DEKOMPOZIMI MELODRAMATIK I NJI MENDËSIE

Apr 28 • Opinion

 

Shkruan: Ardian NDRECA*

E shoh me vend me i ba nji kundër-replikë shkrimit të F. Tarifës botue tek “Milosao”, tue ba nji përpjekje për dy sqarime që në kushte normale nji profesori të sociologjisë nuk do t’i nevojiteshin. Në shkrimin e tij të stërgjatë ai nuk i jepte asnji motivim problemeve që shtroja un, e para: se empirizmi i tij paraqitet me 100 vjet vonesë; e dyta: se ndërthurja e teorisë së Habermas-it me “new atheism” të Dawkins e Harris asht krejtsisht arbitrare. Në qoftë se Tarifa do ta kishte lexue dhe kuptue Habermas-in në të gjitha shkrimet e mbas vitit 2006, do ta kishte pa qartas se Habermas mbështetë krejt të kundërten e asaj që pretendon Tarifa përsa i përket rikthimit të besimit fetar në sferën publike në erën post-sekulare. Madje në kundërvumjen mes sekularistave (iluministave fanatikë, siç i quen J.H.) dhe multikulturalistave, Habermas nënvizon rolin e besimit dhe të drejtën e tij me ruejt “gjuhën” e vet fillestare mbrenda sferës publike. Nji gja të tillë e përsëritën para pak javësh në nji kongres filozofie në Romë edhe Charles Taylor, José Casanova, Hans Joas, që janë autoritete në ketë fushë.

Nji vetëdije filozofike të këtillë, që të respektojë dy sferat dhe ndërveprimet e tyne në sferën publike un s’e pres prej nji narcizisti provincial si Ben Blushi, i cili edhe pse s’ka kualifikimin e duhun, prapseprap mundohet, si ai që asht mësue me e mbajt gjithmonë shatin n’ujë, me fut hundët aty ku s’ka farë tagrit. Por s’mund t’ia fali Tarifës, që mirë a keq mban titullin “profesor” dhe ushtron ende në nji universitet privat në Tiranë!

Por, sa ma shumë lexoj apo ndiej nji soj ateistash shqiptarë, aq ma shumë më vijnë arsye për me besue se nji Zot ekziston.

Tarifa nuk spjegon pse asht për përjashtimin e besimit nga sfera publike tue i heqë vlerën njohëse dhe formuese dhe pse ka kaq shumë besim tek eksperienca empirike si mjet i vetëm njohjet? Vetëm kaq.

Eksperienca, siç thonte njiherë nji poet gjerman, asht shkollë e mirë, por i ka tarifat e nalta. (Diçka e ngjashme me universitet private në Shqipni, do të duhej me i ndjekë njikohsisht të gjitha sa janë, për me thanë se ke krye universitetin).

Prandaj na duhet arsyeja e cila del edhe përmbi eksperiencën, e modifikon atë, e drejton. Asnji empirist nuk do të kishte eksperimentue demokracinë, në qoftë se mendja njerzore s’do ta kishte shpikë dhe praktikue. Tarifa e lidh besimin dhe relacionet shoqnore që ky i fundit krijon me nji realitet primitiv, ndërsa progresi dhe moderniteti për të janë e njejta gja. Këto keqkuptime të hershme, filozofia, ajo laike pra, i ka sqarue tashma. Emna si J. Habermas, J. Casanova, P. Berger, Ch. Taylor, Th. Luckmann etj. kanë lanë nji gjurmë në pesë dekadat e fundit. Por me sa duket Tarifa i ka ra për shkurt, kah wikipedia, dhe s’i ka pa këto gjurmë. Empirizmi i Tarifës asht tepër i vonuem, aq i vonuem sa tingllon si me i propozue artistave të sotëm me krijue art barok. Asht fati ynë i mjerë që tek ne gjanat të arrijnë gjithmonë me vonesë, mendoni aplikimin e “terapisë së shock-ut” në ekonomi apo firmat piramidale në vitet ’90!

Nuk e kam “akuzue” Tarifën si marksist, pse në Shqipninë komuniste nuk ka pasë marksista. Në Tiranën komuniste “marksisti” ma i madh ka qenë Enver Hoxha, ketë gja mos të guxojë me e mohue kush, pse shoqja Nexhmije, së cilës i ishin besue çelsat e zyrës së higjienës, mund t’ju anatemojë ende, argumentat jam i sigurtë se nuk i mungojnë.

Megjithatë, marksizëm-leninizmin e Enver Hoxhës mund ta arnosh me çfarëdolloj teorie tjetër, por çorbë derrash mbetet.

Asht prekës rrëfimi i Tarifës për studimit e tij të marksizmit jo privatisht nga ana e të atit (referenca në shkrimin tim nuk ishte biologjike) dhe as në bangat e Universitetit në Tiranën e dikurshme. E paska studjue në ShBA! Ka diçka melodramatike në ketë mes, sidomos kur mendon se sa vjeç ka dalë prej komunizmit në vitin 1991. Paska shkue tabula rasa në ShBA, si ka mundësi që kanë pranue me e regjistrue atëherë?

A mund të përjashtohet që Tarifa të ketë dalë krejt i palagun nga ideologjia e vetme që i kanë injektue deri në vitin 1991? Nuk e di. Por, fryma e tij marksiste në qasjen ndaj religjionit nuk duket edhe aq amerikane sa mton ai. Padyshim që infeksioni praegressus ka ekzistue!

Marksizmi i akshihaneve shqiptare mbetet qesharak në çdo ambjent akademik, sidomos në ato ambjente të hueja që kanë vetë frymzime marksiane. Un i kam thanë Tarifës vetëm se mban gjallë paragjykimin antifetar të nji marksizmi të ligës ma të dobtë teoretike. Kaq. Sot, të qenit pro ose kundër Marksit asht thjesht nji patetizëm që mue s’më prek aq sa më prek dilema me zgjedhë mes nji motori me avull dhe nji tjetri elektrik.

Sa për mësimin që ai pretendon me m’dhanë tue më thanë se nuk kam kuptue ndryshimin mes skajit “empirizëm” (përdorë prej meje) dhe “empiricizëm” (përdorë prej atij), nuk më vjen keq qëboomerangu i kthehet mbrapa. Kur Tarifa para pak vitesh dilte në mbrojtje të nji teze të çmendun të Berishës për me e kthye mësimdhanjen në universitetet tona anglisht, pata kujtue se ishte nji lajthitje pranverore, por tashti e kuptoj se nuk ishte aq e kufizueme nga pikëpamja stinore.

E para, do ta pyesja profesorin me leskra kulturore amerikane, a njeh ndonji term filozofik në gjuhën angleze që quhet “empirism”?

E dyta, po e la gjuhën shqipe, pse për të shqipja s’ka dinjitet akademik, por po e pyes nëse në frëngjisht, gjermanisht, italisht e ka ndeshë kund termin filozofik “empiricizëm”?

A duhet t’i spjegojmë se anglisht mbrapashtesa nuk asht –cizëm, siç kujton ai tue dashtë me shpikë diferenca të paqena, pse –c i përket rranjës empiric, dhe mbaresa asht gjithnji –ism. S’asht nevoja me pasë studjue greqishten e vjetër, prej nga rrjedh fjala, do t’i kishte mjaftue me pasë lexue David Hume apo John Locke-un, aq sa lexohen edhe në vitin e parë të universitetit, për me iu ndriçue terrina terminologjike që ka në kokë. Por ato lexime që nuk bahen kur asht koha, domethanë në rini, mbrapa bahet pa fryt.

Gjithsesi edhe kështu profesori asht krejt në rregull, t’paktën përkulturicizmin që prodhojnë në Tiranë universitetet private që kanë dalë si kërpurdhat mbas shiut demokratik që i ka lagë në të gjitha mënyrat.

E këtu mos t’ia japim të gjitha meritat vetëm Berishës, pse edhe Edi Rama dhe Lindita Nikolla kanë meritat e tyne të pamohueshme, por kjo asht nji histori tjetër.

Ndërsa un do të vijoj me e konsiderue veten nxanës në filozofi e gjithkund tjetër, nuk asht turp, përkundër, mjerë ai që reshtë së mësuemi në rrugën e dijes, e cila nuk asht e ndryme prej empirisë dhe shqisave, por e hapun në virtyt të nji autotrashendence të pafund.

*  Profesor i Filozofisë në Universitetin Papnor Urbaniana në Romë

Shkrimi u botue së pari tek “Milosao”, 26 prill 2015.

Në linkun e mëposhtëm mund të lexoni artikullin e Fatos Tarifa, i cili ka ba që me u shkru ky shkrim i profesor A. Ndreca: http://www.balkanweb.com/site/a-na-duhet-me-feja/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »