NËNA E KËSHILLIT TË MIRË KREMTOHET NË KLINË

Apr 28 • Kisha në Kosovë

Të dielën, me 26 prill, në praninë e shumë besimtarëve, është kremtuar festa e Zojës së Këshillit të Mirë – Pajtores së Shqiptarëve, në Famullinë e Klinës.

Meshës solemne, i priu Don Viktor Sopi, famullitar në Ferizaj dhe Drejtori i Caritas Kosova, në bashkëmeshim me disa meshtarë të dioqezit tonë. Të pranishëm, në mesin e shumë besimtarëve të Lugut të Drinit dhe vendeve tjera, ishin edhe përfaqësues nga autoritetet komunale, zyrtarë të lartë të KFOR-it, Policisë së Kosovës, etj. Në fillim të meshës, është bërë edhe bekimi i dy truporeve, të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, të cilat, janë vendosur në oborrin e kishës, pranë trupores së Nënës Terezë. Këto trupore, janë dhuratë nga një donator, besimtar i famullisë së Klinës.

Në predikimin të tij, Don Viktori, në mes tjerash, foli për rrolin që ka pasur kjo famulli në vitet e vështira, duke ofruar mburojën shpirtërore për besimtarët- dhe jo vetëm, në ruajtjen e traditave dhe vlerave të popullit shqiptarë. Ai, porositi besimtarët, që mos ta shmangin këshillën e Zojës, por ta pranojnë atë me dashuri dhe atë këshillë, më të njëjtën dashuri; ta transmetojnë tek fëmijët dhe të rinjtë në përgjithësi. ‘‘Është pikërisht dashuria e kësaj Nëne që bëri që shumë Papë të përulën para figurës së sajë në Genazzano të Italisë, figurë kjo që u largua nga dhuna dhe terrori që ushtrohej në trojet shqiptare nga otomanet’’- tha në mes tjerash në predikimin e tij Don Viktori.

Në fund të meshës, famullitari, Don Lorenc Sopi, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, dhe të gjithë ata që u angazhuan për organizimin sa më madhështorë të kremtimit të festës.

Kisha e Klinës, është e vetmja Kishë madhështore që ju kushtohet pajtores së popullit tonë- Nënës së Këshillit të Mirë. Kisha, është ndërtuar pas luftës në Kosovë (1999), për shkak se gjatë regjimit komunist, përpjekjet për ndërtimin e një kishë të denjë për famulli ishin të kota. Përpara, në këtë famulli, kremtohej mesha në një sallë që ishte e tepër e vogël për besimtarët e Klinës, që përbëjnë njërën ndër famullitë më të mëdha në Kosovë.

Nëna e Këshillit të Mirë, pajtorja e shqiptarëve – lutu për ne e na dhuro këshillat e Birit tënd Hyjnor. (Luz Balaj)

1 2 3 4 5

Shpërndaje

Comments are closed.

« »