DHE JETA VAZHDON…

May 1 • Opinion

Shkruan: Zef AHMETI*

Pasiviteti, është armiku më i madh i përparimeve në jetë. Ndërsa, ata që përpiqen të ndryshojnë një gjendje, shpeshherë hasin në situata që reflektojnë dëshpërim, nga e përjetuara përballë njerëzve të tjerë, apo, ndoshta- dëshpërimi mund të vjen edhe nga idhujt që kemi. Dhe kjo, për arsye, se, ne në momentin kur vërtetojmë se edhe idhujt tanë janë njerëz, dhe se edhe ata kanë mangësitë e tyre, fitojmë ndjenjë të pakëndshme e dëshpërim. Kështu, shtrohet pyetja që mund ta përcjellë secilin: kur është njeriu i gatshëm të bëj ndryshime në jetën e tij?

Status quo-ja e individit, mund të ndryshohet, vetëm atëherë kur mbërrihet në nivel, kur njeriu apo shoqëria e ndjen si të padurueshme, dhe kësisoj të nevojshme t`i hyhet rrugës së ndryshimeve. Mirëpo, me fitimin e ndjenjës dhe nevojës për të ndryshuar situatën ekzistuese,  kjo përcillet bashkë me frikë. Dhe ata që nuk munden ta tejkalojnë frikën, mund ta mbyllin njeriun dhe pengojnë drejt hapave për ndryshim. Çka mund të ndodh pas ndryshimit? A do të keqësohet edhe më shumë situata? Cila do të ishte rruga më me pak pasoja? A do të mund t`i përballojë dhimbjet që do të mund të shkaktohen? A mos vallë do të pendohem për atë që kam bërë? Në disa fusha, ku ndërmjetësohet në raste konfliktesh (mediacioni), ato këshilluese si ajo psikike-sociale, apo edhe psikologjike e psikoterapike vlerësohet se nevoja për hapin për të ndryshuar një situatë duhet të vijë nga i prekuri, nga vetiniciativa e tij. Nga jashtë, vështirë se mundet dikush të ndryshojë diçka. Ndërmjetësuesi, këshillëdhënësi, sociologu, psikologu apo psikoterapeuti, mund të ndikojnë në nxitjen, dhe në disa nga këto fusha edhe të inkurajojnë që me potencialin që ka në vetvete, individi të orientohet drejt ndryshimeve dhe zgjidhjeve të nevojave dhe konflikteve. Pra, zgjidhja më e mirë është ajo që del nga kërkesa dhe nevoja e individit të prekur. Mbase, ai e di më së miri se cila është ajo pikë e padurueshme, e papranueshme. Njeriu, edhe pse ka nevojë për ndihmë, është edhe vet “ekspert” i situatës ku gjendet. Dhe ai mund të ndihmohet vetëm që të orientohet në situatë, me ndjenjat e përziera e të mjegullta. Përgjigjen, njeriu shpesh e ka në vetvete, vetëm se ajo duhet kërkuar. Për shembull, në fushën e meditacionit – ndërmjetësimit në konfliktet e ndryshme – është e një rëndësie të veçantë që mediatori (ndërmjetësuesi), nuk duhet të komentojë apo vlerësojë mendimin e palëve të interesuara për zgjidhjen e konfliktit ekzistues. Ata, mund të nxiten me teknikën e shtruarjes së pyetjeve që do të nxisin palët të mendojnë për opsionet e mundshme. Pra, një vlerësim lidhur me mendimin e ndonjërit nga pjesëmarrësve në ndërmjetësim, do të ndikonte negativisht tek pala tjetër. Rekomandohet që mos të jepet vlerësim për perceptimet individuale të një situate. Sepse, perceptimet e një situate dallojnë nga pjesëmarrësit në ndërmjetësim. Mbase, edhe ky perceptim i një situate nuk do të shpie në konflikt, sikur palët nuk do të kishin kuptuar dhe perceptuar një situatë në mënyrë të dallueshme. Dhe këtu, shpesh si pasojë e kësaj situate, është edhe mungesa e një dialogu të mirëfilltë. Pra, të dëgjimit të asaj se çka vërtetë palët thonë, dhe jo atë çka dëshirojmë të dëgjojmë. Fundja, frika rrallë na shpie drejt një sjelljeje për të ndryshuar diçka. Kurse në anën tjetër, si trimëruese vlerësohet gatishmëria për t`u përballur me frikën. Njeriu, shpesh gjykon dhe jep vlerësime për njeriun tjetër duke u bazuar në pamjen e jashtme. Një fjalë latine thotë: “saepe facia pulchra non est speculum animi boni” që ka kuptimin, pak a shumë kështu: “një fytyrë e bukur shpesh nuk është pasqyrë e një shpirti të mirë.” Ne, shpeshherë, edhe situatat i vlerësojmë sipas përvojës individuale që kemi, sipas asaj, se si është formësuar identiteti ynë individual. Dhe kjo përvojë ndikon edhe në perceptimin e rrethanave e situatave. Përvoja ka treguar se vet-drejtësia dhe e tërë padurueshmëria përballë të gjithëve që kanë mendim tjetër nga ai i yni, e ka bazën edhe në verbësinë që na përshkon përballë gabimeve vetjake dhe dobësive që kemi. Kështu që, për të ndryshuar një gjendje, nuk mjafton vetëm “përpjekja” për t`u ndryshuar nëse të tjerët këtë nuk e kanë kuptuar ende si të tillë. Në jetën që zhvillohet në demokraci, përkatësisht duhet pasur parasysh se shpirti i demokracisë jeton nga bindja, se askush nuk posedon monopolin për atë që të vërteton se çka është e vërteta, përkatësisht e sakta. A keni qenë ndonjëherë në një situatë ku keni pasur nevojë që t`ju drejtoheni dikujt me nevojën për ta tejkaluar një situatë, vështirësi a konflikt? Dhe, në një gjendje të tillë, sigurisht keni pritur nga personi të merrni një përgjigje konkrete dhe adekuate, se si duhet vepruar në rastin konkret? Pavarësisht se kujt iu keni drejtuar, nuk mendoj se mund të keni marrë një përgjigje krejtësisht për një zgjidhje definitive dhe aq më pak ekziston një zgjidhje (formulë) e përgjithshme për secilën situatë. Po, si duhet të sillet njeriu në situata të tilla? Atëherë, këshilluesit- a nuk janë të tepërt dhe ndërmjetësuesit po ashtu? Në një situatë të tillë, mbase, preferohet se ka gjëra që shpesh me siguri nuk duhet të potencohen; thuhen fare, kurse në anën tjetër, fjalë që mundësojnë sigurt ngushëllim, nuk ekzistojnë. Ajo që kërkohet në raste të tilla, është që njeriu vetëm ta dëgjojë me vëmendjen “historinë” dhe perceptimin e individual të një të prekuri nga një situatë ku ndjehet i prekur dhe i ngarkuar. Dëgjimi me vëmendje i asaj çka e shpreh personi i prekur, kërkon që atij t`i jepet lajmi se ai po kuptohet. Dhe kjo ndihmon për të kaluar në një shkallë tjetër. Për shembull, gratë ankohen më së shumti, se burrat nuk ua vënë veshin për atë që e thonë ato. Konfliktet vlerësohen edhe si një mundësi e mirë për tu ndryshuar, për ta ndryshuar vetveten. Dhe, a nuk është ashtu, se identiteti i njeriut nuk është statik, porse elastik, dhe përherë është i ndryshueshëm e që i përshtatet rrethanave dhe nevojave të jetës? Ata që nuk nxjerrin mësim nga konfliktet apo situatat e padëshirueshme, herët a vonë, atyre do tu bëhet ves (veti) e cila është e predestinuar të përsëritet në mënyrë të pafundme e që si pasoj ka përsëritjen e gabimeve. Njeriu, i cili jeton shpesh konfrontohet me urinë për kuptimin e jetës. Çka është ajo që i jep jetës kuptimin? Puna, familja, karriera, religjioni? Cilat gjëra janë ato që njeriut ia jep mundësin për t’u ngopur me kuptimin e jetës? Njeriu që jeto, konfrontohet me sfidat dhe situatat më të ndryshme… dhe prapë jeta vazhdon!

*Autori është duke vijuar kualifikimin në psikologji të orientuar për zgjidhje të integruar.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »