E DIELA V E PASHKËVE (B)

May 1 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Vap 9,26-31)

Lexim prej veprave të Apostujve

Në ato ditë, Kur Pali erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund e besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës.

Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, se si Jezusi foli me të dhe se si Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit.

Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të  Zotërisë. U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta por edhe ata synonin ta vritnin.

Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars. Kisha, pra  ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt.

Fjala e Zotit

Psalmi 22

Ref: Ty të lavdëroj, o Zot, në bashkësinë e vëllezërve.

———————————————————————-

Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit lëvdojeni atë!

Ndër sy të besimtarëve të tu do t’ i kryej kushtet.

Do të hanë skamnorët e do të ngihen,

do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë:

‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’

————————————————————————–

Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës,

 do ta adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.

Sepse Zoti është mbret! Ai i sundon kombet!

Atë, vetëm atë do ta adhurojnë të gjithë ata që pushojnë nën dhe,

para tij do të përmbysen të gjithë ata që kthehen në pluhur.

—————————————————————————–

Kurse shpirti im për të do të jetojë,

në shërbim të tij do të jetë fara ime,

breznisë së ardhshme do ‘ i tregohet për Zotin,

për drejtësinë e tij do t’ i tregohet popullit që vjen:

“Kështu bëri Zoti!”

 

Leximi i dytë 1 Gjn 3,18-24 

Lexim prej letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij në qoftë se ajo na qorton për ndonjë send. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka.

Fort të dashur! Nëse zemra nuk na paditë, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse e mbajmë urdhërimet e tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen.

Ky është urdhri i tij: që të besojmë në Emrin e Birit të tij-në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri tjetrin, si Ai na urdhëroi.

Kush i mban urdhërimet e tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të.

Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na ka dhënë.

Fjala e Zotit

  

Aleluja!

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju, thotë Zoti:

Kush mbetet në mua jep shumë fryt.

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 15,1-8)

+ Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron që të jap më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thash.

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’ mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ ju jepet.

Me këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.”

Fjala e Zotit

Porosia

Në të dielën e pestë pas Pashkëve, leximet që i dëgjojmë kanë një porosi: bashkimin e besimtarëve me Hyjin Atë, nëpërmes Jezu Krishtit, i cili, erdhi në botë për shëlbimin tonë.

Jezu Krishit, nuk dëshiron që në pikëpamje demagogjike, të tërheq njerëz kah vetja, por kërkon kualitetin e tyre të brendshëm.

Nga ata që zgjedh pret një miqësi të sinqertë, sepse, ai edhe ofron miqësi të sinqertë. Vetvetiu, afërsia e Tij me njerëz, kuptohet si dhuratë. Nxënësit e vet i quan miq sepse ju zbulon fshehtësitë e zemrës së vet hyjnore. Ju beson krejt atë që kishte marr nga Hyji Atë. Nga ajo që iu zbulon dhe iu shpallë, kërkon përgjigje, dëshiron të jenë të një mendimi dhe ndjenje.

Këtë bashkim dhe këtë bashkëpunim, Ungjilli na paraqet në forma të ndryshme.

Në Ungjillin e sotshëm, duke e pas parasysh edhe leximin e parë dhe të dytin, na paraqitet një shembull i thjesht, por shumë kuptimplotë i një bashkëpunimi, nëse dëshirojmë të jemi frytdhënës, në përditshmërinë tonë që Zoti të shpërblej punën, ndjetet dhe jetën tonë.

Në leximin e parë, ai që kishte përndjekë Kishën e Krishtit për mrekulli kthehet dhe vihet në shërbim të Hyjit, “është dhe mbetet vegël në duar të Zotit.” Nga kjo nënkuptojmë që Hyji përkujdeset për njerëz, dhe nuk mund të gjykojmë njerëzit dhe rrethanat e ndryshme me të cilat ballafaqohemi, por duhet lejuar që Hyji të veproj në ne dhe të përdorim mençurinë e shpirtit, i cili, na mëson që t’ i japim rëndësi dhe ta ushqejmë me Fjalën e Zotit dhe sakramentin e Eukaristisë.

Kështu, në këtë mënyrë, në një formë apo tjetër jemi apostuj, jemi dëshmitarë, jemi shpallës të Lajmit të gëzueshëm.

Shën Gjoni, në leximin e dytë, me një fjalorë të ëmbël, na mëson mos të duam vetëm me fjalë e me gjuhë, por të duam me të vërtetë Hyjin dhe vëllanë njeri.

Sepse, Hyji është më i madhe se zemra jonë, Hyji di gjithçka, Hyji sheh gjithçka në ne e në jetën tonë.

Prandaj, shtrohet pyetja: sa e duam Hyjin dhe sa i duam dhe respektojmë urdhërimet e Tija? Sa e duam dhe e respektojmë njëri- tjetrin?

Në saje të dashurisë dhe mbajtjes së urdhërimeve, do të jemi të bashkuar me Të dhe do të jetojmë si bij e bija të Tij.

Në Ungjill,  Jezusi prapë merr një shembull nga jeta e përditshme, nga vreshtaria, duke e lidhë hardhinë me vreshtarin. “Unë jam hardhia e im Atë është vreshtari, çdo shermend në mua që nuk jep fryt, prehet dhe hidhet në zjarr, ndërsa ai që është i bashkuar me Krishtin jep fryt të shumta. Banoni në mua thotë Krishti sikurse edhe unë në ju dhe çkado të kërkoni do t’ iu jepet… Ne jemi pagëzuar dhe jemi shartuar në Krishtin, jemi pagëzuar që të qëndrojmë të bashkuar me Të, jemi bërë bijtë dhe bijat e Hyjit.

Prandaj, duhet të pyesim çfarë është kjo bijësi, a jemi ende bijtë e bijat e tija, apo kemi harruar Hyjin dhe urdhërimet e Tija?

Shumë ujë ka kaluar nëpër koka të njerëzve,  por shumë pak në shpirtin e tyre. Për fat të keq te shumë kush shpejt është thar ky ujë pagëzimi, thoshte një mendimtar.

A ka ndodhur që edhe në jetën tonë shpirtërore jemi thar dhe nuk ka fryte që sjellin shëlbimin.

Jeta jonë duhet të kuptohet si dhuratë e Hyjit Atë, jo që të jemi të robëruar sikurse ndonjë mekanizëm, por në lirinë tonë të zgjedhim rrugën që nuk na robëron dhe nuk na ndanë nga Hyji, por që na bashkon me Të dhe japim dëshmi në fjalë dhe vepra duke punuar dhe vepruar, mbi të gjitha duke u angazhuar për të mirën tonë dhe familjeve tona.

Në bashkim të tillë, me siguri që do të kemi më shumë gëzim, paqe dhe lumturi, sepse gëzimi dhe paqja jonë është Krishti i ringjallur.

Ungjilli i sotshëm disa herë e cekë të qëndrojmë në Krishtin.

Vërtet,  të qëndrojmë në Krishtin dhe të jetojmë me Krishtin, i cili nuk zhgënjen , por qëndron me ne në situata të mira dhe të vështira të jetës.

Pa Krishtin, nuk mund të bëjmë asgjë, nuk mund të bëjmë sepse pa të jemi të ligsht, jemi të plogësht, jemi në rrezik, prandaj le të bëhet Krishti Zotërues i jetës dhe i familjeve tona. Amen.

Lutjet e besimtarëve

Të bashkuar me Jezusin sikurse hardhia dhe shermendi, t’ ia drejtojmë Atit lutjet tona duke thënë:

Dëgjoje o Zot lutjen tonë.

– Kisha dëshiron të shpallë Ungjillin në mbarë botën, dërgoj Shpirtin shenjtë tëndin që të realizohet vullneti yt o Zot dhe që në mes njerëzve të mbretëroj bashkimi dhe bashkëpunim i sinqertë sipas mësimit tënd, të lutemi:

– Atin e shenjtë, Papa Françeskun, ndihmoje dhe jepi shëndet dhe forcë që sa më mirë ta udhëheqë Kishën që Ti ja besove, të lutemi:

– Të gjithë të sëmuret tanë ngushëllojë dhe forcojë me praninë tënde, që kryqin që ua dërgove të jetë bekim dhe shpëtim, të lutemi:

– Prindërit e famullisë sonë, ndihmohu në detyrat e tyre që fëmijëve tu jenë në shërbim të edukatës dhe shembullit të mirë me duresë, dashuri dhe përkushtim të plot. Të lutemi:

– Të gjithë neve këtu të pranishëm, na ndihmo që të jemi të bashkuar me Ty dhe të sjellim fryte të mira që na e mundësojnë të jetojmë në gëzim dhe paqe qe vjen nga Ti, të lutemi

– Të gjithë të vdekurit tanë bëj që ta gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

O Hyj, ti e njeh vullnetin tonë të mirë, na i dëgjo lutjet tona dhe bëj që të kemi gjithmonë përkrahjen tënde që na ndihmon të jemi këtu dhe në qiell të bashkuar me Ty, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »