischen Union.

Të gjitha këto kanë krijuar atmosferën dhe kanë vënë bazat e një bote të re, të lirë, me drejtësi, pluralizëm dhe demokraci.

Shkrimi  është pjesë e librit të autorit: Liria dhe demokracia – raport i ndërsjellë?, Prishtinë-St. Gallen 2012. Fusnotat janë hequr nga redaksia.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »