Laiciteti, Shekullarizmi, laicizmi

May 12 • Opinion

Shkruan: don Jeton Thaqi

Duke folur për laicitetin, duhet patjetër të bëjmë dallimin ndërmjet laicitetit dhe shekullarizmit. Laiciteti ka të bëjë me fushën politiko-institucionale. Ndërsa shekullarizmi shikon procesin shoqëror e kulturor të desakralizimit apo largimit nga sakralja, nga e shenjta. Duhet të potencohet edhe fakti që dy elementet nuk procedojnë automatikisht më të njëjtin hap. Për shembull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend laik por jo të shekullarizuar, ndërsa Britania e Madhe është një shtet i shekullarizuar por jo laik, prej momentit që Mbretëresha është në krye të Kishës Anglikane, por jeta shoqërore është tashmë jashtë parimeve fetare. Dy shembuj të marrë nga kronikat mund të ilustrojnë dy qasjet e ndryshme. Në nëntor të vitit 2011, duke u përgjigjur disa objeksioneve, dhoma e lartë e reprezentuesve në Washington, votoi gati në unanimitet In God we trust (në besojmë në Zot) që mbetet ende motoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa e lëshuar poshtë Amendamentin e Parë (“kongresi nuk mund të vejë ligje për njohjen zyrtare të një religjioni ose të ndaloi kultin e lirë, ose të kufizoi lirinë e fjalës, të shtypit, o të drejtën e qytetarëve që të tubohen në forma paqësore dhe të adresojnë peticione qeverisë për riparimin e padrejtësive” ) gjithashtu as parimin e ndarjes. Në efekt, do të jetë pikërisht ky tekst për të paraqitur deri në vitin 1984 një pengesë, për anën amerikane, për ndërtimin e një relacioni diplomatik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Selisë se Shenjt; gradualisht do të piqet ideja e vetëdijesimit që qëllimi i Amendamentit ishte që njëra prej shumë sekteve të behej politikisht me e preferuara ndaj të tjerëve, duke provokuar në këtë mënyrë ndarje në bashkimin e arritur dhe të ndjeshëm të ish kolonive britanike. U kuptua shumë shpejtë se prania e një ambasadori në Vatikan nuk barazohet me institucionalizimin e katolicizmit si religjion i shtetit. Mbetet gjithashtu e pa demonstruar, në qasjen që koncepton laicitetin si neutralitet, pse të imagjinohet bota si e ç’orientuar shpirtërisht qoftë me neutrale në të kundërtën. Autoritet arsimore të Australisë (që siç u tha më sipër, bënë pjesë në Common wealth Britanik dhe ka për prijës të shtetit Mbretëreshën Elizabeth II) kanë propozuar të eliminojnë nga librat e historisë siglat BC (bifore Christ) që i përgjigjet në shqip P.K (Para Krishtit), dhe AD (Anno Domini), për ta zëvendësuar më atë korrektësinë politike (politically correct) të BCE (before current eve) para erës sonë; ose BP (before prezent). Projekt ky që është duke e bërë edhe BBC angleze. Kështu duket që jemi duke u kthyer në kohët e revolucionit francez, ku në atë kohë kërkohej të hiqet çdo formë referimi fetar deri tek reforma e kalendarit, duke e ndryshuar edhe ritmin javor me një cikël dekade. Aspekti më paradoksal është që kjo ndodh në Britani, ku 26 ipeshkvij anglikan janë anëtar të Dhomës së Lartë me titullin Lords Spiritual. Në kundër tendencë, intervenimi i kryeministrit britanik David Cameron, që më rastin 400 vjetorit të përkthimit të Biblës në gjuhën angleze, që njëherazi i atribuohet mbretit Jakob, ka pohuar: “jemi një vend i krishterë. Nuk duhet të turpërohemi duke thënë (…), Bibla i ka dhënë vendit tonë një seri vlerash dhe një moral të cilën e bëjnë ashtu sikurse është sot, vlera dhe moral që aktivisht duhet të mbështetën dhe të mbrohen. Neutraliteti moral nuk mund të jetë një opsion: nuk mund të luftohet diçka me asgjë”. Në këtë drejtim duket që ec edhe e përditshmja “The Guardian”, e cila ka dedikuar për tetë javë me radhë një dossier influksit të qëndrueshëm të Biblës në vendimet politike. Me domethënie të veçantë është edhe vizita e Sayeeda Warsi, e cila pa qime në gjuhë ka deklaruar që ekzekutivi është në anën e fesë, me detyrën që të sigurojë që feja të gëzojë një vend të përshtatshëm në sferën publike. Përkundër faktit që është myslimane, ajo ka vendosur të dërgojë të bijën në një shkollë anglikane, e sigurt që aty do të edukohej në respekt për të gjitha religjionet. Sipas Baroneshës, gabimi i bërë në shumë vende të Evropës, është që të mendosh se për të arritur një bashkëjetesë paqësore është e nevojshme zvogëlimi apo ndërrimi i identitetit shpirtëror, duke mohuar trashëgiminë fetare të një vendi, për një respekt të keqkuptuar të pakicave. Ngjashëm më këto teori edhe udhëheqësi i një delegacioni britanik ka krahasuar dialogun ndërfetar i cili sot po konsiderohet si largim i dallimeve me qellim që të krijoi një gjuhë të përbashkët, e në këtë mënyrë ka përfunduar që të neutralizoj pasuritë e secilit religjion.

Format e shekullarizimit

Pyetja e parë që duhet të shtrohet pa kurrfarë dyshimi është: kur ka lindur termi shekullarizëm? Sipas historianit dhe sociologut Jean Bauberot, shekullarizimi ka të bëjë më humbjen e përkatësisë shoqërore të universit religjioz në krahasim me kulturën e përbashkët. Përveç këtij definicioni, mund të thuhet që termi shekullarizem u përdor fillimisht për të treguar konfiskimin e të mirave të Kishës nga ana e princave pas paqes se Westfalia-s në vitin 1648. Pas kësaj ngjarje të rëndësishme ky term ka përqafuar edhe fusha të tjera që kanë lënë vend perspektivave të ndryshme. Historiani Lary Shiner i dallon pesë: 1. Koncepti i parë barazohet me rënien (e ndikimit) e religjionit: krishterimi në veçanti ka humbur “zotërimin” mbi kulturën perëndimore, edhe megjithatë është shumë vështirë të caktohet njësia matëse konkrete e kësaj humbje dhe koha kur ka filluar dhe zgjatja e saj. 2. Një koncept i dytë, nënvizon se grupet religjioze kanë tendencën të baras peshohen më shumicën e shoqërisë civile, e si pasojë duke e humbur horizontin mbinatyror. 3. Perspektiva e tretë e sheh shekullarizimin si një desakralizim të botës ose fakti që bota pak a shumë privohet nga vula sakrale, për shkak të mbisundimit të shkencave empirike, në çdo fushë të dijës. 4. Orientimi i katërt karakterizohet për ndarjen ndërmjet shoqërisë dhe interpretimit të reales, kështu që religjioni zhvendoset në sferën private dhe intime te individit. 5. Qasja e pestë më radhë e koncepton shekullarizimin si kalimi në sferën popullore të besimit dhe praktikave të lidhura me religjionin. Sipas disa autorëve të tjerë mund të bëhen edhe disa ndarje tjera si ndërmjet shekullarizimit dhe shekullarizimit. Shekullarizimi sipas këtyre ka të bëjë më neutralitetin ndaj religjioneve dhe shekullarizmi si qëndrim armiqësor ndaj besimeve. Ndërsa filozofi Charles Taylor dallon tri forma te shekullarizimit:

Ndarja ndërmjet shtetit dhe kishës, që sipas tendencave lidh religjionin në sferën private: këtu kemi të bëjmë me desakralizimin e vendeve publike.

E dyta mund të interpretohet si humbja e bindjeve dhe e lidhjeve fetare: believing without belonging (të besosh pa qenë pjesë). Me fjalë tjera kemi të bëjmë më rënien e besimit dhe të praktikumit të besimit.

Dhe ndarja e tretë do të ishte eklektizmi fetar apo shfaqja e kushteve dhe formave të reja të besimit.

Karakteristikat e Laicitetit

Termi laicitet ka pësuar një evolucion në fushën e së drejtës: nga parimi që rregullon negativisht gjithçka që nuk hyjnë në kompetencat e shtetit, kalon pas viteve të 50-ta të shekullit të kaluar të rregulloj pozitivisht jetën e personave dhe të shoqërisë. Sipas Jean Bauberot procesi i laicizmit shikon rolin e religjionit si institucion social dhe i vë në lojë raportet e tij me shtetin-komb.

Cilat janë karakteristikat e laicitetit? Juristi Augusto Barbera i numëron disa: Laiciteti është:

– autonomia e së drejtës nga urdhrat fetar; e pushtetit politik nga ndikimet kishtare (vs teokracia);

– liria e kishës nga ndikimet shtetërore (galikanizmi);

– afirmimi i pluralizmit fetar (vs konfesionalizmi);

– refuzim i ideologjive shtetërore (vs totalitarizmi etik).

Nëse ekziston edhe një laicitet i kuptuar si përjashtim i religjionit nga sfera publike, ajo në esencë është një metodë që lejon koekzistencën paqësore të projekteve jetësore të kundërta njëra me tjetrën.

Ja edhe një definicion i mirë i shkrimtarit Claudio Magris mbi laikun: laiku nuk është ai që nuk beson, por ai që duke (mos) besuar di të dalloj atë që është objekt i fesë prej asaj që është objekt i arsyes. Edhe politologu Gian Enrico Rusconi duket se shkon në këtë drejtim kur afirmon se laiku është ai që i respekton ligjet dhe është i drejtë ndaj ligjeve edhe atëherë kur nuk i konvenojnë.

Sigurisht që është kurreshtare të dimë së fjala-termi laik zhvillohet në fushën e krishterë. Fjala laik, në kuptimin teknik të fjalës, edhe sot e kësaj dite përdoret për atë që është pjesë e popullit të Zotit, por nuk është anëtar i klerit që përbehet prej ipeshkvijve, priftërinjve dhe diakonëve. Pra laik është çdo besimtarë katolik e që me pastaj nuk kanë pranuar urdhrin e shenjt të meshtarisë. Në tjetrën anë është shumë paradoksale që kjo fjalë ka kaluar me domethënien negative të jo besimtarit, edhe pse ndoshta të pagëzuar në moshë të mitur. Por para pesëdhjetë viteve Georges de Lagarde tregonte se manifestimet e para te laicitetit nuk janë prerogative e modernitetit e as e Reformes protestante, por rrjedhin nga mesjeta e më saktësisht nga shekulli XIII, epokë kjo gjatë së cilës shoqëria ishte e shënuar në dallimet ndërmjet laikatit dhe klerit, ndërmjet të përkohshmes dhe shpirtërores.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »