DEPRESIONI SËMUNDJA E SHEKULLIT

May 8 • Opinion

Shkruan: Dom Anton Ukaj

Kardinali Saraiva Martins, asohere prefekt i Kongregatës për çështjet e shenjtërve, fillon intervenimin e tij, duke pohuar se depresioni është bërë sëmundja e shekullit tonë. Sipas tij, nga depresioni janë të prekur më shumë se 12 për qind e popullsisë botërore. Pikërisht për arsye të shtrirjes së tij, depresioni është definuar «ftohja» apo «gripi» e psikiatrisë. Për sa i përket kategorisë që më së shumti është ë prekur nga depresioni, Martins nuk bënë një renditje, por thjesht thotë se depresioni mundë të përfshijë gratë dhe burrat, të rinjtë dhe të vjetrit, qytetarët e vendeve të industrializuara dhe ata të vendeve në zhvillim. Pra, të gjithë, pa marr parasysh moshën, gjendjen materiale, shoqërore,  mundë të prekën nga «virusi» i depresionit.

Martins na sjell pyetjen shqetësuese, që në vitet e shtatëdhjeta një grup kërkimtarësh të kësaj fushe i shtruan vetës: «Sa është normale të jesh në depresion?». Përgjigja ishte e prerë: «depresioni nuk është asnjëherë një gjendje normale, edhe pse, shumë herë vërehet, se në këtë fushë ekziston një konfuzion i theksueshëm konceptual, duke mos ndarë qartësisht, trishtimin dhe pikëllimi, si reaksione krejtësisht natyror në një situatë humbjeje nga depresioni si sëmundje.

Qëllimi i intervenimit të Kardinal Martins, nuk kishte për qëllim studimin e depresionit nga perspektiva klinike, por më tepër një reflektim i krishterë mbi një fenomen psikik që patjetër ka edhe një dimension religjioz dhe shpirtëror. Shqetësimi apo pyetja që Martins dëshiron të përgjigjet është: Si shihet depresioni në antropologjinë biblike dhe cilat janë përgjigjet e mundshme që feja e krishterë ofron si zgjidhje apo rrugëdalje?

Para se të kalohet në antropologjinë biblike (për të parë më për së afërmi format e ndryshme të depresionit në Bibël), dhe para se më parë qasjen e fesë së krishterë ndajë kësaj sëmundje, Martins ndalet në fenomenin e depresionit duke u munduar të japë një definicion dhe një klasifikim të tij.

Çka është depresioni? Martins përgjigjet kështu: «Për depresion nënkuptojmë një sërë simptomash që përcaktojnë një humor (gjendje) trishtimi, pakënaqësie, një mungesë interesi dhe mangësi impulsive, një frenim motorik dhe psikik, me përmbajtje mendore zakonisht dëshpëruese dhe më përmbajtje të shqetësimeve somatike (çrregullimi i gjumit, humbja e peshës etj.)». Ndërsa, për ta kuptuar se a kemi të bëjmë me një depresion të rëndë apo të lehtë, Martins thotë: «Nëse pacienti e pranon depresionin si një mënyrë të jetuari, dhe për këtë arsye e jeton atë si diçka të lehtë, kemi të bëjmë me depresion serioz; ndërsa, nëse depresioni nuk pranohet si mënyrë jetese dhe personi kërkon ndihmë, pra nuk e konsideron diçka të lehtë, kemi të bëjmë me gjendje më pak serioze apo më pak të rëndë».

Depresioni nuk shkaktohet nga një faktor i vetëm. Është rezultati i një sërë faktorësh. Në fillimin dhe vazhdimin e tij – thotë Martins – kanë një rrol të veçantë faktorët biologjikë, historikë, mjedisorë dhe psikologjikë. Shumë persona, nuk arrijnë kurrë në një depresion klinik, por thjesht ndoshta kanë të bëjnë me një gjendje trishtimi dhe pakënaqësie të vazhdueshme. Kështu që rreziku për t’i ngatërruar këto të fundit, me depresioni është i pranishëm në shumë persona. Të sprovosh një depresion të vërtetë, domethënë të ndjehesh si i bllokuar në katran, si i zënën nga një peshë e rëndë metali apo i varrosur në një galeri të errët. Depresioni i vërtet, shuan në njeriun çdo interesim për dikë apo për diçka, shuan shpresën.

Antropologjia biblike

Autori në fjalë bënë një percursus biblik për të parë format e ndryshme të depresionit të pranishme në Bibël. Para se gjithash autori thekson se do të ishte anakronike po të kërkonim një terminologji «klinike» në Shkrimin Shenjt, por, në tjetrën anë, meqë Bibla është edhe një përvojë universale e njeriut, për këtë arsye brenda sajë mund të gjejmë dhe gjenden gjurmë edhe të përvojave depresive. Autori pyet: nën cilat forma paraqitet depresioni në Besëlidhjen e Vjetër dhe cilat mjete na ofrojnë shkrimet e shenjta për tejkalimin e sajë?

Duke marr në shqyrtim disa tekste biblike, posaçërisht disa psalme, do të shohim disa nga simptomat e dukshme që tregojnë në një farë mënyre gjendjen depresive të personit. Ndër simptomat më të theksueshme depresive që hasim në këto tekste biblike mundë të theksojmë këto: trishtimin, mungesën e interesit, zvogëlimin e aftësive për të punuar, shqetësimet e gjumit, humbjen e peshës, ndjenjën e fajit, mendimet vetëvrasëse (duke përfshirë këtu edhe dëshirën për të vdekur dhe për të mos pas lindur kurrë). Autori në fjalë, sjellë disa nga psalme në të cilët hasim simptomat e sipërpërmendura. Në psalmin pesëdhjetë e psesë, hasim dridhjen e zemrës, tmerrin e vdekjes, frikën dhe rrëqethjen e rëndë që mbulon jetën e njeriut: «Dridhet zemra ime në mua, më përshkoi tmerri i vdekjes. Frikë e tmerr erdhën mbi mua, më mbuloi një rrëqethje e rëndë» (Ps 55, 5-6). Ndërsa, në psalmin tetëdhjetë e tetë, takojmë njeriun të mbuluar në frikë, të zhytur në vuajtje, jeta e të cilit qëndron në grykën e varrit, nuk ka më shpresë, jeta e tij është shndërruar në ferr, mendon se për të nuk ka më ndihmë: «O Zot, Hyji i shpëtimit tim, ditë e natë jap kushtrim para teje. Le të mbërrijë te ti lutja ime, vëru vesh dënesave të mia. Sepse shpirti im është plot me vuajtje, jeta ime është në grykën e varrit; po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë» (Ps 88, 2-5). Po ashtu, edhe psalmi njëqind e dy shprehë disa nga simptomat tipike të depresionit: «Lutja e të mjerit të rënë ngushtë që derdh ankthin e vet para Zotit. O Zot, dëgjoje lutjen time e britma ime le të mbërrijë tek ti. Mos e fsheh fytyrën tënde para meje në ditën time të vështirë, prire veshin tënd drejt meje: kurdo të të thërras më dëgjo shpejt! Sepse ditët e mi po zhduken si tymi, e eshtrat e mia po digjen si zjarri. Zemra po më thahet si bari i kositur e po harroj të ha edhe bukën time» (Ps 102, 1-5). Në psalmin tridhjetë e tetë e gjejmë po ashtu një gjendje që është tipike e individëve në depresion: «u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, i trishtueshëm endem gjithë ditën» (Ps 38, 7). Autori në fjalë, thotë se njëri ndër simptomat e trupit në depresion nevrotik, mundë të jetë sjellja e shqetësuar apo e tundur e tij. Një fenomen të tillë, e hasim edhe në botën biblike, gjegjësisht në librin e Parë të Mbretërve: «Kur i dëgjoi Akabi këto fjalë, i shqeu petkat e veta, trupin e vet e ngjeshi me grathore, agjëroi, flinte në grathore dhe ecte kokulur» (1Mbr 21, 27). Një tjetër shembull të sjelljes së shqetësuar si simptomë depresioni e gjejmë në librin e Jobit:«Më vlon barku e kurrë s’më pushon, po më sulmojnë ditët e mjerimit. Ecja i mërrolur ‑ kush s’më ngushëllon, ngritesha në mbledhje e thirrja ndihmë. Me çakaj u bëra vëlla, shok u bëra me struca të egër. Nxirë është lëkura e trupit tim, nga ethet eshtrat m’u thanë. Cetra ime u bë vajtore, gjëmëtar është fyelli im!» (Jb 30, 27-31).

Këto tekste të shpërmendura, janë vetëm disa nga psalmet dhe shkrimet e shumta biblike, të cilat tregtojnë qartas gjendjen dëshpëruese të besimtarit, e cila, manifestohet përmes simptomave të ndryshme që i paraqitëm shkurtimisht.

Vijon…

Shpërndaje

Comments are closed.

« »