E DIELA VI E PASHKËVE (B)

May 8 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Vap 10, 25-27.34-35.44-48)

Lexim prej Veprave të apostujve

Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tija e adhuroi. Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: “Çohu në këmbë se edhe unë jam vetëm njeri!” E, duke biseduar me të, hyri brenda ku gjeti të bashkuar shumë njerëz. Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani më të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë.”

Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin predkun. Besimtarët prej rrethprerjes që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe në paganët u ndikua dhurata – Shpirti Shenjt. Sepse i dëgjuan duke folur në gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit.  Atëherë iu lutën të qëndrojë me ta disa ditë.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98 (97)

Ref. Zoti ua dëftoi popujve drejtësinë e vet

——————————————————-

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

————————————————————–

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

ndaj shtëpisë së Izraelit.

————————————————————–

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’ i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

Leximi dytë (1 Gjn 4,7-10)

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

Të dashur, ta duam njëri tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri.

Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetoj,ë në saje të tij. Dashuria përmbahet në këtë; jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne, dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.

Fjala e Zotit

Aleluja!

Nëse ndokush me do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.,

Ati ime do ta duaj e tek ai do të banojmë.

Aleluja!

+Ungjilli (Gjn 15,9-17)

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time! Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbaja urdhërimet e Atit tim dhe qëndrojë në të. Ju thash këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plot.

Ky është urdhri im: duani njëri tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregoj është; të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miq e mi nëse bëni çka ju urdhërojë unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t‘ ju japë çkado të kërkoni në Emër tim.

Këtë gjë ju urdhëroj: duani njëri tjetrin!“

Fjala e Zotit

 

Porosia

Porosia e të dielës së VI të Pashkëve, të dielës së sotme, është dashuria për të cilën na flet leximi i dytë dhe Ungjilli.

Fjala dashuri, është aq e nevojshme në kohen e sotme, sepse mungon dashuria në bashkëshortësi, dashuria ndaj prindërve; mungon dashuria në familje, në shoqëri dhe në botë. Në mungesë të dashurisë, ndodhin konfliktet, urrejtja, lufta dhe e keqja që sot janë mjaftë të pranishme.

E vërteta thelbësore është: Dashuria vjen prej Hyjit, sepse Hyji është burim i jetës, Ai njeriun e krijoi dhe e solli në botë,e krijoi prej dashurisë dhe për dashuri.

Dhe njeriu, është i ngjashëm me Hyjin, vetëm në saje të dashurisë, dhe nëse nuk ka dashuri është i zbehur përngjasimi në Hyjin.

E vërteta e dytë: Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet që askush të mos birret. Krishti erdhi për ne, Hyji Atë nuk e kurseu që të mundohet, të vdesë dhe të ngjallet për ne. Kështu Krishti dëshmon Hyjninë e vet dhe na fton të  besojmë në Të dhe në porosinë që Ai çdo ditë na jep.

E vërteta e tretë, është qëndrimi në dashurinë e tij dhe miqësia me të. Ai, na premton që çka do që kërkojmë në emrin e Tij, do ta fitojmë.

Këto që na thotë Krishti në Ungjill, janë bazë e një jete të mirë dhe të lumtur me Hyjin dhe në mes vete.

Në këto të vërteta të dashurisë, duhet të bazohet jeta jonë. Jemi të krijuar në përngjasimin e Hyjit, dhe duke qëndruar në dashuri, i qëndrojmë besnik Hyjit dhe njeriut, kryejmë dhe veprojmë me ndërgjegje.

Krishti, pra sot në Ungjill na thotë që do të jemi dhe do të mbetemi miqtë e tij nëse qëndrojmë në dashuri e Tij.

Si të zgjedhurit të Hyjit dhe si të dërguarit e Tij, jemi bërë me jetën sakramentale, duke filluar me pagëzim dhe e kemi për detyrë që në saje të veprave tona të shihet prania e Hyjit tek njerëzit që i takojmë apo me ata që komunikojmë e bashkëpunojmë.

Në saje të dashurisë që na është dhënë, ne do ta njohim më mirë vetveten dhe do të dimë të kemi dhe të mbajmë qëndrim të mirë për një jetë dhe veprime çfarë i pëlqen Hyjit.

Tregohet një shembull se si në Perzi jetonte një perandorë, i cili, me zemër dhe shpirt e donte popullin e vet, dhe shumë e ndihmonte. Këtë dashuri e tregonte në këtë mënyrë. Ai, shpeshherë ndërronte rrobat dhe me rroba të thjeshta u bashkonte me popull në raste të ndryshme. Nuk e njihte askush që është perandori. Kështu shkonte në banjot publike, punonte me ta, ishte aktiv në shumë forma.

U lidh më tepër me një punëtorë që pastronte banjot, dhe shumë herë i sillte ushqim dhe hante me të; ishte njeri i varfër dhe shumë e donte ketë njeri që nuk e dinte se është perandori.

Krejt shkoi mirë, derisa një ditë nuk ia zbuloi identitetin e vet perandori duke e pyetur çfarë dhurate dëshiron të ketë për sjellje të mirë që kishte ky njeri?

Njeriu mbeti i habitur dhe shumë i befasuar, sepse kishte mundur të ëndërrojë për shumë gjëra në jetë, por të ketë aq shumë takime me perandorin nuk e kishte besuar kurrë.

Pastaj i tha: Ju e keni lenë pallatin e bukur dhe keni ardhur çdo ditë që të ndani punën e rënd me mua, të tjerëve keni mundur t‘ iu jepni shumë dhurata, por jeni përcaktuar që mua të ma jepni dhuratën më të madhen, të më jepni vetveten. Ju kisha lutur vetëm për një gjë: me lejo që të jem gjithmonë miku i yt dhe më mjafton.

Ky shembull na tregon mjaft dhe lidhet ngushtë me atë që dëgjojmë në Ungjillin e sotshëm.
Jezusi na e dha vetveten, Ai ishte dhe dëshiron të jetë miku ynë, Ai, i cili përkujdeset për ne sepse na do.

Ta duam edhe ne Jezusin, me të njëjtën dashuri dhe kështu, të qëndrojmë besnik në jetë, duke kryer me shumë përkushtim përgjegjësitë që kemi e duke u dëftuar se jemi nxënës të tij. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër e motra, duke e falënderuar Hyjin për dashuri që ka ndaj nesh me përvujtëri të lutemi:

Bëj që të qëndrojmë në dashurinë tënde, o Zot!

– Jezu, bej që dashuria jote të jetë e pranishme në Kishën që Ti e themelove, dhe nëpërmes dashurisë dhe shërbimit të dëftohet dhe lavdërohet emri yt në botën mbarë, të lutemi:

– O Jezu, ti ke thënë që gëzimi yt i plot është nëse qëndrojmë në dashuri na ndihmo që të jemi të aftë për të kundërshtuar çdo gjë që pengon dashurinë ndaj teje dhe ndaj njerëzve, të lutemi:

– Jemi të bashkuar në Kishë si vëllezër dhe motra, na ndihmo që me jetë të të lavdërojmë dhe falënderojmë për praninë tënde në mes nesh, të lutemi:

 – Në këtë kohë shumë të rinj do të pranojnë sakramentin e krezmimit, bëj që t’ u ndihmojë Shpirti yt i Shenjtë që të qëndrojnë besnik dhe dëshmitar të mirë, të fesë, të lutemi:

– Të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë, bëj që të gëzohen në praninë tënde, në Mbretërinë qiellore, të lutemi:

Pranoj o Zot, Jezu lutjet tona të përvujtura, që me gëzim t’ i drejtuam dhe na ndihmo që të jetojmë prej dashurisë dhe kujdesit që ke ndaj nesh. Që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgaditi për Dritën: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »