E DIELA E BARIUT TË MIRË – E DIELA E IV E PASHKËVE (B)

Apr 24 • LEXIMET E SË DIELËS

Fotografia në ballinë: Mozaik harkor nga shekulli V, Jezusi Bariu i Mirë, Rovenna (Italia).

Leximi parë: Vap 4,81-12

Lexim prej Veprave të apostujve

Në atë ditë Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le ta dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 118

Ref: Guri i qitur jashtë përdorimit, u bë gur i këndit.

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Më mirë është të strehohesh te Zoti

se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti

se të kesh besim në princa.

 

Do të të falënderoj, sepse me ke vështruar,

dhe u bërë Shpëtimtari im.

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë:

sa mrekulli për sytë tanë!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!

Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

Ti je Hyji im, ty të falënderoj;

Ti je Hyji, unë të madhëroj!

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

 

Leximi dytë: 1 Gjn 3,1-2

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fort të dashur, shikoni Ç’ dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti:

i njoh delet e ia dhe ato me njohin mua.

Aleluja

 

Ungjilli Gjn 10,11-18

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, – që s’ është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku u rrëmben dhe i shpërndan: është rrogëtar dhe s’ është në kujdes për dhen.

Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato me njohin mua. Sikurse Ati me njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato me duhet t’ i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin  tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe me do Ati, sepse e jap jetën time që ta marrë përsëri. Askush nuk mund të ma marrë : por unë e jap prej vetvetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.

Fjala e Zotit

PREDIKIMI

Në leximin e parë, dëgjojmë se për arsye të fjalimit të Pjetrit, apostujt ishin gjithnjë të mbikëqyrur nga krerët e popullit, të cilët i padisnin për predikime në emër të Jezusit dhe për mrekullitë që bënin në emër të Tij.

Një arsye e veçantë, ishte edhe shërimi që ndodhi me lutje të apostujve, kur shumë njerëz ishin të pranishëm, dhe kjo bëri që shumë të besonin në Jezusin dhe të ktheheshin në fe.

Kjo situatë e re i shqetësonte krerët e popullit, dhe ata me çdo kusht donin që t’ ua ndalonin të predikohet në emër të Jezusit. Por apostujt të frymëzuar nga Shpirti Shenjt dhe me fuqinë e Tij nuk ndaloheshin së predikuari.

Kështu, filluan edhe persekutimet e bashkësisë së parë dhe ato ishin të mëdha  e të përgjakshme.

Për fat të keq, nga atëherë e deri me sot, kjo histori e përgjakshme e të krishterëve përsëritet; persekutohen, mundohen, burgosen vriten në mënyrë më mizore, por ata nuk pushojnë, duke e predikuar e duke e dëshmuar Krishtin Zot.

Në leximin e dytë, shën Gjoni apostull përdor një fjalorë të butë dhe shumë të dashur për të paraqitur lidhjen në mes njeriut dhe Hyjit; është ky ashtu të themi një fjalor familjar. I krishteri është bir, bijë e Hyjit. Është kjo në e vërtetë e madhe dhe dhuratë e dashurisë së Hyjit që ka për ne, por edhe e jona si përgjegjësi për një angazhim maksimal për ta dashur Atë.

Fëmijët, pra, duhet të jenë në lidhje me prindërit, e në pikëpamje fetare, ne duhet të jemi të lidhur me Hyjin, Atin tonë dhe vetëm në këtë mënyrë do të shquhemi si njerëz të fesë, të besimit dhe bashkimit e mbi të gjitha bashkëpunimit me Hyjin, Atë.

Unë jam Bariu i mirë, thotë Ungjilli i sotshëm, i cili, e jep jetën e vet për dele. Kjo pjesë e ungjillit, pasqyron me kohen e atëhershme të nomadëve që kishin shumë dele dhe jetonin prej tyre dhe i çmonin shumë duke u përkujdesur për to.

Bariu i mirë, në krahasim me rrogëtarin, është më i kujdesshëm, dhe nëse duhet edhe flijohet për delet e veta, sepse i do dhe është shumë i përkushtuar.

Ndërsa rrogëtari, kur sheh rrezikun, ik dhe delet shpërndahen, dëmtohen.

Jezusi, është Bariu ynë i mirë, i cili përkujdeset për ne duke na ftuar që ta dëgjojmë zërin e Tij dhe të shkojmë pas Tij.

Porosia e ungjillit të sotshëm është:

Është dikush që gjithmonë gjendet afër teje, dikush që gjithmonë mund të llogaritësh, dikush që aq shumë të do sa që edhe jetën e vet e jep për ty. Është Jezu Krishti që përkujdeset për të gjithë.

Kështu, pra nuk jemi vetëm, por në përkujdesje të Jezusit.

Këtë Jezus ne e takojmë në Eukaristi në Meshën Shenjte, e takojmë në Fjalën që dëgjojmë, e takojmë në Kishë. Mesha shenjte na zbulon të vërteten e jo si një kujtim i lasht dhe i vjetruar, sepse Jezusi si Bari i mirë në çdo meshë na ushqen, neve delet e tija me ushqimin më të mirë, me Korpin dhe Gjakun e vet.

Me rendin meshtarak, të cilin Jezusi nëpërmes të zgjedhurve e vazhdon misionin e vet, kjo e diele që quhet edhe e diela e Bariut të mirë, Kisha na fton të lutemi për thirrje të reja meshtarake dhe rregulltare që  të kemi shumë të rinj dhe të reja që marrin rrugën e meshtarisë dhe të rregulltarisë, të bëhen urë në mes qiellit dhe tokës, të bëhen prijës të grigjës së Hyjit duke u përkujdes për to, duke i ushqyer me fjalën e Hyjit dhe me jetën sakramentale.

 

Ngjarje

Në Italinë veriore, afër Torinos, gjendet një vend me emrin Lu, i cili kishte rreth 4.000 banor. Kjo famulli e vogël, i ka dhënë Kishës për pesëdhjetë vite rreth 500 meshtarë, rregulltarë e rregulltare. Dhe bëhet pyetja, si është e mundur?

Të gjitha nënat në këtë famulli, në nxitje të famullitarit, kishin filluar qysh në vitin 1881, çdo të diele të parë të muajit të bashkohen në Kishë dhe t’i luten Zotit që t’ ju jep sa më shumë meshtarë të mirë dhe të kujdesshëm. Lutja që e bënin  e fillonin kështu:

O Hyj, ma dhuro hirin që një fëmijë i im të bëhet meshtar. E unë të premtoj që do të jetoj si nënë dhe besimtare e vërtetë dhe mbi të gjitha do t’ u jap fëmijëve shembull të mirë. Osservatore Romano  29 Korrik 1930.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Jezusit Bariut të mirë, i cili e dha jetën e vet për ne, t’ i drejtohemi me lutje duke thënë së bashku:

            Jezus, Bariu i mirë, ki mëshirë për ne!

–       Jezus, Kisha jote nuk ka ngushëllim të përhershëm në këtë botë, sepse është gjithmonë e kërcënuar në forma të ndryshme dhe nga  ligështitë njerëzore, tregoja ti shenjat e dashurisë sate dhe përkujdesu për të,  të lutemi:

–       Jezus, në zëvendësin tënd Papen bota i ka të drejtuar sytë, forcoje dhe jepi qëndresë që me shumë përkushtim dhe punë të veproj për një të ardhme me të mirë të Kishës që Ti e themelove, të lutemi

–       Jezus, Ti ke thënë të korrat janë të mëdha e punëtor janë pak; po të lutemi dërgo punëtor në vreshtin  tënd, që me dashuri dhe përkushtim të hedhin farën tënde në botë dhe të japin fryte të shumta, të lutemi:

–       Jezus, fto edhe nga bashkësia jonë të rinjtë dhe të reja që të bëhen goja jote në predikatore dhe dëshmitar  të tu në jetën rregulltare dhe meshtarake, të lutemi:

–       Jezus, bëhu ti derë nëpër të cilën të dashurit  tanë që kaluan nga kjo botë, të gjejnë kullosa të mira në vreshtin qiellor, të lutemi.

Bari i mirë, pranoj me mirësi lutjet tona dhe ruaj në dashurinë tënde të gjithë ata për të cilët e derdhe gjakun, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen

Përgatiti për Dritën: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »