CARITAS KOSOVA NDIHMON NË INTEGRIMIN SOCIAL TË KOMUNITETEVE MINORITARE

Apr 23 • Kisha në Kosovë

Me moton tashmë shumë domethënëse “Edhe ne jemi pjesë e shoqërisë kosovare!” Caritasi i Kosovës kryen aktivitete të rëndësishme në shoqërinë tonë për të integruar ata që kanë nevojë për asistencë sociale: Romë, Ashkalinj dhe Egjiptas.

Caritas Kosova (CK), me datë 26 Mars 2015, ka përuruar qendrën e re edukativo-sociale në Lagjen “Ali Ibra” të Gjakovës- qendër kjo që do te jetë në shërbim të komuniteteve: Rom, Ashkalinjë dhe Egjiptian (RAE). Prerja tradicionale e shiritit u realizua nga Drejtori Gjeneral i CK-së – Don Viktor Sopi, Kryetarja e Komunës së Gjakovës – znj. Mimoza Kusari-Lila, si dhe përfaqësues të Caritasit Zviceran – z. Kreshnik Basha.

“Prej tash e tutje, fëmijët parashkollorë, do të ndjekin një proces më cilësor të mësim-nxënies. Po ashtu, të gjithë nxënësit e shkollave fillore do të asistohen në detyrat e shtëpisë, dhe do të ndjekin kurse shtesë. Përveç arsimimit dhe edukimit, në qendër, do të ofrohen edhe shërbime shëndetësore, duke përfshirë edhe përkujdesjen shtëpiake për personat e moshuar dhe me nevoja të veçanta përmes ekipit tonë profesional të kujdesit shtëpiak  që punojnë sipas standardeve Gjermane” – tha në fjalën e tij të rastit Don Viktor Sopi. Ndër të tjera, ai theksoi se: “projekti në kuadër të Sektorit të Asistencës Sociale dhe Shëndetësore të CK-së do t’i përmbushë prioritetet tona në perspektiven e përfshirjes sociale të Komuniteteve RAE, të cilat janë të pasqyruara në Planin tonë Strategjik 2013-2017.”  Po ashtu, ai nënvizoi  se angazhimi i CK-së qëndron në riaktivizimi dhe forcimin e qendrës duke ofruar aktivitete dhe shërbime në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe përfshirjes sociale, ku në fokus të veçantë janë fëmijët, te rinjtë dhe gratë. Të gjitha aktivitetet e qendrës do të promovohen në bashkëpunim me akterë dhe partner relevant. Mirëpo, përveç fëmijëve do te punojmë edhe me prindërit për te ndërgjegjësuar ata mbi rendësin e edukimit të fëmijëve të tyre duke implementuar metodologjinë e trekëndëshit shkollë−fëmijë− prindër. Pra institucionet shkollore do te jenë një partner i ngushtë i Caritas Kosovës ne këtë qellim.   Për fund të ceremonisë përuruese, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari-Lila dhe përfaqësuesi i Caritasit Zviceran. Falënderime të shumta, në drejtim të Caritas Kosovë dhe partnereve adresoi edhe përfaqësuesi i lagjes z. Afrim Shala, duke u shprehur se fëmijët dhe prindërit e tyre janë tejet të kënaqur me shërbimet e ofruara.

Ky projekt i integrimit social të komuniteteve RAE, është një nga dhjetëra programet apo projektet që Caritas Kosova është duke realizuar në Kosovë, ku përfshihet Programi i Përkujdesjes Shtëpiake, Programi për Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, Programi i Provimit të Paqes dhe Pajtimit, Programi për Persona me Nevoja të veçanta, Programi për Integrimin e të Burgosurave (pas lirimit), Programi për zhvillimin e agrikulturës, Programi i Arsimit, Projekti për integrimin e personave të riatdhesuar, Programi i Asistencë Sociale, si dhe Projekte për Intervenimet Emergjente.

Përveç Gjakovës, që nga viti 2009, Caritas Kosova ka realizuar aktivitete edukative, kulturore dhe sociale, duke përfshirë shërbime shëndetësore në favor të komuniteteve RAE në fshatin Dubravë, me mbështetjen financiare të Komunës së Ferizajt, si dhe përkrahjes së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Nëpërmjet Qendrës sonë socio-edukative, kemi për qëllim përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të komunitetit duke lehtësuar qasjen dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në institucionet e arsimit dhe shëndetësisë.

 

Komuniteti Ashkali, përfiton direkt nga aktivitete të ndryshme arsimore që i plotësojnë modulet e tyre shkollore. Çdo ditë, rreth pesëdhjetë (50) fëmijë të moshës 3 deri në 6 vjeç, ndjekin klasat parashkollore si përgatitje për fillimin e shkollës.  Përtej punës me fëmijët, ne kemi arritur  të rrisim ndërgjegjësimin e prindërve që arsimi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Në këtë kontekst, ekziston ekipi për parandalimin e braktisjes së shkollës që i motivon nxënësit të regjistrohen në shkollë dhe të ndjekin mësimet rregullisht.

Përveç fëmijëve, më shumë se dyqind e pesëdhjetë (250) nxënës të Dubravës, që ndjekin mësimin  në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’ në Zaskok,   marrin pjesë rregullisht në modulet mësimore plotësuese dhe në programin asistencë  në detyrat e shtëpisë. Ndërsa sot, rreth  80 fëmijë, respektivisht  50 familje ose 310 banorë,  kanë emigruar jashtë Kosovës, duke ndikuar kështu në rënien e numrit të nxënësve në qendër. Ndër tjerash, nxënësit në mënyrë aktive kontribuojnë në aktivitete të lira, përmes të cilave ata zgjerojnë njohuritë dhe rrisin nivelin e tyre të socializmit. Ne, po ashtu ofrojmë kurse të gjuhës angleze, matematikë dhe informatikë. Përveç kësaj, ne përgatisim  nxënësit për testin e arritshmërisë. Në bashkëpunim të ngushtë me personelin e shkollës, kemi monitoruar nivelin e zhvillimit të nxënësve, të performancës së tyre, sjelljen dhe higjienën, të cilat janë ngritur gradualisht dhe ndërlidhen drejtpërsëdrejti me pjesëmarrjen e tyre në Qendrën e Caritasit. Caritas Kosova gjithashtu ofron edhe shërbime të shëndetit primar dhe dentare për pacientë; kështu që vetëm në vitin 2014 kemi trajtuar 4967 raste mjekësore. Ndërsa në kuadër të komponentit kulturor, kemi krijuar grupin e vallëzimit, i cili rregullisht përformon në qendër. Për shkak të pjesëmarrjes së shkëlqyer të komunitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë akterët, sot qendra jonë është bërë një shembull i suksesshëm i përfshirjes sociale të komunitetit RAE në Kosovë.

Ndërsa në Prizren, me qëllim të përmirësimit të jetës së komuniteteve minoritare RAE dhe krijimit të kushteve për pjesëmarrje të tyre në procese vendimmarrëse, Caritas Kosova, në bashkëpunim me Caritas Zvicrën, ka implementuar projektin ku në qendër të vëmendjes ishin të rinjtë, të cilëve iu mundësuan trajnime sipas nevojave të tyre e që janë adresuar tek autoritetet lokale, konform planit komunal lokal të veprimit. Po ashtu, ky projekt ka mundësuar mobilizimin e  të rinjve, sidomos të vajzave dhe grave, në ndërtimin e aftësive për lobim, avokim, rrjetëzim, bashkëpunim dhe lidership. Gjithsej janë organizuar dymbëdhjetë (12) module trajnimi për fuqizim e të rinjve RAE, një mori tryezash të rrumbullakëta, si dhe mbi dyzet (40) seminare. Nder të tjera, janë ngritur dhe zhvilluar  kapacitetet e tyre për monitorimin, vlerësimin dhe hartimin e dokumenteve zyrtare; pjesëmarrje në jetën politike dhe në procese të vendimmarrjes; gjithnjë duke u bazuar në mundësitë e barabarta për të rinjtë dhe gratë e komuniteteve RAE. Në ketë kontekst, po ashtu është rritur vëmendja dhe hapësira mediale e medieve lokale ndaj komuniteteve pakice. Me ç’rast, është shënuar edhe një intensifikim i angazhimeve të institucioneve vendore për të mbështetur implementimin e planit komunal lokal të veprimit, si dhe alokimin e buxhetit për integrim të komuniteteve pakicë, përkatësisht RAE. Falë veprimtarisë së gjerë të Caritas Kosova dhe akterëve të tjerë mund të konkludojmë se komunitetet pakicë RAE janë më të integruar se në vitet paraprake, ndërsa edhe përgjatë vitit 2015 do të vazhdojmë me aktivitete të ngjashme.

Për fund, në kuadër të Programit Kombëtar të Paqes dhe Pajtimit, me fokus në Mitrovicë, Caritas Kosova, mbështetur nga UNICEF ka zbatuar vazhdimin e projektit: “Mbështetje për përfshirjen e fëmijëve RAE (mosha 3-10) nga Mahalla e Romëve në shkollë të rregullt”, me synim për të përmirësuar qasjen në mundësitë për mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve RAE përmes përdorimit të programit “Portage.” Përveç kësaj, kemi ofruar asistence shtesë në komunitet, për të përmirësuar aksesin e familjeve ndaj institucioneve publike (shërbimet shëndetësore dhe sociale, institucionet komunale dhe arsimore). Për më tepër, Caritas Kosova synon përmes angazhimit të saj të fokusuar në Mitrovicë që të stimulojë edukimin intensiv për komunitetin RAE, si vazhdimësi  e aktiviteteve tona në zhdukjen e analfabetizmit. Projekti vazhdon të jetë i përkrahur nga Këshilli Danez për Refugjatë, në partneritet me Departamentin Komunal të arsimit, dhe është në përputhje me ligjin për arsim dhe trajnim për të rritur në Republikën e Kosovës. Së fundmi, Caritas Kosova vazhdimisht është duke u përpjekur për të mbështetur zhvillimin e komunitetit RAE në perspektivën e edukimit jo-formal, dhe rritjen e nivelit të arsimimit të komunitetit edhe në Mitrovicë, përkundër fenomenit të emigrimit masiv në vendet e Bashkimit Evropian që është në rritje e sipër.

Caritas Kosova, shpreson se më një bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe të gjithë akterët relevantë në Republikën e Kosovës, do të arrijë rezultate të qëndrueshme në përfshirjen sociale të komuniteteve RAE, meqë edhe këto komunitete janë pjesë përbërëse e shoqërisë sonë.

(Teskti dhe fotografitë nga Caritas Kosova)

2 3 wwwwwww

Shpërndaje

Comments are closed.

« »