DISA GABIME QË I BËJMË PA I KUPTUAR

Apr 29 • Opinion

Shkruan: M. Franciska (Suzana) LEKAJ

Ekzistojnë disa gabime që i bëjmë pa i kuptuar. Nuk jemi të vetëdijshëm që i  bëjmë dhe nuk i njohim, të paktën si gabime. Por përkundrazi në rrethin shoqëror ato vlerësohen  e duken si sjellje inteligjente, si sjellje sociale mjaft të përshtatshme.

Le të shohim se cilat janë këto gabime dhe si mund të veprojmë më mirë përballë tyre.

1. Mungesa e një qëllimi

2. Vlerat konfuze ( të paqarta)

3. Prioritetet e gabuara

4. Entuziazmi i pakët

5. Kërkimi i stimujve të jashtëm

7. Vetëvlerësimi i ulët

8. Mungesa e projekteve sociale

Për t’i kuptuar më mirë këto gabime do të flasim për secilin në mënyrë të veçantë.

Gabimi i parë: MUNGESA E NJË QËLLIMI që do të thotë jemi të preokupuar për shumë gjëra e në shumë drejtime, jemi të prirur dhe kemi tendenca të shkojmë atje ku provojmë më shumë kënaqësi e jo atje ku mbizotëron qëllimi dhe vlera.

Do të thotë  kemi tendencën të ndjekim trendin e modës, të kemi telefona nga më të ndryshmit, të kemi kompjuter (PC), të kemi iPod, e gjithashtu të kemi edhe 5 adresa e-mail-i me identitete të ndryshme e kështu mendojmë se jemi të pranishëm kudo. Edhe pse i kemi të gjitha këto nuk jemi të kënaqur. Kërkohet ta pyesim veten: Pse ndodh kjo? Kjo ndodh për arsye se nuk e kemi qëllimin e qartë, nuk e kemi ende të qartë se çfarë është vlera, nuk e dimë se për çfarë na nevojiten të gjitha këto, por thjesht i bëjmë pa menduar vetëm që të jemi si të tjerët. Është tendenca të shkojmë me turmën e jo të formojmë identitetin dhe personalitetin tonë e gjithashtu  të mos shfaqim edhe vlerat tona.

Nëse jemi të drejtë me veten dhe ia bëjmë një pyetje vetes: Çfarë shërbejnë të gjitha këto? Mund të themi që  shërbejnë sepse na bëjnë të ndihemi të kënaqur, na bëjnë të ndihemi mirë në rrethin social e harrojmë se na çojnë në drejtime të pakënaqshme. Pyetja është: A ia vlen t’i kemi të gjitha këto nëse nuk kemi qëllimin? Nëse nuk di se për çfarë më shërbejnë të gjitha këto?  Ky është gabimi i parë kur ecet apo veprohet pa një qëllim. Pa e ditur se kush je, e ku shkon.  Pa e ditur përse je këtu e pa e ditur se cili është misioni yt në këtë botë. Por thjesht jeton vepron pa i dhënë kuptim asgjëje. Njeriu është i thirrur të jetojë duke e njohur e duke e zbuluar çdo ditë qëllimin e saj.

Nëse ne kemi shumë identitete, kemi  telefona dhe gjëra të tjera  pa asnjë qëllim, vetëm thjesht për kënaqësi dhe për t’u dukur  do të thotë që ky është  gabimi i parë që ne bëjmë.

Gabimi i dytë: VLERAT[1] KONFUZE (të paqarta) që do të thotë nuk e kemi të qartë se çka është vlera. Gabimi i dytë është i lidhur shumë me të parin, me mungesën e një qëllimi, sepse nëse nuk kemi një qëllim nuk kemi vlera të ekuilibruara, të forta e nuk dimë t’i japim kuptim gjërave që kemi dhe që bëjmë.

Ne mendojmë se jetojmë vlerat kur flasim për to, sepse themi se jemi kundër racizmit, jemi kundër urisë në botë etj. Por nga ana tjetër vazhdojmë të kemi 5 adresa e-mail-i, telefona e gjëra të panevojshme që i bien ndesh asaj çfarë themi se jam kundra urisë e  racizmit në botë.

Vlerat nevojitet të jenë të qarta dhe të jenë të ndërlidhura me atë çfarë themi e me atë çfarë bëjmë. Nëse themi se jemi kundra urisë në botë atëherë kërkohet edhe të kontribuojmë për këtë e jo thjesht vetëm të flasim. E për të arritur këtë kërkohet që t’ia bëjmë një analizë vetes që t’i shohim e t’i shqyrtojmë këto gjëra. E këtë mund ta arrijmë me pyetjet: Çfarë është për mua vlera? A kanë vlerë të gjitha këto? A u përshtaten vlerave të mia? Nëse nuk arrijmë t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve atëherë kuptohet se ne i kemi të ngatërruara vlerat ose janë të paqarta. Kështu atëherë arrijmë të kuptojmë se kemi të bëjmë me gabimin e dytë.

Gabimi i tretë: PRIORITETET[2] E GABUARA që ne shpeshherë u japim rëndësi ose vlerësojmë më shumë atë çfarë kemi e jo atë çfarë jemi. Shpeshherë ndodh që të mos dimë se çfarë na shërbejnë shumë gjëra, e gjithashtu nuk dimë se çfarë e pasuron potencialin tonë. Ne mund të bëjmë shumë gjëra sepse jemi qenie humane, por të qenit human nuk vlerësohet nga ajo çfarë ke, por nga ajo çfarë je. Kështu pyetja: Kush jam unë? Për çfarë jam këtu? Cili është misioni im? Janë pyetje që kërkohet t’ia bëjmë vetes gjithmonë për të kuptuar se cilat janë prioritetet në jetë.

Nëpërmjet ideve mund të modelojmë të ardhmen, mund të mbajmë çfarë të duam, por nuk e dimë për çfarë na shërbejnë sepse nuk kemi ide të qarta mbi vlerat tona e gjithashtu shumë pak mbi qëllimet tona kryesore. Kështu atëherë jemi të prirë të shfaqim prioritete të gabuara.

 Prioritetet tona janë të gabuara sepse bëjmë idealizime që ajo mund të jetë e mundur, ajo është e drejtë e ndoshta impenjuese, e zhvilluar etj. Por nuk dimë kush jemi dhe nuk e kemi të qartë se cili është misioni ynë. E kështu nuk dimë çfarë na shërben të qenit njerëzor e si rezultat nuk dimë aspak të dallojmë se çka na bën më të pasur e më të aftë në cilësitë tona.

Gabimi i katërt: ENTUZIAZMI[3] I PAKËT që do të thotë pranojmë një jetë të shtypur me idenë se ky është fati ynë. Të shkosh në shkollë është e mërzitshme, të udhëtosh është e mërzitshme, të tregtosh është e mërzitshme të ngatërrohesh në shtëpi është një tjetër gjë e mërzitshme që nuk mund ta shmangim. Një tjetër gjë e mërzitshme është se pranojmë një jetë të shtypur. Kështu priremi të shohim vetëm me sy të mërzitur dhe negativ. Priremi të shohim jetën vetëm me dy ngjyra: bardhë dhe zi ose vetëm me një ngjyrë gri. E harrojmë se jeta është e përbërë nga të gjitha ngjyrat pa hequr asnjë.

Njerëzit me entuziazëm të pakët janë ata që thonë dhe vazhdojnë të thonë: Ky është fati! Janë ata që nuk marrin angazhimin për të ndryshuar, për të bërë diçka ndryshe, për të provuar, e për të guxuar. Por thjesht arsyetohen me përgjigjen: Ky është fati! E ky është gabimi i katërt, mungesa e entuziazmit.

Gabimi i pestë: KËRKIMI STIMULUES[4] JASHTË që do të thotë jemi të prirë që nxitjet për të bërë diçka i kërkojmë dhe i presim nga jashtë. E kjo ndodh për arsye se nuk e njohim veten, nuk e dimë kush jemi. Nuk dimë të jemi vetvetja e kërkojmë jashtë e kështu nuk e gjejmë paqen e brendshme.

 Natyrisht pas katër gabimeve të lartpërmendura është e qartë se nuk mund të jemi të lumtur. Jemi të ngrysur sepse duhet të shkojmë në punë që nuk na pëlqen, duhet të shkojmë në shtëpi ku ngatërrohemi, duhet të shkojmë në shkollë që nuk kemi dëshirë fare etj.

Lind pyetja: Çfarë duam? Duam stimuj të jashtëm, duam që dikush të vijë e të na nxisë, të na japë kurajo, të na shtyjë për të vepruar etj. Por kjo nuk funksionon sepse nuk mund të jemi të varur nga të tjerët nuk mund të jemi të varur  nga gjërat që bëjmë nga pushimet, nga shpenzimet nga gjërat e reja që dalin etj. Sepse blejmë një gjë, shkojmë në palestër, shkojmë te salloni bukurisë, marrim vlerësime nga të tjerët… Nuk është kjo lumturia e vërtetë.

Lumturia e vërtetë është atëherë kur gjejmë paqen e brendshme. Por për të gjetur paqen e brendshme kërkohet që  të kemi një vetëvlerësim pozitiv, të kemi qëllime, të njohim vlerat që kemi  dhe të vlerësojmë veten për atë jemi e pastaj për atë  që bëjmë.

 Nëse nuk i bëjmë këto, kemi një boshllëk dhe për të mbushur këtë boshllëk shkojmë dhe kërkojmë stimuj të jashtëm, kënaqësi të rreme, vlerësime të rreme, harxhime të panevojshme,  dëshirojmë të kemi çdo gjë që shohim edhe n.q.s nuk na nevojiten. Kjo ndodh për të mbushur boshllëkun që është brenda nesh, por prapë boshllëku mbetet i tillë sepse nuk janë këto që na bëjnë të lumtur e që na plotësojnë dhe që na bëjnë të përjetojmë paqen e brendshme.

Gabimi i gjashtë: VETËVLERSIMI I ULËT që do të thotë ne nënvlerësojmë veten dhe gjërat e mira që kemi, e konsiderojmë veten të paaftë për shumë çka. Por kërkohet që të dimë të vlerësojmë çdo shenjë pozitive, çdo këshillë të mirë që marrim, çdo vlerësim. Sepse të gjithë ne kemi rast që takojmë njerëz që na japin këshilla, që na vlerësojnë p.sh që na thonë lexoje këtë libër, bëje ndonjë kurs, bëj gjëra që të bëjnë të ndjehesh mirë, por ajo që është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme është t`i thuash vetes: Ndalo në një moment dhe reflekto mbi jetën tënde, merre një vendim, hyr në brendësinë e jetës sate sepse këtë mund ta bësh.

Nuk mund të të ndalojë askush që të hysh  në veten tënde, që të njohësh më mirë veten, gjërat që ke, gjërat që të bëjnë të jesh kjo që je, ky që je.

Por këtë duket se e kemi të vështirë ta bëjmë. Pse? Çfarë na pengon? Çfarë na bllokon? Ndoshta mungesa e kohës? Ndoshta mungesa e parave ?Apo shumë  gjërat e tjera? Në fakt nuk qëndron asnjëra nga këto që përmendëm, por ajo që na bllokon është vetëvlerësimi i ulët.

Sepse ne fillojmë dhe ia mbushim mendjen vetes se unë nuk jam i\e aftë, unë nuk mundem, unë nuk e meritoj, unë nuk mund të jetoj mirë, mua nuk më ec asgjë për së mbari e kështu do të thotë qe ne nuk shohim asgjë pozitive tek vetja.

 Vetëvlerësimi i ulët na pengon të shfrytëzojmë gjërat pozitive që kemi dhe që marrim nga të tjerët. Gjithçka varet nga ne dhe nga mendimi që ne kemi për veten. Kur ti mendon se është diçka me vlerë që të shkosh në restorant për drekë,  gjej kohë për ta bërë. Nëse ti mendon se kjo gjë që bën është më e mirë, gjej kohë për ta vlerësuar. Nëse dikush të ofron ndonjë gjë, gjej kohë për të qenë mirënjohës, gjej kohë për relaks, për shëtitje, për shoqëri, sepse kjo do të ndikojë në vlerësimin tënd. Do të të ndihmojë të fillosh të mendosh  se ti vlen. Ti vlen më shumë se 80 euro që harxhon në restorant sepse ti vlen më shumë se shumë gjëra të tjera.

 Konsideroje veten një pasuri e jo një thes bosh. Paratë, koha e shumë gjëra të tjera nëse nuk japin fryte ose nuk janë tregues të mirë atëherë kërkohet të jemi të zgjuar e të kërkojmë një jetë më të mirë. Të fillojmë t’i themi vetes: Unë dua, unë mundem, unë di.

Gabimi shtatë: MUNGESA E PROJEKTEVE SOCIALE që do të thotë harrojmë se njeriu është i krijuar si qenie sociale, që  të veprojë me të tjerët e për të tjerët. Sepse bashkëpunimi me të tjerët na pasuron dhe na forcon. Të gjithë jemi të shqetësuar për jetën tonë të përditshme, për fitoret, sukseset e vazhdojmë t’i themi vetes se duhet të vrapojmë, duhet të jemi, duhet të jemi kompetent, duhet të bëjmë më të mirën, duhet të bëjmë investime të drejta për të cilat nuk jemi të përgatitur. Arrijmë deri tek ajo që të themi shpeshherë që nuk jam e aftë për t’i bërë këto.

Kjo do të thotë që ne harrojmë që jeta jonë është sociale me të tjerët e për të tjerët. Që mundësia jonë, pasuria jonë, kënaqësia jonë më e mirë është, kur ne krijojmë projekte së bashku me të tjerët e për të tjerët. Kështu gabimi i shtatë lidhet me egoizmin, me mungesën e një projekti social që do të thotë nuk vendosim marrëdhënie me botën, nuk bëjmë një veprimtari që ia vlen për veten tonë dhe për të tjerët e që të krijojmë një të ardhme më të mirë. Por krijojmë një mbyllje dhe një lloj egoizmi e ajo që është edhe më e rëndë, krijojmë edhe një lloj indiferentizmi.

Këto janë shtatë gabimet që i bëjmë pa i kuptuar. E për të korrigjuar këto gabime kërkohet që të bëhet një plan personal për përmirësim. Kërkohet që të angazhohesh më shumë se një herë, kërkohet që të pyesësh veten se ku po shkon? Cili është qëllimi? A kanë vlerë këto gjëra? E shumë pyetje të tjera që do të na ndihmonin që të bëjmë një plan për të mirën tonë personale dhe të të tjerëve. Sepse kur jemi mirë, kur jemi në paqe me veten, jemi mirë dhe në paqe edhe me të tjerët.

[1] Vlerë– e mira, dobia e rëndësia që ka diçka për shoqërinë, për njerzit.

[2] Prioritet– përparësi

[3] Entuziazëm– ndjenjë e fuqishme gëzimi e kënaqësie shpirtërore, e bashkuar me dëshirën e zjarrtë me vullnetin e me guxmin për t`iu përveshur një pune a një veprimtarie.

[4] Stimulim – shkak që nxit për ta gjallëruar një veprimtari ose që shtyn dikë për të punuar më me vrull.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »